Pikëpamje | Dialogu

Vučić vjen në Kosovë

Nga - 10.09.2018

Vizita e presidentit serb tregon aftësi për fushatë por asgjë për dialogun.

Edhe pas vizitës së Presidentit serb Aleksandar Vučić në Kosovë, qytetarët nuk kanë përgjigje të qartë për atë se çfarë kuptimi ka caktimi i kufirit në bisedimet ndërmjet presidentëve të dy shteteve përkatëse.

Disa do ta kujtojnë vizitën e tij për atmosferën që e krijoi në Mitrovicë, për flamujt serbë dhe projektet infrastrukturore. Të tjerët do ta kujtojnë se e përmendi Miloševićin, apo për incidentet në Skenderaj ku protestuesit e bllokuan rrugën duke e parandaluar vizitën e presidentit serb, apo për mesazhet pajtuese që i dha në fjalimin e tij. Disa thjeshtë do ta kujtojnë urinë që e përjetuan kur dyqanet dhe restoranet u mbyllën gjatë fjalimit të Vučić.

Një gjë është e sigurt, po të punonin çdo ditë administrata lokale dhe ndërmarrjet publike në veri të Kosovës ashtu siç punuan në ditët para vizitës së Vučić, Mitrovica e Veriut, Zveçani, Leposaviçi dhe Zubin Potoku me gjasë do të dukeshin si komunat më të rregulluara në Kosovë. Natyrisht, nuk është ashtu.

Në përgatitjet për mirëpritjen e Vučićit u zbatuan disa kërkesa urgjente që nuk ishin adresuar me vite, përfshirë këtu përfundimin e rrugës së asfaltit që lidh Zveçanin me Mitrovicën. Ata që e kanë kaluar këtë rrugë më parë e kujtojnë për gropat që i kishte, si dhe për xhungën e madhe që ishte formuar si rrjedhojë e rrëshqitjes së dheut që ishte mbledhur në pjesën e poshtme të rrugës në hyrje të Mitrovicës së Veriut.

Punëtorët punuan me ditë të tëra për ta pastruar këtë rrugë. Ata dëgjoheshin duke folur shqip dhe tabelat e makinerive të ndërtimit dhe kamionëve ishin të Kosovës. Deri sa po rregullohej rruga kryesore, qytetarët u detyruan ta përdorin një rrugë malore të ngushtë dhe plot gropa për të shkuar në Mitrovicë ose për t’u kthyer prej saj. Kjo rrugë nuk është rregulluar. Kualiteti i punës në rrugën kryesore do të shihet në ditët dhe muajt e ardhshëm.

Dallohej gjithashtu se ishin zëvendësuar flamujt serbë që valëviteshin çdokund në veri të Kosovës. Në vend të vjetërve, të cilëve u kishte dalur ngjyra nga tymi, ishin vendosur flamuj të ri në rrugën Jarinjë-Mitrovicë e Veriut, si dhe në vendet që i vizitoi Vučić. Më të dalluar ishin dy flamuj të mëdhenj në Zubin Potok: njëri në një gur jo shumë larg pendës së liqenit të Gazivodës dhe një tjetër në pendë.

Disa qytetarë thanë se atmosfera para vizitës ua kujtoi filmin “Gori vatra” (Zjarri po Digjet). Filmi flet për Bosnjen e pasluftës, gjegjësisht paraqet një vendbanim të vogël që përgatitet për ta pritur presidentin e atëhershëm të SHBA-së, Bill Clinton. Të gjithë angazhohen për ta organizuar një ceremoni të mirëpritjes për presidentin, ndërsa një këngëtare lokale këndon: “Ai do të sjellë bashkëjetesë dhe demokraci në oborrin tonë! Po vjen agimi Tešanj! Mirësevjen, presidenti jonë i nderuar! Dielli po shndrit mbi Tešanj! Po e pres me ngazëllim vizitën tënde!”.

Foto nga Ivan Mitic.

Disa të tjerë e krahasuan me një film tjetër, “Three Tickets for Hollywood”, në të cilin paraqiten përgatitjet euforike për ceremoninë e mirëpritjes së Presidentit jugosllav Josip Broz Tito. Karakteri kryesor i këtij filmi satirik është Gavrilo Milentijević, i cili e drejton organizimin e përgatitjeve dhe e burgos vëllaun e tij si armik të shtetit për të mos e prishur ceremoninë ideale të pritjes së presidentit.

E përbashkëta e dy filmave është se presidentët nuk vijnë fare dhe përgatitjet shkojnë së koti. Filmi i Kosovës Veriore e ka fundin ndryshe, sepse Vučić erdhi.

