Godinat e Teatrit Kombëtar dhe atij Eksperimetal u shembën dhunshëm më 17 maj 2020, pas një përpjekjeje mbi dy-vjeçare për mbrojtjen e tyre nga qytetarë të Tiranës mbështetur nga shqiptarë e të huaj, brenda e jashtë Shqipërisë.
Sulmin ku qindra forca policore ndërhynë dhunshëm në teatër duke tërhequr zvarrë qytetarë e aktivistë e kam ndjekur në transmetim të drejtpërdrejtë në faqen e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit në Facebook. Në Brooklyn, ShBA, ku isha unë, ishte ora 11:30 e natës, teksa në Tiranë ishte 4:30 e mëngjesit dhe ora policore për shkak të pandemisë Covid-19 ishte ende në fuqi.
Nuk do t’i harroj kurrë klithmat e aktivisteve e aktivistëve teksa trupa të paidentifikueshëm me skafandra në kokë shkuan deri aty sa u drejtuan edhe armët për t’i nxjerrë nga godina. Midis aktivistëve ishin edhe disa miq të mi me të cilët komunikoja vazhdimisht rreth ngjarjeve.
Vërtetë, fizikisht nuk isha në rrezik si ata, por ngecja në rolin e spektatores, pamundësia për të bërë diçka, ishte frustruese. Gjithçka që mund të bëja ishte një koment në transmetimin e drejtpërdrejtë “Hej, po ju shohim! E gjithë bota po e sheh çfarë po bëni”!
Vërtetë, po e shihte bota atë që po ndodhte, apo ishte thjesht një iluzion?
Godinat e teatrit kishin rëndësi domethënëse për qytetin. Që nga ndërtimi i tyre në vitet 1938-39, ato u bënë dëshmi e momenteve kyçe të historisë politike e kulturore shqiptare përgjatë pushteteve të ndryshme. Pas lënies në degradim për gati tri dekada dhe tentativave të kohëpaskohshme për ta shkatërruar, në vitin 2018, teatri u mbyll përfundimisht. Ky ishte dhe momenti kur rreziku i shembjes së tij u bë konkret.
Godinat e teatrit filimisht ishin konceptuar si qendër kulturore shqiptaro-italiane “Skanderbeg”, me sallën kryesore të destinuar për kinema. Më pas ato ndryshuan funksion –– nga hapësira ku u krijua “Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë”, në hapësira për gjyqet speciale famëkeqe të vitit 1945, ku u dënuan me vdekje apo burgim të përjetshëm figura, që dolën kundër regjimit totalitar të Enver Hoxhës. Më pas, godinat u adaptuan për Teatër Popullor dhe pas rënies së regjimit institucioni u ri-emërua si Teatri Kombëtar.
Dizajni i godinave, realizuar nga arkitekti Giulio Berte, u lexua nga kritikët e fushës herë si futurist e herë me një metafizikë surrealiste që evokonte atmosferën e pikturave të De Chirico. Ndryshe nga objektet e tjera të kohës, teatri ishte i lehtë dhe ftues. Teknika ndërtimore barte inovacion duke qenë nga të paktat objekte të ndërtuara jashtë Italisë. Përgjatë viteve, godinat i ishin nënshtruar ndërhyrjeve të domosdoshme nga arkitektë e inxhinierë shqiptarë, që i përshatën sallat për shfaqje teatri.
Ishte edhe momenti kur teatri mori funksionin e tij përfundimtar emancipues duke mobilizuar shumë qytetarë brenda e jashtë Shqipërisë, midis tyre artistë, intelektualë, profesionistë të shumë fushave. Kjo u bë përmes një lëvizjeje për ta rijetësuar teatrin me aktivitete të ndryshme kulturore, brenda e jashtë godinës, duke treguar që ajo ka potencial për t’u përdorur dhe që rrjedhimisht, duhet mbrojtur nga prishja.
Kjo lëvizje për mbrojtjen e godinave krijoi një momentum të paprecedent të aspiratës së qytetarëve për t’u përfshirë në vendimmarrjen për qytetin. Intelektualë e profesionistë të shumë fushave ishin shprehur kundër shembjes. Gjithashtu, organizata ndërkombëtare e dokumentimit dhe ruajtjes të godinave moderniste Docomomo dhe rrjeti pan-evropian për trashëgiminë kulturore EuropaNostra ishin shprehur në mbështetje të mbrojtjes së godinave. Komisionerja evropiane për inovacion, hulumtim, kulturë dhe edukim, Mariya Gabriel bëri thirrje për dialog e negocim ndërmjet palëve të interesuara për ta prishur me në krye qeverinë dhe aktivistëve, artistëve e qytetarëve që luftonin për ta mbrojtur teatrin.
Negociimi ndoshta edhe u bë. Teatri mbase u negociua, por zëri i njerëzve që e deshën dhe e mbrojtën atë nuk u bë pjesë e atij negocimi që ia vuri shkelmin një herë e mirë.
Ajo natë, në të gdhirë të 17 majit 2020 ishte performanca e fundit e teatrit ku autoritarizmi u shfaq brutal dhe tinëzar dhe ku u shkërmoq dhunshëm edhe ajo e vogël aspiratë lirie e qytetarit për ta ndierë qytetin të tijin, si individ dhe si kolektiv. Ajo natë, pa gdhirë mëngjesi, ishte fillimi i një taktike të re të pushtetit për të vendosur kontroll absolut mbi territor, që më pas do të përcillej me ndërhyrje të ngjashme në qendër e periferi të qytetit.
Pushtete fasadash
Presioni nga pushtetet për ta kapur e nënshtruar nuk është diçka e re për Tiranën. Si para 1990-ës ashtu dhe pas saj, pushtetet e ndryshme e kanë përdorur qytetin, duke i dhënë atij një pamje që do të përfaqësonte ideologjitë e tyre.
Për shembull, arkitekti i mirënjohur shqiptar, Petraq Kolevica, flet për aspekte të kësaj në librin e tij të vitit 2004 “Arkitektura dhe Diktatura”. Kolevica dëshmon për presionin që ushtrohej mbi arkitektin si intelektual gjatë totalitarizmit, periudhë kur arkitekti u zhvesh nga atributet politike për t’u vendosur në funksion të linjës politike të partisë-shtet.
Shkrimtari dhe publicisti Ardian Vehbiu në esenë e vitit 2003 “Kulla e Sahatit” shkruan për një anë tjetër të transformimit me vendimmarrje nga lart të Tiranës, ku shtjellon tensionin e brendshëm të saj për të qenë njëkohësisht edhe qytet edhe kryeqytet. Praktikat e krijimit komunitar të hapësirës urbane nga vetë njerëzit vazhdimisht kanë rënë ndesh me planet zyrtare për t’i dhënë karakterin e një (krye)qyteti të planifikuar.
Tirana e përjetoi anarkinë e asaj, që i referohemi si “tranzicioni politik” pas rënies së regjimit enverist, kur pati një shpërthim kolektiv si kundërpërgjigje ndaj kontrollit totalitar të territorit. Ky shpërthim u shfaq me iniciativa ndërtimore të vetë banorëve.
Ata ndërtuan shtesa apo objekte të vogla në brendësi të strukturës urbane të Tiranës dhe krijuan zona të tëra peri-urbane –– zona në afërsi të qytetit, që nuk janë as rurale, as urbane –– të populluara e ndërtuara nga banorët e zhvendosur nga vendbanime tjera për shkak të mungesës së theksuar të infrastrukturës, punës, arsimimit dhe mjekësisë. Ajo që ndodhi në periferi të Tiranës u pa si anomali dhe sjellje primitive, kurse në brendësi të qytetit pati në dukje njëfarë tendence për t’ia njohur qytetit dimensionin e tij njerëzor.
