Në thelb | Zgjedhjet 2019

Votë me dyshim e shpresë

Nga - 04.10.2019

Luftimi i korrupsonit, arsimi, shëndetësia dhe punësimi – prioritete të disa votuesve nga Prizreni e Ferizaji.

Anipse ka dyshime mbi numrin e saktë të votuesve, afër 1 milion e 800 mijë qytetarë kosovarë janë votues potencial në zgjedhjet e përgjithshme të 6 tetorit. 25 parti garuese, me mbi 2 mijë kandidatë për deputetë, janë opsionet që kosovarët kanë për të zgjedhur parlamentin e ardhshëm, dhe rrjedhimisht qeverinë e re.  

Që me tu dorëhequr qeveria, në korrik të këtij viti, në Kosovë mbizotëron atmosfera e zgjedhjeve, anipse zyrtarisht fushata zgjedhore nisi me 25 shtator.  

Tubimet, koalicionet, aderimet, kandidatët për kryeministër, debatet televizive me akuza e kundërakuza dhe përplasjet fizike ishin ato që dominuan diskutimet publike. Si zakonisht, nuk munguan as premtimet e shumta kësaj here u quajtën zotime apo posterët me kandidatë, ku bien në sy numrat e tyre dhe sllogani i partisë. As sondazhet dhe thirrja në to s’kishin si të mos ishin prezente.    

Diçka më ndryshe për këto zgjedhje ishte aplikimi i 42 mijë votuesve nga diaspora, që është më shumë se trefishim nga zgjedhjet e kaluara të përgjithshme. Që nga 18 shtatori, diaspora veçse ka filluar të votojë përmes postës.    

E zakonshme ishte edhe ajo se politikanët vazhduan t’i përmendin problemet me të cilat përballen kosovarët, me fokus – së paku në përmendje në arsim, shëndetësi dhe zhvillim ekonomik; kësaj here u kursyen në shifra për këtë fundit.  

Por si i shohin qytetarët gjithë këto?  

Si dy prej qyteteve me lëvizshmëri të votuesve, K2.0 ka qëndruar në Prizren dhe Ferizaj për të biseduar me disa prej qytetarëve, rreth asaj se se si e shohin politikën e politikanët në Kosovë, a do të dalin për të votuar, dhe çështjet mbi të cilat do ta definojnë votën e tyre.  

‘‘Qyteti i kamarierit’’ 

Ferizaji është qyteti i dytë më i zhvilluar ekonomikisht në vend, e po ashtu edhe ndër qendrat me numrin më të madh të banorëve, e të votuesve. Pavarësisht qëndrimit lartë në listë për ekonomi për kontekstin kosovar papunësia vazhdon të jetë një ndër problemet që ferizajasit e potencojnë vazhdimisht. Kaosi urbanistik, korrupsioni e nepotizmi janë po aty, kur ata kritikojnë, të cilat i lidhin me sistemin e arsimit e shëndetësisë. 

Kjo gjendje shpesh ka bërë që të ndryshohet raporti i forcave për partitë politike në këtë qytet.   

Në tri palë zgjedhjet e fundit nacionale, Ferizaji ka ndryshuar votë. 

Në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2017, e para doli Lëvizja Vetëvendosje, pasi morri afër 35 për qind të votave. Pas saj ishte koalicioni PDK-AAK-Nisma (PAN), me afër 31 për qind të votave, ndjekur nga LDK-ja dhe partnerët e saj të koalicionit në atë kohë, me rreth 30 për qind të votave.  

Këto rezultate përmbysën renditjen e zgjedhjeve nacionale të vitit 2014, kur LDK-ja printe, ndërsa në vendin e dytë ishte PDK-ja, me Vetëvendosjen pas. Ndërsa më 2010 fitoi PDK-ja, e ndjekur nga LDK-ja, e në vend të tretë Vetëvendosje. Në dy palë zgjedhjet e fundit komunale Ferizaji është qeverisur nga LDK-ja dhe PDK-ja. 

