Ilir Boka ishte nisur për t’i vizituar miqtë në Shqipëri më 18 janar sivjet, kur u ndalua nga policia kufitare.
Ndaj 43-vjeçarit figuronte fletarresti i lëshuar nga Gjykata Themelore në Prizren, Dega në Suharekë, lidhur me një gjobë të papaguar në vlerën prej 800 eurove. Gjoba i ishte lëshuar më 4 qershor 2015, pasi roja zyrtare e kishte zënë duke prerë drunj në pyllin publik rreth katër kilometra larg shtëpisë së tij në fshatin Greiçec.
Iliri mban familjen gjashtanëtarëshe, që përfshin gruan, nënën dhe tre fëmijë, duke shitur drunj të prerë ilegalisht. Edhe pse prereja e drunjve në pyje publike ndalohet me Ligjin për Pyjet e Kosovës dhe sanksionohet me gjobë sipas nenit 36, Iliri ndjehet të ketë pak zgjidhje të tjera.
Familja Boka jeton në një shtëpi njëkatëshe prej guri në Greiçec, fshat malor 16 kilometra nga Suhereka. Fshati ka rreth 50 shtëpi e prej tij tashmë shumë njerëz janë zhvendosur në kërkim të kushteve më të mira. Në Suharekë nuk ka punë të mjaftueshme, gjë që e bën varfërinë realitet për shumë familje të atjeshme.
“Me çka tjetër me u marrë në këtë katundin tonë në maje të malit?”, pyet ai.
Iliri thotë se kishte bërë përpjekje që të ikte prej prerjes ilegale të pyjeve publike. Në vitin 2017, kur në Suharekë ishin shpërndarë grante për krerë lopësh qumështore për 60 fermerë, kishte shkuar në komunën e Suharekës për të mësuar nëse mund ta ndihmonin me dy lopë.
“Në Komunë më thanë: ‘Siguroji ti 5 lopë, ne t’i sigurojmë edhe 5 tjera’. E ku me i marrë unë 5 lopë?” thotë Iliri.
Ilir Boka, 43 vjeç, është njëri ndër skamnorët e shumtë të detyruar të qëndrojnë në burg nga pamundësia për ta paguar gjobën për një krim të lehtë të kryer nga nevoja. Foto: Halim Kafexholli.
Zyrtari për informim i komunës së Suharekës, Reshat Reshitaj, thotë se komuna ka pranuar kërkesën e shprehur gojarisht të Ilir Bokës, mirëpo nuk ka mundur t’i përgjigjet pozitivisht, pasi sipas kritereve të Ministrisë së Bujqësisë për grantetet direkte ndaj fermerëve në kuadër të Programit për Pagesa Direkte, pika 6.3, aplikuesi duhet t’i ketë 5 krerë lopë për të përfituar fondet edhe për pesë të tjerë.
Familja Boka nga shteti konsiderohet familje e varfër. Ajo merr ndihmë sociale në vlerën 120 euro në muaj, ngase askush në familje zyrtarisht nuk punon dhe më i vogli fëmijë, djali i Ilirit, është nën moshën pesëvjeçare.
Enver Berisha, koordinator i ndihmës sociale në Qendrën për Punë Sociale në Suharekë, thotë se me gjithë ndihmën shtetërore, familja Boka jeton në varfëri të skajshme.
“Është e kuptueshme se ndihma që marrin nuk mjafton”, thotë ai. “Shumë po e braktisin atë fshat. Nga ata që kanë mbetur, një pjesë e madhe marrin ndihmë sociale”, thotë ai.
Iliri thotë se ai do punë, jo lëmoshë, dhe se shteti nuk po e ndihmon në përpjekjet e tij. “Shteti ma gjen shtëpinë veç kur vjen vakti i votave”, thotë ai.
Sikurse Iliri, edhe Flurim Krasniqi, 41-vjeçari nga fshati Bardh i Malishevës, është gjobitur për prerje ilegale pyjesh. Deri në vitin 2016, Flurimi ka akumular 2,000 euro në gjoba të papaguara për prerjen e pyjeve publike.
Ai pren drunj kryesisht në pyjet publike rreth Maleve të Berishës dhe i përdor për ta djegur gurin gëlqeror që ta prodhojë lëndën e lëngët të gëlqeres, e cila përdoret për t’i lyer muret e shtëpive të banimit.
Por kjo veprimtari, përveçse është mënyra e Flurimit për ta mbajtur familjen tetanëtarëshe, ka edhe implikime mjedisore.
“Kjo veprimtari ka ndikim të madh në lirimin e gazrave të serës, në rastin konkret të dioksidit të karbonit”, thotë Afrim Hoti, zyrtar në Agjencinë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës. Agjencia e e konsideron veprimtarinë në kundërshtim me Ligjin për Mbrojtjen e Ajrit nga Ndotja, ndonëse thotë se nuk ka bërë ndonjë matje të ndotjes që shkaktohet nga ky aktivitet në Kosovë.
Për tërë procesin e një shkrirjeje, që prodhon 3,000 litra të lëndës gëlqerore të lëngët, Flurimit i duhet ta sigurojë gurin gëlqeror që nxirret në hapësira kodrinore, si dhe 15 deri në 20 metra kubikë drunj si lëndë djegëse. Furra e gëlqerës duhet të jetë e ndërtuar në fundin e kodrës e cila vetë duhet të jetë e mbuluar me shkurre.
Flurimi furrën e tij tri metra të thellë e katër të gjërë e ka ndërtuar në fund të Bjeshkës së Gradinës, siç quhet bjeshka e fshatit Bardh. Pasi të ndizet, nuk mund kurrsesi të ndalet, por as të ulë temperaturën. Flurimi thotë se e ndez një herë në muaj dhe se prej gjithë punës fiton maksimum 300 euro për një djegie.