Në fillim të të 2000-ve, të lodhur nga anarkia ndërtimore dhe në emër të vendosjes së një rregulli në qytet, ndërhyrja për prishjen e kioskave përgjatë lumit të Lanës u trumbetua si arritje e madhe nga kryebashkiaku i kohës Edi Rama dhe mbështetësit e tij. Në të njëjtën kohë, projekti artistik i vitit 2003, titulluar “Dammi i Colori” (shq. M’i jep ngjyrat), punë e përbashkët e Ramës me artistin Anri Sala, ishte një tjetër kapje e qytetit, por disi më e sofistikuar.
Estetika e së përditshmes, ajo e ngjyrave, e tharjes së rrobave në ballkon, u mor dhe u pikturua artistikisht nëpër fasada të godinave. Ngjyrat e jetës së rrëmujshme të Tiranës u vendosën në plan të parë, në fasada kryesore, përmes së cilave pushtetet e mëparshme jodemokratike transmetonin karakterin e tyre bazuar në rregull dhe disiplinë, monotoni apo barazi të imponuar. Këto fasada të zymta që përfaqësonin një të shkuar të vështirë ndrydhëse, duke u ngjyrosur me motive shumëngjyrëshe, sikur ishin një ftesë për një çlirim të qytetit, ashtu si dhe vetë premtimi për një epokë të re demokracie.
Dukej dhe u shit si një qasje ndryshe e pushtetit për të treguar empati për praktikat e përditshmërisë në qytet, si një shprehje dashurie, pranimi e vlerësimi të këtyre praktikave të prodhimit të hapësirës.
Ndërkohë që ngazëllimi për këtë qasje të re nuk mungoi, sidomos jashtë Shqipërisë, brenda lagjeve filluan ndërtime të ligjshme, me leje të dhëna nga po i njëjti kryebashkiak artist. Ndërhyrje të tilla, urbanisti Sotir Dhamo në fillim të viteve 2000 i cilësoi si urbicide –– dhunë ndaj qytetit –– për të vënë në pah ndikimin shkatërrues të tyre mbi teksturën urbane organike të Tiranës.
Ndërhyrja në Tiranën organike nuk ishte e re pasi ajo ishte dhunuar edhe më parë në forma të tjera. Tirana është zhvilluar organikisht deri në kohën e shpalljes kryeqytet në vitin 1920. Tentativa e parë planifikuese e njohur është ajo e hartës së parë të qytetit që njihet si “plani austriak i vitit 1917”, i cili dokumenton në letër qytetin për herë të parë.
Plani që parashikoi ndërhyrjet e para planifikuese në Tiranë ishte ai i përpiluar në vitin 1925 nga arkitektë italianë, të komisionuar nga Ahmet Zogu që më pas u zbatua në vazhdimësi gjatë viteve të monarkisë e pushtimit të Shqipërisë nga Italia në kohën e fashizmit. Në këtë kohë u realizuan ndërhyrjet në qendër, si ndërtimi i bulevardit kozmik dhe godinave administrative e kulturore. Edhe Pallati Mbretëror i riemëruar “Pallati i Brigadave” u ndërtua në këtë kohë bashkë me atë që njihet si “Tirana qytet kopësht” krijuar nga vila italiane.
Ndërhyrje drastike vazhduan edhe gjatë totalitarizmit me prishjen e Pazarit të Vjetër të arkitekturës osmane për të ndërtuar Pallatin e Kulturës, apo me ndërtimin e objekteve të banimit katër-pesë-katëshe përgjatë rrugëve kryesore për të krijuar muret urbane të një qyteti që mendohej të akomodonte njeriun e ri socialist. Si rezultat i këtyre ndërhyrjeve, sot në Tiranë hasim ende zona ku përgjatë rrugës kemi objekte banimi të periudhës socialiste dhe në brendësi gjenden shtëpitë e Tiranës së Vjetër.
Më pas, urbicidet e viteve të 2000-ta ishin ndërhyrje shkatërruese ndaj asaj që kishte mbetur nga Tirana e viteve të 1920-ta dhe jo vetëm. Këto objekte, në gjuhën e përditshme të njohura si pallate, legjitimuan një mënyrë zhvillimi në qytet me në qendër pronën private. Ato merrnin forma nga më të çuditshmet, si rezultat i formës të çrregullt të parcelës, formë që shpesh ishte pasqyrim i konflikteve familjare, fqinjësore apo edhe abuzimeve me të drejtën e pronësisë.
Lufta për pronën u kthye në gërryese të strukturës sociale në qytet, ku familjarja dhe komunitarja tashmë individualizohej e copëtohej në emra të përveçëm. Kjo ishte dhe goditja e parë e periudhës post-totalitariste mbi strukturën sociale të qytetit, e konsideruar si e pashmangshme në “tranzicionin drejt tregut të lirë”, por që në fakt tregon për pandjeshmëri në administrimin e qytetit.
Të ashtuquajturat studime urbanistike pjesore vazhduan t’i referoheshin planit të vitit 1989, i fundit i trashëguar nga periudha e vonë totalitare, për të dhënë leje ndërtimi. Ndërkohë, interpretimi dhe shkelja e tij bëhej lirshëm, pasi plani konsiderohej si i paaftë për t’iu përgjigjur epokës së re në të cilën kishte hyrë qyteti. Pallatizimi i Tiranës u përhap si model edhe në qytete të tjera të Shqipërisë, si dhe në zona të tëra bregdetare ku u derdhën sasi të frikshme betoni.
Në vitin 2013, nën vizionin “Rilindja”, mori pushtetin qendror Partia Socialiste (PS), e riformatuar nën drejtimin e Ramës, i cili tashmë nga të qenit kryetar i bashkisë u bë drejtues i qeverisë. Të ashtuquajturit socialistë, po ashtu u rikthyen në bashkinë e Tiranës në vitin 2015. Nën drejtimin e Erion Veliajt, para pesë vitesh u miratua “Tirana 2030”, plan i hartuar nga stararkitekti milanez Stefano Boeri dhe studio “UNLab” me bazë në Rotterdam, Holandë.
Afrimi i stararkitektëve të huaj është një tjetër taktikë për ta megjepsur një publik shqiptar të rritur me psikozën e inferioritetit karshi të huajit perëndimor që “i di gjërat më mirë”. Kjo taktikë e manifestuar si nevojë për ekspertë nga jashtë për të na e zgjidhur lëmshin që ne kemi bërë vetë këtu brenda, në fakt, po përdoret për të anashkaluar e intimiduar një debat të mirëfilltë lokal mbi zhvillimin e Tiranës.
Takimet që supozoheshin të ishin publike u bënë në formën e prezantimeve përpara grupeve profesionistësh të përzgjedhur dhe nuk morën asnjëherë formën e një diskutimi të hapur me qytetarët për të ardhmen e qytetit. Publiku u vendos përpara aktit të kryer dhe u sigurua që me miratimin e planit rregullues, të cilin e ka dëshiruar për shumë kohë, Tirana po bën një hap të madh. Vizioni i paraqitur nëpërmjet prezantimeve spektakolare në salla elitare u përkthye në plan teknik, ku shumica e zonave në qendër u përcaktuan si zona me intensitet të lartë ndërtimi, duke i hapur rrugë kompaktësimit të qendrës së qytetit dhe rrjedhimisht ndërtimeve të reja.