Arsimi kriter për votë 

Valton Elezi tash e disa vite është i vetëpunësuar. 38-vjeçari punon i vetëm në barin që gjendet afër godinës së teatrit në qendër të qytetit. Po ashtu nën pronësi të tij ai ka edhe koshere me bletë, me të cilat merret kohë pas kohe. 

Biznismeni, që kalon rreth 12 orë në ditë duke punuar, anipse nuk e anashkalon ekonominë,  thotë se votën e tij do ta merr ajo parti që ai beson se do të merret me arsimin. 

‘‘Dështimi më i madh i politikës në Kosovë është arsimi’’, thotë ai. 

Për të, nëse përmirësohet arsimi do përmirësohet çdo fushë tjetër.

Ai thotë t’i ketë përcjellë premtimet e partive politike dhe kësaj rradhe pret ‘‘me fitu partia që nuk e ka votuar kurrë ma herët’’.  E gjitha që shpreson është se partia që do votojë ‘‘do ta bëjë koalicionin që do të ketë efekt [në qeverisje]’’, që sipas tij, duhet të jetë mes LDK-së dhe Vetëvendosjes, e nuk do t’i prishte qefin që aty të ishte edhe NISMA Socialdemokrate.

Për të, këto parti duhet ta marrin pushtetin meqë mendon se afër vetës kanë ekip të shkolluar, të cilët do t’i kushtonin rëndësi arsimit e do i hapnin vend ‘‘njerëzve të shkolluar’’.   

‘‘Kur po du me votu dikë po shoh përmas edhe pe di që nuk janë njerëzit e duhur’’.

Lironë Tahiri

Edhe Lironë Tahiri beson se arsimi duhet të jetë prioritet.  

‘‘Urgjentisht të fokusohemi në arsim”, thotë 23-vjeçarja e diplomuar në Fakultetin e Ndërtimtarisë. “S’kemi libra, shumë nga profesorët apo asistentët janë të pakualifikuar për të dhënë mësim, duhet të largohen disa prej tyre’’. 

E zhgënjyer me përvojën e saj gjatë studimeve, ajo këmbëngul se arsimi ka ndikuar që ‘‘ndërtimi në Kosovë të mos jetë aspak i sigurtë; është katastrofë”.

Për ta përmirësuar këtë, sipas saj, duhet të kualifikohen profesionalisht studentët nga personat e duhur. Por ajo nuk ka shpresë se kjo do të ndodh. Prandaj, Lirona nuk e di nëse do të dal për të votuar të dielen. Nëse del, ajo thotë se gjasat janë shumë të mëdha që në fletëvotim të shënojë ‘‘X’’.

E reja, që sapo ka fituar të drejtën për master në Gjermani, thotë se ‘‘kur po du me votu dikë po shoh përmas edhe pe di që nuk janë njerëzit e duhur’’.  

Ashtu siç është në dilemë nëse do të votojë, Lirona është në dilemë edhe nëse do vazhdojë të jetojë në Kosovë. 

Shpresë për ndryshim

Por Ademi, Orgesi e Nderimi nuk kanë dilema nëse do të dalin në zgjedhje dhe as për kënd do votojnë.  

Ademi i cili nuk dëshiron t’i identifikohet mbiemri që jeton në Gjermani tash e 26 vjet nuk arrin t’i kuptojë ata që nuk dalin në zgjedhje. Pensionisti 65 vjeçar ka ardhur në Kosovë për pushime rreth dy javë më parë. Shtysa vendimtare që ai pushimet e para të këtij viti t’i kalojë në Kosovë në këtë kohë ishin zgjedhjet e 6 tetorit. 

‘‘Kismet kam me votu, edhe ato për të mirën e popullit’’, thotë ai.  

E mira për të është ‘‘vazhdim përpara, e jo stagnim’’.  

