Në thelb | Zgjedhjet Lokale 2017

Valdete Idrizi vs Agim Bahtiri

Nga - 17.11.2017

Kryetari i biznesmen i Mitrovicës mposht një ish anëtar të shoqërisë civile.

Më 19 nëntor, kryetari aktual i Mitrovicës, Agim Bahtiri i Aleancës Kosova e Re (AKR), do të përpiqet ta fitojë edhe një mandat kundër Valdete Idrizit të PDK-së. Balotazhi në Mitrovicë me sa duket do të jetë një prej garave më të nxehta, meqë në raundin e parë të 22 tetorit, rezultatet e tyre ishin shumë afër: Idrizi doli e para me 29 për qind, ndërsa Bahtiri pas saj me 27 për qind. Në vitin 2013, Bahtiri doli i dyti në raundin e parë të votimit, dhe pastaj fitoi në balotazh kundër një kandidati tjetër të PDK-së, Avni Kastratit.

Bahtiri po kërkon ta vazhdojë atë që e përshkruan si “punën e mirë”, duke ngulur këmbë se Mitrovica e çrrënjosi Shërbimin Kombëtar të Intelegjencës në Kosovë (SHIK, krahu i intelegjencës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës), duke iu referuar lidhjeve të afërta që i ka Idrizi me kreun e dikurshëm të kësaj organizate dhe kreun aktual të PDK-së, Kadri Veselin. Ai gjithashtu vazhdoi ta sulmonte Idrizin duke i thënë se është bërë “vegël e PDK-së”.

Idrizi, e cila ishte drejtoreshë ekzekutive e OJQ-së ‘Community Building Mitrovica’ para se t’i bashkohej PDK-së më herët gjatë vitit, e ka sulmuar Bahtirin duke thënë se ai ka dështuar në realizimin e premtimeve të tij. Ajo pretendon se ai është duke i përdorur akuzat për SHIK-un vetëm si mënyrë për t’i arsyetuar premtimet të cilat nuk i ka realizuar gjatë mandatit katërvjeçar.

Larg ekonomisë dhe lidhjeve politike, debati në Mitrovicë ka qenë i fokusuar kryesisht në investime në infrastrukturë dhe arsim.

Në njërin prej postimeve të saj në rrjetet sociale, Idrizi e paraqiti veten si fytyrë e re në politikë, duke shkruar: “Njerëzit janë të zhgënjyer me politikanët, për vite të tëra. Është koha për diçka ndryshe – Është koha për ndryshim”. Ky sllogan është disi i ndarë nga linja partiake, meqë PDK-ja ka qeverisur për tri mandate në qytetin e Mitrovicës në 18 vitet e fundit.

Në vitin 2013, Bahtiri premtoi se do të krijonte 15,000 vende të reja të punës në Mitrovicë, si dhe se do t’i hapte disa fabrika. Në një debat televiziv, Idrizi ia kujtoi këtë premtim duke i thënë se ai ka dështuar krejtësisht sa i përket kësaj çështjeje.

Sipas Idrizit, “është hapur vetëm një fabrikë e këpurdhave me 70 punëtorë”. Ajo pretendon se Mitrovica është njëri prej qyteteve më të varfra në Kosovë. Bahtiri reagoi duke u tallur me Idrizin, gjegjësisht duke i thënë se gjatë gjithë atyre viteve kur qeveriste PDK-ja, vetëm një fabrikë ishte hapur – dhe parëndësinë e saj e shpjegoi duke pretenduar se i kishte “vetëm 15 pula”.

Larg ekonomisë dhe lidhjeve politike, debati në Mitrovicë ka qenë i fokusuar kryesisht në investimet në infrastrukturë dhe arsim. K2.0 i ka përmbledhur qëndrimet e dy kandidatëve për këto fusha.

Arsimi

Në disa debate televizive, Valdete Idrizi ka premtuar se do ta përmirësojë higjienën në shkollat e Mitrovicës dhe vazhdimisht ka bërë thirrje për “depolitizimin” e shkollave, duke pretenduar se emërimet politike të stafit janë bërë karakteristikë tipike për shkollat e Mitrovicës gjatë mandatit të Bahtirit. Bahtiri i ka mohuar këto pretendime, duke deklaruar se vetëm profesionalizmi është marrë parasysh gjatë punësimit, dhe se ai i ka ndryshuar praktikat që ishin vendosur nga qeveria e kaluar e PDK-së.

