S`fundmi | Personat e pagjetur

Volume Up me Marcela Turati: Raportimi për të zhdukurit

Nga - 26.04.2022

Data: E Martë, 10 maj 2022

 

Koha: Ligjërata prej 14:30 deri në 17:00 | Biseda publike prej 17:30 deri në 18:30

 

Vendi: Hub 2.0

Kërkimi për personat e zhdukur nga lufta e vitit 1999 në Kosovë është një prej çështjeve më urgjente me të cilat përballet vendi. Ndonëse kohëve të fundit është bërë përparim me zhgroposjen e një varreze tjetër masive të ndodhur në Serbi, kërkimi për më shumë se 1600 persona të zhdukur vazhdon.

Ndër vite shoqëria civile dhe media kanë ngritur vazhdimisht vetëdijen për këtë çështje dhe u kanë bërë presion institucioneve që të jenë më proaktive. Një kërkesë e vazhdueshme është thirrja që organizatat në Kosovë dhe Serbi kanë bërë që të dy vendet t’i hapin arkivat ushtarake nga periudha e luftës për ta ndihmuar kërkimin, por kjo, pa ndonjë rezultat deri tash.

Në dy vitet e fundit, si pjesë e projektit të financuar nga BE-ja “Mobilizimi i mediave dhe OShC-ve për ta mbështetur të drejtën e informimit lidhur me personat e zhdukur në Kosovë”, K2.0 ka bashkëpunuar me Fondacionin për të Drejtën Humanitare në Kosovë për ta rritur qasjen në informacion rreth çështjes së personave të zhdukur duke i vendosur në qendër të diskutimit familjet e të zhdukurve. Deri më tani kemi realizuar një sërë artikujsh të shkruar, videosh dhe podkastesh, si dhe kemi organizuar një ekspozitë të madhe arti dhe dy diskutime publike për të ndihmuar në inkurajimin e diskutimit të informuar për temat më të ndjeshme.

Më 27 Prill, Ditën Kombëtare të Personave të Zhdukur, projekti do ta publikojë një raport gjithëpërfshirës, i cili analizon procesin e ndriçimit të fatit të personave të zhdukur që nga viti 1999 e deri më sot dhe jep rekomandime konkrete për institucionet vendore dhe ndërkombëtare.

 

Më 10 maj, pas publikimit të raportit, do ta mirëpresim në Prishtinë gazetaren meksikane, laureate e disa çmimeve, Marcela Turati, si pjesë e ngjarjeve tona të programit Volume Up.

Turati do të mbajë një bisedë publike dhe një ligjëratë (masterklasë) ku do t’i ndajë teknikat e gazetarisë hulumtuese në fushën e shkeljeve të të drejtave të njeriut, veçanërisht për përvojën e saj në raportimin e personave të zhdukur në Meksikë. Turati ishte pjesë e ekipit që krijoi hartën e parë kombëtare të varrezave masive klandestine dhe ka qenë pjesë e hetimeve të tjera rreth mjekësisë ligjore, masakrave të emigrantëve dhe pjesë e ekipit që zbuloi se ka të paktën 100,000 persona të zhdukur në Meksikë. Ajo do t’i ndajë përvojat e saj në krijimin e një rrjeti gazetarësh që mbulon çështjen e personave të zhdukur dhe për atë se si e zbulojnë informacionin e fshehur.

Bashkohuni me ne më 10 maj në Hub 2.0 për një përvojë unike të të mësuarit.

Ligjërata/masterklasa (nga ora 14:30 deri në 17:00) është për pjesëmarrësit e regjistruar. Klikoni këtu për t’u regjistruar.

Biseda pasuese (nga ora 17:30 deri në 18:30) është ngjarje e hapur publike. Mos hezitoni të na bashkoheni.

Do të ketë përkthim në shqip/anglisht/serbisht.

Imazhi i ballinës: Ferdi Limani / K2.0

Kjo ngjarje organizohet në kuadër të projektit “Mobilizimi i mediave dhe OShC-ve për ta mbështetur të drejtën e informimit lidhur me personat e zhdukur në Kosovë”. Projekti mbështetet nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe zbatohet nga Kosovo 2.0 dhe Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë.

Pse kjo klauzolë?