Një punim shkencor i publikuar në fillim të janarit 2023 konfirmon se vaksinat HPV janë të sigurta, efikase dhe të dobishme për të rriturit, pavarësisht nëse kanë qenë të infektuar më parë me ndonjërën prej llojeve të virusit human papilloma (HPV). Për ne, që avokojmë për të pasur qasje të barabartë në vaksinat HPV, ishte diçka që e dinim tashmë, marrë parasysh se — sipas uebfaqes së Agjencisë së Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore të Serbisë — vaksinat janë aprovuar për të gjithë banorët e Serbisë prej moshës nëntë vjeç e tutje.
Në vitin 2017, u trajtova për kancerin e qafës së mitrës, njëri nga disa prej llojeve të kancerit që shkaktohen nga HPV. Gjatë asaj kohe kuptova se Australia ishte vendi i parë që regjistroi një rënie të madhe të infeksioneve me HPV tek njerëzit që ishin vaksinuar.
Është vërtetuar, jo vetëm se vaksina HPV funksionon, por edhe se imunizimi masiv tek fëmijët e moshës shkollore do t’i zhdukë potencialisht të gjitha llojet e kancerit të shkaktuara nga HPV deri në vitin 2035. Pasi Australia prezantoi një program kombëtar imunizimi, Britania e Madhe dhe një numër vendesh tjera e ndoqën shembullin në fund të viteve 2000. Sot, secili prej këtyre vendeve prezanton me krenari rezultatet që kanë arritur.
Si u interesova për HPV?
Kur ke kancer, mendon se kjo është gjëja më e keqe që mund të të ndodhë. Pas remisionit (reduktim apo zhdukje e simptomave), jeta pason — por edhe tmerri. Meqenëse u diagnostikova me një lloj kanceri që u shkaktua nga një virus, si mund të jem kaq e sigurt se nuk jam më shpërndarëse e infektimit?
Jam ballafaquar me një sërë faktesh të çuditshme. Jo vetëm që ka pasur mungesë diskutimi rreth lidhjes midis kancerit të qafës së mitrës dhe HPV, por edhe mjekët zakonisht e përdornin fjalinë “është tepër vonë të vaksinohesh tani”.
Aty nisi hulumtimi im. Qe një kohë të gjatë jam autore në medie dhe vendosa ta prodhoj një dokumentar mbi parandalimin e kancerit, me titull “Një grua e gjysmë çdo ditë”. Ndryshe nga shumë të tjerë, unë pata mundësinë të kontaktoja ekspertë, kështu që intervistova një numër gjinekologësh, onkologësh, imunologësh, mikrobiologësh, patologësh dhe gjenetistësh për ta shpjeguar se çka po më ndodhte. A isha ngjitëse? A mund të infektohesha sërish? A kishte ndonjë mënyrë për ta mbrojtur veten?
Si ta mbroni veten?
Isha 34-vjeçare në atë kohë dhe doja ta dija se si do ta jetoja pjesën tjetër të jetës sime. Priremi të themi se nuk ka asgjë më të rëndësishme se jeta, por disi e shpërfillim shëndetin dhe cilësinë e jetës. Gjëja e parë që bëra ishte një test të ngarkesës virale HPV — rezultoi negativ. Një virolog ma shpjegoi se HPV ishte larguar me ndërhyrje kirurgjikale nga trupi im. Nuk është një lloj virusi që qëndron brenda trupit përgjithmonë. Pas operacionit radikal, nuk kishte më virus në trupin tim.
Më dukej se m’u dha një mundësi e dytë për të jetuar, bashkë me shumë gra të tjera që kishin ndryshime pre-kanceroze (d.m.th. lezione të vogla) ose kancer të larguar nga qafa e mitrës. Ndonëse nuk e kemi më virusin, nuk kemi imunitet. Kjo nënkupton se ne mund të infektohemi njësoj si çdokush tjetër. Aty nisi lufta ime — qëllimi im është t’i ndihmoj sa më shumë njerëz që mund të kenë kontakt ndaj HPV ose sëmundje të lidhura me HPV, që të shërohen dhe të kenë qasje falas në vaksinat HPV. Kushdo që mund të infektohet, mund dhe duhet të jetë në gjendje ta mbrojë veten.