Në vjeshtë, disa nxënës të zonave rurale të Mitrovicës nuk kishin qasje në shkollat e kësaj komune për shkak të mungesës së transportit. Idrizi tha se nën kryesinë e saj, ajo do të garantonte që kjo të mos ndodhte më kurrë. Bahtiri e mbrojti administratën e tij duke pretenduar se operatori i transportit nuk arriti t’i përmbushë detyrat për shkak se i kishte kaluar kontrata, dhe se përndryshe të gjithë nxënësve në Mitrovicë u garantohet qasja në shkollim.

Sa i përket ndërtimit të objekteve të reja arsimore, Agim Bahtiri premtoi se do t’i ndërtonte tri çerdhe të reja, pa specifikuar ndonjë lagje. Idrizi gjithashtu premtoi se do t’i ndërtojë 7 çerdhe në Shipol, Iliri, Durqak, Frashër, Kshiq, Suhadoll dhe te Tuneli i Parë.

Investimet në infrastrukturë

Valdete Idrizi ka premtuar se do t’i investojë 100 milionë euro në investime kapitale, edhe pse buxheti i Mitrovicës për investime kapitale në vitin 2017 ishte 3 milionë euro, nga buxheti total prej 16.7 milionë euro që e kishte komuna për këtë vit.

Megjithatë, Idrizi vazhdimisht ka thënë se e ka mbështetjen e qeverisë qendrore, dhe gjatë fushatës së saj është parë shpeshherë me Kryetarin e Kuvendit dhe kreun e PDK-së, Kadri Veselin. Ajo premton se do ta themelojë zyrën për zhvillim lokal, për të cilën thotë se do të ndihmojë me mbledhjen e fondeve nga organizatat e ndryshme shtetërore dhe ndërkombëtare.

Në një vizitë në fshatin Boletin, ku u paraqit bashkë me Veselin, Idrizi premtoi se do ta ndërtojë ‘Kullën e Burrave’ në shtëpinë e luftëtarit Isa Boletinit. Por ajo nuk zbuloi shumën e fondeve që do të ndaheshin për ta përfunduar këtë projekt.

Një prej investimeve më të mëdha kapitale që janë propozuar nga Agim Bahtiri është përfundimi i infrastrukturës rreth zonës së lirë ekonomike në Mitrovicë. Bahtiri ka kalkuluar se realizimi i këtij premtimi do të kushtonte rreth 5 milion euro.

Në një debat televiziv me Idrizin, Bahtiri deklaroi se e ka siguruar mbështetjen e qeverisë qendrore, pjesë e së cilës është edhe partia e tij, AKR-ja. Bahtiri e ka justifikuar mosrealizimin e disa prej premtimeve të tij në lidhje me zonën industriale duke thënë se i mungonte mbështetja nga qeveria e kaluar qendrore.

Dallimi prej më pak se 1,000 votave ndërmjet Bahtirit dhe Idrizit e bën interesante garën për kryesinë e Mitrovicës.

Në një debat tjetër televiziv, Bahtiri i shprehu ambiciet e tij për ta siguruar një kredi nga Austria, duke lajmëruar se komuna aplikoi për 12 milionë euro për t’i përfunduar sistemet e kanalizimit dhe furnizimit me ujë në fshatrat e komunës, si dhe në qytetin e Mitrovicës.

Bahtiri gjithashtu premtoi se do t’i ndërtonte dy parkingje të mëdha – njëri prej tyre do të ndërtohet nën tokë, ndërsa tjetri do të jetë një parking i madh katërkatësh në qendër të Mitrovicës. Bahtiri nuk e specifikoi lokacionin dhe koston e këtij projekti, por premtoi se do t’i kryente të dyjat gjatë vitit 2018.

Këtë premtim e dha edhe Idrizi. Megjithatë, kandidatja e PDK-së planifikon ta ndërtojë një parking në hyrje të Mitrovicës që të sjellë në qytet nga Shipoli, si dhe një tjetër kompleks nëntokësor për parkim me kapacitet për 350 vetura në hyrjen që të dërgon nga Shupkoci në qytet.

Në vitin 2013, Bahtiri e theu rivalitetin tradicional ndërmjet PDK-së dhe LDK-së, meqë këto dy parti e kanë qeverisur Mitrovicën prej fundit të luftës. Konfirmimi i pozitës së tij në balotazh tregon se kjo përçarje është më shumë se e përkohshme. Ndërsa dallimi prej më pak se 1,000 votave ndërmjet Bahtirit dhe Idrizit e bën interesante garën për kryesinë e Mitrovicës.K

Ilustrimi: K2.0.