Vjosa Osmani është zgjedhur presidente e re e Kosovës pasi ka siguruar shumicën e votave të deputetëve në Kuvend.
Ish-ushtruesja e detyrës së presidentes Osmani, e cila ka siguruar më shumë vota personale në zgjedhjet e fundit sesa çdo kandidat në historinë e Kosovës, është bërë presidentja e pestë që prej shpalljes së pavarësisë në vitin 2008. Mandati i saj do të zgjasë pesë vjet.
Duke përmbyllur dy ditë me dramë politike të rrezikut të lartë, vota vendimtare ndodhi në mbrëmjen e së dielës gjatë vazhdimit të seancës së jashtëzakonshme parlamentare të së shtunës. Përpjekjet për ta organizuar votimin në mbrëmjen paraprake dështuan pasi nuk morën pjesë mjaft deputetë për ta bërë kuorumin e nevojshëm.
Në garën kundër Nasuf Bejtës — i cili ishte pjesë e nismës “GUXO” të Osmanit që ka kandiduar me listë të përbashkët me Vetëvendosjen (VV) — dy rundet e para nuk qenë vendimtare sepse asnjëri kandidat nuk mori votat e nevojshme prej dy të tretës së deputetëve. Por në rundin e tretë dhe të fundit, kur pragu për fitore u reduktua në shumicën e thjeshtë, Osmani siguroi mbështetjen e duhur.
Ajo ka marrë 71 vota në rundin e tretë me votim të fshehtë, ku ka pasur kuorum prej 82 deputetësh.
Siç është pritur, deputetët nga partitë opozitare të PDK-së dhe Listës Serbe nuk kanë marrë pjesë në votim, ndërsa të gjithë deputetët e AAK-së, përveç Albena Reshitajt, po ashtu nuk kanë vajtur. Është raportuar se Adelina Grainca e PDK-së, e cila ka marrë pjesë në votim, i është bashkuar VV-së.
Deputetët e LDK-së kanë marrë pjesë në votim, por ish-kryeministri Avdullah Hoti, Agim Veliu dhe Driton Selmanaj qëndruan të paluajtshëm për të mos marrë pjesë.
Sidoqoftë, dy deputetë të partive minoritare që nuk kishin marrë pjesë në votimin e së shtunës — Fadil Gashi nga Nisma Rome dhe Adem Hodža nga Partia Unike Gorane — kanë marë pjesë të dielën dhe kështu u sigurua kuorumi.
Në pastë qenë se asnjëri kandidat nuk do të kishte marrë shumicën në votimin e rundit të tretë, ose nëse do të ishin tejkaluar afatet kushtetuese, Kosova do të shkonte sërish në zgjedhje të përgjithshme të jashtëzakonshme — për herë të tretë brenda 18 muajsh.
Osmani, e cila ka siguruar më se 300,000 vota personale si kandidate për deputete në zgjedhjet e 14 shkurtit, bëhet gruaja e dytë presidente në Kosovë. E para, Atifete Jahjaga, është e vetmja presidente deri më tash që ka mbaruar mandatit e plotë pesëvjeçar.
Osmani ka shërbyer në rolin e ushtrueses së detyrës së presidentes deri më 22 mars pas marrjes automatike të këtij roli si kryetare e Kuvendit në nëntorin e vitit 2020, kur Hashim Thaçi kishte dhënë dorëheqjen për t’u mbrojtur ndaj akuzave për krime lufte në Dhomat e Specializuara në Hagë. Këtë detyrë e mori për një kohë të shkurtër Glauk Konjufca i VV-së pas zgjedhjes si kryetar i Kuvendit në muajin e kaluar.
Duke folur nga foltorja e Kuvendit pas votimit, Osmani ka thënë se përveç se ky është nderi më i madh i jetës së saj, presidenca i jep akoma më shumë përgjegjësi “për ta përmbushur vullnetin e qytetarëve”.K
Imazhi i ballinës: K2.0.