Kompaktësia urbane është një koncept i njohur në fushën e urbanistikës, që përdoret në rastet kur ka nevojë për ta zbutur ndikimin e urbanizimit në mjedis. Kompaktësia, në njërën anë supozohet të reduktojë distancat e transportit të banorëve në përditshmërinë e tyre për të arritur te shërbimet e nevojshme në qytet, por në anën tjetër kërkon një zgjidhje teknike tepër funksionale të qarkullimit të njerëzve e mallrave.
Thelbësore është që të evitohet bllokimi në trafik, efekt i pritshëm i dendësimit e kompaktësimit si pasojë e rritjes së numrit të banorëve në qytet. Gjithashtu, ky si koncept ka ardhur pasi shumë qytete perëndimore, sidomos amerikane, vuajnë atë që njihet si shpërhapje urbane –– urban sprawl –– ku ndikimi i urbanizmit në mjedis si dhe energjia për të lëvizur në varësi të makinës është shumë e madhe.
Tirana është një realitet tjetër, jo pak e dendur. Mjafton të ecësh në rrugët e Tiranës për të kuptuar prezencën jo të vogël të këmbësorëve, por edhe trafikun e vazhdueshëm të makinave –– gjendje që tregon për prezencë të lartë të përdoruesve të rrugës dhe dendësi jo të ulët urbane. Gjithashtu, plani qëllimisht refuzon të lexojë kontekstin e zonave që i përcakton me intensitet të lartë, si ato kanë ardhur në kohë e si janë shtresëzuar, duke injoruar edhe komunitetet që jetojnë aty.
Ky plan na paraqitet ironikisht si mbështetës i gjelbërimit në qytet nëpërmjet propozimit për një pyll orbital, i cili pretendon që do të funksionojë si kufi i qytetit, duke e bllokuar zgjerimin e tij.
Stefano Boeri, autor i planit, e ka krijuar profilin e tij me projektin e tij më të famshëm bosco verticale (shq. pylli vertikal), një koncept, i cili në thelb ka lartësimin në vertikalitet të objekteve të banimit dhe krijimin e një fasade që mundëson mbjelljen e pemëve e shkurreve. Qëllimi është krijimi i një modeli ndërtimor të një qyteti kompakt e me dendësi të lartë, por duke kompensuar lidhjen me “natyrën” që humbet në momentin e zhvillimit të ndërtimit në lartësi.
Megjithë retorikën e bukur, një arkitekturë e tillë në fakt tenton të bëjë një shpërlarje të gjelbër –– greenwash –– të ndërhyrjes betonizuese dhe të shpërbërjes sociale që po u bëhet komuniteteve në qytet. Kjo mënyrë jetese është e arritshme ekonomikisht vetëm për një numër të ulët njerëzish, pasi në momentin që futen teknologji të tilla të fasadës, rritet kostoja e ndërtimit. Për më shumë, individualizon edhe marrëdhënien me bimësinë, pasi në këtë rast supozohet që secili të ketë një copëz pylli të vetin në ballkon, në vend të një vendi rekreativ horizontal në qytet, ku njerëzit mund edhe të socializohen.
Pra, plani dhe ky model arkitekture propozon një transformim rrënjësor të qytetit duke u ngritur në lartësi e duke akomoduar kështu në shumicën e territorit pallatizimin tashmë pa frena, të qytetit. Nëpërmjet intensitetit të lartë të ndërtimit, plani i jep goditjen përfundimtare Tiranës organike siç e njohim, atyre pak lagjeve të vjetra me ndërtime të ulta, që u menduan se ishin në rrezik nga mungesa e një plani. Plani mendohej që do të zgjidhte çështjen e të ardhmes së qytetit të shtëpive me avlli e rrugica të ngushta, apo të atij qyteti kopësht me vila që intensivisht u shkatërruan këto dy vitet e fundit, për t’u zëvendësuar me pallate, pavarësisht nëse ishin të radhitura si monumente kulture.
“Tirana 2030” dhe planet mbështetëse të tij po i minojnë edhe komunitetet e mirë-formuara prej vitesh në periferi, si në rastin e lagjes së ish-Kombinatit Tekstil “Stalin”, një nga zonat me karakter e autonomi të spikatur. Në emër të rindërtimit pas tërmetit të nëntorit 2019, në Kombinat, banesa kolektive po shkatërrohen me pretekstin se janë dëmtuar nga tërmeti. Bashkë me to po shkërmoqen edhe komunitete qe kanë jetuar prej vitesh në këto banesa e të cilët nuk po përfshihen në vendimmarrje.
Planet pasuese të “Tirana 2030” po legjitimojnë ndërhyrje shkatërruese edhe në ato zona peri-urbane, që u ndërtuan pas viteve të 90-ta duke u mbështetur në solidaritetin komunitar e fisnor, si zonat “5 Maji”, “Paskuqani”, “Lapraka”. Këto ndërhyrje nuk po kursejnë asnjë formë ekzistuese urbaniteti në Tiranë, duke favorizuar vetëm një model zhvillimi të qytetit –– atë të pallatizimit, të të jetuarit në apartament dhe individualitet.
Pas tri dekadash pritjeje, Tiranës i erdhi plani, por i erdhi si një rast i humbur për t’ia njohur e vlerësuar karakterin e saj si qytet. Fatkeqësisht, ai i hapi rrugë transformimit të shpejtë që e kthen Tiranën në një qytet gjenerik me ambicie për të qenë metropol me domosdo, por pa parashikuar zgjidhje të qëndrueshme të problemeve që pritet të krijohen nga ky hop i një Tirane me fytyrë të re. Ishte ky presion i përfitimit të shpejtë, i babëzisë për të gllabëruar tokë në qendër të qytetit, që disa e shpjegojnë si nevojë për pastrim të parave, që po udhëheq transformimin e Tiranës sot e që i vuri shkelmin teatrit, një vendi që u desh shumë dhe që sot s’është më.
Tog-fjalëshi i zgjedhjeve të 25 prillit të vitit 2021, që i siguroi mandatin e tretë PS-së të rilindur vazhdon të përsëritet në çdo takim e publikim në media sociale të udhëheqësve, “nuk ka kohë për pushim” e që të bën të mendosh që ka një urgjencë që nuk kuptohet nga vjen.
Ngjashëm me taktikën pop-art të ngjyrosjes së fasadave, reklama me murale të kompanive të mëdha, si dhe me ekrane në fasada objektesh e kryqëzime rrugësh, Tirana po reflekton përditë e më shumë ideologjinë e kohës –– komercializmin. Shoqëri e spektaklit, por e një spektakli bajat, që mundohet të magjepsë me drita e muzikë popullore apo psikadelike nëpër sheshet qendrore, ndërkohë që betonieret vazhdojnë punën për krijimin e një Tirane të re që fshin çfarë t’i dalë përpara.
“S’ka kohë për pushim”
Rikthehem për ta jetuar edhe njëherë Tiranën pas disa vitesh jashtë Shqipërisë. Pothuajse përditë, tek dera e apartamentit ku po rri në zonën e njohur si “Selvia”, gjej fletushka me oferta tërheqëse për të dhënë me qira apo shitur apartamentin ku jetoj. Kjo zonë e ka marrë emrin nga një pemë selvie, e cila vazhdon të qëndrojë e drejtë e elegante, si dikur kur shërbente si pikë vertikale orientimi në qytet, më e larta në zonë. Megjithëse toponimi i ka rezistuar kohës, pema e selvisë ka humbur në xhunglën e betonit që e rrethon.
