Në mbrëmjen e 6 tetorit 2019, Albin Kurti marshoi triumfalisht nga selia e partisë së tij drejt Sheshit Skënderbeu në zemër të Prishtinës.
Pothuajse një dekadë e opozitarizmit të pakompromis dhe protestave kundër partive të vjetra që e udhëhoqën Kosovën që nga çlirimi e më pas shpallja e pavarësisë, e ngriti Vetëvendosjen (VV) në krye të rezultateve të zgjedhjeve të përgjithshme me më shumë se 26% të votave. Nga të qenit grup aktivistësh që pakënaqësitë e tyre i manifestonin në rrugë, në më pak se një dekadë qëkurse hyri në parlament, lëvizja me orientim të majtë politik shënoi rritje meteorike.
Në sheshin e mbushur me mbështetës të tij, Kurti mbajti fjalimin e shumëpritur plot me mendime e shprehje që e kanë shoqëruar përgjatë rrugëtimit të tij politik, që nga vitet e 90-ta si student protestues e deri më tani si politikani më i mbështetur në Kosovë.
Në zgjedhjet e tetorit 2019, Albin Kurti udhëhoqi Vetëvendosjen drejt fitores, me premtimin për ndryshim nga qeveritë e njollosura të së kaluarës. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.
Për këdo që kuptoi peshën e ngjarjeve, u krijua përshtypja se pas shumë vitesh kritikash nga jashtë drejtuar administratave të mëparshme të korruptuara, për VV-në po fillonte një periudhë e gjatë udhëheqjeje. Si për simpatizuesit e thjeshtë, ashtu edhe për të tillët që ruanin dyshimin ndaj kujtdo që do të mund t’ua tradhtonte besimin, ishte e qartë se ky moment shënonte pikë kthese në historinë e vonshme të Kosovës.
Ndonëse askush nuk priste që qeveria e Kurtit të kalonte pa sfida, të paktë ishin ata që besonin se koalicioni i partisë së tij me partinë që doli e dyta në zgjedhje, Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), do të zgjaste vetëm 52 ditë.
Më 25 mars, derisa vendi gjendej në izolim të plotë dhe qeveria përpiqej të shmangte mbingarkimin e sistemit të dobët shëndetësor nga pandemia COVID-19, “qeveria e shpresës” u rrëzua nga një mocion mosbesimi i iniciuar nga vetë partneri qeveritar.
Për disa nga zërat kritikë, mënyra se si Kurti trajtoi disa nga çështjet e ndjeshme ishte naive dhe arrogante, duke e bërë atë pjesërisht fajtor për rënien e shpejtë të qeverisë. Të tjerë besojnë se administrata e udhëhequr nga ai ishte dëm kolateral i një shteti të kapur.
Qeveria Kurti do të vazhdonte punën edhe për 70 ditë të tjera — tanimë si qeveri në detyrë — deri atëherë kur fytyra të njohura u bashkuan sërish për të formuar një qeveri të re, në rrethana tërësisht të kontestueshme.
Pas pak më shumë se 100 ditë pune të koalicionit të udhëhequr nga Kurti, K2.0 vështron prapa në qeverinë më të shumëpritur e njëherazi më jetëshkurtër në historinë e Kosovës.
Një kabinet kompetent
Pas muajsh negociatash të lodhshme e të trazuara që në disa raste rrezikuan të ndërpriteshin, më 3 shkurt — pothuajse 4 muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve — marrëveshja e shumëpritur për koalicionin qeverisës më në fund u arrit.
Kabineti i zvogëluar, me gjashtë ministra nga VV-ja e me po aq nga LDK-ja, dhe tre nga partitë e komuniteteve pakicë, dukej shumë më ndryshe nga çdo kabinet në të kaluarën e Kosovës, dhe kjo jo vetëm ngaqë përmbante përqindje më të lartë të grave se kurdoherë më parë.
Sipas analistëve, në bazë të kualifikimeve të ministrave, kabineti i formuar nga koalicioni VV-LDK ishte më kompetenti në historinë e Kosovës. Foto: Zyra e Kryeministrit.
