S`fundmi | DokuFest 2017

Vizione të së ardhmes: DokuTech

Nga - 06.08.2017

K2.0 kërkoi nga pjesëmarrësit e DokuFest që të shikojnë drejtë të panjohurës.

Është viti 2101. DokuFest është duke e festuar 100 vjetorin, vullnetarët po vallëzojnë deri në agim dhe janë më të gatshëm se kurrë për të punuar të nesërmën, e Kosova po u ndihmon shteteve nordike me prodhim të filmave. Të paktën kështu deklaroi një vizitor që udhëtoi në kohë gjatë ceremonisë hapëse të edicionit të 16 të DokuFest në 2017, e na tregoi për një të ardhme më të ndritur. Por çfarë shpresa e frika kanë popullsia e Prizrenit për të ardhmen? A po na pret një botë më e mirë?

K2.0 shkoi në edicionin e sivjetëm të DokuTech për të mësuar këtë. Në të u përfshinë disa biseda për të ardhmën optimiste të industrisë së teknologjisë. U diskutua për atë se si një biznes i vogël që operon në një podrum të një shtëpie familjare për disa vite mund të blihet prej Walmart, për zgjedhjet morale me të cilat përballemi gjatë progresit tonë, dhe për atë se si teknolojia mund t’i bashkojë komunitetet e tjetërllojshme prej anëve të ndryshme të planetit. Folëm me tre persona për të mësuar se si e përfytyrojnë ata zhvillimin e botës prej këti momenti deri në 2101.

Roland Osborne, bashkëthemelues i Olark.com (Y combinator)

Kompania e Roland Osborne, Olark, fokusohet në përmirësimin e marrëdhënieve në ueb, mes tjerash duke krijuar një program që i mundëson bizneseve e klientëve që të lidhen një-me-një nëpërmjet live chat (bisedë e drejtpërdrejtë). Foto: Agan Kosumi / K2.0.

K2.0: Cilat përparime teknologjike mendoni që do t’i ndihmojnë njerëzimit?

Osborne: Shpresoj shumë – dhe mendoj që ka mundësi këtu – që dikush të krijojë një teknologji që i ndihmon njerëzve që të argumentojnë më mirë. Nëse e analizon atë që po ndodh në Shtetet e Bashkuara aktualisht, si dhe lëvizjet nacionaliste në Mbretërinë e Bashkuar (MB) dhe nëpër botë, njerëzve u janë ngulitur aq shumë idetë e tyre sa që as nuk po mund të argumentojnë më në mënyrë racionale. Nëse dikush mund t’i bie në fije ndonjë teknologjie që ndihmon me trajtimin e këti problemi, mund ta kemi një të ardhme mahnitëse dhe më utopike.

Ndoshta do të kemi kufje e syze VR (të realitetit virtual) që u tregojnë njerëzve që nuk e kanë përjetuar luftën se si është ta përjetosh atë, ose të paktën na mësojnë për kultura të ndryshme. Për shembull, si është të jesh gej? Pra t’i bëjmë përvoja direkte në mënyrë që njerëzit të mund t’i shohin dallimet nëpërmjet kësaj analize të thellë.

Cilat përparime teknologjike mund të na rrezikojnë?

Do të jetë më lehtë se kurrë që të krijojmë dhe shpërndajmë media shumë bindëse, të cilat në fakt janë mashtrime. E kemi një tendencë natyrale njerëzore që të gjejmë informata ose të dhëna ose pikëpamje që i mbështesin vetëm pikëpamjet tona ekzistuese.

Ka njerëz të cilët aktualisht janë duke e shfrytëzuar këtë me qëllim. Ka teknologji shumë të frikshme që në thelb krijon video dhe zë. Për dhjetë vite do të kemi mundësi që të falsifikojmë gjëra me shumë saktësi. Nëse nuk mund t’i vërtetojmë – nëse nuk zhvillohet edhe një teknologji e besimit – do të jetë shumë problematike.

Liza Gashi, bashkëthemeluese dhe drejtoreshë e programit në OJQ “Germin”

Organizata e Liza Gashit, Germin, përdorë kanale ICT për të përmirësuar lidhjen në mes të diasporës, qytetarëve dhe qeverive, në Ballkanin Perendimor. Foto: Agan Kosumi / K2.0

K2.0: Bota veç se është më e lidhur se që ka qenë ndonjëherë, çfarë na pret tash?

