Volume UP: Matthew Caruana Galizia rreth sigurisë së gazetarëve

  • Bisedë me folësin/en
  • Rreth këtij volume up
  • K2.0 sjellë në Prishtinë gazetarin dhe inxhinierin e programeve kompjuterike i cili ka fituar çmimin Pulitzer, Matthew Caruana Galizia, për të biseduar rreth rreziqeve ligjore dhe fizike me të cilat ballafaqohen gazetarët kur mbulojnë korrupsionin.

    Matthew Caruana Galizia punoi në Konsorciumin Ndërkombëtar të Gazetarëve Hulumtues (ICIJ) për pesë vite si inxhinier i lartë në gjashtë hetime të mëdha, përfshirë këtu: Offshore Leaks, Swiss Leaks, Luxembourg Leaks, Panama Papers dhe Paradise Papers. Puna thelbësore e njësitit të tij në Panama Papers, që i ndihmoi hulumtimet e qindra gazetarëve nëpër botë, bëri që ICIJ dhe Süddeutsche Zeitung ta fitojë çmimin Pulitzer për raportim shpjegues në vitin 2017.

    Megjithatë, Matthew Caruana Galizia e la ICIJ-në më 2018 për t’iu përkushtuar rastit që përfshiu vrasjen e nënës së tij, Daphne Caruana Galizia, e cila u vra në një sulm me bombë në veturë në tetor 2017, pasi raportoi për 30 vite mbi korrupsionin, abuzimin nga pushteti dhe politikën në Maltë. Ky rast doli në kryetituj të lajmeve dhe nxiti debate për sigurinë e gazetarëve nëpër botë.

    Para sulmit që i dha fund jetës së saj, Daphne Caruana Galizia ishte përballur me forma tjera të ndëshkimit për mbulim të korrupsionit, përfshirë këtu një arrestim të jashtëligjshëm, paditë nga politikanët, disa kërcënime dhe bllokimin e llogarive bankare. Ndonëse secili prej këtyre incidenteve e bëri të qartë se Daphne Caruana Galizia po targetohej për punën e saj, nuk ishte ndërmarrë asnjë masë mbrojtëse për të.

    Gazetarët në Kosovë vazhdimisht përballen me kërcënime, kanosje e madje edhe incidente të dhunshme. Mbetet i pazgjidhur një rast që përfshiu shkrepje me armë zjarri në zyret e portalit të lajmeve KoSSev në Mitrovicë në 2015, ndërsa vitin e kaluar u rrit numri i sulmeve dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve në krahasim me vitet e fundit.

    Në diskutimin që do të mbahet më 29 nëntor në hapësirën e re të K2.0, Matthew Caruana Galizia do të flasë mbi atë se si mund t’i njohim më mirë rreziqet me të cilat përballen gazetarët dhe si mund të reagojmë më së miri ndaj tyre.

    Do të ketë përkthim në anglisht/shqip.

    Standardet kombëtare dhe ndërkombëtare për shpifje dhe këshilla praktike për gazetarët

    Të nesërmen, e premte 30 nëntor, Matthew Caruana Galizia do ta mbajë një seancë trajnimi përkrah juristes të së drejtës së medias, Flutura Kusari. Trajnimi do të fokusohet kryesisht në raste të shpifjeve në lidhje me Nenin e 10 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, që mbulon lirinë e shprehjes. Temat që do të mbulohen gjatë trajnimit janë:

    – Çka janë Paditë Strategjike kundër Pjesëmarrjes Publike?

    – Balancimi i të drejtës për liri të shprehjes dhe të drejtës për mbrojtje të reputacionit

    – Gjykime të bazuara në vlera vs fakte

    – Privilegji parlamentar

    – E drejta për kundërpërgjigje/korrigjim

    – Mbrojtja e burimeve në raste të shpifjes

    – Kërkesat etike sa i përket shpifjes (vetërregullimi & rregullimi shtetëror)

    Trajnimi do të zgjasë nga ora 10:00 deri në 16:00 dhe do të mbahet në Zyrën e K2.0.

    Për shkak të numrit të kufizuar të vendeve, ju lusim të dërgoni email në info@ktwopointzero.com me subjektin “Volume UP” për t’u regjistruar (pa pagesë) si pjesëmarrës. Afati i fundit për regjistrim është të enjten më 29 nëntor, në orën 11:00.

    Për shkak se vendet në trajnim janë të kufizuara dhe do të rezervohen për 20 personat e parë që regjistrohen nëpërmjet email-it, ju lusim të na bashkoheni nëse regjistroheni për këtë mundësi unike!K

    *Do të ketë përkthim në anglisht/shqip.

    Volume UP është program i K2.0 që fokusohet në eksplorimin e modeleve të gazetarisë dhe qasjeve të komunikimit që i ndryshojnë perceptimet tona të realitetit dhe kolektivitetit në jetën tonë të përditshme, përtej ciklit të përditshëm të lajmeve 24/7.

    Kjo bisedë e Volume UP mbështetet nga Zyra e Këshillit të Evropës në Prishtinë.

  • Rreth folësit/es
  • Shikojeni këtë edicion tani
  • Fotografi nga ngjarja
  • Regjistrohuni në masterklasën e këtij Volume Up
    • Time:

      6:00 pm

      Place:

      Kosovo 2.0

      Date:

      29/11/2018