Albert Krasniqi, ekspert i politikës në Fondacionin Westminster për Demokraci, thotë se me emrat e përzgjedhur për ministra, ky kabinet ka ngritur pritshmëritë dhe ka vendosur një standard më të lartë për qeveritë e ardhshme duke u mbështetur në njerëz që nuk kanë lidhje me korrupsionin e së kaluarës.
“Në përgjithësi, as VV e as LDK [të vetme] nuk do të mund të vinin me një përmbajtje më të mirë të kabinetit kur është fjala për kualifikimet e ministrave”, thotë Krasniqi.
Në fillim të vitit 2018, VV ishte përballur me një ndarje të ashpër kur një numër i personaliteteve të rëndësishme kishin lëshuar Lëvizjen në mënyrë dramatike, duke e akuzuar Kurtin për instalim të praktikave autoritare dhe kultivim të “kultit të personalitetit” për veten dhe partinë.
Krasniqi konsideron se ato ngjarje patën ndikim në radhët e partisë si dhe në përzgjedhjen e ministrave, dy vite më vonë. Ai thekson emërimin e ministrave si Rozeta Hajdari dhe Blerim Reka, të cilëve, megjithëse nuk ishin anëtarë të partisë, iu dha mundësia të plotësonin zbrazëtinë e lënë nga figurat e ikura që dikur ishin përmendur si ministra të ardhshëm.
Emërimi i tyre u pa edhe si dëshmi se përkushtimi dhe profesionalizmi ishin faktorë të rëndësishëm në procesin e zgjedhjes së ministrave.
Reka, i zgjedhur për të udhëhequr me Ministrinë e Integrimit Evropian, kishte përvojë të gjatë në akademi dhe diplomaci, dhe kishte shërbyer më parë si ambasador i Maqedonisë së Veriut në Bruksel. Në prill 2019, VV kishte mbështetur kandidimin e tij në zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut.
Emërimi i Hajdarit për të udhëhequr me Ministrinë e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike — një “super-ministri” e re që bëri bashkë gjashtë departamente të mëdha — ishte befasi për shumëkë. E shkolluar në Suedi dhe me përvojë pune në sektorin privat dhe organizata të huaja që merren me zhvillimin e edukimit, zgjedhja e Hajdarit u pa si krejtësisht teknokratike.
Donika Emini, eksperte e politikës dhe drejtuese e rrjetit të OJQ-ve Civikos, pajtohet me Krasniqin në atë se përzgjedhja e kabinetit shënoi një dallim të rëndësishëm nga administratat e kaluara. Ajo thotë se përbërja e kabinetit VV-LDK ishte e “pakrahasueshme” me çkado që kishte shkuar më parë në Kosovë.
“Në qeveritë e kaluara, ulëset e ministrave rezervoheshin për më të fuqishmit e partive, pa marrë parasysh nivelin e profesionalizmit dhe kompetencës,” shprehet ajo.
Të tjerë ministra, po ashtu, u përzgjodhën në bazë të përvojave të tyre të mëhershme. Pozita e ministrit të Shëndetësisë iu dha Arben Vitisë, i cili ishte lavdëruar për punën e tij si udhëheqës i Drejtorisë së Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës gjatë mandatit të parë të Shpend Ahmetit si kryetar i kryeqytetit.
Përgjegjësia për udhëheqjen e Ministrisë së Financave dhe Transfereve iu besua Besnik Beslimit, i cili ka doktoratë në makroekonomi nga një universitet gjerman dhe ka ndërtuar reputacion si profesor i respektuar universiteti në Prishtinë.
Ministria e Infrastrukturës dhe Mjedisit u drejtua nga Lumir Abdixhiku, i cili ka doktoratë në ekonomi nga një universitet në Britaninë e Madhe dhe përvojë të konsiderueshme në Kosovë si udhëheqës i Institutit Riinvest për vite me radhë.
Përderisa shumë nga emërimet u mirëpritën, pati edhe të tilla që shkaktuan habi.
Emërimi i Haki Abazit si zëvendëskryeministër, i cili i ishte bashkuar VV-së në verën e vitit 2019, vetëm pak muaj para mbajtjes së zgjedhjeve, ishte i papritur për shumëkë. Ai njihej për lidhjet e tij ndërkombëtare pas një karriere të gjatë me Fondacionin Rockfeller dhe organizata të ndryshme të shoqërisë civile në Kosovë.
