Në thelb | Protesta

Vit i protestave

Viti 2018 në Kosovë ishte i vërshuar me protesta.

Nga - 31.12.2018

 

Viti që po lëmë pas ishte i begatshëm për nga protestat, marshet, grevat e aksionet simbolike. Një mori sindikatash, organizata jo-qeveritare, kolektive e parti politike ngritën zërin. Mbledhimet ishin të shumëllojshme për nga kërkesat e temat. Ca i’a arritën qëllimit e të tjerave u mbetet ta provojnë vitin tjetër. Por, mbi të gjitha u ngrit zëri!    

Por cilët ishin zërat?  

Problemet në punë shpesh e nxorrën popullin të dilte në rrugë. Papunësia mbetet problemi kyç për qytetarët e vendit dhe as ata/ato që punojnë nuk janë për lakmi. Përgjatë vitit sindikata e organizata jo-qeveritare protestuan, marshuan e mbanë greva duke kërkuar përmirësim të kushteve të punëtorëve, rritje të pagave e mbi të gjitha siguri në vendin e punës — pas 19 vdekjeve të punëtorëve në vendet e punës — e lëndimin e qindra prej tyre brenda një viti.

Vrasjet e grave dhe dhuna në familje vazhdoi të trondiste vendin edhe përgjatë këtij viti. Pothuasje në çdo qytet të vendit u organizuan protesta e marshe që sistemi i drejtësisë të reagojë e të mbrohet jeta e grave. As përmirësimi i gjendjes ekonomike të grave nuk u la anash nga kërkesat e këtyre protestave.

 

 

Edhe sistemi i drejtësisë u përballë me protesta. Fillimi i vjeshtës, sheshet e Prishtinës i gjeti për disa javë rresht me protestues e me kërkesa për përmirësime ndaj sistemit gjyqësor të Kosovës, pas skandalit rreth investigimit mbi numrin e njerëzve të listuar si veteranë.

As politika nuk mbeti anash — ndër vite e mësuar me protesta e aksione, as 2018-ta nuk i shkoi pa dalë në shesh Vetëvendosjes. Në ditën e parafundit të shtatorit organizuan protestë kundër një njeriu; Presidentit Hashim Thaçi. Kërkonin që presidenti të ndalej së foluri për ‘korigjim të kufijve’ me Serbinë si dhe kërkuan shkarkimin e tij, pasi siç thonin, po punonte kundër interesave të vendit.

U marshua edhe për të drejtat e njeriut. Pjesëtarë e përkrahës të komunitetit LGBTI marshuan në ‘‘Paradën e Krenarisë’’ të dytë, nën moton ‘‘Në emër të lirisë’’, ku u kërkonin institucioneve të kryejnë përgjësitë e tyre për sigurimin e shprehjes së lirë të identitetit dhe ofrimin e mundësive të barabarta për të gjithë.

Pavarësisht motiveve e kërkesave, protestat, marshet e grevat shihen si një prej ndërmarrjeve më të shëndetshme në mirëmbajtjen e demokracisë. K2.0 ka bërë një përmbledhje të protestave të këtij viti, për të parë se cilat ishin shkaqet që çuan në organizimin e tyre, si shkuan ato, cilat ishin kërkesat dhe sa ndikim patën.    

 

Në fillim të vitit, Prishtina u gjet vazhdimisht me disa nga vlerësimet më të këqija të ajrit në botë, nga matjet e Indeksit të Cilësisë së Ajrit të marra në Konsullatën e SHBA-së në Dragodan që shpesh tregojnë nivelet e ndotjes së ajrit të përshkruar si ‘jo e shëndetshme’ madje edhe ‘e rrezikshme ‘. Në fund të janarit, një grup që e thërriste veten ‘‘Ne qytetarët’’, bënë thirrje për një protestë, duke kërkuar që të merren masa.

Më 31 janar, qindra protestues me maska në fytyrë u mblodhën para Teatrit Kombëtar, nën parullat: ‘Frymëmarrja dëmton seriozisht shëndetin’’, ‘‘Veç ajrin keni mbetë pa e privatizu’’ apo ‘‘Helm’’, nën tingujt e një frymëmarrjeje të rënduar — të lëshuar nga një altoparlant — i kërkuan institucioneve për të ndërmarrë hapa të menjëhershëm, duke thënë se ajri i ndotur po rrezikon shëndetin e qytetarëve.

