Pas një mburrjeje të gjatë rreth asaj se kush ka më tepër ndikim, partitë politike u pajtuan për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të mërkurën më 15 korrik. U shpall ditë pushimi ashtu që të gjithë qytetarët të mund të votonin. Edhe periudha e votimit u zgjat — nga ora shtatë e mëngjesit deri në nëntë në mbrëmje.
Për shkak të mbajtjes së zgjedhjeve në mes të pandemisë COVID-19, u vendos që procesi i votimit të hapej dy ditë më herët; të sëmurët, më të ndjeshmit, të burgosurit dhe ata që ishin të izoluar nëpër shtëpi votuan ndarazi.
Duhet të përmendet se zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut u mbajtën në një moment kur vendi po përballej me numër të lartë të regjistruar të rasteve të infektuara (në kohën e këtij shkrimi janë 9249 raste dhe 432 të vdekur).
Sipas të dhënave nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (DIK), koalicioni Možemo (Ne mundemi) i udhëhequr nga Partia Social Demokrate fitoi 36.13% të votave (46 ulëse në parlament), ndërsa koalicioni në krye me VMRO-DPMNE fitoi 24.65% të votave (44 ulëse në parlament).
Në bllokun e partive shqiptare, Bashkimi Demokratik për Integrim është fituesi i plotë (me 11.57% dhe 15 ulëse), ndërsa Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa fituan 8.79% dhe 12 ulëse në parlament.
Partia kontroverse Levica (E Majta) e udhëhequr nga Dimitar Apasiev, me orientim të majtë por me retorikë jashtëzakonisht nacionaliste të ngjashme me atë të manifestuar nga VMRO-DPMNE, fitoi vetëm 3.96% të votave (2 ulëse në parlament), kurse Partia Demokratike Shqiptare (DPA) do të ketë një anëtar nga radhët e veta në parlament.
Këto janë zgjedhjet e dhjeta të përgjithshme dhe të pesta të parakohshme parlamentare qëkur vendi shpalli pavarësinë në vitin 1991.
Fushatat dhe premtimet
Zgjedhjet u parapanë të mbahen në nëntor 2020, por kryeministri Zaev bëri thirrje për ndryshim të datës pasi Maqedonia e Veriut nuk mori ftesën për fillim të negociatave për hyrje në BE në tetor të vitit të kaluar.
Në vitin 2019 Zaev njoftoi se do të organizonte zgjedhje të parakohshme nëse vendi nuk do ta pranonte një datë për fillimin e negociatave me BE-në.
Zgjedhjet e parakohshme u planifikuan për 12 prill, por u shtynë për korrik për shkak të pandemisë. Përkundër rrethanave, pjesëmarrja në zgjedhje ishte pothuajse 51%. Pjesa më e madhe e votuesve respektuan masat mbrojtëse — i mbajtën maskat dhe ruajtën distancën fizike.
Në këtë cikël zgjedhor morën pjesë 11 parti dhe katër koalicione, numër më i vogël i garuesve se në zgjedhjet parlamentare më 1990. Fushata zgjati 20 ditë; sipas ekspertëve ishte më e ndyra deri më tani, edhe pse fushatat e ndyra nuk janë të padëgjuara në skenën politike maqedonase.
Publikimi i përgjimeve të bisedave mes politikanëve aktualë dhe disa pronarëve biznesesh duket të jetë kthyer në praktikë përgjithësisht të pranueshme, dhe nuk është më thjesht lojë e ndyrë e nivelit të ulët.
Këtë herë, u publikuan biseda të incizuara në mënyrë të fshehtë mes sekretarit të përgjithshëm të VMRO-DPMNE Igor Janušev dhe ish-ministrit të transportit Mile Janakieski. Në incizim dy burrat dëgjohen duke bërë marrëveshje për listën e votuesve të shërbyesve shtetërorë; pra, po merreshin vesh për votat e punëtorëve që punojnë në administratën shtetërore.
Ana tjetër u përfshi po ashtu, me publikimin e audio incizimeve të dyshimta ku Zoran Zaev në rolin e tij si kyeministër shante Jordan Kamčev (Orce), një biznesmen që besohet të jetë personi më i pasur në Maqedoninë e Veriut dhe që ishte i përfshirë në disa aktivitete kriminale në kohën kur VMRO-DPMNE ishte në pushtet. Në incizim, Zaev thotë se të gjitha organizatat civile janë nën kontrollin e tij.
