Në thelb | Muzikë

Dy çifte që po e ndezin underground-in e muzikës në Kosovë

Nga - 06.05.2017

Tandem dhe X-Rated Self Love shikojnë përtej murit.

Tandem është çift i sapoformuar muzikor i përbërë prej dy personave që janë pjesë e skenës muzikore rregullisht, Oda Haliti dhe Blerta Kosova. Projekti i ri përpiqet të përziejë disa ide muzikore me tinguj që vazhdimisht kapërcejnë prej zhanrit në zhanër; ndërsa paraqitjet e tyre të drejtëpërdrejta janë diku në mes të DJ sets, prodhimeve me llaptop dhe performancave në skenë.

Kur iu kërkuam që t’i shpjegojnë rolet e tyre përkatëse në grupin “Tandem”, Haliti insiston që nuk janë vetëm producente apo DJ. ”I bëjmë edhe sendet tona”, thotë ajo. “Ka muzikë të Blertës, disa sende që i improvizojmë në moment, e ka edhe këngë që i miksojmë”.

Muzika gjithmonë ka qenë pjesë e madhe e jetës së Halitit, që prej fëmijërisë kur bënte këngë me sekuencer (një pajisje elektronike e programueshme për ruajtjen e sekuencave të notave muzikore), e përzinte stile të ndryshme. “Motra ime shpeshherë ma kujton qysh kur kom qenë e vogël kom bo playlist-a në kaseta, e e disha saktësisht sa kohë ka me lujt kaseta për një kangë”, thotë ajo. Me kompjuterin e parë të saj Haliti filloi që të bënte lista të këngëve, e kështu edhe ta zgjeronte shijën e saj muzikore.

Haliti dikur e udhëheqte një bar në Prishtinë që quhej “Gegë”, e aty shpesh ftonte DJ e muzikantë tjerë për të performuar. Me kohë ajo filloi që të lëshonte vet muzikë. Blerta Kosova performonte shpesh si adoleshente nga Mitrovica. Ajo shkonte në “Gegë” rregullisht e performonte me grupin e saj, të cilin e kishte formuar nëpërmjet shkollës së Rokut, në Mitrovicë.

Muzika në tandem: Oda Haliti (majtas) dhe Blerta Kosova (djathtas). Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Kosova ka performuar edhe solo. Performancat e saja në “Gegë” asnjëherë nuk ishin të njejta. Ajo eksperimentonte dhe e zhvillonte tingullin e saj, duke luajtur me gitare e llaptop.

“Eksperimentimi është baza e Tandemit”, shpjegon Kosova. Duke biseduar me këtë çift bëhet e qartë që muzika e “Tandem” vjen prej një fluksi të stileve të ndryshme muzikore, të përziera me një kuriozitet për tinguj të ri.

“Kam shku prej hip-hopit e Britney Spears në Aphex Twin e Radiohead”, thotë Kosova. “Gjithçka kom ndërgju në jetë, pra është e natryshme që jemi bashkë. Nuk ka përjashtime për mua në muzikë, e njejtë edhe për Odën. Të dyja jemi të hapura për sende të reja”.

Blerta Kosova beson se për “Tandem”, eksperimentimi me muzikë është bërë më shumë se veç kënaqësi. “Po e shohim që ky vend nuk ofron asgjë. Në mënyrë artistike e muzikore është mjaft i dobët, e të jem e sinqertë, nuk po zhvillohet shumë”, thotë ajo, e i dallohet zhgënjimi në zë. “Dikush duhet me bo diçka, e na mendum që është e nevojshme me e kriju ni nismë për ni grup të vogël të njerëzve që dojnë diçka ndryshe”.

“Të dëshpëron e mërzitë, sepse nuk po fitoj asgjë emocionalisht apo financiarisht, por kërkon kohë, e këta pak njerëz që e vlerësojnë muzikën time më jepin fuqi që me ecë përpara.”

Blerta Kosova

Përderisa bota “atje” (jashtë kufijve të Kosovës), ka stile të pafundme e gjithnjë krijon tinguj të ri, grupi “Tandem” mendon se kosovarët janë bërë statik sa i përket pranimit të muzikës së re. “Muzika tani është shumë e përzier. Ka shumë muzikë të mirë. Është mëkat me e quajt muzikën të keqe”, thotë Oda Haliti.

“Mendoj që është pak e cekët me kriju muzikë të njejtë gjithë jetën. Me kriju tekno ose rock, ose hip-hop, edhe pse të gjitha janë të mira. Po pse mos me i përzi? Atëherë ke diçka origjinale. Këtë e keni dëgju në hapje të DAM Festival [në Prishtinë në prill]. Kjo ishte Tandemi”.