Flurim Krasniqi u dënua me 100 ditë burg meqë nuk shlyente dot ndryshe gjobën prej 2,000 eurosh. Foto: Halim Kafexholli
Një kubik dru në Malishevë gjatë nëntorit shkonte 40-45 euro, çmim që Flurimi nuk ka mundësi ta paguajë. Prodhimi i gëlqeres kishte qenë veprimtaria kryesore e banorëve të fshatit Bardh deri në vitet e para pas luftës 1999, por tashmë Flurimi mbetet i vetmi i fshatit që aktivisht vazhdon ta bëjë këtë punë.
Në prill të këtij viti Inspektorati i Punës në Komunën e Malishevës ia kishte ndërprerë Flurimit punën me gëlqeren për shkak të shpyllëzimit ilegal. Gjatë inspektimit kishte qenë pranishëm edhe kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, i cili u kishte premtuar të gjithëve që merren me këtë zeje se do t’u ofroheshin subvencione në bujqësi, në stalla ose sera.
Sipas Flurimit, që atëherë komuna nuk ka bërë më gjë për ta mbajtur zotimin ndaj tij dhe prandaj nuk ka pasur opsion tjetër përveçse ta riniste punën me gëlqeren.
Artan Paçarizi, zyrtar për informim i komunës së Malishevës, thotë se shumë nga zejtarët e gëlqerës, përkundër ofrimit të përkrahjes përmes subvencionimeve në bujqësi, nuk dëshirojnë ta ndalin zejen. “Këta kanë traditë të gjatë me këtë punë dhe e kanë të vështirë të merren me diçka tjetër”, thotë ai.
Komuna nuk ka statistika të sakta për personat që merren me veprimtarinë e prodhimit të lëngut gëlqeror, por Paçarizi thotë se ajo praktikohet kryesisht në fshatrat Novosellë, Ngucat dhe Bardh.
E përbashkëta e Ilirit dhe Flurimit, përveç punës së prerjes së drunjëve, është se që të dy është dashur ta zgjedhin burgun për shkak të pamundësisë për ta paguar gjobën.
Kur flitet për prerjen e pyjeve në Kosovë, Iliri dhe Flurimi nuk janë të vetmit të përfshirë në këtë praktikë ilegale. Sipas të dhënave që K2.0 siguroi nga Departamenti i Statistikave të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, gjatë vitit 2017 dhe nëntëmujorit të parë të 2018-tës, janë regjistruar gjithsej 4,332 lëndë për prerje pyjesh, prej të cilave 2,617 mbesin të pazgjidhura, ndërsa janë shqiptuar 585 dënime me gjobë dhe 49 me burg.
Vetëm në Komunën e Malishevës, për këtë nëntëmujor të vitit 2018, janë gjithsej 53 lëndë në gjykatë për vjedhje të pyjeve, prej të cilave 36 të pazgjidhura.
E përbashkëta e Ilirit dhe Flurimit, përveç punës së prerjes së drunjve, është se të dy është dashur ta vuanin burgun për shkak të pamundësisë për ta paguar gjobën.
Me të njëjtin fat ballafaqohen shumë të tjerë që, në bazë të nenit 46 të Kodit Penal, pika 3, në rast pamundësie financiare, mund ta zëvendësojnë pagesën e gjobës, me qëndrim në burg. Madje, pikërisht mungesa e qëndrueshmërisë financiare është ajo që i shtyn drejt krimit.
Sipas statistikave të lëshuara nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, në vitin 2017 ishin bërë 852 ekzekutime të gjobave me burg.
Nga varfëria në burg
Pas tejkalimit të afatit për pagesën e gjobës më 27 korrik 2016, policia e kishte marrë Flurimin në stacion në muajin gusht, ku i kishte ofruar të paguante gjobën ose të mbante dënimin me burg.
“A e dini, u thashë, me çka punoj? Me qireq! Për mua 2,000 mijë euro janë të mëdha, të paimagjinueshme”, thotë ai.
Në pamundësi që t’i gjente paratë, Flurimi u detyrua të zgjedhte burgun.
Dënimi i tij si pasojë e dështimit për ta paguar gjobën? Plot 100 ditë në Qendrën Korrektuese të Lipjanit.
“Nuk e di saktë a ishim 8 apo 10 veta [në dhomë], se dikush dilte e dikush vinte”, thotë Flurimi. “Kushtet kanë qenë të tmerrshme, papastërti shumë e madhe, vinte erë e tmerrshme në banjë, me një fjalë higjiena ishte katastrofë”.
Pas pesëmbëdhjetë ditësh Flurimi kishte kontaktuar miq në Slloveni që t’ia gjenin sa më parë 1,700 euro borxh, që ta paguante mbetjen e gjobës dhe të dilte nga burgu dhe kushtet e atjeshme.
Drejtori i Qendrës Korrektuese në Lipjan, Arif Beqa, thotë se nuk ka pasur ndonjë ankesë të raportuar nga ana e të burgosurit dhe se se kushtet higjienike tani janë më të kënaqshme. Ai shton se në nëntor 2018 vetëm një i burgosur po shlyente gjobën me burg në këtë qendër.
“Gjatë vizitës, [...është] vërejtur se në disa qeli për shkak të mungesës së hapësirës, disa të paraburgosur dhe të dënuar flinin në dysheme në dyshekë të vjetruar dhe pa mbulesa adekuate”, raporti i Avokatit të Popullit, 2017.