Megjithatë, më kontroversi nga emërimet ishte ai i Agim Veliut, ish-kryetar i “bastionit” të LDK-së, Podujevës, dhe një nga figurat më me ndikim nga “garda e vjetër” e LDK-së. Veliu haptazi kundërshtoi qëndrimet politike të kandidates së popullarizuar për kryeministre të LDK-së, Vjosa Osmanit. Duke qenë se ishte pjesë e qeverive të kaluara të njollosura nga skandale të shumta korrupsioni, në këtë administratë, ai shpesh u duk si “delja e zezë e familjes”.
Gjatë negociatave për formimin e koalicionit, si nga përfaqësues të VV-së ashtu edhe nga anëtarë të rëndësishëm të partisë së tij, Veliu u akuzua për mosinteresim në arritjen e suksesshme të një marrëveshjeje koalicioni. Në një intervistë televizive, nënkryetari i VV-së Besnik Bislimi tha se Veliu në disa raste kishte nxitur me ngulm negociatorët e LDK-së që t’i braktisnin bisedimet dhe kështu t’i prishnin negociatat.
Shkarkimi i papritur i Veliut nga Kurti, më 17 mars — pas mbështetjes që Veliu si ministër i Punëve të Brendshme i dha presidentit Hashim Thaçi dhe jo Kurtit, rreth një mospajtimi që këta të fundit kishin rreth asaj nëse gjendja e jashtëzakonshme që do t’i jepte Thaçit pushtet të shtuar do duhej të deklarohej — do të përmendej nga partia e tij si shkaku kryesor që çoi drejt rrëzimit të qeverisë.
Edhe pse nuk kishte kohë të mjaftueshme për të vlerësuar punën e tij si ministër, Emini konsideron se emërimi i Veliut dërgoi mesazh negativ te publiku kur dihet se Ministria e Punëve të Brendshme është qenësore në luftën kundër korrupsionit që në vazhdimësi u përmend nga koalicioni si një nga shtyllat kryesore të qeverisjes së tyre.
Diplomaci e pakompromis
Një nga çështjet që u konsiderua se do të testonte qëndrueshmërinë e koalicionit VV-LDK ishte raporti me fuqitë e huaja, e në veçanti përpjekjet e ndërmjetësuara ndërkombëtarisht për “normalizimin” e marrëdhënieve me Serbinë. Ashtu dhe doli të jetë.
Vetëvendosja, si lëvizje protestuese, në masë të madhe është themeluar mbi kundërshtimin e asaj që e cilësonte si ndërhyrje të tepërt të jashtme në ndërtimin e së ardhmes së Kosovës dhe — siç tregon edhe vetë emri i partisë — mbi promovimin e idesë së vetëvendosjes. Për vite me radhë, qëndrimet dhe aso kohe aksionet e drejtpërdrejta kontroverse do të bënin që VV të trajtohej si të përjashtuar nga ambasadat e huaja. Kjo gjë ndryshoi gradualisht, pasi VV u dëshmua si pretendente serioze në zgjedhje.
Në anën tjetër, LDK prej kohësh kishte promovuar kredencialet e veta internacionaliste, deri në pikën e përballjes me akuzat se bënte gjithçka që i kërkohej të bënte nga ambasadat e huaja, pavarësisht nëse ishte në interes të Kosovës apo jo.
Kjo dinamikë u ndërlikua edhe më shumë nga çarjet që u shfaqën në frontin — dikur të bashkuar — e përbërë nga BE dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, rreth procesit të dialogut me Serbinë, kur administrata e Trump-it kërkoi zgjidhje urgjente për negociatat që kishin ngecur nën mbikëqyrjen e BE-së.
Pak ditë pas marrjes së detyrës, kishte shenja të qarta se qeverisë së shpejti do t’i duhej të përballej me vendimin e vështirë.
Riçard Grenell, i emëruari nga Donald Tramp si emisar i SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, ishte takuar me Kurtin në janar dhe kishte deklaruar publikisht se SHBA-ja priste heqjen sa më të shpejtë të tarifës 100% për mallrat serbe dhe të barrierave të tjera tregtare në mënyrë që dialogu të rifillonte, këtë herë me pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë të SHBA-së.