Fletushkat në derë, të vëna nga agjentët e tregut të pasurisë së paluajtshme nuk i kanë për synim njerëzit si unë që rrinë vetë me qira. Përpjekja bëhet për të tunduar ndonjë pronar tek kjo zonë ku akoma mund të ketë “tironsa” të vjetër, por edhe “tiranasë” të ardhur gjatë viteve të sundimit të Enver Hoxhës.
Bombardimi me fletushka të tilla fillon që në brendësi të ashensorëve me kabinë të kuqe flakë, që të jep një efekt energjizues gjatë udhëtimeve ndërkatëshe. Jo para shumë vitesh kur jetoja në Tiranë, lajmërimet ishin kryesisht me përmbajtje jap me qira, kurse sot vë re një përmbysje drejt kërkoj të marr me qira.
Në një ditë pranvere këtë vit, vendosa të marr shkallët që në katet e fundit, ku gratë e pallatit kanë vendosur lule të ndryshme, si kaktuse, kacavjerrëse, karafila e mëllaga. Gjej në derë një nga fletushkat në dukje e thjeshtë. Teksti konciz. Mesazhi nis me ‘KËRKOJ APARTAMENT, me QERA për të HUAJ’ e më pas vazhdon me ‘ose për BLERJE’ nga ‘KLIENTE SERIOZË’.
Fjalët kyçe janë të shënuara me germa të mëdha, të theksuara e nënvizuara. Mesazhi vazhdon duke e siguruar lexuesin për profesionalizmin, korrektësinë e shpejtësinë e shërbimit, duke iu referuar përvojës 11-vjeçare të agjencisë. Tutje sqarohet që biznesi është i licensuar, për të hedhur poshtë me shpejtësi çfarëdo lloj aludimi të vogël se mund të ketë ndonjë spekulim në aktivitetin e kësaj agjencie. Me germa të vogla në fund tregohet dhe ndjeshmëria ndaj mjedisit duke i kërkuar lexuesit përgjegjshmëri për mos ta hedhur fletushkën në ambiente publike.
Të bën përshtypje gjuha vetë-diskriminuese, shoqëruar me atë fetishizuese ndaj të huajit si burim parash, që me sa duket është edhe katalizator i rritjes së çmimeve të banesave duke i bërë ato vështirësisht të qasshme për shumë banorë vendorë.
Prezenca e reklamave të tilla është një reflektim në shkallë më të vogël i veprimtarisë së makinerisë së ndërtimit dhe hovit që tregu i pasurisë së paluajtshme ka marrë së fundmi në Tiranë. Është e pashmangshme të mos mendoj që në fakt edhe vetë, duke paguar qiranë e këtij apartamenti jam duke ushqyer këtë sistem.
Ky treg i pasurisë së paluajtshme, gjithnjë e më shumë po e kapitalizon nevojën për strehim si një mall në treg, duke e kthyer shtëpinë nga banesa në pronë, nga vend për të jetuar e për të ndarë momente me miq e familjarë, në një investim. Kështu strehimi komercializohet e komodifikohet duke u kthyer në një aktivitet me qëllim kryesor përfitimin.
Rilindja urbane, që konsiston në një seri projektesh, që u aplikuan në shumë vendbanime urbane në Shqipëri nga qeveria e Rilindjes socialiste, është cilësuar si ndërhyrje homogjenizuese në qendrat e shumë vendbanimeve në Shqipëri. Duket sikur ka qenë nxitësja më e madhe e makinerisë së komodifikimit të zonave në Tiranë.
Vetë kryetari i bashkisë me sytë që i shkëlqejnë sa herë del në media mburret me efektin e urbanizimit në Tiranë –– në zonat si “Pazari Ri”, “Bregu i Lumit” e deri dhe “Kopshti Zoologjik” –– pasi ka ndikuar drejtpërsëdrejti në rritjen e vlerës së pronës, rrjedhimisht edhe qirave e çmimeve të banesave.
Është e habitshme se si një kryebashkiak që i përket një partie që thirret si e majtë suksesin në qytet e matë me vlerën e pronës, pra në qendër të vëmendjes dhe politikave të tij mban investitorët e pronarët e jo interesin e banorëve të Tiranës.
Si pasojë e këtyre politikave, sipas raporteve të fundit, shumë investitorë kanë ndryshuar strategjinë e tyre të investimit në ndërtim. Tash, ata po i ndërtojnë apartamentet jo më për t’i shitur, por për t’i dhënë me qira. Me tendencën në rritje të qirave ata e shohin të leverdishme t’i mbajnë apartamentet në pronësinë e tyre si burim i shpejtë për vjelje parash.
Në Tiranë nuk ka rregullatorë të qirave, siç ndodh në shumë qytete metropole ku banorët mbrohen ndaj rritjes së menjëhershme të qirasë, duke bërë një zbutje të tendencës së tregut për të nxjerrë jashtë banorët ekonomikisht të cenueshëm. Tregu i qirave në Tiranë përveç që nuk është i kontrolluar në këtë aspekt, nuk është as treg i lirë siç mund të aludohet për të justifikuar atë që po ndodh. Ky treg nxitet qëllimisht nga politikat lokale që u shërbejnë më të fuqishmëve e jo banorëve të qytetit.
Ajo që po ndodh në Tiranë është një fenomen që njihet me emrin gentrifikim dhe është nga diskutimet më të nxehta mbi të drejtën për të jetuar e pasur qasje në qytet dhe në burimet e tij. Landed gentry njihej në Anglinë e shekullit të 18-të si një klasë sociale pronarësh që mund të jetonin vetëm duke vjelur qiratë e pronave të tyre.
Termi gentrifikim i atribuohet autores Ruth Glass. Ajo përdori këtë term për të shpjeguar procesin e transformimit social të lagjeve të klasës punëtore në Londrën e viteve të ’60-ta ku banorët që kishin jetuar aty historikisht që me lindjen e këtyre lagjeve, u detyruan të shpërnguleshin nga banorë të rinj të një klase të mesme, të cilët me vendosjen e tyre në zonë rrisnin çmimin e jetesës.
Në Amerikë, gentrifikimi ka dhe një komponentë të theksuar racore, ku ndarja racore i përgjigjet edhe një ndarjeje klasore. Gjatë industrializimit ndodhi ajo që njihet si white-flight, pra zhvendosja e banorëve të bardhë nëpër suburbia, për t’iu larguar ajrit të ndotur e zhurmave të qytetit industrial. Kështu, ata linin të ashtuquajturat downtown-e, apo qendrat e qyteteve, të populluara nga klasat e varfra që në masë ishin dhe njerëz me ngjyrë.
Me de-industrializimin, fëmijët e lindur në suburbia gjatë baby-boom –– një bum lindjesh në periudhën pas Luftës së Dytë Botërore deri në vitet e 60-ta –– e të edukuar në shkolla të mira, shfaqën një tërheqje të re ndaj qytetit, duke u zhvendosur në zona të konsideruara të degraduara dhe duke investuar aty në banesa e në biznese. Ky rikthim u akomodua nga projekte të rigjenerimit urban – urban renewal – përmes së cilave bëheshin ndërhyrje drastike në qytet duke fshirë lagje të tëra të varfra të njohura si slums. Kjo u perceptua edhe si një formë spastrimi racor i lagjeve të njerëzve me ngjyrë.