Standardet minimale për trajtinimin e të burgosurve caktohen nga Kombet e Bashkuara, sipas të cilave akomodimi i të burgosurve duhet të plotësojë nevojat shëndetësore, me konsideratë të veçantë për kushtet e ajrosjes, të ngrohjes, ventilimit dhe sipërfaqes minimale, si dhe kushtet e higjienës dhe të infrastrukturës për pastrim. Ligji i Kosovës për Ekzekutimin e sanksioneve penale parasheh këto parime, dhe neni 36 i tij përcakton që secili i burgosur të ketë minimumin e katër metrave katrorë hapësirë në qeli të përbashkët, ose tetë metrave katrorë në qeli të vetme.
Jeton Kabashi, zyrtar për Informim në Shërbimin Korrektues të Kosovës, ShKK – që menaxhon të gjitha qendrat korrektuese – thotë se në Lipjan qelitë kanë 12.5 metra katrorë, në të cilat vendosen jo më shumë se dy persona, dhe 35 metra katrorë, në të cilat vendosen jo më shumë se katër deri në pesë persona.
Përkundër rregulloreve ekzistuese, ka pasur raportime rreth mbipopullimit dhe kushteve nën standard nëpër burgjet e tjera të Kosovës.
Në raportin vjetor për vitin 2017, Mekanizmi Kombëtar për Parandalimin e Torturës (MKPT) në Zyrën e Avokatit të Popullit ka përmendur se, fjala vjen, Qendra e Paraburgimit në Prizren përballej me mbipopullim dhe kushte joadekuate akomodimi. “Gjatë vizitës është vërejtur se në disa qeli për shkak të mungesës së hapësirës, disa të paraburgosur dhe të dënuar flinin në dysheme, mbi dyshekë të vjetruar dhe pa mbulesa adekuate”, thotë raporti.
Kapaciteti i kësaj qendre është për 92 të burgosur, ndërsa në kohën e vizitës së MKPT-së, aty ishin vendosur 100 persona. Gjithashtu në raport përmendet se ka mungesë të çarçafëve, të batanijeve dhe të letrave higjienike. Të burgosurve u lejohet që këto t’ua sjellin familjarët.
Shqipe Mala, drejtoreshë e MKPT-së, thotë se qendra në fjalë në Prizren ka dhënë arsyetimin se kishte qenë kërkesë e vetë të dënuarve që të mos transferoheshin diku tjetër. “Kanë preferuar që në dyshekë të flenë dhe të jenë afër familjes”, thotë Mala.
Në përgjithësi, Mala thotë se ajo nuk e sheh si problem mbipopullimin e burgjeve.
Argumenti i njejtë përkrahet nga Rasim Selmani, zëvendësdrejtor i Shërbimit Korrektues të Kosovës, i cili thotë se mbipopullimi i përket të kaluarës.
Zëvendësdrejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Rasim Selmani, thotë se mungesa e personelit dhe kufizimet hapësinore ndonjëherë pamundësojnë ndarjen e të burgosurve nëpër qendra korrektuese në bazë të seriozitetit të krimeve që kanë kryer. Foto: Halim Kafexholli.
Sipas ShKK-së, kapaciteti i burgjeve në Kosovë është mbi 2,500 vende; ndërkohë sivjet në gusht, në qendrat korrektuese janë mbajtur 1,532 persona.
Fatmire Halili, avokate në Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), thotë se në një numër qendrash paraburgimi, si ajo në Prishtinë dhe në Gjilan, hapësira nuk shfrytëzohet fare ose shfrytëzohet vetëm deri në 30 për qind për mungesë të stafit të rekrutuar.
Organizatat monitoruese janë më kritike në lidhje me gjendjen e higjienës dhe kushtet e tjera mbështetëse të jetesës në burgje. Mala thotë që disa qendra, si ajo e Prizrenit dhe e Dubravës, përballen me më shumë probleme të këtilla krahasuar me të tjerat, sado që gjendja është përmirësuar nga 2010-ta kur situata filloi të monitorohej më shumë. Vitin e kaluar, ky intitucion ka rekomanduar renovimin e qendrës së Prizrenit.
Për më tej, në vitin 2017, QKRMT ka publikuar një raport për të drejtat e njeriut në qendrat korrektuese, në të cilin flitet për “gjendje shumë të rëndë të kushteve materiale në Pavijonin 8 [Dubravë]”.
Ndër mangësitë e numëruara në raport përfshihen “dyshekët e dëmtuar dhe shumë të vjetëruar, higjiena nën nivelin e dëshiruar dhe mungesa e uniformave të të burgosurve”.
Por Mala thotë se kushtet në burgjet e Kosovës dallojnë shumë nga vendi në vend.
“Nëse në Kosovë ekziston burgu më i keq, ai i Dubravës, njëherësh ekziston edhe burgu më i mirë, i Smrekonicës”, thotë Shqipe Mala e Zyrës së Avokatit të Popullit.
Shqipe Mala, drejtoreshë e Mekanizmit Kombëtar për Parandalimin e Torturës në kuadër të Zyrës së Avokatit të Popullit, thotë se kushtet e jetesës ndryshojnë nga burgu në burg. Foto: Halim Kafexholli.
Dallimi në kushte është i rëndësishëm për ata individë që detyrohen t’i zëvendësojnë gjobat e papaguara me kohë në burg.
Selmani thotë se kategoria e të burgosurve që shlyejnë gjobën me burg në shumicën e rasteve vendoset në qendrat më të afërta, por për shkak të hapësirës edhe në pavijonet e caktuara në Burgun e Dubravës dhe në Qendrën Korrektuese në Smrekonicë.