Por gjasat për të munguar ishin të mëdha deri në momentet e fundit. Një ditë para se të vinte Vučić në Kosovë u planifikua një rund i ri i dialogut ndërmjet presidentëve të Serbisë dhe Kosovës përkrah përfaqësuesve nga BE. Megjithatë, takimi trilateral nuk u mbajt. Në vend të kësaj, Thaçi dhe Vučić mbajtën takime veç e veç me përfaqësuesen e lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Federica Mogherini.

Publiku ende nuk e ka të qartë se si eskaluan tensionet që shkaktuan anulimin e takimit ndërmjet presidentëve. Disa po thonë se deklaratat e Kadri Veselit, Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, mund të kenë qenë shkaktarë të kësaj, pasi Veseli tha se miratimi i vizitës së Vučić mund të shfuqizohet. Megjithatë, e dimë se në të kaluarën politikanët nga të dy anët kanë dhënë plot deklarata nxitëse që nuk kanë ndikuar tek takimet në Bruksel.

Pa marrë parasysh, mediat në Beograd që janë të afërta me strukturat udhëheqëse, deklaruan se vizita e Vučić në Kosovë ishte në dyshim për shkak të mesazheve që vinin nga Prishtina. Përderisa qytetarët mendonin se a do të vinte apo jo Vučići dhe se çfarë donte të realizonte me vizitën apo anulimin e saj, përgatitjet për ceremoninë e pritjes vazhduan.

Në mbrëmjën e vizitës, kur erdhi më në fund konfirmimi në ora 1:30 pas mesnatës, punëtorët e ndërmarrjes së shërbimit të sanitarisë e shpërlanë podiumin në Sheshin Car Lazar në Mitrovicë dhe u përgatit skena në të cilën do ta mbante Vučić fjalimin.

Foto nga Ivan Mitic.

Dita e parë e vizitës së Vučić kishte elemente të ngjashme me takimin me qytetarë në Laplje Selo në janar të këtij viti, por këtë herë ngjarja u organizua në mënyrë më të sofistikuar. Kur presidenti e vizitoi një shtëpi rurale jo shumë larg Leshakut, ai premtoi vende të reja pune, investime në Trepçë dhe Gazivodë, si dhe hapjen e një forumi të biznesit në Leposaviç.

Përgjatë rrugës kishte njerëz të ndryshëm: fëmijë, gra, të moshuar, të rinj, të arsimuar, të paarsimuar, fermerë, drejtorë, punëtorë, biznesmenë. Vučić po bënte atë që i pëlqen më së shumti: po e përfaqësonte veten si supermen që i zgjidhë të gjitha problemet. Në fakt, gjatë vizitës ai bëri atë që pëlqen më së shumti: marketing dhe fushatë.

Atij iu kujtua Fikreti, miku i tij nga ushtria, të cilin e takoi në Mitrovicë dhe siç raportuan mediat, ai foli në mënyrë joformale për kujtimet e tij nga ushtria. Ndonëse Fikreti është goran, dhe jo shqiptar, synimi i marketingut për këtë ballafaqim është i qartë: ta përfaqësojë vetën si pacifist dhe si person që bashkëpunon dhe kërkon pajtim.

Foto nga Ivan Mitic.

Fjalimi që dha para qytetarëve në Mitrovicën e Veriut të dielën (9 shtator) u përshkrua nga Vučić si fjalimi më i rëndësishëm i jetës së tij, por disa komentatorë e denoncuan duke e etiketuar si fjalimi i Gazimestanit – duke aluduar tek fjalimi që e mbajti Milošević në Gazimestan në vitin 1989.

Në fund, disa e definuan fjalimin e djeshëm si ‘anti-Gazimestan’, duke thënë se ishte një fjalim i zakonshëm dhe asgjë e re. Ndërsa disa të tjerë e kritikuan mënyrën se si ai iu referua Slobodan Miloševićit.

Pavarësisht kësaj, Vučić e arriti synimin e tij. Fjalimi i tij ishte temë qendrore për dy ditë në mediat serbe, shqiptare dhe disa ndërkombëtare. Për dy ditë të plota ai ishte i pranishëm, por mbetet të shihet se sa do të ketë sukses. Por mund të vijmë te ky përfundim: ai ia adresoi këtë fjalim të gjithëve; serbëve, shqiptarëve, komunitetit ndërkombëtar, por edhe shtresave të ndryshme të shoqërisë serbe, prej radikalëve e deri te liberalët.

“Do të filloj nga pjesa më e vështirë”, e nisi ai fjalimin. “Prej gjithçka në të cilën kemi besuar, gjithçka për të cilën kemi ëndërruar, prej iluzioneve të mëdha që i kishim për njëri tjetrin, iluzionet që ishim superior, të shumtë e gati të përjetshëm. Setë tjerët janë më të dobët, më budallenj, më të paaftë se ne.