Popullimi i zonave të braktisuara ish-industriale nga artistë përdoret shpesh edhe si një mënyrë tjetër për të gentrifikuar një zonë të caktuar pasi e bën zonën më joshëse për investitorët.
Mënyra se si operohet është që zona të braktisura popullohen nga artistë –– e përkufizuar si klasa kreative nga studiuesi i urbanizmit, Richard Florida –– të cilët pranojnë të vendosen në zona ku kushtet e jetesës nuk jane ideale për nga infrastruktura apo komoditeti. Në të njëjtën kohë, këto zona u japin njëfarë lirie për të bërë jetesë të gërshetuar me eksperiementim artistik e njëfarë bohemie bashkëkohore.
Ndërkohë, aktiviteti kreativ shpesh përkthehet në biznese të vogla që tërheqin vëmendjen drejt atyre zonave. Suksesi i këtyre nismave bën që zona të marrë një tjetër karakter që bën që vlera e pronës të rritet e rrjedhimisht procesi i gentrifikimit të nisë. Shpesh, vetë artistët bëhen viktima të suksesit të tyre pasi janë të parët që detyrohen të lëvizin nga këto zona, në pamundësi për t’i përballuar çmimet e rritura.
Në shumë qytete perëndimore operohet në këtë formë, por edhe ka rezistencë ndaj saj. Berlini është shembull tipik për të shpjeguar ndikimin e artit alternativ në komodifikimin e qytetit, por edhe për një rezistence anti-gentrifikim të banorëve të qytetit që është shpeshtuar viteve të fundit. Ndërkohë që ky është një fenomen i njohur në shumë metropole në Evropë dhe Amerikë të Veriut, politikat e administratës lokale shtyrë dhe nga aktivizmi komunitar bëjnë një punë të vazhdueshme për të njohur kontributin e komuniteteve dhe vlerës kulturore që ato i shtojnë qytetit, por edhe duke negociuar të drejtën e tyre mbi qytetin për të zbutur ndikimin e zhvillimit të shpejtë.
Nga teknicienë urbanë, gentrifikimi mund të shihet edhe si një mundësi për të përmirësuar infrastrukturën e për të shtuar shërbimet, por nëse këto ndryshime bëhen pa përfshirë në proceset transformuese edhe banorët ekzistues në zonë, atëherë gentrifikimi mund të detyrojë njerëzit të zhvendosen për shkak të kostos së jetesës, duke çuar në atë që quhet periferizim i varfërisë dhe papërkatësisë ndaj vendit ku banori jeton. Kjo rezulton në izolimin, depresionin dhe nivele të larta stresi në popullsinë e zhvendosur.
Gentrifikimi shihet si një nga karakteristikat e qytetit neoliberal. Pas një anarkie dhe tranzicioni të gjatë tre-dekadësh drejt kapitalizmit, neoliberalizimi po konsolidohet si sistem edhe në Shqipëri. Në kuadër të kapitalizmit të egër shqiptar, Tirana po ballafaqohet me forma të ngjashme të gentrifikimit si në qendër ashtu dhe në periferi, të cilat po nxiten nga projektet rilindase dhe politikat e vetë bashkisë.
David Harvey, në librin “A Brief History of Neoliberalism” (shq. “Një Histori e Shkurtër e Neoliberalizmit”) vë në pah kontradiktat midis teorisë dhe praktikës së shtetit neoliberal të cilat i vemë re në Shqipëri ku politikat neoliberale kombinohet me autoritarizëm dhe korrupsion. Ideologjikisht, neoliberalizmi ka parim tregun e lirë, konkurencën dhe ndërhyrjen sa më të vogël të shtetit.
Neoliberalët kërkojnë me zell të madh privatizimin e pronës publike dhe shohin të drejtën e pronës private si të drejtë universale. Sipas Harvey, teoricienët neoliberal janë thelbësisht skeptikë ndaj demokracisë. Të udhëhequrit nëpërmjet shumicës shihet si problematike për të drejtat e individit dhe demokracia shihet si luks – e mundshme vetëm në rastet e prezencës së një klase të mesme të fortë për të garantuar stabilitet politik. Prandaj, neoliberalët preferojnë udhëheqje nga elita dhe nga “ekspertë”.
Preferenca shkon drejt udhëheqjes me urdhëra ekzekutivë – që në Shqipëri bëhet me Vendime të Këshillit të Ministrave apo dhe Ligje Speciale –– si dhe duke deleguar konfliktet në gjykata e që në Shqipëri funksionojnë të cunguara.
Harvey argumenton se në praktikë, neoliberalizmi krijon kushtet ideale për formimin e një klase shoqërore që fuqizohet ekonomikisht duke kërkuar jo vetëm çlirimin e vetes nga vartësia ndaj shtetit, por edhe duke riorientuar gjithë fuqinë e shtetit në favor të vet. Kështu neoliberalizmi krijon kushtet që të krijohet një klasë, që nuk është vërtetë e interesuar të reduktojë rolin e shtetit, por që ta kapë shtetin për ta bërë atë të punojë në shërbim të kësaj klase me pushtet ekonomik. Harvey argumenton preferencën e kapitalizmit neoliberal për urbanizimin si valvula shfryrëse për kapitalin, i cili gjithmonë ka nevojë të investohet diku, duke anashkaluar problematika serioze të segregimit social, individualizmit si dhe problemeve klimatike.
Edhe antropologia urbane Setha Low, për shembull, nxjerr në pah çështjen e thellimit të hendekut midis klasave ekonomike në qytetet, gjë që krijon edhe probleme të segregimit social. Ajo reflekton mbi gentrifikimin që bën largimin e shtresave ekonomikisht të cenueshme nga qyteti duke e bërë qytetin kështu privilegj të një shtrese kryesisht të mesme.
Siç po ndodh edhe në Tiranë, shtresat e pasura izolohen në ato që ajo i quan fragmente të fortifikuara të qytetit, që njihen ndryshe si komunitete të mbyllura – gated communities – të krijuara në përgjigje të frikave urbane që të pasurit kanë, që i bën të vetë-izolohen duke rritur nivelin e sigurisë por jo domosdoshmërisht nivelin e lumturisë. Niveli më i lartë i materializimit të këtij segregimi reflektohet me vendosjen e pengesave fizike për të ndarë këto komunitete me mure të pajisur me teknologji të sofistikuara të vëzhgimit.
Tendenca të një qyteti të segreguar po shohim edhe në Tiranë, por ato nuk i shqetësojnë politikëbërësit. Duket sikur Tirana po ushtron të drejtën për të bërë të njëjtat gabime që kanë bërë edhe të tjerët. Mjafton t’i ngjajë Evropës, edhe si një kopje e shtrembëruar e saj.
Kur buldozerët të vijnë në derë
Më 19 janar 2022 qëlloi të isha në Tiranë, kur qyteti shqyhej në një tjetër cep, afër lumit. Zona e njohur si “5 Maji” e ka marrë emrin nga rruga kryesore që të çon në atë zonë, e cila fillon nga kryqëzimi tek Medreseja e vazhdon deri tek lumi i Tiranës.
Gjatë gjithë gjatësisë së rrugës kalohet nëpër segmente me karakter të ndryshëm urbaniteti. Segmenti nga Medreseja në të teposhtë deri tek “Unaza” është rrugë dedikuar kryesisht tregtisë së mallrave të përdorur apo të lirë. Në Unazë, tregtia bëhet akoma më e zhurmshme dhe dinamike pasi aty ndodhet ai që njihet si “Tregu i Medresesë”. Përballë tij ka pallate të ulëta me tulla silikate, ku katet përdhe akomodojnë dyqane të vogla ku gjen gjëra nga më të ndryshmet.
