Herën e ardhshme që Blert Morina do ta kalojë kufirin, ai do t’i ketë në xhep dokumentet e reja dhe një fitore ndaj shtetit.
Në dhjetor, Gjykata Themelore e Prishtinës ia afirmoi të drejtën për ta ndërruar emrin dhe shënuesin e gjinisë në dokumentet e identifikimit, duke shënuar kështu një vendim të rëndësishëm për Blertin, personat transgjinorë dhe gjithë lëvizjen LGBT në Kosovë.
Me aktgjykim në dorë, të hënën (20 janar) ai shkoi në Komunën e Gjakovës për të kërkuar zyrtarisht dokumente të reja. Ai u kthye në institucionin që ia refuzoi kërkesën për ta ndërruar emrin nga “Blerta” në “Blert”, dhe shënuesin e gjinisë nga F (Femër) në M (Mashkull), duke e shtyrë që për gati dy vjet të merrej me beteja gjyqësore.
Aktgjykimi thotë se vendimi i Drejtorisë për Punë të Përgjithshme Administrative në Komunë të Gjakovës, bazuar në rekomandim të Agjencisë së Regjistrimit Civil (ARC), “anulohet si i kundërligjshëm”, dhe i obligon institucionet relevante ta përmirësojnë zyrtarisht emrin dhe shënuesin e gjinisë së Blertit brenda 15 ditëve pas pranimit të aktgjykimit.
Ky është rasti i dytë i tillë në të cilin gjykatat e Kosovës kanë vendosur në favor të mbrojtjes së të drejtave të personave transgjinorë në këtë mënyrë. Në vitin 2018, Gjykata e Apelit vërtetoi një vendim të Gjykatës Themelore të Prishtinës, që kishte vendosur t’i japë të drejtë një aplikanti anonim për të ndryshuar emrin dhe shënuesin e gjinisë në përputhje me identitetin e tyre gjinor.
Blerti është shumë i gëzuar që ky kapitull i jetës së tij po mbyllet.
“Në disa momente u bëjke shumë, sepse më duhej ta balancoja punën, tranzicionin, gjithë presionin nga shoqëria, dhe pastaj mediat”, thotë ai. “Arrita pikën ku mendoja që nuk po thoja asgjë të re. Vetëm po i përsëritja gjërat dhe m’u dukte vetja i tepërt”.
Blert Morina më në fund mund të kërkojë dokumente të reja me emër dhe shënues të gjinisë të ndryshuar, pas përcjelljes së rastit nëpër gjykata për gati dy vjet. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.
Në lindje Blertit iu caktua gjinia biologjike femërore, por ai e identifikon veten si burrë në të gjitha sferat e jetës, nga familja, te rrethi shoqëror, e deri te vendi i punës. Mospërputhjen ndërmjet dokumenteve dhe identitetit gjinor ia kujtonin posaçërisht kur kalonte ndonjë kufi, ku i duhej të duronte hetime të hollësishme.
“Kur më tregoi [avokatja] Rina [për vendimin e gjykatës], u gëzova shumë, veçanërisht për shkak se ngurroja të udhëtoja vetëm për t’iu shmangur kontrollit në kufi”.
Në prill të vitit 2018, ai e dorëzoi kërkesën për ta ndërruar emrin dhe shënuesin e gjinisë në Zyrën e Regjistrimit Civil në Gjakovë, qytetin e tij të lindjes. Një muaj më vonë, kur u informua nga Drejtoria për Punë të Përgjithshme Administrative në Zyrën e Regjistrimit Civil në Gjakovë se kërkesa i ishte refuzuar, menjëherë e bëri rastin publik nëpërmjet mediave.
Vëmendja që e ka marrë në luftën kundër shtetit shpeshherë e ka bërë të ndihet se rasti i tij e ka shpërqendruar nga roli që e ka në Qendrën për Barazi dhe Liri (CEL), organizatë për të drejtat LGBT në të cilën është drejtor ekzekutiv.
“Ky vendim është gjithashtu i rëndësishëm për shkak se tani kur shkoj në media të mos flas vetëm për rastin tim, e mos mi hy në hak organizatës që unë e përfaqësoj”, thotë ai.
Por mbështetja që pranoi nga familja dhe rëndësia e vendimit për personat transgjinorë e bëjnë vendimin edhe më domethënës për Blertin.
“Jam shumë i lumtur që më në fund familja ime do të lirohet nga presioni me të cilin janë ballafaquar në vitet e fundit”, thotë ai. “Dhe më e rëndësishmja është që njerëzit tjerë që e kanë të njëjtën kërkesë nuk do të detyrohen ta kalojnë gjithë këtë proces”.
Avokatja e Blertit, Rina Kika, thotë se rasti gjyqësor përfaqëson dinamikën e ndërlikuar ndërmjet legjislacionit progresiv dhe zbatimit të tij në Kosovë.