Ai nuk do të ndërrojë partinë as kësaj here. Nga ‘‘partia e moçme’’, siç e quan ai, pret që prioritet të ketë ‘‘shtetin ligjor, zhvillimin ekonomik dhe rregullimin e marrëdhënieve ndërkombëtare’’.   

“Pres që [partia të cilën do ta votojë] të rregullojë marrëdheniet me gjitha shtetet perëndimore”, thotë ai. ‘‘Neve na kanë çliruar miqtë, e ne miqve po ja kthejmë fjalën mbrapa’’. 

Në anën tjetër, Orges Murseli do votojë për herë të parë në zgjedhje të përgjithshme. 

‘‘Kurgjo e mirë nuk ka ndodhë deri tash në Kosovë, veç dështime’’, shpjegon 25-vjeçari shtytjen për të dalë të votojë. “Duhet të ketë rregull e transparencë më shumë’’.  

Ai do të votojë për Vetëvendosjen, pasi beson se ‘‘lideri i tyre duket më i sinqertë, shtoja që edhe kurrë s’janë kanë në pushtet për dallim prej tjerëve që nuk kanë ba kurgjo’’.

‘‘Nisja prej asaj që ma keq s’ka ku shkon ma. Vetëm nëse nuk vjedhet më, nëse vetëm nuk ka keqpërdorime e neglizhencë mund të bëhet një avansim’’.

Nderim Alija

Një qeveri në krye me Vetëvendosjen, sipas tij duhet ta ketë prioritet edhe sportin.

‘‘Jo krejt janë për shkollë, jo të gjithë për sport, e jo të gjithë për diçka tjetër”, thotë ai. “Prandaj duhen krijuar hapësira për secilin që të shfaqë talentin e tij”.

Megjithatë, ai shton se Vetëvendosje i duket më shumë si shpresë, por nuk është i sigurtë se do të mundet të ndryshojë rrënjësisht gjërat në Kosovë. 

Për dallim nga ai, Nderim Alija është i bindur se në rast se fiton Vetëvendosje gjërat do të fillojnë të përmirësohen. 

‘‘Nisja prej asaj që ma keq s’ka ku shkon ma. Vetëm nëse nuk vjedhet më, nëse vetëm nuk ka keqpërdorime e neglizhencë mund të bëhet një avansim’’, thotë 22-vjeçari. ‘‘Vetëvendosje është më e drejta në rrethanat që gjendemi’’. 

Juristi i diplomuar, thotë se parimet e tij janë të përafërta me ato të Vetëvendosjes, e sidomos pikat e tyre të programit në lidhje me drejtësinë dhe barazinë sociale.

‘‘Kur nuk ke shtet të së drejtës, nuk ke as ekonomi të zhvilluar, as vende pune e asgjë tjetër ashtu siç është momentalisht’’, thotë ai.

Ferizaj. Foto: K2.0

Por dështimi i deritanishëm institucional për të ngritur mirëqenien mesatare të kosovarëve tek disa qytetarë ka humbur të gjitha shpresat për një qeveri që do të bëjë ndryshime. Sadush Gashi nuk e di se cilin subjekt politik do ta votojë, anipse do të dal në zgjedhje për ta përmbushur obligimin si qytetar. Kushtet e rënda ekonomike, kanë bërë që 55-vjeçari të dyshojë në të gjitha partitë politke. 

‘‘Secila parti politike po punon veç për veti”, thotë ai. “Veç kur kanë nevojë për vota na vijnë te dera”.  

Familja tetë-anëtarëshe e tij është një prej mijëra familjeve që jetojnë në varfëri të skajshme. Të gjithë ata jetojnë me të ardhurat e Sadushit, që më shumti e arrijnë shumën prej 250 euro, të cilat i fiton nga puna e herëpashershme si punëtor fizik, pasi shumë shpesh ka ditë që nuk e merr askush për punë.   