Duke vazhduar në rrugën “5 Maji” në mbarim të tregut është një zonë në ndërtim e sipër, sigurisht me të njëjtën tipologji pallatifikimi shumëkatëshe me dyqane në katin e parë e zyra në të dytin, model ky që përsëritet në çdo cep të qytetit pavarësisht nevojës për to apo kontekstit ku vendosen. Në vazhdimësi të rrugës hasen disa objekte ish-magazina dhe më pas fillojnë të shfaqen shtëpi dy-tre katëshe tipike të ndërtuara nga vetë njerëzit me t’u zhvendosur në Tiranë gjatë lëvizjeve demografike që pasuan rënien e regjimit komunist.
Iu bashkova aktivistëve të grupit të formuar rishtas të quajtur “E drejta mbi Qytetin”, aktiviteti i të cilëve gërsheton disiplina të shkencave sociale, politike, ekonomike si dhe urbanistikës. Kisha qenë dhe herë tjetër në zonë me ta, në një nga takimet e përditshme që banorët e zonës zhvillonin për të diskutuar situatën e tyre.
Atë ditë ishte ndryshe. Kamionë të ngarkuar me divane, dollape me pasqyra, dyshekë, frigoriferë e televizorë qarkullonin nëpër rrugët e zonës së “5 Majit”, së bashku me ndonjë banor të trishtuar të hipur mbi to. Ndërkohë që kamionët kalonin në rrugën kryesore, buldozerët kafshonin copëza shtëpish. Policë përlesheshin me një grua me veshje mirditore, e cila kërkonte me insistim “teshat e vdekjes” që i kishin ngelur brenda në shtëpinë që po ia shembnin.
Ishte nanë Liza që nga ky moment e njohu gjithë Shqipëria. Ia kishin nxjerrë gjithë zorrët e shtëpisë përjashtë nanë Lizës e ajo turfullonte e shqetësuar duke mallkuar ata që ia kishin bërë këtë qamet që po i shihnin sytë. Kujtonte burrin që para se të ikte në botën tjetër i kishte lënë për bukuri, të qetë e në punë të veta, në shtëpinë që e kishin bërë të gjithë bashkë me mund e me djersë, me kontribut të gjithë pjesëtarëve të familjes, fëmijëve, grave, burrave, por edhe përtej, edhe komshinjve që janë gjetur afër njëri-tjetrin gjatë ndërtimit.
I thuhej nanës Lizë që kjo po bëhej në emër të progresit të qytetit, por ajo nuk mund ta besonte se progresi ishte fjalë e mirë, me kaq shumë dhunë brenda.
Nuk është e panjohur për shqiptarët në Shqipëri shprehja “me të ra plani”, që nënkupton fatin e keq që gjurma e një infrastrukture në qytet, kryesisht rrugë, të kalojë nga shtëpia jote. Kur të bie plani do i dorëzohesh fatit. Një gjë e ngjashme iu thuhej, “do strehoheshin të pa strehët e tërmetit, por jo vetëm, edhe apartamente për shitje”. Por si u komunikohej kjo banorëve?
Ata tregonin për mesazhe e kërcënime që i kishin paraprirë kësaj dite e për gjithë tensionin që kishin kaluar para se kjo të ndodhte. Letër marrëveshjeje premtimi iu ishte dhënë në dorë për ta nënshkruar, por jo kur e ku do merrnin apartamentin, as sa të madh, as nga do e shihnin diellin, në cilin kat, që të paktën të mund ta imagjinonin jetën e re që po u imponohej e të ngushëlloheshin disi.
Nuk e dinte nanë Liza ku do e merrnin shtëpinë komshinjtë e saj të mirë, me të cilët prej vitesh kishin ndarë gëzime e halle, Nuk kishte pranuar të nënshkruante asgjë, e sot i ishin futur në shtëpi dhjetra policë dhe e kishin nxjerrë duke e ngritur në ajër për krahësh. Buldozeri e kishte shqyer murin ku dukej kuzhina në kat të tretë. Nuk kishte shumë kohë që më në fund e kishin bërë kuzhinën pas shumë vitesh gatimi në një furnellë të sajuar nga halli. Kur buldozeri i binte shkallës së betonit, gjithë dheu tundej.
Po e shihja këtë skenë afër një mikeshës time gazetare që e kam njohur në aksionet e Kolektivit Feminist. Afër nesh ishte Mara, një grua që rrinte e shihte e heshtur gjithë skenën, por dukej që nga brenda ziente. “Na e kanë vënë kryqin”, më tha. “Do na prishin edhe shtëpinë tonë. Kemi kursimet e gjithë jetës, kemi rritur fëmijët aty në atë shtëpi. Sot rrimë në një dhomë poshtë, po i kemi hequr vetë gjithë dritaret e dyert që të shpëtojmë çfarë të mundemi”. E pyetur nëse donte të fliste para mikrofonit ajo tha që donte shumë të tregonte si e kishin ndërtuar atë shtëpi me aq shumë halle, por i shoqi nuk e kishte me qejf që ajo të fliste me gazetarët, arsyeja përse këtu nuk përdoret emri i saj i vërtetë.
E kuptoja presionin e vazhdueshëm për ta heshtur si grua, të mbytjes së një shpërthimi të natyrshëm, të nervit, ngritjes së zërit, nxjerrjes së dufit, atë që tradita e lexon si sfidim të maskulinitetit, atë që psikanaliza frojdiane e kategorizon si histeri femërore. Një aleancë e frikshme për ta ndrydhur atë. E projektuar kulturalisht që kur lind si krijesë shtëpiake, të cilës trupi dhe mendimet i censurohen, çdo dalje përtej kornizës së sjelljes së gruas së butë shihet si anomali.
Kur e pyeta Marën se çfarë ishte shtëpia për të, ajo m’u përgjigj se ishte “gjithçka”. I kujtoheshin fjalët e gjyshes kur po e përcillte nuse: “Shtëpia është e gruas, tregon sa e mirë e punëtore je. Eh, sa vrima ka muri, aq halle ka burri. Nuk është e lehtë, duhet të mbyllësh gojën e t’i bësh vend vetes moj bijë”!
E kishte larë e fërkuar fort atë dysheme. Ajo tregonte si i kishte të freskëta në mendje motivet floreale e më rombe të tapetave e rrugicave që aq shumë rëndonin të shkretat kur i shkundte me gjithë forcën e i varte të ajroseshin në parvazin e verandës. Nuk ishte lodhur duke u kërkuar fëmijëve të hiqnin këpucët kur mbërrinin te dera e futeshin ashtu turra vrap. “Vajzat më ndryshe, ato i heqin këpucët, se ato janë vajza. Djemtë janë harrakate, s’ke ç’u bën, janë djem”, i qante të njëjtin hall komshia tek shtëpia përballë.
Letrat, pronësia, legalizimi, të gjitha – diskutime burrash. Nuk ishte marrë me atë punë ndonjëherë, nuk kishte kohë. Duhet të sigurohej që dyshemeja të ishte e larë, tapetat të ishin të shkundur, batanijet të ishin të shtruara, ushqimi të ishte në tavolinë. Sa shumë ishin gëzuar të gjithë për certifikatën e legalizimit të pronësisë që e kishin marrë më në fund pas gati njëzet vitesh pritje në prag të zgjedhjeve të fundit. Nuk e kishin kuptuar asnjëherë se si disa nga komshitë e kishin marrë më shpejt e disa nuk e morrën dot kurrë deri sot që buldozerët ju kishin ardhur në derë.
