Në vitin 2022, xhiruam një dokumentar për personat e zhdukur gjatë dhe si rezultat i luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë. Kërkuam nga Bekimi dhe Jasmina që edhe një herë t’i rrëfejnë historitë e tyre, si dhe historitë e të afërmve që u janë marrë.
Ky dokumentar ka të bëjë me mungesën. Mungesën e njerëzve, mungesën e së vërtetës, mungesën e epilogut. Por ka të bëjë edhe me mungesën e vullnetit dhe kapacitetit institucional për t’i gjetur personat e zhdukur të Kosovës — 1,617 persona në vitin 2022, ndërsa sot 1,597 persona.
Bëhet fjalë për mungesën e shumë familjarëve/eve të njerëzve të zhdukur që refuzuan t’i ndajnë historitë e tyre, të rraskapitur nga dalja publike dhe përjetimi i serishëm i humbjes së tyre, duke e ditur se trauma e tyre nuk po mjafton t’i detyrojë ata/o që kanë pushtet të punojnë e t’i kthejnë të dashurit e tyre në shtëpi.
Bekimi dhe Jasmina na ofrojnë shkurtimisht pamje të asaj se çka ndodh me ata/o që mbesin prapa dhe se si jeta zhvillohet, përreth dhe kundër humbjes që nuk mund të shkundet, kujtohet apo ndalet.