‘‘Pastrojmë oxhaqe, kanalizime a ujëra t’zeza”, thotë Sadushi me mllef. “Neve punëtorëve që rrimë te Xhamia e Madhe në Ferizaj kërkush nuk na ka ndihmu, veç çka po ju pengojmë… kena met krejt vet’’. 

Thyerje e bastioneve?

Qendra e dytë për nga numri i banorëve në Kosovë është Prizreni. Në tri palë zgjedhjet e fundit nacionale atje fitoi PDK-ja. Në vitin 2017, si pjesë e koalicionit PAN, ata morrën mbi 30 për qind të votave, të ndjekur nga Vetëvendosje dhe koalicioni i prirë nga LDK-ja. Në dy zgjedhjet paraprake, rezultati për vendin e parë ishte i njëjtë, ndërsa e dyta dilte LDK-ja, e në vend të tretë Vetëvendosje.   

Këto rezultate kanë bërë që eksponentë të partisë shpesh ta quajnë Prizrenin si ‘‘Jerusalemi i PDK-së’’. Megjithatë, në zgjedhjet e fundit komunale humben të drejtën për të qeverisur me qytetin, pasi Vetëvendosje doli e para.

‘Vetëm 30 për qind të premtimeve t’i realizojnë në mandatin e parë, do ishte e mjaftueshme’’.

Vatilda Shukriu

Por a do të vazhdojë Prizreni të jetë i pandryshueshëm në votë edhe për zgjedhjet e 6 tetorit?

Valtida Shukriu ka votuar në të gjitha zgjedhjet prej kur ka pasur 18 vjet. Juristja 34-vjeçare ndihet “totalisht e dëshpëruar’’ me atë se si është qeverisur vendi. Ajo thotë se partia që e votonte më herët ‘‘për pak kohë ishte edhe në qeveri”, duke e dëshpëruar edhe më shumë pasi ‘‘nuk u qeverisë kurqysh’’. Por ajo sqaron menjëherë se vota e saj më shumë ishte ‘‘të gjendet e keqja më e vogël’’ dhe për këtë votonte vazhdimisht figura të reja brenda partisë. 

Në zgjedhjet e të dielës, ajo ka vendosur të ndryshojë votë.  

‘‘Do votojë ata që nuk kanë qenë në qeverisje’’, thotë ajo.  

Ajo shpjegon se vendimi i saj vjen për shkak se ka parë prurje të reja aty, nga të cilët pret të luftohet korrupsioni. Ajo beson se në këtë listë të kandidatëve ka gjetur persona që janë “të pastër, profesional dhe mbi të gjitha nuk janë milioner”. 

Kërkesa e Valtidës është që ‘‘vetëm 30 për qind të premtimeve t’i realizojnë në mandatin e parë’’. Për të kjo do të ishte e mjaftueshme.

Ajo beson se kjo do të arrihet.

Prizreni. Foto: K2.0

Por mosbesues është Shkëlqim Berisha. 30-vjeçari, i cili për herë të parë ka dalë për të votuar në zgjedhjet e 2017-ës, nuk beson se me anë të votës mund të arrihen ndryshime. 

‘‘Kam besu që ndryshimi nuk vjen nga brenda sistemit, dhe nuk është se mu ka ndryshu mendja edhe sot’’, thotë ai.

Mirëpo, ai thekson se zgjedhjet e kaluara ka qenë i detyruar të votojë për shkak se e ka parë se është e pamundur të bëhen ndryshime duke qenë “jashtë sistemit”, për shkak të ‘‘pamundësive për organizim’’. 

I diplomuari në shkenca politike vazhdon të mos ketë pritje prej kujtdo që fiton zgjedhjet, por kësaj herë do të mjaftohet me disa intervenime të vogla. 

‘‘Së paku të largohen disa persona prej pozitave, pasi aty kanë krijuar komoditet…”, thotë Shkëlqimi. “E largimi i tyre do krijojë hapësira nga ku mund të merr frymë meritokracia’’.

