Bursa | Në thelb | Të Drejtat e Njeriut | Të drejtat e punëtorëve

Varfëri, pasiguri, vdekje

Nga - 10.12.2018

Punëtorët e ndërtimtarisë në Kosovë po rrezikojnë jetën për punë.

Valon Berisha ishte zgjuar herët, si zakonisht, për të shkuar në punë më 24 maj të këtij viti. Kishte udhëtuar rreth 18 kilometra nga fshati Vasilevë i komunës së Gllogovcit deri në Fushë Kosovë ku, si punëtor i thjeshtë ndërtimtarie, i paguar 250 euro në muaj, punonte në ndërtimin e një objekti të dedikuar për pompë të derivateve.

Atë ditë duhej ta pastronte objektin dhe t’i hiqte materialet ndërtimore të cilat nuk do të duheshin më gjatë vazhdimit të punimeve. Mirëpo, duke kryer detyrën, në orën 7:35, Valoni kishte pësuar aksident fatal kishte rënë nga kati i dytë.

“Isha në përdhesë kur dëgjova një bërtimë dhe një krismë në tokë; menjëherë vrapova dhe shkova të shihja”, thotë dëshmitari i vetëm i ngjarjes, punëtori Urim Hyseni, i cili atë ditë kishte shkuar në objekt vetëm sa për të marrë pajisje të punës dhe për të udhëtuar në Gllogovc. “E pashë Valonin që kishte rënë nga lart ku po punonte. Dola në rrugë dhe ndala një taksi që t’ia jepnim ndihmën e parë, por nuk guxuam ta prekim. Pastaj ndalëm një njësi të policisë, të cilët e lajmëruan ndihmën e shpejtë”.

Mjekët kishin konstatuar vdekjen në vendin e rënies.

I ndjeri Valon Berisha do të bëhej 30 vjeç në korrik. Ishte burrë i shëndetshëm; hobi dhe profesion të ëndrrave e kishte edukatën fizike.

Kishte studiuar për t’u bërë mësues. Në vitin 2010 kishte kryer studimet në Fakultetin e Edukatës Sportive në Universitetin e Prishtinës, por vetëm pas gjashtë vjetësh pati arritur të punësohej si mësimdhënës me kontratë të përkohshme për disa muaj në një shkollë në Gllogovc, si zëvendësues i një mësimdhënësi tjetër.

I shtrënguar të punonte nga nevojat e veta dhe të familjes, iu kthye ndërtimit. E kjo mbeti puna e fundit e tij. La pas gruan e papunë dhe dy fëmijë të vegjël, të cilët tani jetojnë me prindërit e saj që i mbështesin financiarisht.

Valon Berisha la prapa gruan me dy fëmijë pasi pësoi aksident fatal në punë në moshën 29-vjeçare. Këtu shihet në ditën e martesës. Foto e marrë nga faqja publike e Valonit në Facebook.

Tregimi i Valonit nuk është i rrallë. Ai është njëri nga 10 punëtorët e ndërtimtarisë që kanë humbur jetën në vendin e punës vetëm deri në tetor të këtij viti, sipas Inspektoratit të Punës. Ky numër ishte i njëjtë në vitin 2017, ndërsa më 2016 ishin gjithsej shtatë vdekje në vendin e punës në sektorin e ndërtimtarisë.

Ndërtimtaria përfshin numrin më të madh të të punësuarve burra në Kosovë në krahasim me sektorët e tjerë dhe, sipas Anketës së Fuqisë Punëtore për 2017 të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, ASK, punëson rreth 13 për qind të të gjithë të punësuarve. Ndërkohë, ndërtimtaria bëhet alternativa më e përhapur edhe për shkak të nivelit të lartë të papunësisë dhe të varfërisë në vend.

Vitin e kaluar, niveli i papunësisë ishte 30 për qind, ndërsa te grupmosha 15-24 vjeç shkonte në 52 për qind. Në anën tjetër, varfëria vazhdon të mbetet në nivel të lartë me rreth 18 për qind të qytetarëve që jetonin nën linjën e varfërisë në konsum prej 1.82 eurosh në ditë më 2015, ndërsa 5 për qind nën varfërinë ekstreme prej 1.30 eurosh në ditë.

Fakti që ndërtimtaria punëson një numër të madh ndërlidhet edhe me zhvillimin e hovshëm që ka pasur ky sektor që nga paslufta. Për shembull, në vitin 2000 në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës, ARBK, kanë qenë të regjistruara 769 biznese aktive ndërtimi. Më 2009 ky numër ka arritur në 5,252, ndërsa sivjet deri në gusht janë të regjistruara 12,349 sosh që i bie se në nëntë vitet e fundit numri i bizneseve të ndërtimit është rritur për 135 për qind.

Vetëm në Prishtinë, nga viti 2012 deri në maj të vitit 2018, janë dhënë 852 leje për ndërtim, prej të cilave 385 janë për objekte shumëbanesore dhe afariste. Gjatë të njëjtës periudhë, në Fushë Kosovë – ku edhe humbi jetën 29-vjeçari Valoni – janë ndërtuar 254 ndërtime të larta shumëbanesore.

Ndërtime të tilla kërkojnë fuqi të madhe punëtore. Nebih Zariqi, pronar i kompanisë “Standard” që merret më ndërtime të larta shumëbanesore, kryesisht në Prishtinë, thotë se për ta ndërtuar një objekt me 7,000 metra katrorë, i cili mesatarisht ka nëntë kate dhe 52 banesa me sipërfaqe 75-80 metra katrorë, duhen angazhuar së paku 35 punëtorë.

“Me këtë numër të punëtorëve, nëse punohet në mënyrë të vazhdueshme, objekti bëhet i gatshëm për banim për 14 muaj”, thotë Zariqi.