“Ky ishte një prej fjalimeve më pajtues që kanë dhënë ndonjëherë politikanët serbë. Nuk e di pse kishte nevojë ta përmendte Slobodan Miloševićin. Tani të gjithë do të teken për këtë”. - Një banor i Mitrovicës së Veriut

Një banor i Mitrovicës së Veriut

Pas kësaj hyrje, Slobodan Milošević u përmend në mënyrë të diskutueshme, e tani kjo është temë e diskutimeve publike. “Ky ishte një prej fjalimeve më pajtues që kanë dhënë ndonjëherë politikanët serbë. Nuk e di pse kishte nevojë ta përmendte Slobodan Miloševićin. Tani të gjithë do të teken për këtë”, tha një banor 30 vjeçar i Mitrovicës së Veriut i cili foli me K2.0 në bazë të anonimitetit. “Në fakt ai e kritikoi Milošević-in, por problemi është se publiku nuk do ta kuptojë në këtë mënyrë”.

Në fjalimin e tij, ai iu referua paraqitjes së Milošević-it në Gazimestan në vitin 1989, turmave të mëdha të njerëzve që morrën pjesë në atë ceremoni dhe këngëve nacionaliste që u kënduan aty, para se t’i adresonte luftërat e viteve të 90-a. Vučić deklaroi se këto luftëra “nuk u shkaktuan prej neve, por nuk u shkaktuan në mënyrë eksplicite as nga faji i të tjerëve”, para se t’i citonte betejat në Knin, Sarajevë dhe Fushë Kosovë, zona ku serbët nuk jetojnë më, ose janë shumë të pakët në numër.

Përderisa disa e panë këtë si flirtim të drejtpërdrejtë dhe skandaloz me mbështetësit e Milošević-it, Vučić me sa dukej nuk po mundohej ta rriste tensionimin, siç ka bërë në disa prej fjalimeve të mëparshme të tij. “Punë e imja nuk janë mitet, as ëndërrat, as fantazmat, as vizionet e çmendura të Kosovës pa shqiptarë, as të Kosovës pa serbë”, i tha ai publikut.

“Nuk e di pse jemi këtu. Nuk tha asgjë speciale apo të re”, tha për K2.0 një komentues tjetër anonim. Mendimet e tilla ishin të bazuara në pritjen se Vučić do të thoshte diçka konkrete dhe të re për çështjen e caktimit të kufijve, që është diskutuar shumë në kontekstin e negociatave të Brukselit.

Foto nga Ivan Mitic.

Ndonëse nuk kishte mesazhe të qarta për atë se si duket platforma e negociatave, për të cilën Vučić tha se nuk ekziston, vërehej se për çfarë zgjidhje avokonte presidenti i Serbisë.

“Kur u thonë se dua ta ndryshoj kufirin, gënjejnë, sepse kufijtë sot… Ku janë? Ne mendojmë diçka, shqiptarët, që janë më të shumtë në numër dhe më të fuqishëm në Kosovë, mendojnë ndryshe. Një pjesë e botës mendon diçka, tjetra diçka tjetër. Në fakt, dua të ndryshoj të drejtat e juaja”, i tha ai publikut, duke përsëritur një argument që u përdor në një fjalim që e mbajti së fundmi në Alpbach, kur Vučić avokonte për caktim të kufijve, përkrah presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit.

“Nuk ka kufij mitik këtu”, vazhdoi ai. “I dua ato brenda së cilëve jetojnë njerëz me të gjitha të drejtat, të drejtat që u përkasin. I dua ato që nuk e poshtërojnë askënd dhe veçanërisht jo Serbinë. Ne duam kompromis, nuk duam të diktojmë. Duam t’i dëgjojmë mendimet e të gjithëve, por duam gjithashtu të na dëgjohet zëri. Në fund, mbi të gjitha, dua që ju të vazhdoni të jetoni këtu dhe kjo të bëhet e juaja”.

Qytetarët nuk morrën përgjigje të qartë për këtë temë as nga Thaçi, pavarësisht takimit të fundit me mediat dhe shoqërinë civile. Sa i përket zgjidhjes përfundimtare apo përmbajtjes së marrëveshjes gjithëpërfshirëse në procesin e negociatave, publiku ende nuk ka përgjigje për atë se çfarë do të thotë caktimi i kufijve apo ‘ndryshimi i kufijve’.

Dy presidentët kanë arritur ta vendosin këtë çështje në agjendë dhe të marrin mbështetje nga një pjesë e madhe e komunitetit ndërkombëtar, por kuptimi i caktimit të kufijve mbetet pyetje e hapur. Në publik, Vučić dhe Thaçi po demonstrojnë interpretime të ndryshme për të njëjtën çështje. Apo ndoshta e gjithë biseda për këtë është thjeshtë marketing për një zgjidhje tjetër të cilën ende nuk mund ta parashikojmë.

Foto kryesore: Ivan Mitic.