Në thelb | Zgjedhjet2021

VV dhe Vjosa Osmani konfirmojnë listën e përbashkët zgjedhore

Nga , - 14.01.2021

Kurti kandidat për kryeministër, Osmani synon të jetë presidente.

Vetëvendosje (VV) dhe presidentja në detyrë Vjosa Osmani kanë lamëruar që zyrtarisht kanë nënshkruar një marrëveshje për të garuar me listë të përbashkët në zgjedhjet qëndrore që vijnë, të parapara për datën 14 shkurt.

Lajmi, i cili është përfolur për një kohë të gjatë, është shpallur në sallën e Kuvendit të Kosovës të enjten (më 14 janar).

Osmani, e cila ka lënë Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) vitin e kaluar pasi ka refuzuar të jetë pjesë e manovrave politike të kësaj partie, do të ketë një varg kandidatësh në listën e përbashkët si pjesë e nismës së saj civile të cilën e ka lajmëruar së fundi. Ajo ka thënë që më shumë hollësi rreth numrit të kandidatëve dhe identiteteve të tyre do të zbulohen të shtunën (më 16 janar), kur edhe është afati i fundit për regjistrimin e kandidatëve me Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve (KQZ).

Udhëheqësi i VV-së dhe ish-kryeministri Albin Kurti ka njoftuar që ai do të jetë kandidati për kryeministër i listës së përbashkët edhe pse ende ka pasiguri se nëse kandidatura e tij do të pranohet nga KQZ-ja.

"Kjo që arritëm sot pasqyron pikërisht vullnetin e qytetarëve të Kosovës.”

Vjosa Osmani

Osmani ka thënë që ajo përfundimisht është duke synuar të “rilegjitimohet” në postin e presidentit, të cilin ajo e ka mbajtur në kapacitetin në veprim që nga dorëheqja e Hashim Thaçit në nëntor të vitit të kaluar. Pozita e presidentit nuk do të jetë drejtpërdrejt në fletëvotime por do të votohet nga deputetët e rinj të zgjedhur të Kosovës pas zgjedhjeve të shkurtit. 

“Viti 2020 ka treguar se Kosova ka nevojë për kryeministër të ri por edhe për presidente të re,” ka thënë Kurti në konferencen për shtyp.

“Ne jemi të vendosur për të luftuar në mënyrë të pakompromis kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në vend. Jemi të vendosur për të respektuar e mbrojtur Kushtetutën e Republikës sonë. Të vendosur për një Kosovë ku secili mund të sigurojë një jetë të dinjitetshme,” ka shtuar Osmani. “Jemi një muaj larg zgjedhjeve e kjo që arritëm sot pasqyron pikërisht vullnetin e qytetarëve të Kosovës.” 

Kurti ka siguruar një numër rekord të votave individuale kur VV-ja i fitoi zgjedhjet e kaluara të mbajtura në tetor 2019, përderisa Osmani ishte kandidatja e dytë më e votuar teksa udhëhiqte LDK-në në vendin e dytë. Qeveria e koalicionit VV-LDK që është quajtur gjerësisht “qeveria e shpresës” është rrëzuar përfundimisht pas vetëm 52 ditësh nga një mocion i mosbesimit të iniciuar nga kolegët partisë së atëhershme të Osmanit, edhe pse ajo ka refuzuar ta mbështesë. 

Pasi Gjykata Kushtetuese ka vendosur që mund të formohet qeveria e re pa zgjedhje të reja, koalicioni i udhëhequr nga LDK-ja me Avdullah Hotin në krye ka ardhur në pushtet falë një vote të vetme në Kuvend në qershor. Megjithatë, një vendim i ri i Gjykatës Kushtetuese në dhjetor ka vendosur që vota ishte e pavlefshme — pasi është varur në mbështetjen e një deputeti i cili ka qenë i dënuar me burgim gjatë tri viteve të fundit — dhe ka urdhëruar zgjedhje të reja. 

Kush është duke kandiduar me kë? 

Lista e përbashkët e VV-së me Vjosa Osmanin nuk është rasti i vetëm i bashkimit të forcave politike para votës së 14 shkurtit.

LDK-ja është vendosur për listë të përbashkët me Aleancën Kosova e Re (AKR) e cila ka arritur të sigurojë dy deputetë në zgjedhjet e 2019. Naim Murseli, këshilltar i udhëheqësit të AKR-së Behgjet Pacolli, ka thënë për Kallxo.com që partia e tij do të ketë 10 kandidatë në listën e përbashkët, e cila do të udhëhiqet nga kryeministri në largim Avdullah Hoti

Dy koalicione zyrtare parazgjedhore janë regjistruar në KQZ para afatit të fundit më 8 janar. E para është VAKAT, që përbëhet nga partitë minoritare Partia Demokratike e Boshnjakëve (DSB) dhe Partia Demokratike Vatan (DSV), kurse e dyta është ZAJEDNO, që përbëhet nga partitë minoritare Pokret za Gora (PG) dhe Građanska Inicijativa Gore (GIG). 