Protestuesit insistonin që të ndalej ngrohja me qymyr, të bëhej kontrollimi i veturave për emitim të gazrave, si dhe të shpërndahen maska për qytetarët — duke kërcënuar se nëse nuk ndodhë kjo do vazhdohen protestat.

 

Në të njëjtën ditë, në një konferencë të përbashkët për shtyp, Komuna e Prishtinës, Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor si dhe Policia e Kosovës, njoftuan se do të merren masa. Rrugët në Prishtinën qendrore u mbyllën dhe trafiku që hynte në qytet u ndalua për dy ditë, ndërkohë që shitja e qymyrit u ndalua përkohësisht.

Por me fillimin e dimrit, në muajin dhjetor Prishtina edhe njëherë regjistroi vlerësime të tmerrshme të cilësisë së ajrit. Nivelet ‘e rrezikshme’ janë kthyer dhe ditën e shtunë më 3 dhjetor, një vlerësim i lartë i Indeksit të Cilësisë së Ajrit prej 456 kaloi e nivelin më të lartë të janarit, që ishte 431; çdo matje mbi 301 konsiderohet ‘e rrezikshme’. Masat e janarit nuk janë ri-implementuar, përveç ndalimit të shpërndarjes falas të qymyrit për punëtorët e KEK-ut.

 

Më 2017, punëtorë të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), mbajtën protesta të organizuara nga Sindikata e Re. Kërkesa e tyre ishte e qartë; rritje pagash prej 100 euro për secilin nga punëtorët e gjigantit energjetik. Sidoqoftë, kërkesat nuk iu morrën parasysh nga askush.       

Përfaqësues të sindikatës të KEK-ut — që u formua më 2015 dhe ka afër 2,000 punëtorë — premtuan se me të nisur viti i ri do futeshin në grevë të përgjithshme, që potencialisht nënkuptonte krizë në prodhimin e energjisë elektrike. Sipas sindikatës, për çdo ditë punëtorët rrezikojnë shëndetin e tyre, që KEK-u të sigurojë energji për qytetarët kosovarë dhe të operojë me fitime të përvitshme dhe për këtë kushtet e punës duhen përmirësuar.     

Më 9 shkurt, qindra punëtorë uzurpuan sheshin Zahir Pajaziti me pankarta në duar; ‘‘Duam rritje pagash’’, ‘‘Edhe ne e duam jetën’’ apo ‘‘Fajtorët për gjendjen e KEK-ut të dalin para drejtësisë’’. Në atë ditë, protesta shkoi edhe para ndërtesës së qeverisë, ku binte në sy pankarta ‘‘Qeveri këndellu’’.

Një ultimatum u vë për datën 16 shkurt, duke kërcënuar se sindikata do të hyjë në grevë pas kësaj date. Të nesërmen e ultimatumit shënohej dita e pavarësisë së vendit dhe festa mund t’i gjente drejtuesit e KEK-ut dhe qeveritarët me grevë të punëtorëve që prodhojnë energjinë elektrike për vendin.

 

Por më 15 shkurt, Bordi Drejtues i KEK-ut, morri vendim që prej 15 prillit punëtorëve t’u rritej paga për 100 euro për muaj. Pasi rriti pagat, korporata që buxhetit të shtetit i jep 25 milion euro në vit, thoshte se ky vendim s’do ndikonte në buxhetin e saj e s’do rriste faturat për konsumatorët e energjisë. Në ditën e pavarësisë u mbajt koncerti i Rita Orës në qendër të Prishtinës, pa probleme.      

Rritja e pagave mbajti nën qetësi punëtorët e KEK-ut për rreth shatë muajsh. Por prej shtatorit nisën ‘‘kokëçarjet’’ për drejtuesit e KEK-ut; Sindikata e Re shtoi disa kërkesa. 387 punëtorë do të pensionohen gjatë viteve 2019 dhe 2020, që çon numrin e përgjithshëm në 800 punëtorë që i mungojnë KEK-ut.  

Përveç kësaj, punëtorët e KEK-ut po kërkojnë edhe zbatimin e Ligjit të punës e Marrëveshjes Kolektive për ‘‘pagesat për punën gjatë vikendit, punës në ndërrimin e natës, kompensimin e pushimit mjekësor prej 100 përqind, kompensimin për punën jashtë orarit javor, si dhe pagën jubilare (të 13-të)’’.     

