Biseda | Art

Vullnet Sanaja: Temë e zgjodhëm izolimin, ama do ta festojmë lirinë

Nga - 23.07.2021

Sanaja flet për edicionin e sivjetmë të festivalit që trajton izolimin e njerëzve në kohë jo-pandemie.

Edicioni i parë i Festivalit Ndërkombëtar i Animacionit, Anibar, nisi 12 vite më parë në qytetin e Pejës. Për çdo vit, mijëra filma e emra të njohur vendorë e botërorë të animacionit kanë qenë pjesë e këtij festivali, ku janë organizuar punëtori dhe master-klasa për t’i shkëmbyer teknikat dhe njohuritë rreth animacionit. Ndërkaq, viteve të fundit është themeluar edhe akademia e animacionit, ku sivjet ka diplomuar gjenerata e katër e studentëve. 

Ndër themeluesit e festivalit është edhe Vullnet Sanaja aktivist social, tashmë drejtor ekzekutiv i Anibar — i cili ishte vetëm 18 vjeç kur e bashkëthemeloi Anibarin. Aty, Sanaja i udhëheq aktivistët pasionantë të artit dhe i inkurajon t’i shprehin idetë e tyre përmes animacionit duke u përqëndruar edhe në çështjet e rëndësishme sociale që janë relevante për rininë e Kosovës. Sanaja e vlerëson animacionin si medium që nuk të kufizon as në formë, as në shprehje, teknikë apo shfaqje dhe thekson se filmat e animuar që shfaqen në Anibar e përçojnë ndjenjën e vetë artistëve. 

Të ballafaquar me masat kufizuese kundër përhapjes së pandemisë COVID-19, festivali Anibar, vitin e kaluar, ishte organizuar në mënyrë virtuale përmes platformës Zoom. Festivali trajtoi temën ‘‘Njerëzit’’, ku mbi 300 filma të animuar mund të shikoheshin përmes kësaj platforme virtuale, në të cilat u mbajtën edhe punëtoritë dhe koncertet.

Si çdo vit tjetër, edhe këtë vit, Festivali Ndërkombëtar i Animacionit, Anibar, ka në fokus trajtimin e një teme sociale që i prek të gjithë njerëzit, përkatësisht izolimin. Të frymëzuar nga izolimi që e përjetoi secili gjatë këtyre dy viteve pandemike, Anibar shkon më tutje duke trajtuar izolimin e qëndrueshëm para dhe pas pandemisë, si izolimin e kosovarëve në mungesë të vizave dhe atë të njerëzve nga rritja e ksenofobisë, homofobisë dhe në përgjithësi nga mënyra se si e pranojmë tjetrin.

“Nëse vjet është dashtë të marrim rolin që njerëzve t’u japim shpresë, edhe pse e kemi pasë ma vështirë, sivjet po na duket se është më e rëndësishme që t’u kthehemi diskutimeve që i kemi pasur edhe më herët.” thotë Sanaja.

K2.0 ka biseduar me Sanajën rreth pandemisë, njerëzve, izolimit e potencialit për zhvillimin e industrisë së animacionit në Kosovë. Mbi të gjitha për rëndësinë e qasjes së publikut kosovar në prodhimet e animuara. 

Foto: Arkivi personal i Anibar.

K2.0: E pamundur ta fillojmë  bisedën pa e përmendur pandeminë, sidomos në organizimet kulturore. Vitin e kaluar Anibar u organizua kur dolëm nga izolimi total, por që kufizimet vazhduan. Ndërsa sivjet kemi lehtësim të dukshëm të masava kufizuese. Hajde të flasim për dallimet dhe ndërlidhjet e edicionit të kaluar dhe të sivjetmë! 

Vullnet Sanaja: Edicioni i kaluar ka qenë sikur t’ia nisim festivalit prej fillimit. U dashtë me rimendu qysh me qenë afër komunitetit t’u i shfrytëzu format digjitale. Ka qenë një përvojë interesante nisur nga situata pandemike; viti i kaluar ka qenë si viti zero i festivalit. Disa prej anëtarëve të stafit ka qenë e nevojshme me i trajnu në logjistikë për aspekt teknike që me mujt me i shfaqë filmat online. Po ashtu, mund të përmendi se tek realizimi i punëtorive kemi përgatitë pakot për pjesëmarrës dhe ato i kemi dërguar [me postë] nëpër shtëpitë e pjesëmarrësve të punëtorive dhe pastaj [në fund] t’i mbajmë punëtoritë me [aplikacionin] Zoom. Pastaj, koncertet i kemi regjistru dhe janë shfaqë në televizion, apo, pasi kafeteritë vetëm lejoheshin të punonin, në një kafeteri e lëshuam atë koncert.  