Një hulumtim i Bankës Botërore i publikuar më 2017 thotë se në Kosovë të drejtat e punëtorëve të ndërtimit shkelen më të madhe. Sipas tij, rreth 52 për qind e punëtorëve në sektorin e ndërtimtarisë punojnë pa kontrata të punës, shpesh me orar të tejzgjatur dhe nuk paguhen për orët shtesë e as për pushimet e festave. Raporti shton se atyre nuk u ofrohet pushimi vjetor, përveç nëse dëshirojnë ta marrin pa pagesë.

Ligji kosovar i punës thotë se i punësuari ka të drejtë në së paku një ditë pushimi në javë, në pushim me kompensim pagese gjatë festave zyrtare dhe në katër javë pushimi gjatë vitit. Në rast të martesës, sipas ligjit, punëtori ka të drejtë edhe në pesë ditë pushim me kompensim të pagës, ndërsa me rastin e lindjes së fëmijës në tri ditë pushim me pagesë.

I ndjeri Valoni punonte në ndërtim prej tre vjetësh dhe kishte kontratë pune me kompaninë “Timo Construction”, por sipas vëllait të tij, Ramadanit, ajo nuk respektohej në plotni.

“Gjatë festave ka pushu, por nuk i janë pagu, e pushime tjera nuk ka pasë”, thotë ai. “Vetëm të dielën ka pasë pushim. Kur është martu, nuk ka pasë pushim. Do të thotë, të dielën e ka bo dasmën, të nesërmen i është dashtë me shku në punë. As pushim prindëror nuk ka pasë”.

Në një raport të Inspektoratit të Punës për të këtë rast, të nxjerrë më 16 qershor, thuhet se në kontratën e punës të lidhur mes punëdhënësit dhe të aksidentuarit sërish në kundërshtim me ligjin e punës (nenin 11) nuk është përcaktuar përshkrimi i detyrave të punës dhe i përgjegjësive në pajtim me përgatitjen profesionale të punëtorit.

Por, rasti i Valon Berishës ka shpërfaqur probleme edhe më serioze dhe më emergjente në sektorin e ndërtimit të ndërlidhura me mosrespektimin e Ligjit për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë që po e vënë në rrezik jetën e punëtorëve.

I vëllai, Ramadani, thotë se nga informacionet që ka marrë nga kolegët e Valonit, në ditën e aksidentit ai nuk ka pasur rrip të sigurisë dhe fotot e asaj dite tregojnë se në objekt nuk ka pasur fare skele.

Sipas raportit të Inspektoratit të Punës, i ndjeri nuk e kishte helmetën në kokë. “Punëtori i aksidentuar i ka poseduar rrobat, dorezat dhe këpucët, por nuk ka pasur të vendosur në kokë helmetën mbrojtëse”, thuhet në raport.

Foto nga raporti i Inspektoratit të Punës që tregon vendin ku ra Valon Berisha duke gjetur vdekjen në maj 2018.

Gjithashtu, sipas raportit, punëdhënësi nuk ka qenë i pranishëm në ditën kritike në objektin ku janë kryer punimet dhe deklarohet se vetëm ka dhënë urdhër për të punuar në të. Raporti shton se punëtorët kanë vepruar pa ditur cilat materiale t’i heqin, prej ku t’i heqin, me çfarë mjetesh të punës si dhe ku t’i sistemojnë.

“Në rastin konkret, punëtori i aksidentuar ka kryer punë dhe detyra të punës i painformuar dhe i paudhëzuar”, thotë inspektorati në raport.

Për këto shkelje të dy ligjeve bazë të punës, më 27 korrik të këtij viti “Timo Construction” është gjobitur me 10,500 euro nga inspektorati. Pronari i kompanisë, Xhafer Leku, i kontaktuar nga K2.0, nuk ka dashur të thotë më shumë për rastin e Berishës përveçse të gjitha i ka deklaruar në Inspektoratin e Punës dhe në stacionin e policisë të Fushë Kosovës.

Për shkak të problemeve të kompanive me sigurinë në punë, si dhe pas shqetësimeve të shprehura nga Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë, deri më 15 nëntor të këtij viti, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, përkatësisht Inspektorati i Punës, ka pezulluar punimet në 101 punishte ndërtimi. Ky vendim sinjalizoi një interesim të paparë politik deri më tash në sektorin e punës në Kosovë.

Sipas kryeinspektorit Basri Ibrahimi, kjo është hera e parë që është ndërmarrë një hap i tillë dhe puna në këto punishte nuk do të lejohet të fillojë derisa t’i plotësojnë kushtet për siguri në punë.

Ky veprim i inspektoratit vjen edhe pas një reagimi shoqëror mbi rastet e vdekjeve të punëtorëve të sektorit të ndërtimit në muajt e fundit. Një protestë e mbajtur në tetor të këtij viti në Prishtinë ishte ndër të parat të organizuara në 10-vjeçarin e fundit ose dhe më gjatë, e që adresoi sigurinë dhe të drejtat e punëtorëve të ndërtimtarisë.

Ndonëse disa mund t’i shohin vetëm si ndërtesa banimi ose lokale afariste, këto vende të punës shpesh shërbejnë edhe si simbole të padrejtësisë dhe të mungesës së perspektivave socio-ekonomike për punëtorët e tyre. Në rastet më ekstreme janë vende që rezultojnë me vdekje për punëtorët e tyre.

Letërnjoftimi i punës në ndërtim: Shumë lëndime, zero sigurim

Edhe Rafet Hasani e ka parë vdekjen në sy. Lëndimet e marra gjatë ndërtimit të një objekti fabrike në fshatin Zhabar të Mitrovicës më 2014, e kishin shpënë në prag vdekjeje.