Shkëlqimi shton se ende nuk është përcaktuar se kujt do t’ia vë votën, sepse sipas tij kanë munguar diskutimet e mirëfillëta për programe nga ana e partive politike.

‘‘Ke votu, por jo me bindjen se po bënë gjënë e duhur’'.

Shkëlqim Berisha

“Nuk është prezantu diçka më detajisht, më shumë vetëm kanë folur nëpër debate televizive”, këmbëngul Shkëlqimi. “Nuk kanë qenë të detajizuara [zgjidhjet që ofrojnë]’’.

Ai vetëm e di që nuk do të votojë për partitë që flasin për ‘‘fraza nacionaliste, politika ‘të mëdhaja’,e që realisht nuk e prekin jetën e qytetarit’’. 

Prioritetet e programeve të partive, sipas tij, duhet të jenë politikat sociale që prekin problemet e qytetarëve, e sidomos të punëtorëve. Ai beson se punëtorët janë të lënë pas dore dhe përmenden vetëm në kohë fushate.  

‘‘Nëse ndonjë prej partive do të kishte program që të krijohen sindikatat nëpër biznese private, dhe do t’i kishte ngritë çështjet e kontratave, të respektimit të orareve, pushimeve, ngritjes së pagës së tyre, ose çështjen për lëndimet e vdekjet e punëtorëve  që ndodhin shumë tek ne   të kërkohet përgjegjësi”, thotë Shkëlqimi. “Nëse këto dikush [parti] i shtyn përpara këto, shumë lehtë ma marrin votën’’. 

Por ai nuk beson se në Kosovë ekziston një parti e tillë dhe se prapë gjendet në pozitën e njëjtë si në vitin 2017.

‘‘Ke votu, por jo me bindjen se po bënë gjënë e duhur’’, përfundon Shkëlqimi.

Në anën tjetër më optimist është Berat Berisha. Kuzhinieri që jeton në Gjermani ka ardhur në Prizren rreth një jave më parë dhe ka vendosur ta shtyejë pushimin për shkak të zgjedhjeve. Ai ka votuar vetëm dy herë më parë 

‘‘Pas luftës kemi votu njëherë, po ashtu edhe në zgjedhjet e kalume’’, thotë ai, duke treguar se PDK-ja ishte partia që e kishte shenjëuar në të dy rastet. ‘‘Me PDK-në jemi kanë të kënaqur, kanë punu. Rregullimi i rrugëve, qyteteve, infrastruktura në përgjithësi është përmirësu’’.

Mirëpo, kësaj here ka vendosur ta votojë Vetëvendosjen.

‘‘Nuk është më interesant vetëm të ndërtohen rrugët, u kry kjo fazë”, shpjegon ai. “Tash rinia duhet ta kap në dorë. Na duhen njerëz që e njohin politikën më mirë. Këta që janë në pushtet nuk besoj që e kanë ma, janë harxhu’’. 

Një prej ngjarjeve që atij ia ndryshojë mendjen për votë ishte sëmundja e gruas së vëllait të tij para pak kohe. Atë e dërguan në një spital privat, pasi aty besonin më shumë, dhe kuptuan që mjeku i njëjtë punon edhe në spitalin publik. Pos kësaj, ai u dëshpërua edhe më shumë kur morri vesh për çmimin e barnave.

‘‘Kur u kthyem [nga spitali] vëllai më tregoi se ato pak barna i kushtuan mbi 35 euro”, thotë Berati. “Ne i kemi mundësitë për të paguar, por një familje që jeton me 300 euro në muaj a ka mundësi të bëjë këtë. Shumica e njerëzve nuk kanë mundësi të kenë trajtim mjekësor siç duhet”.  

Sipas tij, njerëzit po jetojnë në mjerim, e për këtë duhet ndryshim. K

Foto kryesore: K2.0.