Koalicioni VV-LDK u përball me tension diplomatik kur emisari i Presidentit Tramp, Riçard Grenell (majtas) shtoi përpjekjet për presion dhe dukej se preferonte bashkëpunimin me Presidentin Thaçi në vend se me qeverinë. Foto: Astrit Ibrahimi / Zyra e Presidentit.
Kurti theksoi planin e tij për heqjen e tarifës — e cila ishte vendosur nga paraardhësi i tij si përgjigje ndaj fushatës ndërkombëtare të vazhdueshme të Serbisë për “çnjohje”— dhe zëvendësimin me masa të reciprocitetit. Kjo kishte qenë pikë qendrore në fushatën zgjedhore të VV-së dhe do të përfshihej edhe në marrëveshjen për koalicionin VV-LDK.
Megjithatë, presioni nga ana e SHBA-ve vazhdoi të rritej, përfshirë edhe një tweet në fillim të marsit, nga Donald Tramp Jr., biri i presidentit të SHBA-së, i cili kërcënonte me tërheqjen e mbështetjes ushtarake të SHBA-së për Kosovën në rast se qeveria nuk do të bënte siç i kërkohej.
Në javët në vazhdim, paralajmërimi se SHBA-ja mund t’i tërhiqte trupat ushtarake nga Kosova në rast se tarifa nuk do të hiqej menjëherë, shërbeu si argument i fuqishëm për kritikët dhe shtoi tensionet përbrenda koalicionit. Megjithatë, Kurti dukej i palëkundur dhe në disa raste theksoi se nuk kishte pranuar zyrtarisht një paralajmërim të tillë dhe se nuk besonte se një masë e tillë drastike do të mund të merrej nga aleati kryesor i Kosovës.
Pak ditë para mocionit të mosbesimit, Kurti njoftoi se do të realizonte heqjen e tarifës 100% përmes disa fazave.
Megjithatë, mosmarrëveshja rreth asaj se si duhej t’i qaseshin dialogut tashmë kishte përçarë partnerët qeveritarë, me LDK-në e cila zëshëm insistonte që të ndiqeshin kërkesat e SHBA-ve. Kjo do të përmendej si arsyeja e dytë e tyre për inicimin e mocionit të mosbesimit.
Eksperti i punëve të jashtme, Toby Vogel, thotë se presioni i paturp dhe agresiv i SHBA-së luajti rol të rëndësishëm në rrëzimin e qeverisë, duke e konsideruar këtë si “veprim jomiqësor dhe detyrues kundrejt një partneri të afërt e besnik”.
“Në anën e SHBA-së kishim një administratë që dëshpërimisht kërkon një fitore të shpejtë diplomatike, të arritur përmes detyrimit e veprimit të njëanshëm dhe kundër dëshirave të evropianëve, që do të mundësojë tërheqjen e shpejtë të trupave amerikane”, thotë ai.
Por Vogel po ashtu shton se prapa rrëzimit të qeverisë qëndron një tjetër “arsye shqetësuese”: “Në anën e Kosovës kishim gardën e vjetër, të frikësuar se Kurti do të shkatërronte modelin e tyre të biznesit dhe shpërfaqte abuzimin e tyre me pushtetin”.
Më 31 mars, administrata në ikje hoqi në tërësi tarifën 100%, dhe siç kishte premtuar filloi zbatimin e masave të reciprocitetit, në kundërshtim me kërkesat e Grenellit dhe administratës Tramp. Megjithatë, ky do të ishte një vendim jetëshkurtër, meqë një nga veprimet e para të ndërmarra nga administrata e tanishme, në krye me Avdullah Hotin e LDK-së, ishte shfuqizimi i vendimeve për reciprocitet, ashtu që “të largoheshin të gjitha pengesat për dialogun Kosovë-Serbi”.
E vjetra po shembet…
Përkundër qëndrimit të shkurtër në pushtet, qeveria VV-LDK arriti të dëshmojë se ishte e aftë të fillonte disa nga reformat urgjente për të cilat kishte marrë mbështetjen qytetare në zgjedhjet e fundit.