Më 12 dhjetor të atij viti, ndërsa bashkë me punëtorët e tjerë po përfundonin shtrimin e pllakës së dyshemesë mbi një kat, betoni i shtruar dhe materialet tjera kishin rënë nga pesë metra lartësi e bashkë me to edhe tetë punëtorë. Punëtorët e tjerë kishin shpëtuar pa pasoja të mëdha, por Rafeti, tani 34-vjeçar, ishte lënduar keq.

“Mezi më kanë gjetur”, tregon Rafeti. “Kam qenë i krejt i mbuluar, vetëm fytyrën ma ka parë një punëtor. Pas pak minutave më ka humbur vetëdija”.

Ai kishte dëmtuar brinjët dhe mëlçinë. Ndërhyrja kirurgjike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, QKUK, kishte zgjatur nëntë orë.  

Të brengosur se do t’i duhej ndihma mjekësore jashtë vendit dhe duke e ditur se letërnjoftimi do t’i skadonte brenda ditësh, familja e Rafetit përpiqej t’ia nxirrte të riun së bashku me pasaportën  ndërsa ai ishte ende në komë.

Rafeti u këndell nga koma pas pesë javëve dhe nuk  kishte nevojë të udhëtonte për ndërhyrje jashtë vendit. Por, që atëherë fjala “letërnjoftim” i sjell ndjesi të parehatshme: një përkujtim të vazhdueshëm të lëndimeve që kishte pësuar, mbasi u fotografua në gjendje kome me tuba të oksigjenit në gojë.

Në fillim nuk e kishte njohur askënd, por pas disa ditësh i është kthyer edhe kujtesa. Ai thotë se i është dashur një vit që të fillonte të ecte e të dilte në qytet pa përkujdesje.

“Sidomos në vitet e para kam pasur shumë dhimbje. Edhe tash kam dhimbje kohë pas kohe”, thotë ai.

Para aksidentit, Rafeti kishte punuar rreth gjashtë vjet për kompaninë “Bashkimi”. Por në ditën e aksidentit ai punonte pa kontratë në “Asi Univerzal 1”, një biznes i pavarur i themeluar nga Ali Muharremi, njëri prej vëllezërve pronarë të kompanisë amë “Bashkimi”.

Muharremi tha për K2.0 se Rafetit nuk i kishte dhënë kontratë pune për shkak se ende nuk e kishte regjistruar zyrtarisht biznesin e ri. Thotë se biznesin e mëhershëm e kishte ndarë me vëllezërit dhe se planifikonte ta regjistronte të riun pasi ta përfundonte objektin që ishin duke e punuar, e ku kishte ndodhur aksidenti.

Dikur, Rafeti fitonte 13 euro në ditë; tani ka zero të ardhura.

Përkundër mungesës së kontratës, Rafeti thotë se gjatë trajtimit në QKUK punëdhënësi Muharremi ia kishte mbuluar shpenzimet; por pasi ka dalë nga spitali më nuk ishte ndihmuar, përveç një herë kur vëllai i pronarit ia kishte financuar një qëndrim në banjë.

Sipas nenit 60 të Ligjit të Punës, punëdhënësi është i obliguar të paguajë për sigurimin për kompensim të shpenzimeve në rast të lëndimit ose sëmundjes profesionale të punëtorëve. Gjithashtu, sipas nenit 59 të po këtij Ligji, i punësuari në rast të sëmundjes ka të drejtë në pushim mjekësor të rregullt deri në 20 ditë pune brenda një viti, me kompensim prej 100 për qind të pagës, dhe deri në 90 ditë, me kompensim 70 për qind të pagës.

Lëndimet që Rafeti i ka marrë duke punuar ia kanë ndryshuar jetën për të keq atij dhe familjes. Ai jeton me prindërit, dy motrat dhe vëllanë dhe thotë se që nga dita e lëndimit nuk ka qenë i aftë të punojë dhe t’i ndihmojë familjes, por, përkundrazi, në një mënyrë është bërë barrë e familjes.

Dikur, thotë ai, fitonte 13 euro në ditë pune; tani ka zero të ardhura.

Ai shton se nuk mundet ende të bëjë as ndonjë punë të lehtë, dhe se aksidenti në punë mund t’i kushtojë edhe në mirëqenien e ardhshme. Por, megjithatë, shpreson se ish-punëdhënësi do ta mbajë premtimin e para dy vjetëve për t’ia dhënë një banesë në Mitrovicë.

Ali Muharremi thotë se nuk ka pasur mundësi ta ndihmojë më shumë Rafetin pas daljes nga QKUK, por zotohet se nëse do t’i shkojë puna mirë do ta ketë prioritet t’i ndihmojë ish-punëtorit.

“Kurse banesën ia ka premtuar vëllai [pronari i kompanisë ‘Bashkimi’]”, thotë ai. “Besoj se do ta mbajë premtimin”.

Aktualisht Rafeti po ndjek një kurs të gjuhës gjermane, sa me shpresën që mund t’i duhet për të ardhmen, aq edhe me dëshirën që ta largojë aksidentin nga mendja.

Inspektorati i Punës, përveç për mosplotësimin e kushteve të sigurisë në vendin e punës pasi shtyllat që mbanin pllakën nuk ishin përforcuar e ka gjobitur pronarin Muharremi me 1,800 euro për mosregjistrimin e kompanisë.

Përveç që dëmton mbledhjen e taksave, mosraportimi i bizneseve dhe i punës dëmton edhe vetë punëtorët në raste lëndimesh pasi mund të mos i fitojnë të drejtat që u jepen me legjislacionin në fuqi dhe mbeten të shpresojnë në premtimet e punëdhënësve.