Koalicioni i përfolur prazgjedhor mes Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Nismës nuk është konkretizuar dhe këtë herë dy partitë do të kandidojnë veçmas. PDK-ja ka dalë e treta në zgjedhjet e vitit 2019 dhe ka kaluar në opozitë pas më shumë se një dekade në pushtet, ndërsa Nisma — e cila është formuar në 2014 pas një përçarjeje në PDK — mezi ka kaluar 5 për qind të pragut për ulëse pas një sërë sfidash ligjore.

"Kam nderin të jem i pari në listë... ne nuk do të kemi kandidat për kryeministër."

Ramush Haradinaj, AAK

Kryetari i Nismës Fatmir Limaj ka thënë në emisionin Pressing në T7 që ka dëgjuar nga qindra persona të cilët duan ta shohin PDK-në dhe Nismën të bashkuar. “Ka pasë një interesim të vazhdueshëm dhe një kërkesë këmbëngulëse të bashkëluftëtarëve, të veteranëve etj., që të gjejmë një rrugë të bashkimit të kësaj vlere në mënyrë që të ndërtojmë partneritete,” ka thënë ai. “Fatkeqsisht kjo është në shancë e humbur”.

Lista e PDK-së do të udhëhiqet nga ushtruesi i detyrës i partisë Enver Hoxhaj pasi Kadri Veseli është tërhequr nga të gjitha rolet politike në nëntor për tu mbrojtur ndaj akuzave për krime të luftës dhe krimeve ndaj njerëzimit në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Ramush Haradinaj, udhëheqës i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka thënë që ai do të udhëheqë listën e partisë së tij por që AAK-ja nuk do të ketë një kandidat për kryeministër. Në vend të kësaj, ai ka njoftuar për qëllimin e tij që të garojë për pozitën e presidentit.

“Kam nderin të jem i pari në listë,” ai ka thënë gjatë një konference për shtyp të mërkurën (13 janar). “Unë jam kandidati i Aleancës për president të vendit; ne nuk do të kemi kandidat për kryeministër, prandaj unë nuk jam kandidat për kryeministër.”

Në ndërkohë, ish-partneri i koalicionit parazgjedhor të AAK-së për zgjedhjet e kaluara, Partia Social-Demokratike (PSD) ka thënë që nuk do të garojë kësaj radhe. 

Zëdhënësi i kësaj partie Frashër Krasniqi ka thënë që një ndër arsyet është fakti që prej kur PSD-ja ka filluar riorganizimin dhe rikonceptualizimin e saj politik, nuk ka pasur kohë të shpalosë projektin e saj politik për ta bërë projekt zgjedhor. PSD-ja është formuar pas një përçarjeje të VV-së në vitin 2018, por udhëheqësi i saj Shpend Ahmeti ishte një ndër anëtarët e lartë që kanë dhënë dorëheqje pasi PSD-ja nuk ka arritur të sigurojë asnjë deputet në vitin 2019.

Krijimi i polemikave

Edhe pse data e zgjedhjeve është caktuar vetëm rreth një javë më parë, dy polemika janë tashmë në zhvillim e sipër.

E para lidhet me legjitimitetin e kandidimit të disa individëve deputetë pas vendimin e Gjykatës Kushtetute që ka çuar drejt  zgjedhjeve. Vendimi i 21 dhjetorit ka cekur që Ligji i Kosovës për Zgjedhje të Përgjithshme “thekson qartë dhe shprehimisht se asnjë person nuk mund të jetë kandidat për deputet për zgjedhje për Kuvend, nëse është dënuar për vepër penale me vendim gjyqësor të formës së prerë në tri vitet e fundit.”

Megjithatë, ka pasur kritika për vendimin Gjykatës Kushtetuese nga avokatë dhe anëtarë të shoqërisë civile, të cilët thonë që vendimi është “arbitrar” dhe “politik”.

Disa analistë kanë sugjeruar që vendimi mund të skualifikojë figura udhëheqëse të VV-së — duke përfshirë kryetarin Kurti — të cilët janë dënuar për përdorimin e armëve sulmuese pasi kanë hedhur gaz lotsjellës gjatë tentativës për të ndaluar Kuvendin që ta miratonte një marrëveshje kufitare kontraverse me Malin e Zi dhe vendosjen e Asosacionit të Komunave me Shumicë Serbe në vitin 2015. 

Në janar të vitit 2018, Kurti është dënuar me 18 muaj burgim me kusht për dy vite dhe Gjykata e Apelit e ka konfirmuar vendimin e Gjykatës Themelore me një vendim përfundimtar në shtator 2018. 

KQZ-ja duhet të përfundojë procesin e certifikimit të subjekteve politike për zgjedhjet e ardhshme deri më 22 janar. 