Nëse KEK-u nuk i pranon kërkesat e punëtorëve, fillimi i vitit 2019 mund të pret më shumë protesta nga punëtorët e prodhimit të energjisë e ndoshta edhe festën e pavarësisë në terr.

 

Në mars, kolektivi ‘‘Marshojmë s’festojmë’’ shënoi Ditën Ndërkombëtare të Gruas me një demonstrim të madh.

‘‘Nuk dua lule, dua kontratë pune’’, ishte një prej pankartave të marshit që i ra rreth e pëçark qendrës së kryeqytetit dhe u ndal para qeverisë. Gjendja e rëndë ekonomike e grave ishte ndër pikat kyçe që kundërshtuan marshuesit. Në fuqinë punëtore, punësimi i grave aktive në punë në tre mujorin e dytë të vitit 2018 sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, u regjistrua 12 përqind.

Kërkohej që grave tu zbatohet e drejta në trashëgimi, të mos diskriminohen në punë, të jenë më të përfaqësuara në pozitat vendimarrëse me 50 përqind, si dhe të respektohet pushimi i lehonisë.   

Por, kryefjalë e marshit u bë dhuna ndaj grave, një temë e përsëritur këtë vit. Në gjashtë muajt e parë të vitit 2018, janë regjistruar 628 raste të dhunës ndaj grave. Marshuesit thirrën emrat e Diana Kastratit, Zejnepe Berishës e Donjeta Pajazitit — disa prej grave të vrara në bazë gjinore në vitet e fundit. Organeve të drejtësisë u kërkohej që të mos neglizhohen denoncimet ndaj dhunës në familje, policia të veprojë shpejt, si dhe gjykatat të jenë të ashpëra me dënime për vrasjet e grave.

 

Përkundër kësaj, dhuna ndaj grave vazhdoi përgjatë vitit, institucionet shpesh të akuzuara për neglizhencë. Në gusht të këtij viti në Gjakovë, vritet Valbona Nrecaj bashkë me vajzën e mitur, nga bashkëshorti i saj i cili refuzoi kërkesën për divorc. Nrecaj kishte raportuar raste të dhunës në polici më parë dhe e kishte thirrë policinë në ditën e vrasjes së saj duke kërkuar mbrojtje.

Protestat u mbajtën nëpër gjithë vendin, nga Kaçaniku në Ferizaj e nga Gjakova në Prizren e më pastaj edhe në Gjilan e Rahovec, e për t’u mbledhur përsëri në Prishtinë me pankartat ‘‘Dhunë institucionale’’ apo ‘‘Boll ma’’ duke akuzuar institucionet direkt për dështimin në mbrojtjen e grave.

Ndërsa në një rast tjetër, më 5 nëntor në Prishtinë, një burrë rrahu gruan dhe vajzën e tij. Pas lajmërimit të rastit në polici ai ishte arrestuar. Por pas intervistimit nga prokuroria ai u lirua. Edhe ky rast nxiti reagime ku akuzoheshin institucionet se nuk po e kryejnë punën e tyre.

 

Si rrallë herë në Kosovë, Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve 1 Maji, gjeti punëtorët duke protestuar. Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) mblodhi në Prishtinë qindra punëtorë për të kërkuar kushte më të mira të punëtorëve. Ata i kërkonin qeverisë që të zbatoheshin ligjet e punës, të bëhej nivelizimi i pagave, të shtohej pagesë për punëtorët që përballen me rreziqe në vendin e punës si dhe të rritej paga minimale në 250 euro.

“Ne sot jemi unikë, ne sot jemi së bashku, të gjitha federatat sindikale, të gjithë punëtorët. Ndonëse këtu nuk jemi shumë në numër, ne përcjellim mesazhin e të gjithëve’’, u tha në fjalimin e Krytarit të BSPK-së, Avni Ajdini. Në fund të protestës, para ndërtesës së qeverisë u shfaq instalacioni i organizatës ‘‘Beyond the Wall’’, kushtuar 24 punëtorëve që kishin vdekur në vendin e punës në 24 muaj e fundit.

 

Si kundërshtim ndaj vdekjes së punëtorëve u protesua edhe në tetor. Më 6 tetor, Milazim Bajraktari nga Istogu gjeti vdekjen përderisa po punonte në ndërtimin e një ndërtese në Prishtinë. Brenda 10 muajve të këtij viti, ai ishte viktima e 18 e punëtorëve që vdiqën në vendin e punës në Kosovë.   

