Në thelb | Ekonomia

‘Vetëm shtrenjtim dhe asnjë lirim’

Nga - 26.04.2020

Ndikimi i tarifës 100% te prodhuesit vendorë dhe çmimet e tregut në Kosovë.

Punëtorët e pularisë Konsoni në Gjilan, në ditën e 4 marsit 2019 e kishin një mysafir të veçantë. Kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Ramush Haradinaj, kishte shkuar në qytetin e Anamoravës për të vizituar dy ndërmarrje të suksesshme, në kuadër të një fushate që kishte synim demonstrimin e mbështetjes ndaj bizneseve vendore në atë që kryeministri e kishte quajtur “viti i ekonomisë” për Kosovën.

Në fotografitë e asaj dite shihej Haradinaj tek përshëndetej me punëtorët e fabrikës, ndërkaq komunikata shoqëruese fliste për “storie të suksesit”, dhe “produkte të shëndosha, të garantuara”. Mes tjerash, aty thuhej se “Qeveria do të krijojë klimë sa më të përshtatshme që prodhuesit vendorë të operojnë lehtësisht në tregun e brendshëm dhe të jashtëm”.

Në prapaskenë të vizitave dukej se qëndronte përpjekja për të treguar që vendimi — i cili ishte marrë nga qeveria tre muaj më parë — për të vendosur tarifë 100% për produktet e importuara nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina po ndikonte në zhvillimin e bizneseve, rrjedhimisht në ekonominë e vendit.

Qeveria e atëhershme fillimisht e vendosi një tarifë prej 10% për importet nga këto dy shtete në tetor të vitit 2018. Në ndërkohë, transparenca mbi dialogun mes përfaqësuesve shtetërorë të Kosovës dhe Serbisë po shkonte duke u venitur dhe po flitej për marrëveshje të fshehta që kishin të bënin me këmbime territoresh. Një muaj pas vendosjes së tarifës 10%, qeveria e përshkallëzoi këtë masë duke e shndërruar në tarifë 100%.

Në 2019, Kryeministri i atëhershëm Ramush Haradinaj thoshte se qeveria e tij do të krijonte klimë të përshtatshme për prodhuesit vendorë. Foto nga Zyra e Kryeministrit.

Haradinaj kishte thënë asokohe se tarifa ishte kundërpërgjigje ndaj barrierave jotarifore të vendosura nga Serbia dhe ndaj mosrespektimit të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA), por mediat raportonin se kjo mund të ishte edhe një mënyrë për të reaguar ndaj fushatës së Serbisë për çnjohjen e pavarësisë së Kosovës dhe lobimit të zellshëm kundër anëtarësimit të saj në organizata ndërkombëtare. 

Një pjesë e madhe e diskutimeve rreth ndodhive politike në Kosovë që nga fundi i 2018-tës kanë qenë të lidhura me tarifën. Më rishtazi, në mars 2020, mosmarrëveshja rreth mënyrës së veprimit me tarifën shkaktoi çarje të pariparueshme në marrëdhëniet mes partnerëve të qeverisë pas-Haradinaj, Vetëvendosjes e LDK-së, dhe ndikoi në shkarkimin e saj nga Kuvendi. 

Më 1 prill, Qeveria në detyrë i dha fund tarifës ndaj Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës dhe filloi të ndërmarrë masat fillestare për ta zbatuar “parimin e reciprocitetit” ndaj Serbisë. 

Përveç se për ndodhitë politike, diskutimet mbi efektet e saj në ekonominë e vendit kanë qenë të pashmangshme. Ministri i atëhershëm i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, e kishte përmendur tarifën si vazhdimësi të “përpjekjeve tona për të fuqizuar prodhuesit vendorë dhe ekonominë”. Për më tepër, një ndër pikat të cilave Haradinaj u ka mëshuar vazhdimisht në mbrojtje të vendimit për tarifën ka qenë efekti i supozuar pozitiv për bizneset dhe ekonominë kosovare në përgjithësi.

Jo nga Serbia, por nga…

Për ta parë se si ka ndikuar tarifa në prodhim dhe çmime të produkteve në Kosovë, Instituti GAP ka realizuar një hulumtim në të cilin janë krahasuar disa tregues për muajt janar-tetor të viteve 2019 dhe 2018.

Sipas raportit, niveli i eksportit të mallrave nga Kosova ka mbetur i papërfillshëm ndaj sasisë së importit, që tash në masë të madhe po bëhet nga shtete tjera. Përfitimet më të mëdha i kanë regjistruar kompanitë e atyre shteteve të cilat e kanë shfrytëzuar mungesën e produkteve të Serbisë për t’u kyçur në tregun e Kosovës, duke qenë se kompanitë kosovare nuk kanë kapacitete t’i mbulojnë kërkesat e tregut. 