U dashtë me u ba kreativ për me i ba ballë situatës pandemike. Kjo u nisë edhe prej asaj se tema e vitit të kaluar ishte ‘‘Humans’’ (Njerëzit). Ne u gjendëm para një situate ‘‘a ta realizojmë festivalin, apo jo?’’. Shtysa [për ta realizuar festivalin] ishte ajo se doktorët, punëtorët e pastrimit të qytetit, apo tjerë po vazhdojnë me punu, atëherë edhe ne duhet të vazhdojmë të punojmë dhe t’i qëndrojmë afër animatorëve, artistëve e publikut në përgjithësi.  

Përtej ‘‘vitit zero’’, çka pritet nga edicioni i këtij viti në Anibar? 

Vazhdimisht e kemi diskutu dhe e kemi përmendur [se] në situatën kur u izolu e gjithë bota, ajo e kuptoi se si është me kanë kosovarë.

Masat janë lehtësu dhe kjo paraqet situatë të re për ne. Tema e këtij edicioni është izolimi dhe për këtë jemi nisur nga ajo që duhet ta rimendojmë situatën e njerëzve. Vazhdimisht e kemi diskutu dhe e kemi përmendur [se] në situatën kur u izolu e gjithë bota, ajo e kuptoi se si është me kanë kosovarë – po dihet puna e vizave dhe vështirësitë e udhëtimit që i kemi. Bota u solidarizua me kosovarët në njëfarë mënyre [qeshet]. Përtej idesë së udhëtimit, kemi menduar për izolimin e mendjes, dhe që kjo periudhë nxjerri në pah shumë problematika; izolimi brenda komunitetit, apo edhe ashpërsimi i marrëdhenieve me komunitetet tjera – edhe ky është ndër aspektet që do trajtohen gjatë këtij edicioni. 

Tek aspekti teknik, edhe këtë vit do përdorim platformën online ku edhe do mund të shihen të gjithë filmat, kundrejt pagesës 1 euro për film, ani pse disa filma do mund të shikohen pa pagesë. Por, të njëjtit filma do mund të shikohen edhe nëpër kinema dhe nëpër hapësira ku numri i shikuesve do jetë i limituar, e po ashtu do mbahen maska e distanca. E mira e kësaj do jetë se hapësirat ku do shfaqen filmat janë hapësira të hapura, çka na e lehtëson punën dhe nuk na paraqet probleme serioze [në mbarëvajtje të festivalit]. Për të gjitha rregullat që ndërlidhen dhe janë në fuqi kundrejt Covid-19 do i përmbahemi. 

Interesante po më duket ajo se vitin e kaluar, përballë izolimit e masave të ashpra kundër përhapjes së virusit, tema ishte ‘‘Humans’’, sikur të të jipet njëfarë shprese. Ndërsa sivjet temë e keni ‘‘izolimin’’, ani pse janë lehtësuar masat e po flitet e po shpresohet për përballim e dalje nga situata pandemike, pra shpresë për dalje nga izolimi. Pse kjo?

Kushtimisht mund të them se jemi liruar nga masat e vendosura për shkak të pandemisë, por prapë mbetimi të izoluar, në radhë të parë ne si kosovarë. Pastaj njerëzit vazhdojnë të mbesin të izoluar në aspektet për të cilat edhe po duam të bisedojmë përgjatë këtij edicioni të Anibar-it; ideja e tjetrit, si pranohet tjetri, rritja e ksenofobisë, apo rritja e homobisë e qasje të ngjajshme. Neve po na duket e rëndësishme të diskutojmë për këto izolime.  

Sa i përket përgjigjjes për vjet e sivjet, bash ky është realiteti në të cilin jetojmë. Nëse vjet është dashtë të marrim rolin që njerëzve t’u japim shpresë, edhe pse e kemi pasë ma vështirë, sivjet po na duket se është më e rëndësishme që t’u kthehemi diskutimeve që i kemi pasur edhe më herët, pra të flasim për atë izolimin që edhe e përmenda. Zakonisht festivalet bëhen rreth një teme për të festuar. Brenda festivalit këtë vit do festojmë lirinë, ani pse për temë kemi zgjedhur izolimin, ama do festojmë lirinë. Si temë, në shikim të parë, mund ta lë njeriun të ndihet keq, ama mund ta bëjë njeriun ta vlerësojë lirinë; të cilën shpesh e marrim për të mirëqenë, por që duhet ta shtjellojmë e ta kqyrim me kujdes, ta dekonstruktojmë, e ta shohim edhe në raport me veten. 

Nisur nga kjo, çka mund të na ndihmojë filmi i animuar karshi aspektit të hapjes a mbylljes, lirisë e dekonstruktimit? 

