Legjislatura e fundit në Asamblenë Komunale të Prishtinës shpeshherë ishte shndërruar në një betejë në të cilën shtyheshin mes vetë deputetët e LVV-së me ata të LDK-së dhe PDK-së, të cilët shpesh bëheshin bashkë në frontin e opozitës, me numra të mjaftueshëm për t’i bllokuar vendimet e kryetarit të komunës, Shpend Ahmetit të LVV-së. Klima e tensionuar në mesin e deputetëve lokalë në Prishtinë shumë herë e ka paralizuar efikasitetin politik të organit më të rëndësishëm ligjvënës në kryeqytet.
Balotazhi i sivjetëm ndërmjet Ahmetit dhe kandidatit të LDK-së, Arban Abrashit, do të mbahet më 19 nëntor. Por pa marrë parasysh kush e fiton kryesinë, shumë e rëndësishme është të mbështeten me vota në Asamble, që të kenë mundësi t’i shtyjnë përpara programet e tyre përkatëse dhe t’i legjitimojnë vendimet më të rëndëisshme për qytetarët e Prishtinës.
Duke marrë parasysh këtë, K2.0 u takua me disa prej kandidatëve më të votuar në legjislaturën e re të Asamblesë Komunale të Prishtinës. Secili prej këtyre kandidatëve arriti të dallohet në mesin e qindra personave të tjerë të nominuar për këtë garë dhe të sigurojë vend për vete brenda Asamblesë, në një legjislaturë që padyshim do të jetë përsëri shumë e kontestuar.
Nora Kelmendi, Vetëvendosje
Nora Ahmeti, e cila mori 542 vota në tetor, do ta përfaqësojë Vetëvendosjen për herë të parë në Asamblenë e Prishtinës.
Kelmendi nisi punën e saj në Komunë në vitin 2013, pasi Ahmeti e emëroi në krye të Drejtorisë së Kadastrit, si eksperte e pavarur. Me t’u afruar zgjedhjet, Ahmeti propozoi një pozitë të re për Kelmendin, atë të kandidates për Asamble Komunale. Kelmendi pranoi dhe LVV-ja është partia e parë me të cilën ajo ka formuar lidhje politike nëpërmjet anëtarësimit.
Ajo beson se në Asamble ata që kanë ekspertizë profesionale duhet të triumfojnë para politikanëve të mirëfilltë. “Sa kam qenë si drejtoreshë kam dërgu dokumente në asamble për miratim”, thotë Kelmendi për K2.0. “E kam pa që shumica e asambleistave – jo vetëm PDK dhe LDK, pa marrë parasysh cilës parti – nuk janë profesionista”. Ajo thotë se kjo çështje, si dhe rëndësia e vendimmarrjes në Asamble, e bindën atë për t’i hyrë garës politike.
Kelmendi nuk ka objektiva individuale jashtë “100 pikave të Shpend Ahmetit”, të cilat ajo beson se do ta përmirësojnë jetën e qytetarëve të Prishtinës. “Do ta bëj më të mirën për të kërkuar llogari prej njerëzve – qofshin ata të Vetëvendosjes apo të menaxhmentit të komunës – në mënyrë që të realizohen 100 pikat”, thotë ajo.
Pavarësisht suksesit të saj në zgjedhje, Kelmendi nuk e përjashton mundësinë e braktisjes së rolit të saj në Asamble nëse kandidati i Vetëvendosjes nuk zgjedhet përsëri si Kryetar i Komunës së Prishtinës. “E di se Asambleja nuk është organi ekzekutiv, por ne do të duhet të merremi me çështje të organit ekzekutiv, dhe do ta kisha vështirë të punoja me dikë që nuk është Shpendi”, thotë ajo.
Jeta politike e Kelmendit duket e lidhur me të ardhmen e Ahmetit në balotazh, por ajo shpreh gjithashtu dyshime për jetën politike në përgjithësi. “Njerëzit në politikë nuk e shohin realitetin. Ata ndjekin ëndrra politike”, thotë Kelmendi, e cila thotë gjithashtu se është çuditur me rezultatet e saj personale, meqë ka bërë fushatë minimale.