Kjo gjendje e punëtorëve u cilësua si ‘‘gjendje lufte’’ nga organizata ‘‘Beyond the Wall’’, e cila bëri thirrje për marsh me 10 tetor në sheshet e Prishtinës. Aty potencohej se në pesë vitet e fundit në vendet e punës kanë gjetur vdekjen 93 punëtorë dhe në përkujtim të tyre u vendosën 93 helmeta të verdha në sheshin Zahir Pajaziti.

Në fund të tetorit, vdes në punë një punëtor tjetër. Ai po punonte për ndërtimin e autostradës ‘‘Arbën Xhaferi’’ si pjesë e kompanisë Bechtel Enka — kompani që iu dha tenderi publik për ndërtimin e autostradës Prishtinë-Shkup. Kësaj kompanie i kanë vdekur disa punëtorë në vend të punës gjatë këtyre viteve dhe janë shënuar edhe disa incidente për pasojë të të cilave janë lënduar disa punëtorë.

 

‘‘Pishpirik je vet’’ ishte përgjigjja që qindra protestues të mbledhur në sheshet e Prishtinës i thanë Kryeministrit Haradinaj ndaj deklaratave të tij ofenduese për ish-prokurorin special Elez Blakaj, i cili po hetonte fryerjen e listave të veteranëve të luftës. Aty vlerësohej se rreth 19 mijë persona më shumë po përfitojnë jashtëligjshëm, pa qenë pjesëmarrës në luftë.  

Më 15 gusht, Blakaj ofroi dorëheqjen e tij. Ish-prokurori pretendonte se Reshat Millaku, kreu i Prokurorisë Speciale e kishte kufizuar punën e tij në hetimin e listave të veteranëve, si dhe kishte refuzuar padinë që Blakaj kishte përgatur për këtë rast. Millaku thoshte se kjo ishte bërë pasi padia përmbante gabime teknike.

Gjithashtu, Blakaj pretendoi se Kryeprokurori Aleksandër Lumezi e kishte qortuar atë për shkak se gjatë hetimeve e kishte intervistuar Kryetarin e Kuvendit dhe liderin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veselin. Gjithashtu, ish-prokurori special akuzonte shefin e tij se i kishte bërë presion kur ngriti padinë në lidhje me Aferën Pronto të vitit 2016, në të cilën zyrtarë të lartë të PDK-së u akuzuan se ushtruan ndikim në procesin e punësimeve për pozita publike.

Kjo bëri që të niset karvani i protestave kundër ndërhyrjeve në sistemin e drejtësisë.

 

Thirrja për protestë u bë nëpërmjet Facebook-ut më 20 gusht nga organizata Protestoj, e cila u krijua në vitin 2016 për të demonstruar kundër kulturës politike në Kosovë, për të cilën pjesëtarët e kësaj organizate dhe mbështetësit e tyre besonin se u zbulua nga Afera Pronto. Në këtë thirrje, organizata theksonte se protesta ishte “organizuar nga qytetarët” dhe se pjesë e kërkesave të tyre ishte “dorëheqja e Kryeprokurorit Lumezi dhe veting për sistemin e drejtësisë”.

Më vonë, kërkesave të Protestoj iu shtua edhe ‘‘shkuarja në zgjedhje të parakohshme’’ për shkak të dyshimit se politikanët kishin ndërhyrë tek sistemi i drejtësisë duke cënuar pavarësinë e tij.

Në këto organizime u mblodhën qindra protestues dhe u përkrahën nga oranizata jo-qeveritare dhe deputetë nga partitë opozitare. Përgjatë tri javëve protestuesit u panë në sheshet e Prishtinës duke i përsëritur kërkesat e tyre, ku insistohej se e vetmja mënyrë që këto protesta të ndaleshin është plotësimi i të gjitha kërkesave.

Por, asnjë prej kërkesave nuk u plotësuan; Lumezi ende është kryeprokuror dhe nuk është kryer asnjë proces vetingu, ndërsa padia e Blakajt u refuzua nga Gjykata Themelore dhe u kthye në prokurori, ku më 7 dhjetor është ri-dërgu në Gjykatë pas plotësimit. Qeveria e koalicionit vazhdon si një qeveri e pakicës me Haradinajn si kryeministër.