Gashi: Duhet ta bëjmë teknologjinë më të përshtatshme për njerëz. Kur komunikon me miq online, nuk është se domosdoshmërisht e ndjenë ‘realitetin’ e tyre. Thjeshtë e kupton se çfarë po ndjejnë e bëjnë ata. Nëpërmjet teknologjisë mund ta ndjesh që disa njerëz janë pak më të dëshpëruar. Teknologjia ka bërë shumë të mira për njerëzimin. Na ka lidhur, na ka jep këtë fuqi për të kuptu se ku qëndrojmë, por njëkohësisht të jep një imazh të rrejshëm, sepse në fund të fundit mendoj se ne nuk e kuptojmë sa e rëndësishme është të flasësh me njerëz. Nuk mendoj që kam parë ndonjëherë më parë një përhapje kaq të gjërë të depresionit në mesin e të rinjve.

Këto trende të papunësisë e izolimit janë bërë shumë radikale, e kjo e paraqet një rrezik të madh për njerëzinë tonë. Në një mënyrë apo tjetër, ne duhet ta bëjmë teknologjinë më njerëzore.

Çfarë do të thotë të jesh anëtar i diasporës në vitin 2101?

Ideale do të ishte që të gjithë të jemi diasporë. Tash më shumë se kurrë e jetojmë një jetë të përkohshme, në çdo cep të botës. Njerëzit nuk janë të lidhur më vetëm me gjeografi. Gjashtë muaj je këtu, e pastaj cikli i punës të çon në një vend tjetër. Ky numër vetëm sa do të rritet. Por mendoj që do të përjetojmë shumë kriza të identitetit deri atëherë, për të mësuar se çkafit i përkasim, e çfarë qëllimi kemi në jetë.

Mark Etem është nomadi digjital, i cili mbajti fjalim për stilin e jetës në shekullin 21, që karakterizohet prej lëvizjes së vazhdueshme të hapësirave dhe lokacioneve të punës. Foto: Agan Kosumi / K2.0

K2.0: Si e përfytyron botën në kohën e stërnipërve tanë?

Etem: Aktualisht paradigma është që e ke një zyrë dhe shkon në të për t’i kryer punët, e pastaj shkon në shtëpi. Por kur mendoj për të ardhmën, mendoj për atë se si do të jenë të strukturuara normat kulturore dhe të punës, duke pasë parasysh teknologjitë që i kemi në dispozicion.

Njerëzit do të fillojnë të zgjedhin për kënd punojnë në bazë të kulturës që ofrohet. Veç se është shtuar vendimmarrja në nivelin e punëtorit sepse njerëzit po i ndërrojnë kompanitë më shpesh se para 20-30 viteve. Kjo është për shkak se ata që ishin adoleshentë në fillim të këtij shekulli tani po hyjnë në pozita më të larta, e pra kemi njerëz që po kërkojnë norma tjera kulturore.

Zyret dhe mjetet të cilat njerëzit i përdorin për të ndërvepruar do të jenë të ndara financiarisht prej kompanive për të cilat punojnë ata njerëz. Hapësirat e zyreve do të jenë hapësira të bashkëpunimit, e do të ketë karta [të paguara prej kompanisë] të cilat do të mund të përdoren për të paguar në kafenetë në të cilat njerëzit kalojnë kohë duke punuar.

Sa i përket kompanive, ato nuk është se i kanë pronë pasuritë e patundshme, por thjeshtë të ndihmojnë me infrastrukturë, në mënyrë që të jesh i/e pavarur, sa i përket lokacionit.

Si e sheh të ardhmën e shteteve kombëtare? Kufijtë a do të përforcohen, apo do të jenë të pakuptimtë?

Po ta thëm një gjë interesante që e zbulova duke folur me nja 10-15 njerëz për këtë temë. Njerëzit ishin më të gatshëm që ta lënë sigurinë, sigurimin shëndetësor dhe strehimin në duart e një kompanie që kujdeset për ta, se sa në duart e një shteti që nuk kujdeset për ta. Pyetja ime për ty dhe lexuesit e artikullit që po e shkruani është: a ka version utopik të korporatokracisë?K

Foto kryesore: Agan Kosumi / K2.0.

KOMENTO