Që në ditët e para pas votimit të koalicionit, qeveria e re nisi atë që tha se ishte pastrim i bordeve të ndërmarrjeve publike nga anëtarë të zgjedhur përmes ndikimit direkt të partive politike gjatë administratave të mëparshme.
Qeveria shkarkoi bordet e ndërmarrjeve të ndryshme publike, por u kritikua ashpër për plotësimin e disa vendeve të mbetura bosh me bashkëpunëtorë partiakë. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.
Që nga ditët e para, e përgjatë periudhës së qeverisjes në detyrë, qeveria shkarkoi bordet e Postës së Kosovës, Telekomit të Kosovës, Korporatës Energjetike të Kosovës, dhe ndërmarrjeve të tjera publike të rëndësishme. Siç u raportua, ministrat e LDK-së nuk morën pjesë apo nuk votuan në këto votime, disa nga të cilat u mbajtën gjatë takimeve virtuale për shkak të masave të izolimit që ishin vendosur.
“Me qasjen e saj kundrejt korrupsionit dhe kapjes së shtetit, qeveria tregoi se ishte e gatshme të ndërmerrte reforma”, thotë Emini.
Por vendimi i qeverisë për emërimin e një numri anëtarësh dhe ish-kandidatësh për deputetë të VV-së në pozitat e njëjta nxiti kundërshtime publike duke ditur se Kurti dhe partia e tij në vazhdimësi kishin kritikuar veprime të tilla në të kaluarën dhe kishin premtuar zhbërjen e kësaj praktike me ardhjen e tyre në pushtet.
Sipas Eminit, këto emërime përbënë shkelje dhe ishin të papranueshme. “Shkelja e drejtpërdrejtë e këtij premtimi dërgoi mesazh negativ tek qytetarët; kjo qeveri u zotua për luftë kundër ‘shtetit të kapur'”, thotë ajo.
Megjithatë, Kurti e arsyetoi vendimin për emërim “të përkohshëm” të anëtarëve të partisë së tij nëpër borde duke thënë se gjendja e rëndë në të cilën gjenden ndërmarrjet publike kërkonte intervenim urgjent në mënyrë që të ndalej “gjakderdhja financiare” e tyre.
Polemika nxiti edhe vendimi i Ministres së Arsimit, Hykmete Bajramit, për shkarkimin e anëtarëve të Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës dhe zëvendësimin e tyre me ligjërues të universiteteve private. Për kritikët, vendimi paraqiste rast të konfliktit të interesit duke e ditur se universitetet private janë konkurrentët kryesorë të UP-së. Bajrami mbrojti vendimin duke thënë se të përzgjedhurit ishin ekspertë në fushat e tyre dhe nuk kishin lidhje partiake.
Ndërkohë, në fillim të marsit, Ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, filloi një valë të tërheqjes së ambasadorëve, konsujve, dhe pjesëtarëve të tjerë të korit diplomatik të Kosovës, shumë nga të cilët ishin emërime politike. Megjithatë, në kohën kur qeveria u largua nga detyra, ky vendim ishte ende në pritje të dekretit të kërkuar presidencial.
Një tjetër rrugë
Ministri i ri i Infrastrukturës bëri të qartë synimin e tij për t’u distancuar nga projektet e mëdha kontroverse të administratave të mëparshme që shpesh ishin shoqëruar nga mungesa e transparencës dhe skandalet e korrupsionit.
Lumir Abdixhiku shpejt anuloi kontratën 110 milionëshe për ndërtimin e Autostradës “Anamorava”, projekt i filluar nga qeveria e mëparshme. Ai tha se kishte pasur anashkalim të procedurave ligjore gjatë ndarjes së buxhetit, dhe për këtë arsye shtyu ndërtimin e autostradës që lidh Prishtinën me Gjilanin.
Ministri i Infrastrukturës Lumir Abdixhiku (në mes) u komentua për anulimin e projekteve të mëdha kontroverse për ndërtim rrugësh. Foto: Ministria e Infrastrukturës dhe Mjedisit.