Koalicioni “Možemo” i përbërë nga 25 parti, përfshirë edhe partinë shqiptare Besa, udhëhoqi fushatën duke u mbështetur në rezultatet e arritura deri tani, siç janë anëtarësimi në NATO dhe nisja e mundshme e negociatave me Bashkimin Evropian.
Në anën tjetër, partia opozitare VMRO-DPMNE e bazoi sloganin e saj në “Rilindje” (“Obnova”). Nuk është e qartë se për çfarë rilindjeje e kanë fjalën duke pasur parasysh afërsisht 11 vitet e tyre në pushtet. Njëherësh, fushata e tyre u fokusua në sulme personale ndaj Zaevit, të cilin lideri i VMRO-DPMNE Hristijan Mickovski e akuzoi publikisht për korrupsion.
Retorika e VMRO-DPMNE bazohet në kundërshtimin e Marrëveshjes së Prespës të nënshkruar nga Maqedonia e Veriut dhe Greqia, si dhe asaj për fqinjësi të mirë me Bullgarinë, të cilat janë dy dokumente bazë për fillimin e negociatave me BE-në.
Polemikat dhe sulmet
Është më rëndësi të përmendet se partia shqiptare BDI, e udhëhequr nga Ali Ahmeti, nisi të promovonte veten para fillimit zyrtar të fushatës. Propozimi i tyre kryesor ishte zgjedhja e kryeministrit të parë shqiptar të Maqedonisë së Veriut. Ata e propozuan Naser Ziberin, ish-ministër i punës dhe politikave sociale, dhe anëtar i ish-Partisë për Prosperitet Demokratik të Shqiptarëve (PPD).
Publiku pothuajse qeshi me këtë propozim, duke e dënuar dhe cilësuar si të pamundur dhe të panevojshëm. Edhe disa parti etnike si Besa dhe Aleanca për Shqiptarët e kundërshtuan idenë duke theksuar se BDI është afër të bërit parti opozitare dhe se ky sugjerim është vetëm një lojë nacionaliste.
Sidoqoftë, nëse kthejmë shikimin në të kaluarën jo shumë të largët, më 2017 Ahmeti propozoi Platformën e Tiranës që mbështetej nga pothuajse të gjitha partitë shqiptare. Platforma kërkonte që shqipja të bëhej gjuha e dytë zyrtare në Maqedoninë e Veriut. Reagimet ndaj kësaj ideje ishin të ashpra, por në fund Ligji për Përdorimin e Gjuhës u miratua, duke e bërë shqipen gjuhën e dytë zyrtare në vend, edhe pse zbatimi i ligjit u shoqërua me polemika të shumta.
Në nëntë të mbrëmjes më 15 korrik, në momentin e mbylljes së qendrave të votimit filluan “festimet”.
Para mbylljes përfundimtare të qendrave të votimit, rreth orës katër pasdite në ditën e zgjedhjeve uebfaqja e DIK-ut u hakua dhe sulmi vazhdoi për 12 orë. Pati shumë spekulime rreth këtij incidenti.
Disa madje mendojnë se kishte mundësi që dikush nga brenda lejoi hyrjen e hakerëve në sistem, i cili ishte i dizajnuar të numëronte votat në mënyrë të pavarur, të plotësonte bazën e të dhënave dhe ta publikonte atë në uebfaqe.
Kompania DUNA, e cili ia shiti aplikacionin DIK-ut, tha se nuk ishte përgjegjëse. Megjithatë, publiku ende mban mend se si kjo kompani fitoi një tender pa deklaratë të shkruar të sigurisë dhe se si falsifikoi të dhënat për arritjet e saj profesionale.
Sulmi hakues u drejtua edhe ndaj platformës së popullarizuar të lajmeve time.mk, ku hakerët vendosën një njoftim fyes drejtuar partive politike.
Në të njëjtën kohë, Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (DKSK) dorëzoi katër nisma për hetim të DIK-ut në Prokurorinë Shtetërore. Nismat u referohen tenderëve të papublikuar për prokurim të materialeve zgjedhore për zgjedhjet e mbajtura më 2016 dhe 2017, si dhe për referendumin e 2018-tës. Ata theksuan se DIK nuk publikoi tenderët por bëri marrëveshje direkt me shtypshkronja, një veprim i paligjshëm që i kushtoi buxhetit të shtetit mijëra euro.
