Java e fundit e majit dhe fillimi i qershorit të këtij viti i gjeti dhjetëra gazetarë/e, kameramanë/e, fotoreporterë/e e punëtorë/e të tjerë/a medialë/e ballë për ballë me dhunën dhe sulmet më të ashpra fizike e verbale në vitet e fundit në Kosovë. Kthimi i skenave të dhunës në pjesën veriore të vendit, i vuri gazetarët/et në mes të forcave të rendit dhe protestuesve që me sulmet e tyre i shënjestruan edhe gazetarët/et, pos ushtarëve të KFOR.
Çka ndodhi saktësisht me gazetarët/et në një javë sulmesh në veri?
Që para orës 07:00 të 29 majit, nëntë televizione me shtrirje kombëtare në Kosovë dhe shumë agjenci lajmesh e portale dërguan nga një ekip të përbërë prej dy-tre vetash në tri komunat me shumicë serbe — Leposaviq, Zveçan e Zubin Potok për ta përcjellë vazhdimin e protestës së serbëve lokalë nisur më 26 maj. Ata po protestonin kundër hyrjes së kryetarëve të sapozgjedhur shqiptarë në ndërtesa të këtyre komunave. Këta kryetarë fituan zgjedhjet e 23 prillit, të cilat u bojkotuan me të madhe nga serbët lokalë.
Gazetarët/et u gjendën mes forcave të misionit të NATO në Kosovë, KFOR dhe numrit të madh të protestuesve serbë, të mllefosur me situatën. Përderisa në Leposaviq dhe Zubin Potok, pjesa më e madhe e ditës kaloi kryesisht qetë, në Zveçan atmosfera ishte armiqësore dhe e rrezikshme si për gazetarët/et, ashtu edhe për ushtarët e KFOR, 30 prej të cilëve u plagosën. Të lënduar pati edhe protestues serbë.
Bashkë me kolegë nga Euronews Albania dhe Top Channel mbërritëm në Zveçan në mesditën e 29 majit, për ta mbuluar situatën e tensionuar. Veturën me targa nga Shqipëria, që kishte të ilustruar një shqiponjë në të, e parkuam prapa ndërtesës së komunës. Këtë e bëmë me mendimin që rreth 50 ushtarë të KFOR, që pamë në 20 metra distancë nuk do të lejonin të ndodhte asgjë nga 10 të rinj serbë me maska, që qëndronin në katin e dytë të ndërtesës, duke drejtuar fyerje të vazhdueshme drejt nesh.
Megjithatë, brenda pesë minutave u alarmuam nga pamjet që i kishin kapur kolegët e tjerë në kamera ku vetura jonë ishte vandalizuar dhe dhunshëm i ishin hequr targat. Duke e larguar veturën nga aty, disa shishe na fluturuan mbi koka bashkë me thirrjet dhe kërcënimet për t’u larguar nga Zveçani, që vinin nga persona të maskuar që qëndronin para ndërtesës së komunës së rrethuar nga KFOR. Atmosfera e tillë armiqësore i përcolli dhjetëra gazetarë/e gjatë gjithë kohës. Në raste tjera të dëmtimit të veturave u shkruan mbishkrime nacionaliste me katër “C”, që si simbol nënkupton “Vetëm bashkimi i shpëton serbët” dhe me simbolin e agresionit rus kundër Ukrainës, “Z”.
Pasdite, kur KFOR vendosi të ndërhyjë për ta larguar turmën e dhunshme nga vendi ku ishin mbledhur para ndërtesës së komunës, gazetarët/et u gjendën në mes të të dyja palëve. Teksa ushtarët e KFOR mbroheshin me pajisjet e tyre nga mjetet si gurë e koktej molotovi, që hidheshin në drejtim të tyre, gazetarët/et nuk patën asnjë mjet mbrojtës, madje as maska të thjeshta për gazin lotsjellës.
Një kafene në mes të protestuesve dhe forcave të rendit u bë streha e gazetarëve/eve për t’i shpëtuar dhunës që nuk u ndal për gati një orë. Brenda saj u strehuam mbi 40 gazetarë/e, shumica prej nesh shqiptarë dhe më pak se 10 serbë. Me qetësimin e ngadalshëm të situatës, gazetarët/et serbë/e u larguan duke na ofruar edhe neve që të shkojmë me ta. Megjithatë, për sigurinë tonë shumica vazhduam qëndrimin në kafene, nga dritaret e së cilës shiheshin vazhdimisht persona të maskuar që dilnin nga kthinat e banesave për të vazhduar sulmin ndaj KFOR.
Ndërkohë dhe me rrezikun e gjuajtjeve nga këta persona, së paku tri herë dolëm për të kërkuar nga KFOR krijimin e një korridori të sigurt për largimin e ekipeve. Por, ata nuk e morën asnjëherë përgjegjësinë për sigurinë e gazetarëve/eve duke na thënë që mund të shkonim kah rruga ku prisnin personat e maskuar.
Pas tri orësh qëndrimi brenda, pronari i lokalit e mori përgjegjësinë për të na shoqëruar mua dhe rreth 30 gazetarët/et e tjerë që ishim aty deri të veturat tona. Ecja ishte e shkurtër, rreth pesë minuta, por e sikletshme teksa shoqërohej me sharje e fyerje nga persona me maska e pa to.
Një anëtar ekipi medial, pasi hyri në objektin e komunës që ruhej nga policia e Kosovës, mbeti i ngujuar deri në mesnatë vetëm për ta gjetur të nesërmen veturën e thyer e të vandalizuar në qendër të qytezës.
Atmosfera frikësuese vazhdoi edhe të nesërmen, më 30 maj, kur Asocacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) regjistroi tetë raste të sulmeve të ndryshme ndaj gazetarëve/eve dhe punëtorëve/eve tjerë/a medialë/e. Edhe pse, me kalimin e ditëve dhe zvogëlimin e numrit të protestuesve, sulmet u rralluan, mjedisi nga raportojnë gazetarët/et vazhdon të jetë krejt i pasigurt.
Nga 29 maji deri më 2 qershor, AGK ka regjistruar 21 raste të sulmeve serioze kundër medieve në katër qytetet veriore, Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut. Sulmet kanë qenë të natyrave të ndryshme, nga ato fizike si sulmi ndaj një ekipi të RTV21 në Mitrovicën e Veriut deri tek thyerja, vandalizimi, shkatërrimi e djegia e tërësishme e veturave, si në rastin e Tëvë1.