Animacioni është një medium goxha shprehës. Ajo çka paraqet animacioni, apo ajo çka mundesh me paraqitë përmes tij, është nji dimension shumë shprehës e që merret me tema goxha të guximshme. Programi i filmave që shfaqet në Anibar arrin të përçojë atë ndjenjën që animatori/ja ka. Kjo është ajo që m’shtyri të merrem me animacion. Lehtësia që përmes animacion [mundesh] me përçu atë që ti e ndien, ndoshta edhe më shumë se filmi. Animacioni nuk të kufizon as në formë, as në shprehje, apo teknikë e shfaqje.   

Ama, mbetet i shtrenjtë për t’u realizuar, apo jo?  

Po, është një prej mediumeve më të shtrenjta [për realizim]. Mirëpo, në momentin që dikush arrin të merret me animacion, atëherë merret përnime me të. Dhe kjo krijon hapësirën që të realizohet filmi i animuar me ato ideja e atë qasje që e ka animatori. Ne si Anibar gjatë këtyre viteve të fundit kemi punuar ta bëjmë sa më të qasshëm animacionin si medium [ndaj] gjithkujt që është i interesuar, dhe kjo ka ndodhë përmes punëtorive që i mbajmë apo edhe shfaqjes së filmave të animuar. 

E kemi programin e akademisë në Anibar, ku kemi pasur rreth 40 studenta dhe që vazhdojnë të merren me animacion — vitin e kaluar ka qenë diplomimi i gjeneratës së katër të studentëve — në program gjashtë mujor. Gjatë 12 viteve kemi realizu punëtori për animacion dhe në 4 vitet e fundit e kemi organizu Akademinë e Animacionit, ku kemi nxjerrë studentë që vazhojnë të merren me animacion, dhe kjo është shumë e rëndësishme. Prej gjeneratave të këtyre studentëve, diku 80% e tyre kanë gjetë vend të punës, ndërsa 30% e tyre kanë vazhduar studimet për animacion jashtë shtetit. Ne kemi insistuar të punojmë me nxënësit e shkollave të mesme në mënyrë që t’i bindim e t’u ofrojmë atyre hapësirë për t’u marrë, me shiku e me studiu animacionin, kjo edhe pasi në Kosovë nuk ka degë të studimit për këtë lëmi. Ia vlen të përmendet se programi [në Anibar] është pa pagesë. Këtë vit më shumë se kurrë më parë kemi prodhim të animacionit të prodhuar në Kosovë dhe që marrin pjesë në Anibar.

Po thoni se ka hapësirë për rritje të ‘‘produktit vendor’’ në animacion?  

Nuk është se është prodhuar aq në Kosovë [filma të animuar], por këtë vit kemi dhjetra prodhime kosovare që marrin pjesë në festivalin tonë. Para do viteve nuk kemi mund të diskutojmë për filmin kosovar të animuar. Këtë vit, përtej që po shohim se ka interesim për t’u marrë me film të animuar, po shohim se ka edhe filma që po marrin pjesë në festival. 

Viteve të fundit kemi parë rritjen e prodhimit të filmave në Kosovë, kryesisht të ndihmuar financiarisht nga Qendra Kinematografike e Kosovës (QKK). Po ashtu, kemi bujë të këtyre krijimeve që karakterizohen me qasjen ‘‘mundësi prezantimi i Kosovës në botë’’ ani pse kjo qasje duket sikur limiton krijimin artistik, në këtë rast filmin po mbizotëron dhe diskutohet vazhdimisht. Në këto rrethana, cila mund të jetë hapësira dhe qasja e filmit të animuar të prodhuar në Kosovë? 

Është një periudhë e rëndësishme e filmit dokumentar dhe fimit ‘‘live action’’ në Kosovë, dhe kjo është [rezultat] nga puna e 20 viteve të fundit. Nëse plotësojmë pjesën e arsimimit dhe qasjes në filmin e animuar, qoftë tek animatorët qoftë tek publikut, kjo do rritë krijimin e filmit të animuar tek ne. Pajtohem me pjesën se filmi s’duhet të jetë vetëm njëfarë ‘‘diplomacie kulturore’’. Filmi duhet të ketë qëllim të brendshëm; qoftë të krijuesit të filmit, qoftë karshi publikut vendor. Krijuesve duhet t’u krijohet qasje për njohje dhe treg ndërkombëtar dhe jo reprezentim, duhet të orientohemi drejt kreativitetit dhe prodhimit.         

Para do viteve nuk kemi mund të diskutojmë për filmin kosovar të animuar. Këtë vit, përtej që po shohim se ka interesim për t’u marrë me film të animuar, po shohim se ka edhe filma që po marrin pjesë në festival.