Shumë burra në Kosovë, pasi nuk arrijnë të gjejnë mundësi ekonomikisht të mjaftueshme gjetiu, i kthehen sektorit të ndërtimtarisë. Foto: Fikret Ahmeti / arkivi K2.0

Por as legjislacioni në fuqi nuk është i zhvilluar si duhet, mbasi ofron kompensim vetëm në rastet që rezultojnë me invaliditet të përhershëm, e edhe atëherë ofron pension mujor prej vetëm 75 eurove. Legjislacioni nuk parasheh situatat sikurse ajo e Rafetit, i cili ende ballafaqohet me vështirësinë për t’iu kthyer tregut të punës, pavarësisht që nuk ka pësuar lëndim të përhershëm.

Për më shumë, duke punuar pa kontrata formale, punëtorëve sikurse Rafeti u mohohet edhe e drejta për mbështetje afatgjate të pushimit afatgjatë. Prandaj barra bie mbi vetë individët dhe familjet.

Në rastet e vdekjes në punë, si ai i Valon Berishës, sipas ligjit për pensionet shtetërore familjes i takon një pension në vlerën prej 75 eurove në muaj.

Të dhënat sugjerojnë që lëndimet në vendin e punës janë të nënraportuara. Në raportin vjetor të Inspektoratit të Punës për vitin 2017 figurojnë vetëm 30 raste të lëndimeve në sektorin e ndërtimit, ndërsa deri në shtator sivjetjanë raportuar 39 lëndime.

Por numri duket të jetë dukshëm më i madh.

K2.0 ka shtruar kërkesë te spitalet rajonale dhe Klinika Emergjente e QKUK-së që të bëjnë regjistrimin e veçantë të rasteve të lëndimeve të punëtorëve të ndërtimtarisë gjatë muajit korrik sivjet që kanë kërkuar ndihmë shëndetësore. Si rezultat, gjatë këtij muaji në spitalin rajonal të Pejës u evidentuan dhjetë raste të tilla dhe në spitalin e Prizrenit nëntë. Ndërsa të dhënat e pranuara nga Klinika Emergjente për gjashtëmujorin e parë të vitit 2018 tregojnë se 26 persona kanë kërkuar ndihmë për shkak se janë lënduar duke punuar në ndërtimtari.

Këto të dhëna tregojnë se edhe prej një mostre të kufizuar të të dhënave, numri i lëndimeve të punëtorëve ishte më i madh se shifrat zyrtare vjetore të lëndimeve në punë. Kjo sugjeron se përderisa një numër substancial i punëtorëve lëndohen në punë, vetëm disa realisht ankohen në Inspektoratin e Punës, dhe se në disa raste, posaçërisht ato me lëndime serioze, informaliteti po kushton.

“Ne nuk e kemi mundësinë as fizike, as teknike, t’i përcjellim se a është bërë kompensimi i shërimit apo jo”, thotë kryeinspektori Basri Ibrahimi. “Në fund të fundit është obligim personal i secilit të interesohet për interesat e veta”.

Mbulimi shëndetësor i dobët dhe inekzistent

Meqë punëtorët e sektorit të ndërtimtarisë punojnë në objekte të larta me detyra specifike dhe shpesh të rrezikshme, kontrollimi shëndetësor i tyre dhe evidentimi i ndonjë problemi eventual shëndetësor mund të ndikojë në parandalimin e aksidenteve në punë.

Në nenin 22, pika 1, të Ligjit për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë thuhet se punëdhënësi është i detyruar t’u sigurojë të gjithë të punësuarve kontrollime mjekësore në institucionet shëndetësore të licencuara. Dhe ekzistojnë dy lloj kontrollimesh mjekësore: kontrollimi për certifikim të punës dhe kontrollimet sistematike.

Nëse punëtorët do të kishin kontrolle të rregullta dhe do të dihej historiku i gjendjes së tyre shëndetësore, kjo do t’u ndihmonte mjekëve të emergjencës të bënin vlerësimin dhe trajtimin e shpejtë të gjendjes së pacientit.

Basri Lenjani, Drejtori i Klinikës së Emergjencës në QKUK.

Lloji i parë ka për qëllim diagnostikimin e gjendjes së përgjithshme psiko-fizike të punëtorit. Ai zakonisht bëhet në fillim të punës dhe vlen gjashtë muaj. Kurse, vizitat sistematike, varësisht nga kërkesat e llojit të punës, bëhen prej një herë në vit e deri në një herë në tre vjet. Por, sipas institucioneve të shëndetësisë, punëtorët e ndërtimtarisë rrallëherë dërgohen për kontrollime paraprake ose kontrollime rutinore.

Luan Nagavci, ushtrues detyre i pozitës së drejtorit ekzekutiv të Qendrës Kombëtare të Mjekësisë së Punës –  i vetmi institucion publik që ofron shërbime nga fushëveprimtaria e mjekësisë së punës – thotë se shumë nga kompanitë private, për shkak të kostos financiare, kërkojnë vetëm certifikata për aftësi punuese, pasi u kushton më lirë.

Sipas Nagavcit, kostoja e çertifikatës është 15 euro, kurse ajo e kontrollimit sistematik mesatarisht 35 euro me mundësi që të rritet, varësisht nga nevojat për kontrollime dhe analiza shtesë.

Bazuar në të dhënat e Qendrës Kombëtare të Mjekësisë së Punës, 29 punëtorë të ndërtimtarisë kishin kryer kontrollime mjekësore sistematike më 2015, ndërsa 19 gjithsej më 2016. Në dy vitet e fundit ndërkaq nuk ka pasur fare kontrollime sistematike, por vetëm për certifikata punësimi, nga të cilat 54 ishin bërë më 2017. Deri në nëntor 2018 kanë qenë gjithsej 56.