“Nuk kam zhvilluar fushatë. Për shkak të ngarkesës me punë në Drejtori nuk pata mundësi të marr pjesë në më shumë se 2 apo 3 takime”, thotë Kelmendi. “Mora pjesë në një takim në lagjen time, në Bregun e Diellit, por nuk arrita të takohesha me njerëz në Dardani dhe Ulpianë, lagjet në të cilat jam rritur”.
Kelmendi është e rrallë në skenën politike për disa arsye: përveç pasigurisë që e ndien për sistemin politik dhe faktit që e prioritetizon punën e saj para fushatës zgjedhore, e kaluara e saj është jopolitike. Ndonëse ngul këmbë se familja e mbështet atë gjatë përpjekjeve të saj, ajo thotë për K2.0 se përkrahja e tyre ka qenë modeste, meqë nuk janë të angazhuar fare në politikë.
Vlora Dumoshi, LDK
Vlora Dumoshi është zgjedhur për herë të tretë si anëtare e Asamblesë Komunale të Prishtinës, ku do ta përfaqësojë LDK-në. Politikanja 50-vjeçare thotë se politika është gjithçka për të, dhe se e ka ndjekur në të gjitha sferat e jetës.
“Unë me politikë jam rrit dhe gjithmonë kam qenën aktive. U takoj njerëzve që kanë qenë ideatorë të demonstratave të ‘68-tës për flamurin e universitetin shqiptar”, thotë Dumoshi.
Anëtarja veterane e Asamblesë, Vlora Dumoshi, e fokusoi fushatën e saj në kauzën e grave në shoqërinë kosovare. Ajo thotë se është e kënaqur me rezultatet. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.Ndonëse ngjarjet që ndodhën para disa dekadave janë pjesë e trashëgimisë politike dhe identitetit të Dumoshit – si dhe ishin jetike për hapat e parë të saj në politikë – në ditët e sotme, kariera e saj po ndërtohet mbi një kauzë tjetër, atë të pozitës së grave në shoqërinë kosovare.
Dumoshi, e cila ishte njëra prej pesë kandidatëve më të votuar të LDK-së me 858 vota, beson se mbështetja për gratë ishte jetike për grumbullimin e një numri kaq të madh të votave. Ajo është e kënaqur me faktin se fokusi në kauzën e grave gjatë fushatës zgjedhore dhe takimet me më shumë se 1,200 gra të Prishtinës dhanë fryte sa i përket votave.
“Është kënaqësi kur merr kaq shumë vota dhe kur shpërblehet puna”, thotë Dumoshi, e cila ka shërbyer në disa pozita të ndryshme politike si pjesë e LDK-së. Ajo shërbeu si shefe e kabinetit në qeverinë e kaluar dhe gjithashtu e udhëheqi Drejtorinë për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Prishtinës nga viti 2009 deri në vitin 2013.
Ngjashëm me Kelmendin, objektivat e së cilës janë të lidhura me 100 pikat e Ahmetit, synimet e Dumoshit si anëtare e re e Asamblesë janë të ndërlidhura me planin e kandidatit të LDK-së në balotazh, Arban Abrashit.
Dumoshi thotë se ajo kontribuoi në planin e Abrashit për kryeqytet, duke garantuar përfshirjen e çështjeve që lidhen me përmirësimin e pozitës së grave në komunën e Prishtinës. “Programi i Arbanit është i qartë dhe jep hapësirë për gratë. Gratë do të kenë përparësi në veçanti sa i përket punësimit”.
Dumoshi nuk e parasheh përfundimin e karierës së saj politike në të ardhmen e afërt. Megjithatë, mendon se kur të vie fundi, ai nuk do të jetë ‘tragjik’, meqë do t’i ofrojë asaj mundësi për të shkruar autobiografi për karierën e saj që shtrihet në disa dekada.
Leutrim Retkoceri, PDK
Në mesin e katër kandidatëve më të votuar nga radhët e PDK-së, nga gjashtë kandidatët të cilët janë zgjedhur në Prishtinë, është Leutrim Retkoceri, i cili fitoi 466 vota. Retkoceri beson se me mbështetje të anëtarëve të Kuvendit të cilët u përkasin partive të tjera, ai mund t’i shtyjë para objektivat për t’i ndihmuar të rinjve në Prishtinë.
Retkoceri, 27-vjeçar, ngul këmbë se qytetarët kanë kërkuar njerëz të ri dhe energji të re në politikë. Ai thotë se Komuna e Prishtinës nuk ka bërë gjë për rininë, dhe se ai do të propozojë politika konkrete për përmirësimin e jetës së të rinjve.