“Mendoj se rasti i Blertit i kundërvihet idesë që ne kemi ligje të mira që nuk zbatohen”, thotë ajo. “Pra, me këtë rast njëkohësisht kemi ligje dhe kemi zbatim të tyre. Por paralelisht, e kemi edhe rezistencën e institucioneve për ta zbatuar ligjin, gjë që u dëshmua kur ARC-ja e refuzoi kërkesën për ndërrim të emrit dhe shënuesit të gjinisë, duke thënë se kjo kërkesë është e parsyeshme dhe nuk pengon integrimin e Blertit në shoqëri”.
Një pjesë e padisë u refuzua nga gjykata — kërkesa për kompensim të dëmit jomaterial si ankthi dhe stresi i shkaktuar si rrjedhojë e shkeljes së të drejtave të Blertit për jetë private, trajtim të barabartë dhe të së drejtës në pacenueshmërinë e dinjitetit njerëzor.
Kika shpjegon se personat të cilëve u shkelen të drejtat e njeriut kanë të drejtë për kompensim. Por ajo thotë se përderisa gjykata në Prishtinë vendosi ta njohë të drejtën për privatësi nëpërmjet ndërrimit të emrit dhe shënuesit të gjinisë, duke mos marrë vendim në favor të së drejtës për kompensim, ka dështuar në njohjen e së drejtës për të qenë i lirë nga diskriminimi dhe të drejtën në pacenueshmërinë e dinjitetit njerëzor.
Ajo shton se pavarësisht frustrimeve që kishin për këtë element të aktgjykimit, vendosën të mos e apelojnë sepse do të duheshin të merrnin pjesë në më shumë seanca gjyqësore dhe procesi do të mund të shtyhej për më shumë se një vit, që do të ishte edhe më stresuese për Blertin, i cili nuk do të kishte të drejtë t’i merrte dokumentet e reja deri sa të merrej vendimi përfundimtar.
“Mendoj se vendimi i gjykatës për të mos dhënë kompensim për dëm jomaterial është i padrejtë”, thotë ajo. “Prapë se prapë, vendimi adreson çështje të rëndësishme dhe thelbësore për njohjen e identitetit gjinor. Është fitore me një mangësi të vogël”.
Dy vjet në pasiguri ligjore
Në vitin 2018, kur Blerti e dorëzoi aplikacionin për ta ndërruar formalisht emrin dhe shënuesin e gjinisë në dokumente zyrtare të identifikimit, aplikacioni i tij iu referua Udhëzimit Administrativ për Kushtet dhe Procedurat e Ndërrimit dhe Korrigjimit të Emrit Personal; specifikisht dispozitës që thotë: “Emri personal e pengon integrimin e personit në shoqëri”.
Megjithatë, vendimi zyrtar nga Komuna e Gjakovës, i cili citon një rekomandim nga Komisioni i ARC-së, thotë se aplikacioni nuk i përmbush kushtet e Udhëzimit Administrativ “pasi që ‘Blerta’ nuk e pengon integrimin e personit në shoqëri”.
Ai apeloi kundër vendimit drejtpërdrejtë tek Agjencia, por apeli iu refuzua dhe u përshkrua si “i pabazë”, për shkak se “nuk ka dhënë asnjë dëshmi, shkresë, shënim tjetër apo fotografi, dokument arkivor që tregon se emri personal i Blerta Morinës e pengon integrimin e personit në shoqëri”.
ARC-ja përsëri kërkoi prova shtesë në formë të një vendimi apo raporti mjekësor në mënyrë që Blerti ta ndryshonte shënuesin e gjinisë.
Në atë kohë, Kika e përshkruajti justifikimin dhe vendimin e ARC-së si “diskriminues” pasi që e përjashtonte Blertin në bazë të identitetit gjinor duke e shkelur të drejtën e tij për t’u trajtuar në mënyrë të barabartë dhe me privatësi. Ajo posaçërisht theksoi se Ligji për Mbrojtje nga Diskriminimi dhe Ligji për Barazi Gjinore e njohin identitetin gjinor si të palidhur me gjininë e përcaktuar në lindje dhe si të pakushtëzuar nga ndonjë ndërhyrje mjekësore.
Avokatja e të drejtave të njeriut Rina Kika, e cila e ka përfaqësuar Blertin përgjatë betejës së gjatë ligjore, prej kohësh ka argumentuar se vendimi origjinal për t’ia mohuar atij ndryshimet e kërkuara në dokumentet e tij ishte “diskriminues”. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.
Disa muaj më vonë, në korrik 2018, ai dhe Kika e çuan rastin në Gjykatën Themelore të Prishtinës dhe njëkohësisht e dorëzuan një ankesë kundër ARC-së në Gjykatën Kushtetuese, duke kërkuar shqyrtim të kushtetutshmërisë së vendimit për refuzim të apelit. Këtë hap e morën me mbështetje të Avokatit të Popullit.