Viteve të fundit ka munguar përkrahja shtetërore e strukturore për zhvillimin e filmit vendor. Për shembull, Radio Televizioni i Kosovës (RTK), që është medium publik, duhet të shtyjë përpara mbështetjen e prodhimit të filmit vendor, në këtë rast atij të animuar, por jo vetëm kjo. Në Kosovë duhet të prodhohen filma të animnuar dhe të shfaqen në RTK. Tregimi i festivalit Anibar kallëzon elementin e arsimimit dhe krijimit të krijuesve. Por, pas kësaj, këta filma duhet të shfaqen në kinematë vendore, dhe tek dikur më vonë do duhej të nisnin festivalet ndërkombëtare dhe ku ftohen filmat e emrat ndërkombëtarë të filmit; kështu edhe ia kanë nisur festivalet nëpër shtetet tjera. 

Në Kosovë nuk ka ndodhur kjo. 

Në Kosovë ka ndodhë e kundërta. Ne e kemi filluar me festivalin ndërkombëtar Anibar, ndoshta pa pasur hiç prodhim vendor [në film të animuar]. Më pas nuk është se na doli keq qysh e kemi bërë ne. Pasi nisëm festivalin vazhduam me luftën për kinematë [funksionalizim të tyre, apo mbrojtje të objekteve] apo shfaqje të filmave, dhe viteve të fundit po punojmë me elementin e arsimimit për krijimin e filmave. S’po di a është mirë apo keq, por është mirë që tashmë jemi të fokusuar në prodhim vendor. Duhet ta kuptojmë se sikurse çfarëdo industrie që zhvillohet edhe animacioni duhet të ketë shtrirje ndër-sektoriale, në këtë rast; në arsimim, në fuknsionalizim të kinemave, si dhe përfshirje të televizionit nacional apo [mekanizmave të] shtetit për me shty prodhimin e filmave të animuar. Të mos harrojmë QKK-në, ku mbështetja duhet të jetë e strukturuar. 

A e dini sa është përkrahja e QKK-së karshi realizimit të filmave të animnuar? 

Nuk e di përkrahjen e QKK-së në përqindje. Është e rëndësishme që kohëve të fundit ka pasur nisma për pëkrhaje dhe intesifikim të punës kah animacioni; po duket se edhe këtu, sikurse në disa fusha, kemi potencial për me prodhu si shoqëri, dhe mund të kemi prodhim të mirë. Duke mbetur tek animacioni, ne si shtet ndonjëherë paguajmë dyfishin [për me shfaq një film të animuar në Kosovë]. Po kthehem tek televizioni nacional; nëse RTK blen vazhdimisht produkte të filmave të animuar, atëherë nëse do ishte prodhuar produkt vendor i animacionit kjo do i kushtonte më pak nëse [ato financa] do investoheshin në prodhim [të filmit të animuar]. Duke e pasë parasysh se filmat e animuar prekin të gjitha moshat, është e rëndësishme të investohet tek ky medium. Narrativat që përcjellë ky medium ndërlidhen me atë që formon shumëçka.   

Nisur nga kjo, një pyetje që po më bije ndërmend është ajo se sa kushton një film i animuar? 

Krejt vonë kemi nisur një vlerësim dhe ku e kemi parë se [janë] disa kategori të realizimit të filmit të animuar; janë disa filma të animuar më të komplikuar që kushtojnë më shumë dhe disa filma tjerë që kushtojnë më pak. Varësisht nga kjo, minuti i realizimit të një filmi të animnuar kushton ndërmjet 1500-3000 euro.    

Një prej aspekteve që po e përmendni vazhdimisht është shpërndarja dhe qasja e publikut kosovar në krijimet e filmit të animuar që prodhohet në Kosovë. Pse po e përmendi këtë, pasi shpeshherë në krijimet artistike në Kosovë kjo sikur anashkalohet?

Tash ajo se a mundemi ne si Anibar të jemi më të qasshëm, padiskutim se po dhe e kemi tendencë të vazhdueshme. Për atë edhe jemi duke shikuar t’i shfaqim filmat nëpër vende më jo konvencionale. E kemi edhe Anibar on tour, që realizohet nëpër qytete të ndryshme të vendit, që mbahet tash e 7 vite. Përmes kësaj, shkojmë nëpër lokacione të ndryshme edhe i shfaqim filmat. Pas festivalit marrim programin e filmave dhe i shfaqim nëpër shkollat në Pejë. Ideja këtu është që fëmijët të kenë qasje në filma. Por që për këtë nuk kemi pasë ndihmë nga Ministria e Arsimit.  K

Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla /K2.0.

 

Ky artikull është prodhuar me mbështetjen financiare të “Trusti Ballkanik për Demokracinë“, projekt i Fondit Gjerman Marshall të Shteteve të Bashkuara dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë. Opinionet e shprehura në këtë artikull nuk paraqesin domosdoshmërisht ato të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë,Trustit Ballkanik për Demokraci, Fondit Gjerman Marshall të Shteteve të Bashkuara, apo partnerëve.

Pse kjo klauzolë?