Nagavci thotë se vizitat sistematike dhe periodike të të punësuarve janë të një rëndësie të veçantë, duke pasur parasysh që identifikimi i hershëm eventual i ndonjë problemi shëndetësor krijon mundësinë e ofrimit të trajtimit mjekësor profesional.

“[Vizita sistematike] zvogëlon mundësinë e lëndimit në punë, ndikon në përmirësimin e kushteve dhe të kualitetit të punës, zvogëlon mundësinë e invaliditetit si dhe mund të diagnostikojmë, monitorojmë dhe trajtojmë sëmundjet profesionale eventuale”, thotë Nagavci.

Drejtori i Klinikës së Emergjencës në QKUK, Basri Lenjani, thotë se nëse punëtorët do të kishin kontrollime të rregullta dhe do të dihej historiku i gjendjes së tyre shëndetësore, kjo do t’u ndihmonte mjekëve të emergjencës të bënin vlerësimin dhe trajtimin e shpejtë të gjendjes së pacientit. “Një trajtim i shpejtë është përcaktues për mbijetesën e pacientit”, thotë ai.

Sipas Lenjanit, një sistem i njësuar informativ shëndetësor, me nga një historik për secilin pacient të trajtuar në cilindo institucion shëndetësor, do t’i ndihmonte mjekët.

Në kushtet aktuale, thotë ai, për çdo punëtor të aksidentuar që ka nevojë për trajtim emergjent, është e domosdoshme të bëhen ekzaminimet nga fillimi.

Kështu kishte ndodhur edhe me të aksidentuarin Rafet Hasani, ndërhyrjet kirurgjike ndaj të cilit kishin zgjatur më shumë se një orar i plotë ditor pune.

Ai nuk ishte dërguar në asnjë kontroll mjekësor nga punëdhënësi.

Inspektorati me staf të pamjaftueshëm i dëmshëm për sigurinë e punëtorëve

Në mënyrë që kompania të zbatojë rregullat dhe rregulloret për t’i mbajtur punëtorët të sigurt në vend të punës, nevojiten inspektorë të trajnuar. Edhe sikur Kosova ta dyfishonte numrin e inspektorëve të punësuar në vitin 2017, ata prapë nuk do të ishin në gjendje ta inspektonin secilin biznes brenda vitit.

Sipas të dhënave të lëshuara nga Administrata Tatimore me kërkesë të K2.0, në Kosovë janë 85,566 biznese aktive në sektorin privat. Kosova ka aktualisht 43 inspektorë dhe gjatë vitit 2017, një inspektor ka arritur të bëjë 189 inspektime në vit.

Nëse do të llogaritej se edhe sivjet numri i inspektimeve do të jetë sikur më 2017 dhe ky të krahasohej me numrin e bizneseve aktive, do të rezultonte se Inspektorati i Punës ka kapacitet të inspektojë vetëm 9.5 për qind të bizneseve. Këto të dhëna llogaritin vetëm sektorin privat, ku bën pjesë shumica e sektorit të ndërtimit, ndonëse inspektorati e ka obligim të bëjë inspektime edhe në institucionet publike.

Nëse shpenzimet në rroga për gjysmën e zëvendësministrave do të ndaheshin për inspektorë, numri i këtyre të fundit do të trefishohej.

Inspektorët verifikojnë marrëdhëniet e punës si kontratat, orarin e punës, pushimet dhe sigurinë në punë si në aspektin e pajisjeve të punëtorëve, të ambientit, udhëzimeve, mbikëqyrjes, mjeteve të punës e kushte të tjera.

Kryeinspektori Basri Ibrahimi thotë se numri i vogël i inspektorëve përcakton numrin e inspektimeve dhe praninë në terren. Ai shton se ndër vite ka bërë kërkesë për rritjen e numrit të inspektorëve, por nuk ka gjetur përkrahje, me arsyetimin se nuk ka buxhet.  

Zëdhënësi i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, Musa Demiri, thotë se deri në fund të 2018-tës pritet punësimi i tre inspektorëve të rinj, ndërsa edhe i 15 të tjerëve më 2019.

Edhe me këtë shtim, numri do të jetë i vogël, një qasje që buron nga interesimi i vogël i vazhdueshëm i politikës për të adresuar shkeljen e të drejtave të punëtorëve në tregun privat.

Në fakt, qeveri të njëpasnjëshme kanë kultivuar një kulturë që promovon privilegjet në burokracinë shtetërore.

Për shembull, Kosova ka më shumë zëvendësministra, 78 gjithsej, sesa inspektorë që janë 43. Nëse shpenzimet në rroga për gjysmën e zëvendësministrave do të ndaheshin për inspektorë, numri i këtyre të fundit do të trefishohej.

Paga bazë e një zëvendësministri pa mëditjet, shpenzimet për telefon, veturat dhe bonuset e tjera është 1,150 euro. Nëse gjysma prej tyre nuk do të ishin emëruar, që i bie 39, do të ishin kursyer 44,850 euro në muaj, e që mjafton për të punësuar 96 inspektorë me pagën aktuale prej 464 euro.

Për dallim prej viteve paraprake, Inspektorati i Punës në vitin 2017 ka bërë raport të veçantë për inspektimet në sektorin e ndërtimtarisë. Sipas raportit, Inspektorati ka realizuar 1,147 inspektime, 66 gjoba, 344 vërejtje, si dhe ka legalizuar 245 punëtorë, të cilët kanë qenë duke punuar pa kontrata të punës dhe janë pajisur me to pas shqiptimit të vërejtjeve ndaj punëdhënësve të tyre.

Krahasuar me Shqipërinë dhe Maqedoninë, Kosova ka dyfish më pak inspektorë në terren, por këta kanë bërë më shumë inspektime se homologët e tyre në Shqipëri. Por, ndryshe nga Maqedonia, Kosova nuk ka fare inspektorë të specializuar vetëm për shëndet dhe siguri në punë, siç nuk ka as Shqipëria.