Cila është gjendja globale?
Programet e para kombëtare të imunizimit nisën në Australi, Mbretërinë e Bashkuar (MB), ShBA dhe Bashkim Evropian (BE) në vitin 2007. Që nga viti 2008, fushatat e parandalimit të sëmundjeve të lidhura me HPV janë zbatuar nga pothuajse secili shtet anëtar i BE, ndërkohë që ekziston gjithashtu një prirje në rritje në skemat të imunizimit që janë neutrale për kah gjinia. Programet janë vënë në dispozicion pa kosto në shumicën e vendeve.
Sipas Dr. Ian Frazer, i cili zhvilloi vaksinën HPV, faktori më vendimtar për sa i përket imunizimit është kostoja — nëse sigurohet vaksina falas, njerëzit do ta marrin atë.
Përmes Ambasadës Australiane në Serbi, arrita t’i kontaktoja mjeket Julia Brotherton dhe Suzanne Garland, të cilat ishin të parat që ofruan prova se kanceri i qafës së mitrës mund të çrrënjoset. Në vitin 2019, ato rekomanduan që Serbia ta miratojë një politikë kombëtare. Fatkeqësisht, Serbia nuk e pranoi këtë rekomandim.
Sipas Dr. Ian Frazer, i cili zhvilloi vaksinën HPV, faktori më vendimtar për sa i përket imunizimit është kostoja — nëse e sigurohet vaksina falas, njerëzit do ta marrin atë. Disponueshmëria e vaksinave është e një rëndësie më të madhe për vendet në zhvillim, ku njerëzit janë të ekspozuar ndaj rreziqeve të shumta si qasja e kufizuar në kujdesin shëndetësor, mungesa e mjeteve për kontrollim të lindjeve, mënyra e pashëndetshme e jetesës dhe varfëria.
E vetmja vaksinë që është e disponueshme për të gjithë është një vaksinë që vjen falas.
Kostoja e shëndetit dhe gara me kohën
Koha më e mirë për t’u vaksinuar është përpara se të kryeni marrëdhënie seksuale. Në raste të tilla vaksina është më shumë se 95% efektive. Ndonëse statistikat tregojnë se efektiviteti i saj zvogëlohet me kalimin e moshës, pothuajse të gjitha vendet kanë programe plotësuese, që synojnë mbrojtjen e gjithkujt që është nën moshën 26-vjeçare. Skemat kombëtare të imunizimit ndaj HPV shpesh janë falas për të rinjtë e të rejat, duke i konsideruar ata/o si grup i cenueshëm social.
Sipas mendimeve të përgjithshme, popullsia që punon, për aq sa dëshiron, mund të kenë qasje në vaksina për t’u mbrojtur. Megjithatë, siç e shohim, do të ishte e dobishme nëse imunizimi ndaj HPV të ishte pjesë e çdo plani të sigurimit shëndetësor në vendet në zhvillim. Vaksinimi ul në mënyrë dramatike kostot e analizave të përsëritura të Pap-testit në rastet e lezioneve pre-kanceroze, apo të ndërhyrjeve të mëtejshme mjekësore gjatë trajtimit të kancerit, prandaj është masa parandaluese më ekonomike.
Ku qëndron Ballkani?
Evropa Lindore dhe Jugore rëndohen nga shkalla e lartë e kancerit të qafës së mitrës dhe vdekjet që lidhen me të.
Sipas një raporti të Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve, Moldavia ishte vendi evropian me shkallën më të lartë të rrezikut nga kanceri i qafës së mitrës. Në vitin 2020, me vetëm një program parandalues të HPV të prezantuar pjesërisht në Moldavi në vitin 2018 dhe norma që nuk e kalonin 49% të mbulimit (doza e parë në 2019), ky vend uli shkallën e kancerit të qafës së mitrës nga 28.2 për 100,000 gra, në 22.8 në 2021, sipas Qendrës së Informacionit HPV.
Kjo do të thotë se Moldavia tani po lë pas disa vende të Ballkanit.