Emri i saj nuk është në atë certifikatë, por unë jam mrekulluar kur e pashë aty në front të parë në datën e prishjes së shtëpisë së saj më 22 prill, të kapur krah për krah me shoqet e saj, plot kurajo dhe e vendosur për t’i bërë ballë represionit policor. “Se shtëpia është e gruas”, i kishte thënë gjyshja, “për ta larë e për shplarë”. Por atë ditë ajo, bashkë me shoqet e motrat e saj, ishte aty për ta mbrojtur nga buldozerët.
I kujt është progresi?
Planet më të vogla pasuese të “Tirana 2030” të quajtura PDV – Plane të Detyruara Vendore, ndryshe masterplane – ndërhyjnë drastikisht në realitetin urban të këtyre zonave duke fshirë komunitetet ekzistuese. Aplikimi i planeve në zonën e “5 Majit” dhe në Kombinat po bëhet shpejt dhe dhunshëm duke shfrytëzuar edhe urgjencën e strehimit të banorëve të ngelur të pastrehë nga termeti. Me moton Churchilliane “asnjëherë mos e lër një krizë të të shkojë dëm” udhëheqja po e shfrytëzon rindërtimin nga tërmeti si mundësi për të ndërhyrë shpejt, duke kapërcyer gjithë hallkat që parashikon një procedurë e ligjshme e e logjikshme, përfshirë këtu edhe diskutimin publik.
Zhvillimi i këtyre planeve u është besuar përsëri dy stararkitektëve italianë të afërt me Ramën. Stefano Boeri, përpilues i planit të përgjithshëm “Tirana 2030”, e ka dizajnuar edhe masterplanin për zonën e “5 Majit”. Këtë zonë ai e riemëron nga zona e Bregut të Lumit, siç njihet gjerësisht, në “Tirana Riverside”.
Në vazhdimësi të retorikës së tij greenwash, Boeri shton në këtë masterplan edhe një tjetër element propagandistik me rastin e pandemisë dhe “5 Majin” e pagëzon si lagjen e parë antikovid në Tiranë. Imazhet 3D dhe shpjegimet e reklamuara nëpër media tregojnë për një zonë me blloqe banimi mixed use, pra me funsione të përziera, me fasada të gjelbëruara ku shihen disa dronë që fluturojnë. Këto pajisje fluturuese paralajmërojnë të ardhmet teknologjike të zonës. Përdorimi i dronëve bëhet për të dërguar porositë e blerjeve në tarracat e objekteve dhe shpjegohet me nevojën për të ulur kontaktin fizik në kohë pandemie. Një tendencë për t’ia larguar publikut vëmendjen nga realiteti, përmes magjepsjes e krijimit të përshtypjes së përparimit përmes arkitekturës që i paraprin së ardhmes.
Po ashtu, edhe zonën e Ish Kombinatit Tekstil “Stalin”, në emër të rindërtimit pas tërmetit, studio italiane Archea Associati me në krye stararkitektin Marco Casamonti e riemëron nga “Kombinat” në “Kombin-Art”. Zona e Kombinatit është e konceptuar që në gjenezën e saj nga dy nënzona me dy funksione kryesore të ndara nga njera tjetra. Këto dy nënzona janë ajo rezidenciale (lagjja e banimit me shërbimet e saj) dhe ajo industriale (ku ndodhen fabrikat dhe dikur prodhohej tekstili). Edhe “Kombin-Art” u miratua gjatë pandemisë dhe iu prezantua publikut online si fakt i kryer.
Masterplani parasheh prishje masive dhe rindërtim të pothuajse gjithë lagjes. Prishjet kanë filluar. Një grup banorësh në zonën residenciale janë organizuar duke çuar çështjet në gjykatë dhe duke fituar disa prej këtyre çështjeve të hapura.
Ndërkohë, prishje masive po bëhen edhe në objektet ish-industriale, ku prej gati tri dekadash janë vendosur qindra familje të ardhura kryesisht nga veriu i Shqipërisë. Ata janë konsideruar gjithë këto vite si zaptues. Banorët tregojnë se si fillimisht strukturat gjigande u shërbyen si strehë për të futur kokën, po iu desh shumë kohë të bëheshin të banueshme.
Ashtu me përpjekje kanë përmirësuar kushtet e jetesës duke investuar pak nga pak në varësi të mundësive, por dhe duke ndihmuar njëri-tjetrin. Këtu banorët kanë qenë të detyruar të ndajnë më shumë problematika me fqinjin ngjitur e vetë të zgjidhin probleme të infrastrukturës së objektit, shkarkime ujërash, ventilim, hapje dritaresh, ndarje oborresh. Kështu, praktika e të ndërtuarit e të transformuarit të objekteve ka shërbyer si përvojë për të krijuar e konsoliduar komunite.
Sipas planit të ri të studios arkitekturore Archea Associati, të gjitha këto struktura arkitekturore së bashku me strukturën sociale që kanë ushqyer do të fshihen për t’i lënë vend ndërtimit të pallateve të reja. Prishjet po bëhen me faza dhe banorët jetojnë me pasigurinë se kur do i vijë radha banesës ku jetojnë. Disa banorë, madje marrin buldozerë vetë për të prishur pjesën e tyre në mënyrë që të shpëtojnë çfarë të munden nga shtëpia e tyre, përfshirë materialet e ndërtimit, sidomos hekurin. Këtu nuk ka rezistencë kundër prishjeve, por banorët mbajnë shpresë në premtimet e bashkisë për t’u dhënë apartamente.
Këto dhe gjithë zonat e periferisë veriore të Tiranës, si dhe territori i bashkisë Kamëz, janë ndërtuar nga vetë njerëzit dhe njihen gjerësisht si zona informale. Termi informale është përcaktuar fillimisht nga Organizata Ndërkombëtare e Punës, një agjenci e Kombeve të Bashkuara që avokon për drejtësi në sektorin e punës. Ky term është huazuar më pas edhe në fushën e arkitekturës dhe planifikimit urban, një huazim që po sfidohet së fundmi në këto disiplina, ndërkohë që e gjejmë akoma gjerësisht të përdorur në diskursin politik e akademik në Shqipëri.
In-formal si term përcakton duke mohuar. Nuk niset të tregojë atë që është, por atë që nuk është, pra të mos pasurit e një forme. Përcaktimi si informal bazohet në besimin që vende të tilla të vetë-ndërtuara janë materializim i një forme të qytet-formimit, jashtë kodit të leximit e njohjes së disiplinës akademike e profesionale të arkitektures.
Paralelisht, këto zona janë mbajtur jashtë njohjes nga kodi institucional e si pasojë edhe vetë njerëzit që i kanë krijuar e populluar ato përcaktohen si të ardhurit, të tjerët, të ndryshmit. Koncepti i “tjetrit” i referohet qoftë marrëdhënieve ndërpersonale me të ndryshmin nga vetja, por edhe një lloj hegjomonie kulturore, që përjashton grupime të veçanta shoqërore nga institucionet socio-ekonomike duke i vendosur në pozicion të nënrenditur. Pushteti politik i konsideron këta njerëz si gjysmë legjitim.