Ai po ashtu anuloi ndërtimin e një rruge tjetër të madhe — Autostradën e Dukagjinit — e cila ishte planifikuar të shtrihej nga Prizreni në Istog. Ky ishte projekt emblematik i qeverisë së mëparshme të udhëhequr nga Ramush Haradinaj, që u cilësua nga kundërshtarët si projekt i panevojshëm dhe politikisht i motivuar meqenëse rruga do t’i lidhte komunat ku AAK e Haradinajt tradicionalisht del fituese.
Autostrada që pritet të kushtojë rreth 1 miliard euro ishte një nga katër projektet e mëdha rrugore që më pas u përfshinë në programin qeverisës të administratës Hoti.
Ende pa reforma në sistemin e drejtësisë
Sistemi i drejtësisë është një nga shtyllat kryesore institucionale për të cilin VV prej kohësh ka kërkuar reforma. Përgjatë viteve, përkundër mbështetjes së konsiderueshme të dhënë nga organizata ndërkombëtare e vendore, ka pasur pak shenja të përparimit të sistemit të drejtësisë në fuqizimin e sundimit të ligjit.
Një nga proceset për të cilin është avokuar në luftimin e praktikave të ngjashme të korrupsionit dhe keqpërdorimit sistematik në vendet e tjera, është vetingu në sistemin gjyqësor. Gjatë këtij procesi, gjyqtarët dhe prokurorët i nënshtrohen kontrollit të hollësishëm të pasurisë së tyre nga një komision; VV ka kohë që ka kërkuar një proces të tillë në Kosovë dhe që të dy partitë, përfshirë LDK-në, e kishin shtyllë qendrore në fushatat e tyre zgjedhore.
Qeveria e udhëhequr nga Kurti filloi përpjekjet për zbatimin e reformave të premtuara në sistemin e drejtësisë, por u prit me rezistencë të ashpër. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.
Në mes të shkurtit, duke e cilësuar si prioritet, ministrja Albulena Haxhiu nisi procedurat e para për realizimin e procesit të vetingut që do të zhvillohej përgjatë dy viteve, kohë kjo e nevojshme për hartimin e kornizës së nevojshme nga ana e Kuvendit.
“Procesi i vetingut është një nga nismat më sfiduese të ndërmarra nga qeveria”, thotë Emini.
Megjithatë, përpjekjet për fillimin e reformave u pritën me rezistencë. Haxhiu tha se Këshilli Gjyqësor dhe ai Prokurorial — dy organet më të rëndësishme në sistemin e drejtësisë — kishin hezituar të bashkëpunojnë në procedurat e krijimit të një komisioni për fillimin e procesit të vetingut, duke i akuzuar ata për frikë nga ky proces.
Bahri Hyseni, kryesues i Këshillit Prokurorial dhe një nga pjesëmarrësit në aferën famëkeqe të përgjimit “Pronto” — në të cilën anëtarë të rëndësishëm të PDK-së u dëgjuan teksa ndikonin në procesin e punësimit për pozita publike — tha se, vetingu nuk është i nevojshëm sepse “veçse ishte bërë një herë në të kaluarën”.
Figura politike nga parti që ishin pjesë e administratave të mëparshme, duke përfshirë edhe ministrin e ri të Drejtësisë nga AAK-ja, Selim Selimin, shprehën kundërshtimin e tyre ndaj reformave të propozuara, duke sugjeruar se nisma e propozuar për identifikimin dhe largimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar përbënte ndërhyrje politike në gjyqësorin e pavarur.
Programi qeverisës i koalicionit të ri dha shenja se procesi i vetingut është anashkaluar nga administrata e udhëhequr nga Hoti.
Lëkundjet e pandemisë
Një nga çështjet më urgjente me të cilat u desh të përballej qeveria LDK-VV ishte e atillë që nuk mund të parashikohej nga askush: pandemia COVID-19.
Rastet e para në Evropë u konfirmuan në fund të janarit, vetëm pak ditë pasi qeveria në Kosovë mori detyrën, por u desh të pritej deri më 13 mars për të pasur rastet e para të konfirmuara në Kosovë. Me përhapjen e pandemisë në vendet fqinje, tashmë ishte e qartë se Kosova nuk do të mbetej e paprekur dhe qeveria kishte filluar me dhënien e këshillave për larjen e duarve dhe shmangien e kontaktit fizik kur ishte e mundur.