Sipas Jeton Memetajt, drejtor i Qendrës Korrektuese të Dubravës, burgut më të njohur në vend, afro 100 persona që shlyejnë gjobën me burg sistemohen aty brenda vitit. Në muajin gusht 2018 në Dubravë gjendeshin 20 të tillë.
Ndërkohë në Smrekonicë, deri në shtator 2018, rreth 50 persona kanë shlyer gjobën me burg, në bazë të të dhënave që K2.0 ka marrë nga kjo qendër; në shtator aty po qëndronin 22 të burgosur të kësaj kategorie.
Zëvendësdrejtori i qendrës, Muharrem Bajrami, thotë se të gjithë të burgosurit, pa marrë parasysh llojin e veprave, punojnë së bashku në oborr nga ora 7 deri në orën 8 në mbrëmje, ndërsa gjatë natës klasifikohen dhe ndahen në bazë të veprave.
Por, ndonëse burgu në Smrekonicë zakonisht merret si shembull i mirë, siç thotë avokatja Haliti e QKMRT-së, “Smrekonica nuk e zgjidh problemin e të dënuarve për vepra të lehta, sepse jo të gjithë dërgohen atje”.
Pasoja fizike e kohës në burg
Ndryshe nga Flurim Krasniqi, shumë nga ata që përfundojnë në burg nuk kanë mundësi të huazojnë para për t’u liruar nga burgu.
llir Boka ishte shoqëruar nga policia prej kufirit të Shqipërisë deri në Gjykatën Themelore në Suharekë, ku i kishin ofruar ta paguante gjobën 800 euroshe më këste, por as kjo nuk ishte e realizueshme, duke marrë parasysh situatën financiare të tij. Pasi nuk mund të zotohej ta paguante gjobën, dënimi iu konvertua në 40 ditë burgu.
Ditën e njëjtë Iliri u dërgua në Burgun e Prizrenit, në dhomën numër 4 të Pavijonit C, ku qëndronin edhe tre të dënuar të tjerë.
“Fati jem i keq që m’ra me shku dimrit, e aty u bojke ftoftë, sidomos natën”, thotë Iliri. “Kanë qenë do qebe t’kqija, do shtretër t’vjetër”.
Përveç kushteve të jetesës, Iliri ishte ballafaquar me kërcënime më serioze. Ai thotë se ishte provokuar dhe ngacmuar nga të dënuarit e tjerë të dhomës të cilët, sipas tij, ishin aty për vepra më serioze. “‘Mbaje mirë sapunin, mos thuj s’e kam ditë’ më thoshin”, tregon ai.
Rregullat Minimale Standarde të Kombeve të Bashkuara obligojnë ndarjen e të burgosurve sipas natyrës së veprës që kanë kryer, dhe thonë se të burgosurit për shkak të borxhit të papaguar duhen mbajtur ndamas nga të dënuarit për vepra penale.
Në bazë të nenit 33 të Ligjit për ekzekutimin e sanksioneve penale gjatë vendosjes së të dënuarit në institucionin korrektues, duhet të merret parasysh mosha e personit, llojet dhe pesha e dënimit, dënimet paraprake, shëndeti fizik dhe mendor, e faktorë të tjerë.
ShKK-ja nuk iu përgjigj pyetjes së K2.0 se për ç’vepra ngarkoheshin të burgosurit e tjerë të dhomës së Ilirit. Zëdhënësi Kabashi tha se kjo nuk mund të bëhet pa pëlqimin e palëve dhe të gjykatës. ShKK nuk e sheh vendosjen e Ilir Bokës në Burgun e Prizrenit në kundërshtim me ligjin e mësipërm dhe thotë se nuk ka pasur asnjë ankesë.
“Nuk ka pasur ndonjë problem apo raportim për paregullsi”, thotë zëdhënësi Kabashi. “Derisa nuk ka ndonjë gjë të tillë, ato [deklaratat e Bokës] mbeten vetëm pretendime”.
Por pohimi i Ilirit se ishte përzier me të burgosur për vepra shumë më të rënda nuk është i vetmi.
Një tjetër i burgosur, Kujtim Krasniqi, 29-vjeçar nga komuna e Malishevës, kishte një gjobë prej 205 eurosh të vitit 2013 për tejkalim shpejtësie ndërsa po ngiste veturën për në punë. Kujtimi, punëtor i ndërtimtarisë që mban familjen pesanëtarëshe, nuk kishte mundësi ta paguantë gjobën, andaj u dënua me 20 ditë burg në Qendrën Korrektuese të Lipjanit në maj 2016. Kjo lejohej në atë kohë, por në kuadër të Ligjit për Kundërvajtje, i cili hyri në fuqi në janar 2017 dhe filloi të implementohej në tërësi sivjet, gjobat e papaguara për kundërvajtje të tilla si ato të vozitjes duhen kompensuar me konfiskim të përfitimit pasuror (pronës).
Kujtim Krasniqi u burgos pasi nuk mund ta paguante një gjobë për kundërvajtje në trafik. Në burg thotë se u sulmua me brisk rroje nga bashkëdhomësit ndërsa po flinte. Foto: Halim Kafexholli.
Ishte e hera e parë që shkonte në burg, por atij i mbeti përkujtimi fizik i asaj kohe. Një natë, ndërsa po flinte, thotë se ishte sulmuar nga dy prej tre të burgosurve të tjerë në qeli.
“Më kanë pre me bic [brisk rroje], vija-vija ma kanë bo shpinën. Kam qenë në gjumë kur më kanë sulmu”, thotë ai. “Thoshin ‘ky nuk ka ardhë këtu pse asht burrë i mirë, nuk është punë dënim kerri; ku me ditë çka ka bo ky e po s’po na tregon’”.
Familjarët e Kujtimit thonë se i biri kishte dalë nga burgu me lëndime dhe shenja në shpinë.