Vendimi i Kikës për ta çuar ankesën në Gjykatë Kushtetuese para se t’i shterronin masat tjera ligjore në dispozicion u nxit nga tendenca për vonesa të gjata në rastet e proceduara në Gjykatën Themelore; në shumë raste, kalojnë disa vite para se të merret ndonjë vendim, e ajo argumentoi se kjo e shkel të drejtën e Blertit për ta zgjidhur rastin brenda një afati të arsyeshëm kohor, duke ia shtuar kështu vuajtjen.
Në shtator të vitit të kaluar, Gjykata Kushtetuese e refuzoi kërkesën për ta rishikuar kushtetutshmërinë e vendimit duke deklaruar se kërkesa ishte “e parakohshme”, dhe e ktheu rastin në Gjykatë Themelore.
Blerti dhe përfaqësuesja e tij ligjore u befasuan kur po atë ditë u thirrën nga Gjykata Themelore e Prishtinës dhe në tetor i mbajtën dy seanca dëgjimore. Në sallë të gjykimit ishin vetëm ata dhe gjykatësja — askush nga ana e ARC-së nuk mori pjesë.
“Gjyqtarja [Lirije Maksutaj] na tha gjatë seancës se është e vetëdijshme për urgjencën e rastit dhe se prandaj ka vendosur ta marrë përsipër para se t’i vijë rendi, e gjithashtu na tregoi se ishte në korrespondencë me Gjykatën Kushtetuese e cila nuk e mori rastin por komentoi mbi të drejtën e privatësisë dhe njohjes së identitetit gjinor”, thotë Kika. “Ne ia dërguam gjashtë letra urgjence gjykatës”.
Hapja e rrugës publikisht
Teksa Blerti shkonte nga institucioni në institucion dhe nga gjykata në gjykatë, publiciteti bëri që çështjet transgjinore dhe LGBT të jenë temë e vazhdueshme në media. Blerti thotë se kjo bëri që të ketë më shumë vëmendje në lëvizjen dhe personat LGBT, komunitet i neglizhuar në vendin tonë.
“Vetë fakti që kishte vazhdimisht diskutime për personat transgjinorë në media i ndihmoi gjithë lëvizjes, sepse nuk mund të flasësh për personat transgjinorë pa e përfshirë gjithë komunitetin”, thotë ai.
“Mendoj se ajo që na ka munguar [më parë] ishte ky nivel i diskutimit publik. Më parë flisnim për IDAHO [International Day Against Homophobia, Transphobia and Biphobia / Dita Ndërkombëtare Kundër Homofobisë, Transfobisë dhe Bifobisë] dhe paradat e Krenarisë, por rrallëherë diskutonim për lëvizjen si të pavarur nga këto dy ngjarje. Kjo gjithashtu kontribuoi në informimin më të mirë të njerëzve për personat LGBT”.
Blerti dhe përfaqësuesja e tij ligjore e kishin diskutuar strategjinë se si t’i qaseshin rastit disa muaj para se ta dorëzonin kërkesën në komunë dhe kishin vendosur ta bënin publik secilin hap.
“Vazhdimisht i kam thënë Blertit ‘kërkesa jote do të refuzohet në instancën e parë, në të dytën, dhe ndoshta do të duhesh të presësh me vite’”, thotë ajo, duke i kujtuar bisedat e para me Blertin para disa vitesh. “Po i prisnim rreziqet nga fillimi dhe e bëmë një plan. Mbajtëm takime me Avokatin e Popullit, përfaqësuesit e mediave, të vetëdijshëm që ishte e rëndësishme ta informonim [publikun] për rastin”.
Ajo thekson se këmbëngulja dhe guximi i Blertit, i cili vendosi të mos mbetet anonim, jo vetëm që e bënë të dukshme situatën e vështirë të njerëzve transgjinorë, por edhe e portretizuan “një ilustrim të mirë se si promovohen të drejtat e njeriut dhe të drejtat LGBT”.
“Tani është më vështirë të refuzohen kërkesat e reja nga personat transgjinorë”, thotë ajo. “Më kryesorja është se është hera e parë që gjykata vendos t’ia njohë të drejtën dikujt për identitet gjinor pa ofruar dëshmi për ndërhyrje kirurgjike apo ndryshime tjera mjekësore”.
Në fakt, Blerti e nisi terapinë hormonale para dy vjetësh si pjesë e tranzicionit të planifikuar, dhe kurrë nuk ka pasur më shumë tipare mashkullore se sot. Me zë më të thellë, mjekërr të dalluar dhe duar me qime, si dhe dukshëm më i relaksuar, ai buzëqesh në pritje të dokumenteve të reja.
Dhe nëse ARC-ja nuk e zbaton vendimin e gjykatës, ai thotë se është i gatshëm të bëjë kallëzim penal.K
Foto kryesore: Atdhe Mulla / K2.0.