S`fundmi | Volume Up

Volume Up: Robert Botteri [MLADINA] – Bisedë Publike

Nga - 11.11.2017

Volume Up

Volume Up është program i K2.0 për biseda publike që fokusohet në eksplorimin e modeleve të gazetarisë dhe qasjeve të komunikimit të cilat i ndryshojnë perceptimet tona për realitetin dhe kolektivitetin në jetën e përditshme, përtej ciklit të përditshëm të lajmeve 24/7.

Prej vitit 1987, Robert Botteri ka qenë redaktor në revistën “Mladina”, e cila ka fituar disa çmime. Nga viti 1987 deri në vitin 1997, periudhë shumë e rëndësishme për Kosovën, ish-Jugosllavinë dhe botën bashkëkohore, Botteri ishte kryeredaktor i këtij publikimi.

Në fund të viteve të ‘80-a, Mladina, me Robert Botterin në krye, e mbuloi situatën në Kosovë, pavarësisht vështirësive. Natyra e sinqertë e revistës bëri që tre gazetarë dhe redaktorë të dënoheshin me burg nga gjykata ushtarake në vitin 1988, veprim ky që shkaktoi polemika të mëdha në Slloveni.

Pavarësisht faktit se u ndalua disa herë gjatë dekadave të kaluara, nga vitet e ‘90-a e tutje, Mladina u bë revista politike më me ndikim në Slloveni, e aty e vazhdoi punën si publikim analitik dhe liberal.

Prej viti 1997, Botteri ka qenë redaktor kreativ i revistës Mladina, duke punuar me storiet kryesore dhe duke krijuar ballinën e revistës së shtypur. Si një prej punëtorëve më me përvojë në këtë publikim, ai është njëkohësisht edhe drejtor ekzekutiv, si dhe është i angazhuar në punën e përjavshme të revistës së shtypur, bashkë me fotografët, dizajnerët dhe ilustruesit.

Në prezantimin e tij në Prishtinë, Robert Botteri do të flasë për rolin e revistës Mladina nga vitet e ’80-a deri më sot, si dhe vështirësitë e të qenët publikim i pavarur në aspektin financiar dhe politik. Ai do të flasë gjithashtu për mbulimin e situatës në Kosovë deri në vitin 1999 nga kjo revistë. Siç tha edhe vet, kjo ishte njëra prej temave më të rëndësishme për këtë revistë për shkak të përkushtimit të madh të saj për luftën për të drejtat e njeriut.

Por pasi ishte zë i rezistencës në periudhën e vrullshme të viteve të ‘80-a dhe të ‘90-a, ku po shkon Mladina tash? Si është transformuar kjo revistë nga një zë disident në një projekt të qëndrueshëm të gazetarisë në periudhën e një krize botërore mediale, gjithnjë duke e ruajtur identitetin e vet?

Robert Botteri do të flasë për këto dhe për çështja të tjera bashkëkohore të cilat i trajton revista në një prezantim publik të enjten më 16 nëntor prej orës 19:00 te Klubi M (Prishtinë).

*Do të ketë përkthim.

*Foto kryesore nga Uros Abram / Dizajni nga K2.0.

***

Ngjarjet e Volume UP mbështeten nga Ambasada e Holandës në Kosovë.