Në ditën kur u konfirmuan dy rastet e para, qeveria vendosi masa të rrepta të izolimit duke mbyllur brenda natës kafenetë, baret, e shumë biznese të tjera, e duke u bërë thirrje njerëzve për të qëndruar në shtëpitë e tyre.
Shpejt u krijua një faqe interneti me informatat kyçe, ministri i Shëndetësisë Arben Vitia mbajti konferenca ditore për media, dhe kapacitetet emergjente në institucionet e kujdesit shëndetësor u shtuan. Qeveria po ashtu shpalli mbylljen e kufijve në përpjekje për të parandaluar ardhjen e rasteve të reja në Kosovë, si dhe aprovoi masa emergjente ekonomike me qëllim të mbrojtjes së grupeve më të cenueshme në shoqëri.
Rritja e ngadaltë e numrit të rasteve dhe numri stabil i të vdekurve në krahasim me atë të shumë shteteve të tjera evropiane bëri që reagimi i qeverisë të merrte lëvdata si nga brenda vendit, ashtu edhe nga ndërkombëtarët.
Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia pranoi lëvdata të shumta për menaxhimin e reagimit të Kosovës kundrejt pandemisë, por edhe u kritikua pas vetëvrasjes së një studenti gjatë qëndrimit të detyrueshëm në karantinë. Foto: Ministria e Shëndetësisë.
Në veçanti, prezenca e Vitisë në mes të krizës u çmua si kompetente dhe ndihmesë e rëndësishme në shmangien e një katastrofe të menjëhershme, për të cilën shumëkush u frikësua kur u shfaq virusi.
Ngjashëm, ministra të tjerë morën lëvdata për reagimet e tyre, përfshirë këtu ministren e Arsimit, Bajrami, e cila shpejt u angazhua për krijimin e një platforme të mësimit onllajn për nxënësit e Kosovës të cilët tanimë nuk ishin të gjendje të vijonin mësimin e rregullt.
Ministri i Infrastrukturës dhe Mjedisit, Abdixhiku, forcoi më tej reputacionin e tij si menaxher i besueshëm duke bashkëpunuar ngushtë me ministrat e tjerë rreth procesit të kthimit të qytetarëve të bllokuar jashtë vendit dhe transportimin e tyre të sigurt nga aeroporti në qendrën e karantinimit. Më vonë, Abdixhiku do të ishte një nga figurat e pakta të rëndësishme të LDK-së që nuk mbështeti mocionin e mosbesimit dhe nuk u emërua si ministër në administratën Hoti.
Megjithatë, pati dhe kritika — sidomos në ditët e para — se qeveria vonohej në dhënien e informatave për masat kufizuese në gjuhët e minoriteteve, duke lënë kështu një numër qytetarësh të pavetëdijshëm se masat tashmë ishin në fuqi.
Qeveria po ashtu u përball me kritika dhe sfida ligjore nga partitë politike kundërshtare pas intensifikimit të masave të izolimit që ndërmori.
Presidenti Thaçi akuzoi qeverinë për shkelje të Kushtetutës me vendimin për ndalimin e qarkullimit të marrë më 23 mars, kur numri i rasteve rrezikonte të rritej. Në një konferencë të jashtëzakonshme për media, presidenti iu tha qytetarëve, policisë, dhe forcave të sigurisë që nuk ishin të obliguar të respektonin vendimin e qeverisë, dhe përsëriti kërkesën e tij të mëparshme për shpalljen e Gjendjes së Jashtëzakonshme.
Gjykata Kushtetuese goditi qeverinë kur më 1 prill mbështeti kërkesën e parashtruar nga Thaçi, duke vendosur se lëvizjet e qytetarëve nuk mund të kufizoheshin përmes një vendimi të qeverisë; një vendim i tillë do të mund të merrej vetëm nga Ministria e Shëndetësisë — sipas legjislacionit të hartuar për luftimin e sëmundjeve ngjitëse — apo nga Kuvendi. Pasi kishte humbur shumicën në mes të mospajtimeve, Ministria e Shëndetësisë ndërmori hapat e kërkuar administrativ për të qenë në vijë me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.