Volume UP: Cannelle Lavite-Dumoulin flet për sinjalizuesit

  • Bisedë me folësin/en
  • Rreth këtij volume up
  • Bashkohuni në edicionin më të fundit të bisedave publike të K2.0, të mërkurën më 19 shtator.

    Në vitet e fundit, sinjalizimi ka qenë pjesë e kryetitujve nëpër botë, duke vendosur lirinë e shprehjes në qendër të debateve politike dhe ligjore. Ndonjëherë, sinjalizimi është praktikuar si formë e kundërshtimit të fenomenit të fshehtësive qeveritare, si në rastin e Edward Snowden. Ndonjëherë, ka qenë pjesë e përpjekjeve në luftën kundër korrupsionit, si në rastin e Letrave të Panamasë dhe Letrave të Parajsës.

    Edhe Kosova pati disa raste të sinjalizimit të profilit të lartë, më së fundmi në rastin e Elez Blakajt, prokurori i cili dha dorëheqje dhe deklaroi se nuk ishte në gjendje ta kryejë punën si duhet për shkak të presionit politik.

    Por, pavarësisht ngritjes gjithnjë më të madhe të nivelit të ndërgjegjësimit për sinjalizuesit, ende nuk ekziston një definicion i përbashkët ligjor apo shoqëror për këtë koncept.

    Si pjesë e programit të bisedave publike të K2.0 Volume UP, ne kemi ftuar Cannelle Lavite nga Blueprint for Free Speech – një organizatë që i përkushtohet mbrojtjes të lirisë së shprehjes dhe sinjalizuesve rreth botës – për të folur rreth rolit gjithnjë e më të rëndësishëm të sinjalizuesve.

    Lavite ka qenë e përfshirë në gjyqin e LuxLeaks të Luksemburgut, në të cilin sinjalizuesit që publikuan informata rreth skemave të fshehura të shmangies së taksave nga më shumë se 350 kompani në botë – me mbështetje të autoriteteve të Luksemburgut – u ndoqën penalisht. Tani konsiderohet të jetë një ndër rastet më me ndikim të sinjalizimit në historinë bashkëkohore.

    Lavite punon si këshilltare ligjore në degën e biznesit dhe të drejtave të njeriut për Qendrën Evropiane për të Drejtat Kushtetuese dhe të Njeriut (European Center for Constitutional and Human Rights) në Berlin dhe ka marrë pjesë në disa konferenca për mbrojtjen e sinjalizuesve dhe qasjen në informacion nën Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

    Duke shtruar pyetjen, ‘Pse dhe si mund t’i mbrojmë sinjalizuesit në vitin 2018?’, Lavite e zëvendëson figurën stereotipike të sinjalizuesve si ithtarë të një forme të mosbindjes civile me një figurë të rëndësishme për demokracinë.

    Sipas Lavite, sinjalizuesit janë më shumë sesa individë pa disiplinë apo individë që publikojnë fshehtësi për interesa private: Ata mund ta luajnë një rol të madh në shoqëri dhe politika tranzicionale, në rivendosjen e kujtimeve të së kaluarës dhe në lehtësimin e llogaridhënies dhe zhvillimit të besimit ndërmjet qytetarëve dhe qeverive.

    Canelle Lavite do të flasë për këto tema dhe çështje të tjera që lidhen me sinjalizimin prej orës 18:00 të mërkurën më 19 shtator, te Klubi M në Prishtinë.

    *Do të ketë përkthim në gjuhën shqipe/angleze.K

    Volume Up është program i K2.0 për biseda publike që fokusohet në eksplorimin e modeleve të gazetarisë dhe qasjeve të komunikimit të cilat i ndryshojnë perceptimet tona për realitetin dhe kolektivitetin në jetën e përditshme, përtej ciklit të përditshëm të lajmeve 24/7.

    Kjo bisedë e Volume UP është mbështetur nga Zyra e Këshillit të Evropës në Prishtinë.

  • Rreth folësit/es
  • Shikojeni këtë edicion tani
  • Fotografi nga ngjarja
  • Regjistrohuni në masterklasën e këtij Volume Up
    • Time:

      6:00 pm

      Place:

      Klubi M

      Date:

      19/09/2018