Në Shqipëri, pa një program kombëtar imunizimi ndaj HPV-së, parandalimi i kancerit të qafës së mitrës reduktohet në programe testimi me mbulueshmëri deri në 5% në qarkun e Tiranës, shoqëruar me vaksinim vullnetar të vetëpaguar kundër HPV me një vaksinë bivalente të licencuar.
Moldavia ishte vendi evropian me shkallën më të lartë të rrezikut të kancerit të qafës së mitrës, por tani ajo lë prapa disa vende të Ballkanit.
Me një histori të shkallës së lartë të kancerit të qafës së mitrës (18 për 100,000 gra në 2020), Bullgaria filloi një program kombëtar për parandalimin e HPV në 2017 për vajzat e moshës 12-vjeçare. Ndonëse mbulueshmëria filloi të rritet, përparimi u ndërpre shpejt në vitin 2020 nga pandemia dhe numrat ranë shpejt. Sipas Parlamentit Evropian, në vitin 2021, Bullgaria kishte mbuliueshmërinë më të ulët me vaksina nga të gjitha vendet anëtare të BE (5.6%).
Në vitin 2014, Hungaria prezantoi programin e saj kombëtar për vajzat, nga të cilat rreth 86% e tyre kanë marrë dozën e parë, ndërsa 78% kanë marrë edhe të dytën.
Vendet post-jugosllave
Në vitin 2021, kishte shkallë të lartë të kancerit të qafës së mitrës në Mal të Zi (26.2 për 100,000 gra), Serbi (18.7) dhe Bosnje (14.3). Asnjëra nga këto vende nuk kishte skemë kombëtare të imunizimit ndaj HPV në atë kohë. Mali i Zi prezantoi një të tillë në shtator të vitit 2022, duke synuar vajzat nga nëntë deri në 13 vjeç.
Maqedonia e Veriut dhe Sllovenia e prezantuan vaksinën HPV në vitin 2009 si pjesë e një programi të vazhdueshëm, të organizuar dhe të planifikuar të imunizimit. Megjithëse vaksinimi është i detyrueshëm në Maqedoni të Veriut, mbulueshmëria është e ulët, duke filluar nga 17.6% në zonën e Ohrit dhe 19.7% në zonën e Shkupit, si dhe deri në 99.2% në zonën e Pehčevo.
Sllovenia vendosi një objektiv 90-70-90: t’i vaksinojë 90% të vajzave deri në moshën 15-vjeçare, t’i ketë të ekzaminuara 70% të grave deri në moshën 35-vjeçare dhe t’i trajtojë siç duhet 90% të grave të diagnostikuara me kancer të qafës së mitrës.
Që nga vitet e ’90-ta, Sllovenia ka zbatuar një program parandalimi ndaj HPV si pjesë e një platforme më të gjerë për çrrënjosjen e kancerit të qafës së mitrës. Programi quhet ZORA – Ekzaminimi Kombëtar i Kancerit të Qafës së Mishit. Ai menaxhohet nga Instituti i Onkologjisë në Lubjanë.
Ata vendosën një objektiv 90-70-90: t’i vaksinojë 90% të vajzave deri në moshën 15-vjeçare, t’i ketë të ekzaminuara 70% të grave deri në moshën 35-vjeçare dhe t’i trajtojë siç duhet 90% të grave të diagnostikuara me kancer të qafës së mitrës.
Përtej kësaj politike parandaluese gjithëpërfshirëse, 60% e vajzave sllovene mbuloheshin nga një skemë vaksinimi falas në vitin 2020. Megjithatë, nuk është e mjaftueshme për ta fituar imunitetin e turmës dhe për ta arritur efektin e dëshiruar në popullatën e gjerë, kështu që eliminimi i plotë i kancerit të qafës së mitrës mbetet ende të shihet.
Rekomandimet e para për vaksinën HPV në Kroaci u publikuan në vitin 2007 dhe vaksinat e para HPV u prezantuan në Zagreb. Këto u pasuan më vonë nga një program i financuar, pjesërisht ose tërësisht, nga qeverisjet komunale në pjesë të tjera të Kroacisë. Një program kombëtar imunizimi filloi në vitin 2015, kur u ofrua vaksinim vullnetar falas për vajzat në klasën e tetë. Në vitin 2016, programi u zgjerua për djemtë dhe nxënësit e shkollave të mesme si pjesë e një programi të plotësimit neutral ndaj gjinisë. Sot, programi i parandalimit të HPV është i qasshëm për të gjithë të rinjtë e të rejat nën moshën 26-vjeçar/e.