E çmimin e vërtetë të kësaj ndalese faktike të importit nga Serbia — e cila para vendosjes së tarifës ishte partnerja kryesore tregtare e Kosovës, disa biznese thonë se po e paguajnë ata dhe konsumatorët.

Pronarë të bizneseve në Kosovë thonë se tarifa 100% u ka kushtuar shtrenjtë bizneseve vendore dhe konsumatorëve. Foto e arkivit: Atdhe Mulla / K2.0.

K2.0 ka biseduar me pronarët e katër bizneseve nga pjesë të ndryshme të Kosovës për t’i mësuar disa nga sfidat me të cilat janë përballur gjatë periudhës rreth 18-mujore sa tarifa ishte në fuqi.

Agim Sahiti, menaxher dhe bashkëpronar i ndërmarrjes Konsoni, thotë që vendosja e tarifës i ka kushtuar shtrenjtë biznesit të tij. “Kur është vendosë taksa, sigurisht që ka kushtu ma shtrenjtë”, thotë ai përmes telefonit, ndërsa tingëllon i brengosur dhe fillon të flasë për situatën aktuale me pandeminë COVID-19.

Importet më të nevojshme të kompanisë së Sahitit, që punëson 130 persona, janë ushqimi i pulave (koncentrati) dhe zogjtë. Më parë, të dyja i kanë ardhur nga Serbia, por taksa e detyroi që të bëjë zgjidhje gjetiu.

“Zogjtë i kemi marrë nga Greqia, e ushqimin në Bullgari e pak në Kroaci”, thotë ai.

Kompania e tij importon 1.5 milionë zogj në vit; me vendosjen e taksës, ai thotë që çmimi për këtë sasi të zogjve u rrit për 150,000 euro. 

“Ma shtrenjtë ka kushtu, ma shtrenjtë”, thotë Sahiti. “Edhe për ushqim [të shpezëve] diku 30% ma shumë, 400-500 mijë euro më shumë në vit na ka kushtu”. 

Në tërësi, Sahiti thotë se kompania e tij ka humbur rreth gjysmë milionë euro në vit si pasojë e importeve nga vendet e tjera. Raporti i Institutit GAP thotë se për shkak që shtetet nga të cilat po importohen mallrat janë në distancë më të largët, ndër tjera bizneset janë përballur edhe me rritje të kostos së transportit. 

Po prodhimi i brendshëm?

Për ta analizuar ndikimin e tarifës në prodhimin e brendshëm, në hulumtimin e Institutit GAP janë përdorur tre tregues që reagojnë drejtpërdrejt nga ndryshimi i aktivitetit në sektorin e prodhimit (në industrinë përpunuese): qarkullimi i bizneseve, shpenzimi i energjisë elektrike dhe numri i të punësuarve.

Rezultatet e hulumtimit tregojnë që gjatë periudhës kur taksa ishte në fuqi, në bizneset prodhuese ishte vërejtur një rritje e aktivitetit, porse ajo nuk ishte e jashtëzakonshme —  madje ishte më e ulët se në periudhën e njëjtë të vitit paraprak. “Gjatë periudhës janar – shtator 2019 ky sektor kishte rritje për 10%, ndërsa në periudhën e njëjtë në vitin 2018 rritja e industrisë përpunuese ishte 16%”, thuhet në raport.

Një grup të dhënash që tregon se tarifa nuk ka pasur ndikim pozitiv në rritjen e bizneseve është qarkullimi vjetor i deklaruar nga bizneset në Administratën Tatimore të Kosovës. Gjatë tërë vitit 2019 kur tarifa ishte në fuqi, bizneset e industrisë përpunuese — 5,000 gjithsej — kishin rritur qarkullimin nga viti paraprak për rreth 130 milionë euro, ndërsa në 2018 kjo rritje ishte 170 milionë euro.

Në vitin 2019, ritmi i hapjes së vendeve të punës në industrinë përpunuese ka pasur tendencë të ngadalësimit krahasuar me vitin paraprak.

Granit Zajmi nga Peja, i cili merret me përpunimin e produkteve të hekurit në lokalin e tij ART Metal, thotë që tarifa i ka nxjerrë telashe me furnizimin me ngjyra, pasi që ndalja e importit nga Serbia e detyroi të gjente zëvendësim me produkte të importuara nga Turqia dhe disa produkte vendore, për të cilat Zajmi thotë që ose ishin të shtrenjta, ose me cilësi të dobët.

“Ngjyrat që vijnë nga Serbia e kanë kualitetin më të mirë dhe çmimin e kanë shumë të arsyeshëm”, thotë Zajmi. “Para taksës krejt ngjyrat prej Serbisë i kemi marrë”.