Arif Beqa, drejtor i Qendrës Korrektuese në Lipjan, thotë se nuk kanë marrë kurrfarë ankese nga Kujtimi, ndonëse Qendra nuk e mohon mundësinë që ngarja të ketë ndodhur.
Por avokatja Haliti e QKRMT-së thotë se qendra e saj vazhdimisht merr ankesa nga ata që përfundojnë në burg për mospagesë gjobash për shkak të vendosjes joadekuate të tyre.
“Kjo kategori shpesh mbahet bashkë me persona [të dënuar] për vepra më të rënda dhe dënime më të larta”, thotë Haliti. “Por ka ankesa edhe nga ata që janë më gjatë në burg, që thonë se me ardhjen e personave me qëndrime me të shkurtra po u prishet rutina”.
Për shkak të mospagesës së një gjobe trafiku prej 400 eurosh, në shtator të vitit 2014, një i ri ishte dërguar për të vuajtur 22 ditë në Burgun e Dubravës. Në qeli, i riu kishte përfunduar i dhunuar seksualisht.
Problemi i ndarjes shkon përtej çështjes së personave që përfundojnë në burg për mospagesë gjobash, sipas Inspektoratit të Shërbimit Korrektues të Kosovës.
Kryeinspektori Ylber Topalli thotë se me gjithë përpjekjet për të mos i lënë në një dhomë të dënuarit me dallime të mëdha të dënimeve, kjo është e pamundshme të realizohet 100 për qind. Problemi sipas tij shkaktohet nga mungesa e hapësirave, nëse sistemimi i të burgosurve duhet të varet nga vepra dhe jo nga numri i tërësishëm i të burgosurve, për shkak se nuk ka distribuim të barabartë për llojin e veprave.
Shumë më tepër persona do të gjendeshin në qendrat korrektuese për t’i shlyer borxhet me burg sikur Ligji për kundërvajtje të mos ndryshonte rishtazi.
Mustafë Selimi, gjyqtar në Departamentin e Përgjithshëm, Divizioni për Kundërvajtje në Gjykatën Themelore në Prishtinë, thotë se ndryshimi është “një e keqe e madhe”. Sipas Selimit, gjoba tani ka mbetur në vullnetin e vetë qytetarëve.
“Ligji ka sjellë një situatë kaotike në aspektin e sigurisë dhe të qetësisë publike”, thotë ai. Gjyqtari Selimi mendon se duhet të kthehet mundësia e shlyerjes së dënimit me burg për kundërvajtje.
Por, ajo mundësi kishte pasoja të rënda.
Në shtator 2014, për mospagesë të një gjobe trafiku prej 400 eurosh, me urdhrin e Gjykatës Themelore në Gllogovc, një i ri ishte dërguar për të vuajtur 20 ditë në Burgun e Dubravës.
Në qeli, pas vetëm dy ditësh, i riu kishte përfunduar i përdhunuar seksualisht nga të burgosurit në qeli me të; katër të dënuarit në qeli ishin aty për vepra penale me kohëzgjatje burgimi prej 3 deri 17 vjet.
“Stafi i ndërrimit pohon se i dënuari është bartur me batanije nga anëtarë të stafit dhe disa të dënuar për t’u dërguar në spitalin e institucionit,” thuhet në një komunikatë të QKMRT-së, të publikuar disa ditë pas incidentit. “Pas kësaj vizite, i dënuari me udhëzimin e mjekut është drejtuar për në Spitalin Rajonal në Pejë”.
I riu kishte rrëfyer në emisionin “Betimi për Drejtësi” se si me të filluar ngacmimet e të burgosurve, kishte kërkuar nga oficeri përgjegjës ta largonte nga dhoma.
“Oficeri më ka thënë ‘këta bëjnë hajgare’”, ka treguar i riu në incizim. “Vonë, pasi u terrua, asnjë oficer nuk nijke, njëri [i burgosur] ia ka bërë atij tjetrit me kokë. Njëri u çua dhe mbante shulin [e derës], ai tjetri… më ka kthyer përmbys dhe mu ka hedhur mbi, ka filluar të më zhveshë teshat… u munojsha me piskatë, ma ka mshelë gojën me dorë”.
Kryeinspektori Topalli thotë se në rastin në fjalë institucionet kanë çaluar. Sipas tij, një arsye mund të ketë qenë se i dënuari ka mbërritur në kohën e mbrëmjes, ndonëse normalisht askush nuk pranohet pas orës 17:00, dhe se sulmi që e kishte dërguar të riun në spital kishte ndodhur dy ditë mbase që ishte vendosur aty.
Topalli thotë se janë inicuar masa të përkohshme suspenduese ndaj tre gardianëve dhe masa ndaj personave që e kanë kryer aktin, të cilët janë transferuar nëpër pavijone të tjera.
“Njëri ka shkuar drejt në Burgun e Sigurisë së Lartë”, thotë ai. “Atje ka bërë vetëvrasje, kur e ka kuptuar që i janë hapur procedurat e hetimit prapë për një vepër tjetër”.
Gjykata ka të bartura edhe tri lëndë nga vitet e kaluara që përfshijnë raste të përdhunimi në Burgun e Dubravës e që presin gjykim, ndërkohë që ka pranuar edhe një të re deri në shtator 2018.
Shkodran Nikçi, zyrtar për informim dhe monitorim të mediave në Prokurorinë Themelore të Pejës, thotë se i akuzuari për dhunimin kishte ndërruar jetë në qendrën e sigurisë së lartë të Shërbimit Korrektues, në Dyz të Podujevës. Ndërkohë, tre të burgosurit e tjerë të qelisë, sipas Nikçit, ishin akuzuar për moslajmërim të veprës penale. Tringa Zhuti, zyrtare për informim dhe monitorim të Mediave në Gjykatën Themelore të Pejës, thotë se tre të akuzuarit për moslajmërim ishin dënuar nga gjykata me nga gjashtë muaj burg.