Kosova dhe Haliti mendojnë që skena e muzikës në Kosovë është aktualisht e fiksuar në zhanre të caktuara të muzikës, dhe se ekziston një tendencë për të paragjykuar gjithçka jashtë kësaj, duke e kufizuar kështu spektrin artistik e muzikor. Sikur të mos ishte boll e mbyllur Kosova me regjim të vizave.

“Është e vërtetë që çkado që servohet, tjerët e hanë”, thotë Kosova, duke deklaruar se në Kosovë, muzika komerciale është shujta kryesore. “Prandaj është shumë e nevojshme me shërby diçka tjetër. Në mënyrë që me pa këta njerëz që kanë mur mbrojtës rreth vetës”.

Kosova thotë se shpeshherë është ndjerë në siklet në skenën muzikore të Kosovës, sepse audienca nuk ka ditur se si të reagojë ndaj muzikës së saj. Sidoqoftë, ajo nuk ndalet. “Të dëshpëron e mërzitë, sepse nuk po fitoj asgjë emocionalisht apo financiarisht, por kërkon kohë, e këta pak njerëz që e vlerësojnë muzikën time më jepin fuqi që me ecë përpara”, thotë ajo.

Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Deri më tani Tandem ka performuar dy herë, në Shtypshkronjën Rilindja në Prishtinë për hapjen e DAM Festival dhe në Tulla Culture Center, në Tiranë. “Kur performuam për herë të parë në Tiranë, ishim në siklet se kjo muzikë eksperimentale është e re për krejtë, e kur është e re është kogja vështirë, se të duhet kohë për me u mësu me të”, thotë Haliti.

Përkundër pritjeve, publiku reagoi shumë mirë. Njëri prej publikut i tha çiftit atë natë se e kishin “edukuar” botën muzikore të Tiranës. “U ndjemë shumë mirë, sepse e pamë qysh mundemi edhe me ndiku në artistë tjerë”, thotë Haliti. “Nëse tjerët e shohin si edukim, atëherë është një performancë e parë shumë e suksesshme”.

Tingujve futurist i shtojnë elemente vizuale e të modës. Në performancën e tyre në Shtypshkronjën Rilindja, ato ishin të veshura me tesha të dizajnuara nga Venera Mustafa, por teshat i kishin të ndryshme. Haliti dukej sikur imazhi i Kosovës i kthyer mbrapsht. Gjatë performancës, dritat e skenës reflektuan në lëvizjet e tyre minimaliste, e në stilin e tyre “me syze të diellit natën”.

Për Halitin, jetike është që kur të jesh në skenë, të kesh përgjegjësi e ta shfrytëzosh sa më shumë. “Miles Davis tha se 30 përqind është muzikë, e 70 përqind qëndrim”, thotë ajo.

X-Rate Self Love

Një çift tjetër muzikor që po përpiqet t’i thej kufijtë është ai i përbërë prej Jora Lumezit e Diora Binxhiut, që e quajnë vetën “X-Rated Self Love”. Si anëtaret e Tandem, Lumezi dhe Binxhiu të dyja e duan muzikën, dhe e kanë zbuluar se si kënaqësia e ndarjes së muzikës i ndez pasionet e tyre. Misioni i tyre është që të krijojnë lista të këngëve që të lejojnë të eksplorosh, e mbi të gjitha, të vallëzosh.

X-Rated Self Love nisi në një prej hapësirave alternative të Prishtinës që tashmë është shuar, në Tentene. Politika muzikore e këtij bari ishte që të ftohen njerëz të ndryshëm e të kontribuojnë me lista këngësh, në vend se me DJ sets. “Kur kemi mendu se qysh me emëru eventin, kemi vendosë me quajt X-Rated Self Love”, shpjegon Lumezi. “Nuk e kemi mendu për vete, po për event, po prej atëherë krejtë na kanë thirrë qashtu. Nuk kemi dashtë me imponu, po ka mbetë diqysh”.

Binxhiu, menaxhere e rrjeteve sociale, shpjegon se si u motivuan duke mos e dëgjuar muzikën që e donë në skenën e jetës së natës në Prishtinë. DJ në klube nuk arrinin që t’i bënin këto dy vajza që të vallzëonin, veçanërisht meqë undergroundi i Prishtinës është i mbushur me tekno.