“Të rinjtë duhet me e pasë një kartë të rinisë që prej moshës 16-vjeçare e tutje të mund të lirohen nga disa shërbime komunale publike, siç është transporti publik, që nuk ështe kosto e madhe për komunën e Prishtinës”, thotë Retkoceri, duke përsëritur njërin prej premtimeve të fushatës së tij, të cilin e shprehu fillimisht nëpërmjet fletushkave promocionale.
Retkoceri premton se do të luajë “rol dobiprurës” në Asamble, ndonëse thotë se e kupton se vendimet që merren nga partia janë obligative për të gjithë përfaqësuesit. Megjithatë, ai premton se do të jetë i hapur për bashkëpunim me të tjerët.
Retkoceri punon në zyrën e PDK-së për komunikim dhe aktualisht vazhdon magjistraturën në fushën e politikës botërore. Ai thotë se është “i prirur që politikën me e pa si profesion, e jo si pasion, për shkak se si pasion mundet me përfundu shpejtë, mundesh me u zhgënjy shpejtë edhe mundesh me i lënë shumë projekte veç në letër”.
Sami Boroci, AKR
Sami Boroci është njëri prej katër anëtarëve të zgjedhur në Asamble në Komunën e Prishtinës nga radhët e AKR-së. Politikani 27-vjeçar ka qenë i angazhuar në politikë me këtë parti për më shumë se një dekadë. Më parë shërbeu në pozitën e Kryetarit të Forumit Rinor të AKR-së.
Megjithatë, ndonëse Boroci beson se 457 votat të cilat ai i fitoi erdhën pjesërisht prej rinisë, ai mendon se qasja më gjithëpërfshirëse e tij bëri që ai të jetë njëri prej katër kandidatëve të suksesshëm nga 49 kandidatët e emëruar për Komunën e Prishtinës nga radhët e AKR-së, si dhe kandidati i dytë më i votuar i kësaj partie.
Boroci, i cili punon në fushën e marketingut në një bankë, zbulon se fushata e tij ishte e përqëndruar në biseda me të rinj dhe me futbollistë, meqë ai kishte qenë koleg i tyre në të kaluarën.
Megjithatë, ai beson gjithashtu se përvoja e tij në Komunë i ka ndihmuar që t’i bindë njerëzit të votojnë për të. Ndonëse për pak nuk u zgjodh në vitin 2013, Boroci shërbeu si deputet në dy vitet e fundit, duke e zëvendësuar deputetin e AKR-së, Islam Pacollin, në Asamble.
“Mendoj se luajti rol edhe performanca ime në Komunë, meqë jam munduar të jem dobiprurës dhe i afërt me qytetarët dhe kërkesat e tyre”, thotë Boroci, votat e së cilit pothuajse u dyfishuan në tetor, kur krahasohen me ato të zgjedhjeve lokale të vitit 2013. “Thjesht, njerzit që më kanë njoftë kanë besu te unë, në vlerat që unë përfaqësoj, dhe unë i kam siguruar njerzit që kam me qenë aktiv në përgjegjësitë e mia karshi tyre”.
Objektivi kryesor i Borocit është insistimi në rritjen e buxhetit për Drejtorinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, si dhe shtimi i zonave të gjelbra në kryeqytet. Ai ngul këmbë se në këto zona duhet të fokusohen deputetët, dhe se roli i anëtarit të Asamblesë ndonjëherë keqpërdoret.
“Kompetencat janë të kufizuara por ne duhet ta bëjmë punën tonë”, thotë ai. “Mendoj se një asambleist nuk duhet të merret me tema të mëdha ose nacionale. Temat tona janë tema lokale edhe këto duhet me i trajtu”.K
Foto kryesore: Atdhe Mulla / K2.0.
Ky publikim është prodhuar me ndihmën e Bashkimit Europian, si pjesë e një projekti të zbatuar nga Kosovo 2.0 dhe të mbështetur nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore dhe Dora Dorës. Përmbajtjet e këtij publikimi janë përgjegjësi e Kosovo 2.0 dhe në asnjë mënyrë nuk mund të merren si pasqyrim i pikëpamjeve të Bashkimit Europian, Qendrës Kosovare për Studime Gjinore dhe Dora Dorës.