Ndërkaq, një tregues tjetër i ndikimit të taksës në aktivitetin e bizneseve është numri i të punësuarve; sipas analizës së GAP-it, ritmi i hapjes së vendeve të reja të punës në industrinë përpunuese ka pasur tendencë të ngadalësimit krahasuar me vitin paraprak.

Gjatë vitit 2019, numri i të punësuarve në sektorin e industrisë përpunuese ishte rritur për 7%, kurse në vitin 2018 — në pjesën më të madhe të të cilit nuk kishte tarifë në fuqi — ishte rritur për 10%, pra 3% më shumë se gjatë kohës kur tarifa ishte në fuqi.

Sipas raportit të Institutit GAP, në vitin 2019 sektori i industrisë përpunuese ka pasur rritje të konsumit të energjisë elektrike krahasuar me vitin paraprak. Foto e arkivit: Atdhe Mulla / K2.0.

Treguesi i tretë i analizuar ka qenë niveli i shpenzimit të energjisë elektrike, për të cilin rezultatet tregojnë rritje gjatë vitit 2019. Megjithatë, duhet pasur parasysh që gjatë periudhës dy-vjeçare 2017-2019 ka pasur luhatje të mëdha të konsumit mes tremujorëve të ndryshëm, gjë që mund të jetë ndikuar nga fakti që shpenzuesit e mëdhenj si Ferronikeli e kanë ndërprerë disa herë prodhimin.

Gjatë vitit 2019 konsumi i energjisë elektrike nga sektori i industrisë është rritur për rreth 9.8%, ndërsa në 2018 rritja ishte 4.8% më e ulët.

‘I mjeri konsumatori’

Përveç tjerash, në të kaluarën Kosova është varur prej importeve nga Serbia edhe për produktet ushqimore, prandaj Instituti GAP ka analizuar ndikimin e tarifës në çmimet e tyre.  Shifrat tregojnë që çmimet e produkteve të ushqimit dhe pijeve kanë shënuar rritje prej 6.1% në muajt janar-shtator 2019 krahasuar me të njëjtën periudhë të vitin 2018.

Adem Bulliqi, i cili shet pemë dhe perime në dyqanin “Dioni” në Prishtinë, thotë që tarifa ka sjellë “vetëm shtrenjtim dhe asnjë lirim” në veprimtarinë e tij. 

“Taksa i ka rritë çmimet, pastaj kemi pasë edhe mungesë të mallrave një kohë”, thotë ai. “Njëherë për furnizuesin e tani për mua çmimet janë rritë — i mjeri konsumatori pastaj”.

"Gjatë verës çmimet kanë shku thik' përpjetë."

Adem Bulliqi, pemëshitës

Stinë pas stine, frutat dhe perimet e importuara nga Serbia kanë qenë gjithnjë të pranishme në tregun kosovar. Bulliqi thotë se pas vendosjes së taksës, kërkesa për këto produkte është mbuluar me shumë vështirësi.

“Vojvodina ka shumë qepë të vjetra që vijnë te ne. Pas taksës ato janë importu nga Holanda e Egjipti me çmim më të shtrenjtë”, thotë ai. “Gjatë verës çmimet kanë shku thik’ përpjetë”.

Albatrit Imeri, një tjetër shitës perimesh që ka një dyqan të vogël në Krushë të Madhe, thotë që taksa ka sjellë vështirësi për të përmbushur kërkesat e konsumatorëve për produkte, sidomos në javët e para pas vendosjes së saj.

Sipas tij, në humbjet e bizneseve ka ndikuar edhe fakti që konsumatorët kanë pasur perceptimin që disa produkte të prodhuara në Serbi janë më kualitative, prandaj zëvendësimi me produkte të importuara nga vende të tjera ka qenë më i vështirë. “Humbjet na i ka shkaktu mungesa e disa produkteve të tjera, siç janë konservuesit, që nuk e kanë pasur kualitetin e njëjtë”, thotë Imeri.

Meqenëse si duket nuk është krijuar “klima e përshtatshme” për operimin e prodhuesve vendorë në treg të Kosovës — del se përfituesit më të mëdhenj nga tarifa janë kompanitë e vendeve të tjera. Për gjashtë grupet kryesore të produkteve të importuara nga Serbia, tani origjinë e importit janë kryesisht Maqedonia e Veriut, Bullgaria, Greqia dhe Kroacia.K

Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0.

 

 

 

Ky artikull është publikuar me asistencë të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij publikimi është përgjegjësi e vetme e Kosovo 2.0 dhe Institutit GAP dhe në asnjë mënyrë nuk mund të paraqes pikëpamjet e Bashkimit Evropian.