A po përbuzet diaspora?

Polemika e dytë është rreth vendimit të KQZ-së për të shtuar një hap verifikues në procesin e regjistrimit të votimit për personat të cilët aplikojnë të votojnë nga jashtë Kosovës.

Një vendim i marrë më 11 janar cakton që “KQZ-ja do të verifikoj procesin e aplikimit për regjistrim, duke i kontaktuar të gjithë aplikuesit përmes telefonit,” dhe, “Nëse aplikuesi nuk lajmërohet në telefon, atëherë aplikacioni i tij do të refuzohet.”

Paraprakisht ka pasur kritika nga disa prej rreth 400,000 qytetarëve me të drejtë vote të cilët jetojnë jashtë Kosovës rreth procesit tanimë të mundimshëm të regjistrimit të votuesve për persona jashtë Kosovës. Shumë e shohin vendimin e KQZ-së si një tentativë për t’ua hequr më tutje të drejtat.

Edhe pse një numër rekord i votuesve të diasporës janë regjistruar para zgjedhjeve të 2019, vetëm rreth gjysma e atyre që kanë aplikuar kanë arritur që në mënyrë të suksesshme t’i dërgojnë me postë paketat e tyre të votimit; pjesa tjetër janë refuzuar për shkak se nuk i kanë plotësuar kriteret apo nuk kanë arritur t’i dërgojnë votat e tyre me kohë.

Osmani ka reaguar ndaj vendimit të KQZ-së duke ndarë në Twitter një letër që i ka dërguar kryetares së komisionit, Valdete Dakës, në të cilin ajo i kërkon të “rishqyrtojë arsyeshmërinë e vendimit.” Postimi i saj në Twitter thotë: “E drejta e votës nuk mund të jetë e kushtëzuar në një telefonatë. Ajo është e drejtë e shenjtë dhe themelore, të cilën duhet ta mbrojmë me çdo kusht.”

Janë ngritur edhe pyetje rreth kapacitetit KQZ-së për të bërë kaq shumë telefonata për një kohë kaq të shkurtër.

Vetëvendosja — e cila ka marrë 45% të votave nga jashtë Kosovës në 2019 — dhe OJQ-ja e diasporës Germin kanë ngritur ankesa të veçanta në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) në të cilat kanë argumentuar që vendimi është shkelje e të drejtave të votuesve të diasporës. PZAP ka refuzuar të dyja ankesat duke iu referuar Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme në të cilin thuhet, “Vendimi i Komisionit nuk i nënshtrohet ankesës, përveç nëse nuk parashihet qartë me këtë ligj.”

Menjëherë pas reagimeve të ashpëra kundër këtij vendimi, ditën pasuese KQZ-ja kanë publikuar një vendim pasues, duke detajizuar hapat që do të merren gjatë tentativës për verifikimin e votuesve nga jashtë Kosovës.

Vendimi i 12 janarit cek që në hapin e parë do të bëhet një tentativë për të telefonuar aplikuesin gjatë orarit të punës në Kosovë. Nëse kjo dështon, tentativa të tjera do të bëhen për të telefonuar gjatë orarit të punës së shtetit në të cilin jeton aplikuesi, dhe nëse edhe kjo dështon, tentativa të tjera do të bëhen jashtë orëve të punës.

Përpos shqetësimeve për efikasitetit të verifikimit të votuesve përmes telefonit, janë ngritur edhe pyetje rreth kapacitetit të burimeve teknike dhe njerëzore të KQZ-së për të bërë kaq shumë telefonata për një kohë kaq të shkurtër.

Me fillimin prejudhës së aplikimit për regjistrim si votues jashtë Kosovës më 13 janar dhe përfundimin në 18:00 në kohën vendore më 21 janar, stafi i komisionit i kanë vetëm 8 ditë për të bërë çfarë mund të jenë dhjetëra ose mijëra telefonata. KQZ-ja kanë pranuar mbi 40,000 regjistrime të votuesve për zgjedhjet e vitit 2019.

Referencimi i vetëm ndaj një telefonate në uebfaqen e KQZ-së e cila përcakton procesin e regjistrimit të votuesve nga jashtë Kosovës është në një rresht të vetëm — të shtuar gjatë ditëve të fundit — i cili cekë që “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të ju njoftoj për statusin e aplikimit tuaj përmes emailit apo numrit të telefonit.” Nuk është e qartë nëse kjo ka të bëjë me verifikimin e votesit apo ndonjë hapi tjetër në procesin e regjistrimit. 

Fushata zgjedhore zyrtare 10 ditëshe pritet të filloj më 3 shkurt dhe të përfundojë më 12 shkurt.

Imazhi i ballinës: K2.0.

Ky artikull është publikuar fillimisht si lajm më 14/01/21 dhe është përditësuar në të njejtën ditë me informata shtesë.