Krahasim i performancës dhe kapaciteteve të tri inspektorateve për vitin 2017. Burimi: Inspektorati i Punës i Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë.

Kryeinspektori Ibrahimi thotë se në bazë të vlerësimeve të përvitshme rezulton se sektori i ndërtimtarisë është më i ndjeshmi për shkak të shmangieve nga ligjet.

“Në të gjitha aspektet, edhe Ligji i Punës edhe Ligji për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë shkelen në ndërtimtari”, thotë Ibrahimi.  

Edhe kur Inspektorati ka identifikuar punëdhënës që kanë shkelur të drejtat e punëtorëve, pak veprime janë ndërmarrë përtej vërejtjeve dhe gjobave, pavarësisht që Kodi Penal i Kosovës ofron mundësinë e ndjekjes penale dhe burgim për punëdhënësit që dështojnë të ofrojnë ambient të sigurt për punë. Në fakt, Inspektorati nuk ka bërë asnjë kallëzim penal ndaj ndonjë punëdhënësi në Prokurorinë e Shtetit, madje as kur shkeljet kanë rezultuar me vdekjen e punëtorit.

Milaim Morina nga Qendra për Politika dhe Avokim, QPA, organizatë që monitoron punën e Inspektoratit të Punës, thotë se kjo praktikë duhet të ndryshojë. “Duhet të bëhen kallëzime penale, meqenëse inspektorati është përgjegjës edhe për vlerësimin e rrethanave që kanë çuar te aksidentet”, thotë ai.

Morina përkrah krijimin e një trupe të specializuar të inspektorëve për sigurinë dhe shëndetin në punë sipas modelit të Maqedonisë dhe të Kroacisë.

Sipas inspektorëve dhe vëzhguesve, shkeljet në marrëdhëniet e punës vijnë edhe nga mangësitë në ligjin aktual të punës në lidhje me kohëzgjatjen e kontratës së punës. Kryeinspektori thotë se shumë punëtorë në ndërtimtari si rezultat kanë kontrata tremujore dhe prandaj nuk kanë vullnet të ankohen për shkeljet ndaj tyre. E, me nivelin e papunësisë të lartë në Kosovë, nuk ka mungesë të zëvendësimit potencial të fuqisë punëtore për punëdhënësit.

Sindikatat pak të dukshme

Në shumë sisteme politike, zëri i punëtorëve përfaqësohet më së miri nga sindikatat, të cilat promovojnë interesat e punëtorëve. Por në Kosovë sindikatat janë jo shumë të dukshme dhe punëtorët rrallëherë u drejtohen, pavarësisht shumë shkeljeve të të drejtave të tyre.

Përkundër kësaj, protesta e 1 Majit (Ditës e Punëtorëve) sivjet mblodhi më shumë njerëz, përfshirë përfaqësuesit e partive të majta si Vetëvendosja dhe Partia Social-Demokrate, dhe folësit adresuan temat standarde të punëtorëve si pagat minimale, barazia dhe kushtet e punës.

Avni Ajdini, kryetar i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, BSPK, thotë se sindikalistët ndihen të pafuqishëm për të përmirësuar situatën e rëndë të punëtorëve në sektorin e ndërtimtarisë.

Ai thotë se BSPK-së madje i është ndaluar nga disa kompani të mëdha që t’i themelojë shoqatat sindikale. “Nuk kemi të drejtë të vizitojmë punëtorët aty ku nuk kemi anëtarë… Para shtatë vjetësh kemi provuar në ‘Bechtel & Enka’ dhe në ‘Mabetex’, por nuk na është lejuar hapja e shoqatave sindikale”, thotë Ajdini.

Ndërkohë, “Bechtel & Enka” është gjobitur me 7,500 euro nga Inspektorati i Punës pas vdekjes së një punëtori më 28 tetor vitin e kaluar, i cili po punonte në autostradën “Arbën Xhaferi” në fshatin Kovaçec të Kaçanikut. Zëdhënësja e “Bechtel & Enka”, Ela Ruçi, përkundër premtimit se do t’i shqyrtonte pyetjet rreth themelimit të sindikatës, nga data 18 shtator 2018 nuk ka dhënë përgjigje.

K2.0 ka kontaktuar me Islam Pacollin, i cili sipas Ajdinit nga BSPK e ka kundërshtuar krijimin e shoqatës sindikale brenda kompanisë “Mabetex”. Por Pacolli, që në atë kohë ka qenë përfaqësues i kësaj kompanie për Kosovë, e mohon ta ketë penguar BSPK-në.

“Nuk ia kam ndaluar një gjë të tillë, pasi që unë as nuk kam mundur t’ia ndaloj, as t’ia krijoj shoqatën sindikale”, ka thënë Pacolli.

Sindikatat thonë se punëtorët zakonisht nuk paraqesin ankesa me shkrim duke pranuar t’u shpaloset identiteti, pasi frikësohen se punëdhënësi do t’i largojë nga puna. Si rezultat, të drejtat e tyre mbesin pothuajse vetëm në letër.

Për Jusuf Azemin, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve të Sektorit Privat që funksionon nën ombrellën e BSPK-së, shkelja e të drejtave të punëtorëve të ndërtimtarisë bëhet për shkak se pronarët e kompanive dhe vetë shteti nuk kujdesen për ta.

Ai thotë se një sondazh i bërë me punëtorët e kompanive të ndërtimit në vitin 2017 ka treguar se 50 për qind e punëtorëve janë pa kontrata pune dhe nuk i kanë pajisjet e duhura për punë, ndërsa sondazhi i njëjtë sivjet tregon një gjendje të përkeqësuar pasi mbi 60 për qind të të anketuarve dalin pa kontrata pune.