“Gjithkah ishte”, thotë Binxhiu. “Krejtë tu ndëgju e lëshu tekno. Zakonisht në Tentene kanë lëshu dark techno, kështu që kemi dashtë me lëshu muzikë ma ndryshe; me u njoftë për tinguj më të lehtë e më të lumtur”.

Jora Lumezi (majtas) and Diora Bunxhiu (djathtas) shtynë para artistë të ri në listën e tyre muzikore, në veçanti gratë të cilat kanë kaluar nëpër zhanre të dominuara nga gjinia mashkullore. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0

Çifti shpjegon se si politika e përzgjedhjes së këngëve të tyre përcaktohet prej publikut, si dhe prej ndjenjave të tyre. “Nganjëherë mundohemi me lëshu muzikë që e njohin krejtë, po nuk e kanë ndëgju moti”, shpjegon Binxhiu. “Po mundohemi edhe me lëshu muzikë të artistëve të ri, për me i shti njerëzit me pa që ka hala muzikantë të mrekullueshëm, qoftë në hip-hop a në çfarëdo lloj muzike tjetër”.

Filluan para një viti, dhe tani kanë performuar në klube të ndryshme të Prishtinës, por kryesisht në hapësira alternativeku muzika është elementi kryesor. Së fundmi, X-Rated Self Love janë bërë atraksion kryesor.

“Mundohemi që shpesh me i promovu muzikantet e reja që janë femra, sidomos në rep, se njihet si zhanër ku ka shumë meshkuj."

Diora Binxhiu

“Shpeshherë njerëzit më thojnë që kanë vendosë me dalë kur e kanë pa që kemi me lëshu, përndryshe kishin nejt n’shpi…”, thotë Binxhiu, e Lumezi e ndërprenë duke qeshur. “Nashta po rrejnë për me na shti m’u ndi mirë”, thotë duke bërë hajgare, por pajtohet realisht me atë që e thotë shoqja e vet. “Po, zakonisht njerëzit vijnë se janë mësu me neve”, thotë ajo. “Kryesisht janë më të ri, po kohëve të fundit kam pa edhe gjenerata më të vjetra”.

Duke bërë emër, X-Rated Self Love janë përballur me më shumë se vetëm shije konservatore. “Kur njerëzit e panë që jemi vajza, nuk na merrshin seriozisht”, shpjegon Binxhiu.

Në ditët e para shumë njerëz i afroheshin gjatë performancave duke bërë kërkesa muzikore. “Kur lëshon ndonjë djalë muzikë, e kur duket që ka më shumë vetëbesim, njerëzit nuk shkojnë me i lyp diçka, veç e dëgjon”, thotë Binxhiu.

Tani e kanë guximin për ta shtyer para agjendën e tyre muzikore e për të promovuar artistë të rinj, veçanërisht gra që futen në zhanre të dominuara prej meshkujve. “Mundohemi që shpesh me i promovu muzikantet e reja që janë femra, sidomos në rep, se njihet si zhanër ku ka shumë meshkuj. Sa herë të ndëgjojmë sende të reja të Princess Nokia e Tommy Genesis, i lëshojmë non stop”. Ato kanë parë rezultate, meqë klubet janë mbushur kur kanë lëshuar sete të mbushura me hip-hop.

Ato gjithashtu promovojnë artistë vendas, por kanë mungesë të repereve kosovare femra në koleksionin muzikor të tyre. “Ka qenë ni repere në Prishtinë, Qika, e i kemi lëshu disa sende të saj një ditë, po ajo nuk po bënë më muzikë”, thotë Lumezi. “Ka qenë në gjeneratën e njejtë me NR [legjenda të repit kosovar], e bënte rep hardcore, po sa e dimë nuk ka femra në Kosovë që po bëjnë rep për momentin”.

Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Planet e X-Rated Self Love mbesin të njejta; të lëshojnë muzikë kohë pas kohe në klube, duke promovuar muzikë të re, duke u kënaqur e duke vallëzuar me tjerë. Ato janë ftuar për të luajtur në disa prej klubeve më komerciale në Prishtinë, por e kanë refuzuar ofertën për shkak se nuk duan që “t’ia prishim natën dikujt”.

Siç e shpjegon Binxhiu, qendër e filozofisë së tyre është që të kënaqen duke lëshuar muzikë: “Kënaqesh shumë duke lëshu muzikë që të pëlqen, e kur e din që edhe tjerët po kënaqen”.

Me Tandem dhe X-Rated Self Love, skena muzikore në Kosovë është bërë më e shumëllojshme, e më e kënaqshme me këtë atmosferë të avant-garde-it vendas. Ka më shumë përtej murit.K

Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.