Në komunikatën e 2014-ës, QKMRT-ja ka thënë se rastet e këtilla mund të parandalohen nëse zbatohen kriteret bazë të vendosjes. “QKRMT edhe në të kaluarën ka raportuar për vendosje të papërshtatshme të të dënuarve nëpër institucionet korrektuese, e veçmas në Dubravë, ku nuk respektohen kriteret bazë si natyra dhe pesha e veprës së kryer, kohëzgjatja e dënimit, etj.” u tha aty.
Viktima është duke kërkuar dëmshpërblim nga burgu i Dubravës në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Avokatja Haliti e QKMRT-së, e cila është duke e përfaqësuar viktimën, thotë se ai ishte vendosur në mënyrë të kundërligjshme në dhomë me recidivistë – persona që kanë qenë disa herë në burg. “Për 400 euro, shiheni sa probleme dhe sa komplikime në jetë i janë shfaqur viktimës”, thotë ajo.
Mala nga MKPT pajtohet. “Për këtë rast është dashur të shkarkohet tërë stafi mbikëqyrës, përfshirë drejtorin e Qendrës Korrektuese”, thotë Mala.
Mirëpo, drejtori aktual i Qendrës Korrektuese në Dubravë, Jeton Memeti, i cili nuk ishte në pozitë në atë kohë, thotë se po pret vendimin përfundimtar të Gjykatës Themelore të Prishtinës, përfshirë atë për masat suspenduese ndaj gardianëve. “Nuk jam bash mirë i informuar, por po më duket se nuk ka asgjë aty; me hesap ka qenë simulim [aktrim] i tij [viktimës] i fortë”, thotë ai.
Zëdhënësja Zeqa e Gjykatës Themelore në Pejë thotë se gjykata ka të bartura edhe tri lëndë nga vitet e kaluara që përfshijnë raste të përdhunimi në Burgun e Dubravës e që presin gjykim, ndërkohë që ka pranuar edhe një të re deri në shtator 2018.
Shërbimi Korrektues nuk ka lejuar vizitimin e të dënuarve për gjoba nga K2.0 në asnjë qendër korrektuese, me arsyetimin se këtë nuk e kanë pranuar vetë të dënuarit.
Masat alternative shfrytëzohen pak
Përkundër problemeve të shkaktuata nga zëvendësimi i gjobave me dënime me burg, për të dy, individin dhe institucionet, alternativat tashmë ekzistojnë në kuadër të kornizës ekzistuese ligjore në Kosovë.
Kodi Penal i Kosovës, përmes pikës 5 të nenit 46, parasheh mundësinë e zëvendësimit të gjobës jo me burg por me urdhër për punë të dobisë të përgjithshme deri në 240 orë. Dënimet e vogla deri në gjashtë muaj burg po ashtu mund të zëvendësohen më shërbim në komunitet në të njejtën mënyrë (neni 48).
Dënimi me urdhër për punë në dobi të përgjithshme – si pastrimi i rrugëve, i parqeve të qytetit, kujdesi për personat e moshuar, e angazhime të tjera – bëhët me pëlqimin e të dënuarit dhe paraqet një masë më pak ndëshkuese në krahasim me burgun. Por nuk ka gjetur zbatim të lartë në Kosovë.
Sipas ish të burgosurve që K2.0 ka intervistuar, kjo alternativë nuk u është rekomanduar nga gjykatat përkatëse.
Sipas të dhënave të lëshuara nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, 73 raste ishin zgjidhur në vitin 2017 duke u ekzekutuar përmes punës në dobi të përgjithshme. Shërbimi Sprovues i Kosovës, përgjegjës për zbatimin e këtyre vendimeve, thotë se në gjashtëmujorin e parë të vitit 2018 ka pasur gjithsej 32 raste të zëvendësimit të gjobës me punë të dobishme dhe 71 raste të dënimit me burg që janë zëvendësuar në mënyrën e njëjtë.
Zëdhënësja e Gjykatës Themelore të Prishtinës, Mirlinda Gashi, thotë se është në diskrecionin e gjykatës nëse dënimin me gjobë do ta zëvendësojë me punë në dobi të përgjithshme ose me burgim.
“Nëse në bazë të rrethanave të rastit konstatohet se qëllimi ndëshkimor arrihet më mirë nëse dënimi me gjobë i zëvendësohet me punë në dobi të përgjithshme, atëherë gjykata sipas detyrës zyrtare e bën këtë”, thotë Gashi. “Megjithatë kjo dispozitë nuk është imperative, por vetëm mundësi”.
Pasi gjykata të vendosë për punën në dobi të përgjithshme, Shërbimi Sprovues i Kosovës vendos për llojin e punës që duhet të kryhet nga personi i dënuar dhe për vendin.
ShSK-ja ka marrëveshje me institucione si shërbimet publike dhe emergjencat, bibliotekat komunale, qendrën për aftësime profesionale, kompanitë regjionale të mbeturinave, kompanitë për ujë dhe kanalizime, qendrën sportive e institucione të tjera. Puna duhet të kryhet nën monitorimin e Shërbimit dhe brenda një periudhe kohore të përcaktuar nga gjykata.
Mirëpo, sipas ish të burgosurve që K2.0 ka intervistuar, kjo alternativë nuk u është rekomanduar nga gjykatat përkatëse.
“As që e paskam ditë se ekziston si mundësi”, thotë Iliri.