“Ne pyesim çdo ditë: A keni kontrata pune, a ju paguhet trusti pensional, a paguhet stazhi i punës, sa vonohen pagat?”, thotë Azemi.

Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve të Sektorit Privat, thotë se të drejtat e punëtorëve të ndërtimtarisë shkelen meqë pronarët e kompanive dhe vetë shteti nuk kujdesen për sigurinë e tyre.

Anketimi nuk ka një pyetësor të strukturuar, numër të respondentëve e as metodologji specifike të analizës, por bazohet në ndjenjën dhe përgjithësimet që krijohen nga vizitimi i punëtorëve të ndërtimtarisë dhe bisedat me ta për kushtet e punës.

“Po e marr si shembull, nëse i viziton 20 kompani ndërtimi, vetëm tek dy prej tyre punëtorët i kanë helmetat në kokë, ose pajisjet adekuate”, thotë Azemi.

Sipas tij, njëra nga shkeljet e tjera që bëjnë punëdhënësit është orari i gjatë i punës. Ai thotë se punëtorët zakonisht fillojnë të punojnë në orën 7 të mëngjesit dhe mesatarisht punojnë deri në orën 18 në mbrëmje. Pra, në vend se të punojnë tetë orë në ditë në kuadër të orarit të plotë, ata punojnë 11 orë.

“Brenda një jave pronari i kompanisë përfiton një, eventualisht dy ditë më shumë nga punëtorët, pa i paguar”, shton Azemi.

Azemi thotë se për shkeljet e evidentuara të të drejtave të punëtorëve i kanë njoftuar të gjitha institucione relevante shtetërore. “Në formë zyrtare e kemi njoftuar Presidentin, Kryeparlamentarin, Kryeministrin, Ministrinë e Punës, Inspektoratin e Punës dhe Administratën Tatimore të Kosovës. Por ne nuk po shohim që është ndërmarrë diçka konkrete për përmirësimin e situatës”, ka thënë Azemi.

Megjithatë, nuk është vërejtur ndonjë formë tjetër më efektive e avokimit nga ana e sindikatave.

Rasim Alija nga Demokracia për Zhvillim (D4D), organizata joqeveritare që është marrë në disa raporte me funksionimin e organizimeve sindikale, thotë se sindikatat në Kosovë, përfshirë Bashkimin e Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), e kanë humbur besimin e punëtorëve për shkak të mënyrës si punojnë dhe flirtimit me pushtetin.

“Ato e kanë reduktuar fuqinë dhe rolin e organizimeve sindikale në memorandume bashkëpunimi me pushtetin, që nuk kanë vlejtur asgjë”, thotë Alija. “Nuk mund të jesh pjesë e një organizimi a një rrjeti sindikal, nëse interesi yt si punëtor nëpërkëmbet, reduktohet dhe nuk adresohet në asnjë formë dhe tek askush”.

Ai thotë se pa ngritjen e një organizimi sindikal në sektorin privat, do jetë i vështirë edhe përfaqësimi, por edhe mbrojtja e punëtorëve.

Prandaj, si në shumë sfera, edhe këtu vakumin po përpiqen ta mbulojnë disi organizatat e shoqërisë civile.

Florent Spahija, këshilltar ligjor nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), bashkë me ekipin e tij pranojnë ankesa dhe u japin këshilla juridike falas punëtorëve nga sektori privat a publik që u drejtohen për ndihmë. Ata ofrojnë këshilla dhe ndihmë në shkrimin e ankesave, mbledhjen e dokumentacionit, adresimin e çështjeve në Inspektoratin e Punës dhe Administratën Tatimore të Kosovës, e të tjera.

Spahija thotë se rreth 70 punëtorë të sektorit privat që kanë kërkuar ndihmë në katër vjetët e fundit, kanë deklaruar se nuk kanë kontratë të punës, por kanë marrëveshje verbale mes palëve.

Punëtorë hezitojnë të ndërmarrin hapa ligjor edhe kur e dijnë që të drejtat po u shkelen.

Florent Spahija, KDI.

Gjithashtu, shton ai, punëtorët ankohen për mospagesë të kontributeve pensionale, mospagesë të rrogës me rregull dhe në kohë, mungesë të sigurisë në punë, mosdhënie të pushimit vjetor a të pushimit gjatë festave zyrtare, largim nga puna pa paralajmërim, e shkelje të tjera.

Procedura ligjore tashmë janë hapur në disa nga këto raste, sipas Spahisë, edhe pse ai shton që disa punëtorë hezitojnë të ndërmarrin hap të tillë edhe kur e dijnë që të drejtat po u shkelen. “Ata zakonisht thonë se qenka e lodhshme dhe heqin dorë nga inicimi i ndonjë procedure, e që është e dhimbshme”, thotë ai.

Fare pak raste të shkeljes së të drejtave të punëtorëve janë dërguar në gjykata. Sipas të dhënave që K2.0 ka marrë nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, në vitin 2017 në të gjitha gjykatat e Kosovës janë pranuar vetëm katër raste për veprën penale “cenimi i të drejtave në marrëdhëniet e punës”, aq sa edhe në vitin 2016. Më 2015 ishin pranuar vetëm dy.

Si rezultat i këtyre lëndëve, më 2017 një person është dënuar me burgim, dy me gjobë dhe një me kusht.