Në Kosovë, vaksinimi vullnetar i vajzave të moshës 12 deri në 16-vjeçare ka filluar tek në tetor të 2022. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Kosovë (MSh), rreth 100 gra diagnostikohen me kancer të qafës së mitrës çdo vit. MSh ka njoftuar se nga viti 2024 kjo vaksinë do të përfshihet në orarin e rregullt të vaksinimit. Megjithatë, do të jetë vetëm e rekomandueshme dhe jo e detyrueshme.
Situata në Serbi
Mënyra se si Serbia filloi imunizimin e saj shpejt mori kahje negative — nga 2,000 doza të vaksinës, që u dhuruan në vitin 2016, vetëm rreth 500 u përdorën.
Disa hapa janë bërë në vitin 2020, por vetëm nga dy qeverisje komunale. Asambleja komunale e qytetit të Šabac votoi unanimisht për financimin e një programi parandalues kundër sëmundjeve të lidhura me HPV, por imunizimi nuk është kryer. Në Novi Sad, nga ana tjetër, imunizimi u nis në kuadër të një projekti të financuar nga Ministria e Demografisë dhe Politikës së Popullsisë në vitin 2021; imunizimi vazhdoi në këtë zonë falë mbështetjes financiare nga qeveria e qytetit.
Vaksina HPV është vaksinë kundër kancerit — është e sigurt dhe efikase. E vetmja gjë që na duhen tash janë politikanë që e pranojnë shkencën.
Serbia e pati programin e saj të parë kombëtar për parandalimin e HPV, që filloi në qershor të vitit 2022, duke i synuar të gjithë nga mosha nëntë deri në 19 vjeç. Sipas Dr. Milan Jovanović Batut, në Institutin e Shëndetit Publik të Serbisë, mbi 23,000 fëmijë kanë marrë vaksinën HPV që nga ajo kohë.
Shkenca dhe politika — çfarë mund të presim?
Brenda dekadës së ardhshme, vendet, që kanë nisur me kohë fushatat e vaksinimit kundër HPV, pritet ta shpallin njëra pas tjetrës se kanceri i qafës së mitrës është çrrënjosur. Ndërkohë, vendet e Ballkanit po përpiqen t’i ikin vdekjes.
Të mbeturit pas Evropës na kushton në shëndetin tonë; si gratë ashtu edhe burrat janë në rrezik për t’u infektuar nga karcinoma orale dhe anogjenitale e lidhur me HPV. Ndërkombëtarisht, ka shqetësime në rritje se profesionistët mjekësorë nuk do të jenë në gjendje t’i trajtojnë këto sëmundje vdekjeprurëse në fazat e tyre të përparuara thjesht sepse nuk i kanë hasur kurrë në praktikë.
Vaksina HPV është vaksinë kundër kancerit — është e sigurt dhe efikase. E vetmja gjë që na duhet tani janë politikanët që e pranojnë shkencën.
Sistemet e kujdesit shëndetësor publik duhet t’i pranojnë faktet që kanë qenë të njohura për shkencëtarët që nga viti 2008, kur personi që zbuloi korrelacionin midis HPV dhe kancerit u nderua me çmimin Nobel. Në mënyrë që ne njerëzit t’u mbijetojmë viruseve, të cilët kanë ekzistuar më gjatë se ne, na duhen përpjekje mbinjerëzore për t’i përmirësuar statistikat shkatërruese.
Në Ballkan, njerëzit vdesin nga sëmundje të parandalueshme dhe të shërueshme. Vaksina HPV është një formë e mbrojtjes nga kanceri — prandaj le ta bëjmë atë të disponueshme për të gjithë. Shëndeti është e drejtë themelore e njeriut. Nuk duhet ta harrojmë kurrë këtë fakt.
Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0.