Kamza është një nga bashkitë më të mëdha të Shqipërisë. Me shpërnguljet masive të popullsisë drejt Ultësirës Perëndimore pas viteve të 90-ta Kamza u transformua nga një zonë agrare dhe minerare, në një zonë rezidenciale. Ndërtimi i Kamzës si qytet ka ndodhur nga poshtë, pra nga vetë banorët e saj, si fillim në mungesë të prezencës së shtetit dhe duke u bazuar në burime familjare, fisnore e komunitare.
Kamza sot është nga qytetet me një laramani formash jetese, të cilat banorët e ardhur i kanë sjellë, por dhe i kanë ndërthurur gjatë bashkëjetesës midis tyre. Ndikim thelbësor, si në gjithë Shqipërinë, ka pasur edhe përvoja në emigracion, e cila në Kamëz lexohet edhe në kulturën ndërtimore të ndërthurur.
Gjuha e përdorur në publik për t’iu referuar banorëve të këtyre zonave i korrespondon një stigme të përgjithshme shoqërore për banorët me origjinë nga zona malore veriore, të etiketuar me termin përçmues malokë. Terma të përdorur nga vetë kryebashkiaku si “shpellarë”, përdorur për banorët e zonës së Astirit, një tjetër rast rezistence, “zaptues” apo “njerëz që jetojnë në gropa septike” duke iu referuar banorëve të “5 Majit” janë demostrim i një përbuzjeje të tjetrit që pushteti as nuk merr mundimin t’i afrohet.
Përkundrazi, me këtë gjuhë tregohet përçmimi për një tjetër mënyrë jetese që lexohet dhe gjykohet si e huaj, nënçmim për gjithë përpjekjet materiale të këtyre njerëzve për të ndërtuar një jete ashtu të pa ndihmuar nga shteti, por duke u mbështetur në atë që është komunitare e fisnore.
Kjo sferë komunitare që qëndron si sferë e tretë përtej binomit publik-privat ka qenë esenciale për gjithë fazat formuese të këtyre zonave. Ajo nuk është imune ndaj fenomeneve që prekin gjithë shoqërine shqiptare si emigrimi dhe individualizmi, të cilët e gërryejnë përditë. Gjuha përbuzëse dhe futja e dhunshme e pushtetit është fatale për marrëdhëniet e këtyre komuniteteve. Përveç kësaj kjo sjellje e ky pushtet ndikon në përçarje dhe polarizim shoqëror.
Është një riprodhim i stigmës që dukej si e zbutur në vitet e fundit, por që na rikthehet në artikulimin publik për arsye populiste, për të ngjallur mbështetje nga një kategori sociale, ajo e banorëve të Tiranës të ardhur më herët në qytet gjatë viteve të diktaturës enveriste, që rrjedhimisht kanë pasur më shpejt qasje në administratë e në burimet e kryeqytetit në përgjithësi.
Këtë polarizim të nxitur nga lart e pamë të reflektuar në kontrastin se si figura e nënës Lizë u lexua në publik, ku disa njerëz e përkrahën dhe u solidarizuan me të, e disa e përbuzën figurën e saj. Duket sikur drejtuesit e Tiranës dhe Shqipërisë së ditëve të sotme kërkojnë të rezonojnë me qytetarin që do të simbolizojë progresin, që në emër të të qenit evropian, mohon kulturën popullore. Duket sikur Tirana po ndërtohet pikërisht për këtë kategori shoqërore, duke dëbuar tjetrin që pikturohet si primitivi dhe penguesi i progresit.
Zonat e vetë-ndërtuara kanë një shtrirje të tillë në territor që nuk mund të injorohet më. Në gjenezën e tyre janë formëzuar jashtë logjikës së shtetit dhe tregut. Futja e shtetit duke përdorur instrumentat e disiplinës së arkitekturës bie natyrshëm ndesh me karakterin autonom të këtyre zonave. Arkitektura, në evolucionin e saj deri më sot, njihet si një disiplinë eurocentriste, higjenizuese dhe është në fazat e para të vënies në dyshim të metodave të saj dominuese në territor, pavarësisht që shqetësimin për karakterin determinist të saj e kanë ngritur shumë autorë nga brenda dhe jashtë disiplinës duke reflektuar efektet e modernizmit.
Lind nevoja që arkitektura të bashkëpunojë me disiplina të tjera si antropologjia, sociologjia, gjeografia urbane për të kuptuar kulturën e vendit ku ndërhyn. Nëse, siç po e shohim, modeli i pallatizimit është e vetmja formë zhvillimi që riterritorializon vrullshëm Tiranën, atëherë e kemi humbur shansin për një qytet divers.
Sociologia amerikane Sharon Zukin vë në pah tendencën e shkollës bashkëkohore të dizajnit urban dhe arkitekturës për të projektuar kryesisht për klasën e mesme të lartë, atë që shërben si nxitëse e gentrifikimit, që është në gjendje të paguajë në treg për banesën. Kritika që ajo bën ndaj këtij fenomeni është që arkitektura përqendrohet vetëm tek një mënyrë jetese duke prodhuar një lloj dizajni universal e homogjenizues, duke rezultuar në një sterilizim të formave të tjera të krijimit të hapësirave.
Në këtë kuptim, një udhëheqje që pretendon të jetë e majtë do duhej të ishte, në mos krenare, të paktën më empatike për karakterin popullor e komunitar të zonave të krijuara nga vetë njerëzit në komunitet, duke i vlerësuar për atë që janë, e jo duke i asgjësuar dhunshëm, aq më pak duke riprodhuar e përforcuar stigmën që ekziston ndaj tyre. Shteti i pas viteve të ‘90-ta, në fillim anarkik e më pas i korruptuar, sot shfaqet si armiku që u kërcënon banorëve ekzistencën, që i sulmon e i zvogëlon në kapacitetet e tyre.
Për një fëmijë që sheh prindin të pashpresë nën dhunë shtetërore është një dramë shumë e fortë për t’u procesuar. Ai ka mësuar tashmë që shteti dhe polici janë armiku. Është rritur duke parë se si streha merrte formë vit pas viti, si të gjithë familjarët përfshirë vetë ai, ishin të angazhuar në një formë a në një tjetër për ta lartësuar shtëpinë, për ta mirëmbajtur, me shpresën edhe për ta legalizuar.
Kurajo e krenari lexohet në gjithë qenien e nanës Lizë në ditët e saj më të vështira kur e nxorrën nën qiell të hapur. Rezistencë e guxim tek gratë e “5 Maji” të lidhura krah për krah përballë policisë e buldozerëve. Mijëra zemra ngriti peshë e i bëri bashkë rezistenca për mbrojtjen e teatrit. Kjo është Tirana që i reziston dhunës e kulturës së dominimit, por jo progresit. Ky i fundit nuk mund të vijë kështu.
Progresi vjen së pari nga politika të pranimit e kuptimit të tjetrit, nga ndërtimi i një kulture komunikimi, empatie e fryme negocimi.
Por ata nxitojnë. Nuk kanë kohë për të humbur.
Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0.
Ky artikull është prodhuar me mbështetjen financiare të “Trusti Ballkanik për Demokracinë“, projekt i Fondit Gjerman Marshall të Shteteve të Bashkuara dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë. Opinionet e shprehura në këtë artikull nuk paraqesin domosdoshmërisht ato të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë,Trustit Ballkanik për Demokraci, Fondit Gjerman Marshall të Shteteve të Bashkuara, apo partnerëve.
Pse kjo klauzolë?