Në lidhje me veprat penale të parapara në 8 pikat e nenit 367 të Kodit Penal të Kosovës, e që ka të bëjë me sigurinë dhe shëndetin në punë, vitin e kaluar në departamentet e përgjithshme të gjykatave të Kosovës janë pranuar 36 lëndë, dyfishi i 18 lëndëve të pranuara në vitin 2016 dhe dyfish e gjysmë kundrejt 14 lëndëve në vitin 2015. Por, vetëm një numër i vogël i rasteve të tilla mbyllen brenda një viti, ndërsa të tjerat barten nga viti në vit. Ndërkohë, në departamentin e krimeve të rënda është pranuar një rast më 2015, katër në vitin 2016, dhe pesë më 2017.

Dhe punëtorët e ndërtimtarisë kanë edhe më pak gjasa të ndërmarrin hapa ligjorë.

Ligji i ri të ndërmarrë hapat e parë drejt mbrojtjes së punëtorëve të ardhshëm

Një sinjal pozitiv duket të jetë rritja e avokimit dhe presionit publik, që po çon në ndërmarrjen e hapave për ndryshime legjislative në këtë drejtim, specifikisht sa i përket rolit të pamjaftueshëm të inspektoratit.

Si përgjigje ndaj thirrjeve e kritikave të rritura për kushtet e punës, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale është duke përgatitur projektligjin e ri të punës, dhe deri më 25 tetor të këtij viti ka marrë komente dhe propozime nga palë të ndryshme.

Sipas Kryeinspektorit Ibrahimi, Inspektorati ka kërkuar të përcaktohet që një kontratë të ketë kohëzgjatje minimale një vit. Zëdhënësi Musa Demiri thotë se ministria po shqyrton “të gjitha propozimet” që janë bërë.

Ibrahimi thotë se brenga më e madhe për Inspektoratin mbetet siguria në punë. Ai thotë se prandaj Ministria ka nxjerrë rregullore shtesë për implementimin e Ligjit për Siguri dhe Shëndet në Punë në vitin 2017, duke përfshirë faktin që është bërë i obliguar eksperti i certifikuar për vlerësimin e rrezikut në çdo kompani me më shumë se 50 punëtorë.

Kryeinspektori Basri Ibrahimi thotë se Inspektorati i Punës ka mungesë stafi dhe prandaj mund të kryhet vetëm një numër i kufizuar i inspektimeve, por po ndërmerren masa që kjo të ndryshojë. Foto: Majlinda Hoxha / arkivi K2.0.

Që nga nëntori i vitit 2017 janë licencuar katër kompani të cilat sivjet kanë filluar të merren me vlerësimin e rrezikut në punë dhe me trajnimin e të tjerëve në këtë fushë.

Deri tani janë çertifikuar 55 ekspertë të vlerësimit të rrezikut në vendet e punës, një shenjë e vogël, ndër të tjera, që disa kompani janë gati ta marrin seriozisht shëndetin dhe sigurinë në punë.

Për shembull, kompania “Idea Invest” e ka trajnuar një punëtor për vlerësimin e rrezikut në punë dhe tashmë pritet që ai të çertifikohet formalisht. Pronari i kësaj kompanie, Mustafa Grainca, thotë se pret që trajnimi i këtij punëtori të ndikojë në përmirësimin e mëtutjeshëm të kushteve të sigurisë në punë në kompaninë e tij.

Ndërkaq, pronari i kompanisë “Standard”, Nebih Zariqi, thotë se në kompaninë e tij i mbikëqyrin punëtorët dhe ka raste kur u japin vërejtje disiplinore apo edhe i gjobitin në pagë nëse janë të pakujdesshëm dhe nuk i mbajnë pajisjet. Ai shton se kompanitë ndërtimore duhet të kenë kujdes të veçantë në hapësirat e liftit, të shkallëve dhe të tarracave, pasi që në to, sipas tij, ndodhin zakonisht aksidentet fatale; ndërsa punëtorët domosdo duhet të kenë helmetën dhe rripin e sigurisë të lidhur.

Zariqi, i cili ka qenë edhe kryetar i Shoqatës së Ndërtuesve dhe Prodhuesve të Materialit Ndërtimor të Kosovës që merret me mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të ndërtuesve dhe ka anëtarë 150 kompani ndërtimi thotë se ka përmirësim të kushteve të sigurisë në punë tek objektet e larta krahasuar me vitet paraprake.

Sipas tij, sidomos vendosja e skeleve është më e mirë, gjë që e konsideron shumë të rëndësishme  për sigurinë e punëtorëve. “Punëdhënësi duhet t’i sigurojë pajisjet dhe të monitorojë përdorimin e tyre nga punëtorët, kurse punëtorët duhet të kujdesen më shumë për veten e tyre”, thotë Zariqi, duke shtuar edhe nevojën për një prani sa më të shpeshtë të Inspektoratit të Punës në vendpunishte.

Ndonëse ky veprim vjen me vonesë për burrat si Valon Berisha, Rafet Hasani e të tjerë, të cilët për të mos u përballur me varfërinë, rrezikojnë, e ndonjëherë edhe humbin jetën për punë, është një hap i vogël drejt garantimit që punëtorët në të ardhmen nuk do ta vuajnë fatin e njëjtë. Por, ende mbetet shumë për t’u bërë.K

Redaktuar nga Artan Mustafa.
Redaktim shtesë: Besa Luci, Jack Butcher.
Redaktim i gjuhës: Gazmend Bërlajolli.

Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.

Ky artikull është shkruar si pjesë e programit të K2.0, Bursa në gazetari për të drejtat e njeriut, 2018.

Kthehu prapa tek Monografia

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO

Kthehu n'fillim

THANKS FOR YOUR COMMENT

AFTER A QUICK CHECK IT WILL BE PUBLISHED HERE. PLEASE BE PATIENT.

THANKS FOR SUBSCRIBING

THANKS FOR YOUR COMMENT

AFTER A QUICK CHECK IT WILL BE PUBLISHED HERE. PLEASE BE PATIENT.