Përveç gjithë kësaj, disa parti kanë njoftuar se do të dorëzojnë ankesa kundër rezultateve, duke besuar se zgjedhjet ishin të manipuluara.
Fotografi që qarkullojnë në Twitter tregojnë për mundësi të manipulimit të zgjedhjeve në disa komuna ku BDI mori numër të madh votash. Çfarë shton dyshimet është fakti se shqiptarët nuk jetojnë në këto komuna, si Vevčani. Raste të ngjashme ndodhën në komunat e Shkupit Karpoš dhe Kisela voda ku BDI deri më tani tradicionalisht ka fituar 2 deri në 3 vota. Kësaj radhe ata dolën fitues në këto vende.
Parregullsi gjatë zgjedhjeve u regjistruan edhe në pjesët lindore të vendit, ku u vunë re incidente korrupsioni dhe tensione, ndërsa një automjeti që po barte material zgjedhor nga Gostivari në Shkup iu vu zjarri.
Pas 48 orësh, aq sa është afati ligjor për përgjigje, DIK hodhi poshtë të gjitha 2142 ankesat, duke shpjeguar se kishin vepruar në përputhje me ligjet dhe kushtetutën dhe se nuk kishte nevojë për numërim manual të votave siç ishte kërkuar nga disa parti, sepse çdo fletëvotim ishte treguar publikisht gjatë numërimit të votave në qendrat e votimit.
Pushime verore para qeverisë së re
Në fund, kur u shpall fituesi i këtyre zgjedhjeve, kreu i VMRO-DPMNE nuk i uroi Socialistët Demokratë për fitoren duke pretenduar se procesi zgjedhor ishte i kapur dhe se në fakt ata do të duhej të formonin qeverinë e re.
Sipas Kushtetutës maqedonase, e drejta për formimin e qeverisë i takon partisë me numrin më të madh të deputetëve në parlament.
Në rastin e Parlamentit maqedonas, kërkohen më së paku 61 deputetë. Pas dorëzimit të rezultateve finale të numërimit të votave te kryetari i Parlamentit, ky i fundit ka afat prej 20 ditësh të thërrasë seancën për konstituimin e parlamentit. Hapi i radhës është mandatimi nga presidenti i partisë që e ka shumicën, brenda 10 ditëve nga momenti i formimit të parlamentit të ri.
Në lojë janë disa kombinacione pas-zgjedhore.
Pozicioni i Ali Ahmetit nënkupton se ai edhe një herë do të jetë personi kyç që do t’i përdorë 15 deputetët e tij për shantazhim të mandatarit, duke bërë presion në mënyrë që të pranohet propozimi i tij për një kryeministër shqiptar. Nëse kjo ndodh, atëherë edhe Zaev edhe Mickovski, në rast se njëri prej tyre hyn në koalicion me BDI-në, do të shkelin premtimin e dhënë gjatë fushatsë se nuk do të pranojnë asnjë formë shantazhi.
Si mëlmesë shtesë në cirkun politik, ish-kryeministri Zaev vendosi të shkojë në pushim dhe që negociatat e ardhshme për formimin e qeverisë të fillojnë pas festës kombëtare të Ilindenit (më 2 gusht).
Ngutja për mbajtjen e zgjedhjeve dhe rrezikimi i njerëzve me arsyetimin se një qeveri e re duhej të formohej sa më shpejt që mundej ashtu që shteti të funksiononte, ishte e panevojshme.
Po vjen një verë e nxehtë politike, me të cilat elita politike maqedonase është mësuar. Koalicioni qeveritar i përgatitur në kuzhinat partiake do të jetë i ngjashëm me ata që kanë qenë në pushtet deri tani — një përbindësh shumëkokësh që do të funksionojë përderisa i plotëson interesat partiake dhe ato të bizneseve.
Si gjithnjë, njerëzit do të lihen anash, të harruar, të mënjanuar dhe të qethur si dele. Më saktësisht, kjo do t’u ndodhë atyre që do t’i mbijetojnë koronavirusit dhe nuk do të ikin nga vendi një herë e mirë.
Dhe kështu vazhdon, deri në zgjedhjet e ardhshme, kurdo që ato të ndodhin.
Imazhi i ballinës: Arrita Katona / K2.0.