Kujtimi dhe Flurimi po ashtu thonë të ketë qenë të painformuar për mundësinë që gjykata ta zëvendësojë gjobën e tyre me shërbim në komunitet. Që të dy thonë se më me dëshirë do ta kishin kryer një punë të dobishme pa pagesë, sesa të shkonin në burg.
Florent Spahija, këshilltar ligjor në Institutin Demokratik të Kosovës, beson se mundësia e dënimit me punë të dobishme do të ishte më e mira për shkak se me të mund të risocializohen të dënuarit, mund të krijohen aftësi pune për ta, dhe njëkohësisht shteti merr punë pa pagesë.
Shuma mujore për një të burgosur arrin në 840 euro; aq sa shpenzon shteti për shtatë muaj për ta financuar pagesën e ndihmës sociale për familjen gjashtanëtarëshe të Ilir Bokës.
Spahija rekomandon që Këshilli Gjyqësor i Kosovës ta ngrejë këtë temë nëpërmjet një qarkoreje. Sipas tij, zgjedhja nuk do të duhej të mbetej në vullnetin e të dënuarit, por të vendosej me urdhër të gjykatës. “Po të aplikohej pika 5 e nenit 46 [puna në dobi të përgjithshme], edhe shkalla ankimimit do të ishte më e vogël dhe shteti i lehtëson punët e veta”, thotë ai.
QKRMT pajtohet se në kontekstin e Kosovës puna në dobi të përgjithshme do të ishte më njerëzore dhe më e përshtatshme pasi, në bazë të të dhënave të organizatës, 15 për qind e të dënuarve me burg në Kosovë janë me dënime afatshkurtra.
Masat alternative, sikurse është puna në dobi të komunitetit, po luajnë rol gjithnjë e më thelbësor në sistemet e drejtësisë penale në shumë shtete të Evropës Perëndimore.
Avokatja Haliti e QKRMT-së thotë se në Gjermani, të dënuarit, sidomos ata me kohëzgjatje nën nëntë muaj, dërgohen zakonisht në risocializim, terapi, ose dënime alternative me punë në komunitet. “Mos të flasim për shtetet skandinave, atje janë duke u mbyllur burgjet (klasike)”, thotë ajo.
Në Zvicër, në bazë të një dokumenti të Zyrës Federale për Drejtësi, që përshkruan ekzekutimin e vendimeve dhe të masave përkatëse, dënimet e shkurtra me burg janë zëvendësuar me masa të tjera, siç janë shërbimet me dobi për komunitetin.
Edhe në Slloveni, sipas Kodit Penal, dënimet e shkurtra me burg në shumë raste mund të zëvendësohen me punë të tilla.
‘Burgjet janë krijuar për të varfrit’
Shqiptimi i dënimeve me burg për njerëzit me vepra të lehta është po ashtu i kushtueshëm për shtetin.
Sipas Shërbimit Korrektues të Kosovës, shpenzimet 24-orëshe për një të burgosur i kushtojnë buxhetit të shtetit 28 euro. Ato përfshijnë ushqimin ditor dhe pijet, materialin higjienik dhe shpenzimet telefonike. Rrjedhimisht, shuma mujore për një të burgosur arrin në 840 euro; aq sa shpenzon shteti për shtatë muaj për ta financuar pagesën e ndihmës sociale për familjen gjashtanëtarëshe të Ilir Bokës.
Shteti i Kosovës kishte shpenzuar 1,120 euro për 40 ditët sa Ilir Boka kishte qëndruar në burg. Po ta shlyente gjithë borxhin me burg Flurim Krasniqi, fatura ndaj shtetit do të ishte 2,800 euro.
Nëse, bazuar në të dhënat e Shërbimit Korrektues të Kosovës, 1,532 persona kanë qenë në burg në muajin gusht dhe kjo shifër merret si mostër mujore, atëherë shteti mesatarisht shpenzon 1.28 milionë euro në muaj për të burgosurit, pa i përfshirë shpenzimet mjekësore.
Vetëm më Gjykatën Themelore në Prishtinë, deri në fund të muajit gusht 2018, janë pranuar 1,149 lëndë të cilat janë zëvendësuar nga dënimi me gjobë në dënim me burg.
QKMRT-ja thotë se Kosova renditet para vendeve si Hungaria, Rusia, Polonia, Shqipëria, Lituania, Turqia, Kazakistani, Moldavia e Ukraina për kah shpenzimet ditore për të burgosur.
Mehmetaj nga Qendra Korrektuese e Dubravës mendon se ky lloj shpenzimi është problematik edhe për shkak se, sidomos në rastet e dënimeve prej 30 deri në 50 ditë, nuk e arrin efektin e risocializimit. Ngaqë koha e qëndrimit është e shkurtër, ai thotë se risocializimi nuk bëhet, por se kjo më parë është thjesht ndalesë në burg.
Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, Behxhet Shala, thotë se kjo çështje ka qenë më mirë e rregulluar në ish-Jugosllavi, pasi të dënuarit shpesh janë angazhuar për pastrimin e qyteteve.
“Personat që nuk paraqesin rrezik, nuk duhen mbajtur në burg”, thotë Shala. “Pse me hangër e me pi gjithë ditën badihava”?
Deri në fund të muajit gusht sivjet vetëm në Gjykatën Themelore të Prishtinës, janë pranuar 1,149 lëndë të cilat janë zëvendësuar nga dënimi me gjobë në dënim me burg. Por në asnjërin nga këto raste, vendimi nga gjykata për arrestimin e kryesve nuk është inicuar.
Në shumë nga këto raste, kushtet socio-ekonomike tejet të vështira po i detyrojnë individët që jetojnë në varfëri ta marrin fajin për veprime më të mëdha ilegale.