 

Më 29 shtator, u bë protesta më e madhe e këtij viti. Vetëvendosje së bashku me mijëra qytetarë protestuan në sheshet e Prishtinës për të kundërshtuar rolin e presidentit Thaçi në dialogun e vazhdueshëm ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Aty kundërshtohej idea se arritja e marrëveshjes përfundimtare mes dy vendeve mund të përfshijë edhe shkëmbim të territoreve.    

Presidenti akuzohej nga kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, se po punonte kundër interesave të vendit dhe po përdorë banorët e Luginës së Preshevës, Bujanovcit e Medvegjës. Më tej, në të njëjtën ditë, kur presidenti Thaçi — nën forca të shumta të sigurisë — po vizitonte liqenin e Ujmanit, Kurti e akuzonte atë se këtë liqen po ia jepte Serbisë, si dhe pika të tjera strategjike të vendit.

 

Sipas Kurtit, protesta dhe numri i madh i protestuesve tregon kundërshtimin për ‘‘aventura, akrobacione e lojëra të rrezikshme të këtij presidenti’’.

Nën pankartat “Me hajna nuk ka shtet”, “Poshtë Hashim Thaçi”, “Trepça është e jona”, “S’duam ndarje” vazhdoi protesta e partisë opozitare në të cilën morrën pjesë edhe deputetë të pavarur të kuvendit, si dhe prej Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) të cilët kishin dalë pavarësisht se partia e tyre nuk e kishte mbështetur zyrtarisht protestën.  

Që nga protesta, vetëm një takim është mbajtur mes Thaçit dhe homologut të tij serb Aleksandar Vučić. Shumë takime janë anuluar dhe me dialogun duke shkuar në një ngecje të plotë pas taksës 100 përqind të importit, që u bë ndaj produkteve të Serbisë nga qeveria e Kosovës. Tema e diskutimeve mes dy shteteve mbetet e panjohur si kurrë më parë, ndërkohë që një marrëveshje përfundimtare duket shumë e largët.

 

Më 10 tetor, për të dytin vit rradhazi në Prishtinë u mbajt ‘‘Parada e Krenarisë’’. Kësaj here nën moton ” Në emër të lirisë’’. Pjesëtarë e përkrahës të komunitetit LGBTI u mblodhën në sheshin ‘‘Skënderbeu’’. Nën tingujt e muzikës, flamujve e pankartave qindra persona marshuan drejt sheshit Zahir Pajaziti ku u ndalën për të mbajtë fjalime e vallëzuar.  

U kërkua liri për personat që nuk kanë mundësi të lirohen nga presioni familjar e shoqëror, ‘‘liri për të qenë vetja, për të jetuar të përmbushur me dashuri e sukses’’, insistuan organizatorët e paradës së krenarisë.  

Nën forca të shtuara të sigurisë, në shesh aktivistët thanë se ndihen të diskriminuar e të kërcënuar vazhdimisht. Sipas tyre, një numër i këtij komuniteti po lëshon vendin për shkak se nuk ndihen të sigurt. Në emër të lirisë, institucioneve iu kërkua të mos i mohohet identiteti askujt, të ofrohen mundësi të barabarta dhe t’i përmbushin detyrat e tyre për të siguruar të drejtat themelore të njeriut.

 

Për të përkrahur kërkesat e pjesëtarëve të komunitetit LGBTI kishin dalë dhe politikanë, anëtarë të institucioneve ndërkombëtare dhe aktivistë nga disa shtete të rajonit. Por aty mungonin Presidenti Hashim Thaçi, Kryeministri Ramush Haradinaj e Kryeparlamentari Kadri Veseli edhe pse ata përmes komunikatave ofruan mbështetje për komunitetin.

Por, përkundër përkrahjes deklarative, duket se institucionet nuk po përmbushin obligimet e tyre.

Në prill, Blert Morina, drejtori i organizatës Qendra për Barazi dhe Liri të Komunitetit (CEL), kërkoi të ndryshonte emrin dhe gjininë në dokumentet e tij — kërkesë e refuzuar nga intitucionet përkatëse. Vendim që u cilësua si shkelje e të drejtave të njeriut dhe shkelje ligjore. Për kundërshtimin e këtij vendimi, Morina dhe përfaqësuesit e tij ligjor kanë dërguar ankesë në Gjykatën Kushtetuese duke kërkuar shqyrtimin e kushtetutshmërisë së vendimit për refuzimin e apelit të tij.K

Foto kryesore: Atdhe Mulla / K2.0.