Kur Iliri ishte ndaluar nga roja e pyllit dhe ishte gjobitur, ai po punonte për një kompani e cila thotë se e paguante 12 euro për një ditë pune. Por, Iliri i kishte thënë gjyqit se drunjtë i duheshin për vete dhe ende refuzon ta shpalosë emrin e kompanisë për të cilën kishte punuar.
“Nuk ka kuptim… Ai (pronari i kompanisë) më ka gjetë punë”, thotë ai.
Këshilltari ligjor i KDI-së, Florent Spahija, ka monitoruar seanca të shumta gjyqësore gjatë viteve dhe thotë se ka shumë raste kur të ndaluarit për prerje pyjesh punojnë për persona që kanë biznese të prerjeve të pyjeve.
“Ka raste kur gjykata jep dënime të ashpra për prerje pyjesh, por edhe i lut të pandehurit t’i tregojnë emrat e kompanive, kur është prerja me sasi të madhe”, thotë Spahija.
Sipas tij, të pandehurit e dinë që po ta shpalosin emrin e kompanive bëhen dëshmitarë, dhe po të bëhen dëshmitarë, e humbasin punën.
“Unë kam monitoruar shpesh seanca të këtilla, kur gjyqtari ose prokurori e lusnin ta tregonte emrin, por pala thoshte ‘jo, i kam prerë për familje’, ndërkohë që bëhej fjalë për 20 metra dru, me kamion. Pra shpesh ndodh kështu”, tregon Spahija. “Prandaj dënimin nuk e merr kompania, por personi i zënë. Por burgu është i krijuar për atë që nuk ka, jo për atë që ka”.
Impakti ndjehet jo vetëm nga individi i dënuar, por edhe nga familja, e cila mbështetet në atë familjar për të hyrat e veta thelbësore.
Ndërsa Iliri ishte në burgun e Prizrenit, përveçqë nuk krijonte të ardhura për 40 ditë, ndihma sociale e familjes iu ndërpre për një muaj, pasi askush nuk mund ta bënte lajmërimin e rregullt mujor për asistenë në Qendrën për Punë Sociale në Suharekë. Këtë e konfirmon edhe qendra.
Në mungesë të Ilirit, nëna, bashkëshortja dhe fëmijët kishin shkuar te familja e vjehrinjve të tij, të shtyrë jo vetëm nga kushtet ekonomike, por edhe nga frika për të qëndruar gjatë natës në shtëpinë në mes të pyllit.
Shala i KMDLNj-së kritikon sistemin e drejtësisë pasi, sipas tij, në Kosovë amnistohen njerëzit që e kanë “shpinën e fortë”, duke e përmendur rastin e ikjes për në Suedi nga drejtësia të ish-kryetarit të Kaçanikut Xhabir Zharkut, i dënuar me tre vjet burg për veprën penale të detyrimit dhe armëmbajtjes pa leje, ose ish-drejtoreshën e Postës dhe Telekomit të Kosovës Leme Gjema, e ikur në Serbi mbasi u denua me tre vjet heqje lirie për veprën penale t√ keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe lidhjes së kontratave të dëmshme.
Behxhet Shala punon për t’i luftuar shkeljet e të drejtave të njeriut ndaj të burgosurve, duke vënë theksin te përgjegjësia e shtuar e shtetit. Foto: Agan Kosumi
Shala thotë se rastet sociale nuk duhet të mbahen në burg për vepra të lehta, ngase kështu ngarkohet dhe dyfishohet gjendja e tyre e rëndë. “Përveç të dënuarit, e pëson edhe familja dhe veç sa përkeqësohet gjendja financiare dhe emocionale, e rrjedhimisht bëhet shkelja e të drejtave të njeriut”, thotë ai.
Drejtuesi i KMDLNj-së thotë se gjykatat dhe prokuroritë duhet të jenë të pamëshirshme ndaj personave ose kompanive të forta, e jo vetëm ndaj “të dobëtve”.
“Kompanitë punësojnë punëtorë pa kontrata, e ha i ligu – punëtori”, thotë Shala.
Këshilltari ligjor Spahija thotë se Kodi Penal i Kosovës, në shumë aspekte i inspiruar nga ligjet perëndimore, duhet të shtojë edhe masat për të parandaluar numër të madh të lëndëve dhe qasjen e ashpër ndëshkimore. Vetëm gjatë vitit 2017, mbi 6,500 lëndë kishin mbetur pa u trajtuar sipas të dhënave që K2.0 siguroi nga Këshilli Gjyqësor.
Sipas Shalës dhe Spahisë, shteti duhet të ndihmojë edhe për t’i përmirësuar kushtet e punësimit për të varfërit.
Por përderisa shteti të dështojë në përgjegjësitë e veta, Ilir Boka do të vazhdojë të prejë dru duke u munduar t’i ikë rojes. Edhe Flurim Krasniqi do të vazhdojë të prejë dru për shkrirjen e gëlqeres pranë bjeshkës së fshatit të vet.
Ata do të vazhdojnë të ballafaqohen me akuza. Dhe mbase sërish do të bien viktimë e zinxhirit të njëjtë, i cili në mënyrë të përsëritur, ata që heqin në varfëri, i dërgon në burg.K
Redaktuar nga Artan Mustafa
Redaktim shtesë: Besa Luci, Jack Butcher.
Redaktim i gjuhës: Gazmend Bërlajolli.
Foto kryesore: Halim Kafexholli.
Ky artikull është shkruar si pjesë e programit të K2.0, Bursa në gazetari për të drejtat e njeriut, 2018.
Kthehu prapa tek Monografia