Pikëpamje | Të Drejtat e Grave

Kemi nevojë për vajza të zemëruara

Nga - 11.02.2019

Vetëm zemërimi dhe aktivizmi i organizuar do t’i mbrojë vajzat nga e keqja.

Një mbret e vë bast të bijën e tij në një lojë e cila i bëhet fiksim. Papritur, lojën e fiton një vigan dhe babai detyrohet ta lëjë të bijën e tij adoleshente në duart e një kafshe, për shkak se nuk mund t’i hajë fjalët e tij. Kështu ndodh në një përrallë të vjetër nga poeti dhe koleksionisti i tregimeve Giambattista Basile, e quajtur “The Flea”, e shkruar në vitin 1634.

“Kush mund ta kishte paramenduar se një vigan do ta fitonte këtë llotari? Por meqë një gjethe nuk mund të bie pa thënë Perëndia, ne duhet të besojmë se kjo martesë është arranzhuar së pari atje lart, e pastaj këtu poshtë”, mundohet ta ngushëllojë të bijën e tij mbreti.

“Kështu që bëhu e durueshme dhe nëse je vajzë e bekuar mos ia kthe fjalën babait, sepse zemra më thotë se do të jesh e lumtur; qypat e thjeshtë të gurit shpeshherë përmbajnë thesare”, e qetëson ai bijën, para se vigani ta ngrehë zhag në pyje, në shtëpinë e tij plot eshtra të burrave që i ka ngrënë.

Por siç ndodh shpesh në përralla, princeshën e shpëtojnë në fund. Djemtë e guximshëm gjysëm gjigantë të një plake i ndihmojnë asaj për t’u arratisur. Njëri e mbyt viganin dhe princeshën e kthejnë në shtëpi, në mbretërinë e babait të saj. Ajo martohet dhe jeton e lumtur përgjithmonë.

Dhe princesha nuk ka zgjidhje tjetër pos ta shpëtojë vetën. Ajo ia pret fytin viganit dhe kthehet në shtëpi.

Megjithatë, e adaptuar në filmin “Tale of Tales” në 2015, “The Flea” ka një përfundim shumë më ndryshe. Vigani i cili e fitoi lojën e mbretit jo vetëm që e keqtrajton dhe përdhunon princeshën, por edhe i vret djemtë e mirë dhe të guximshëm dhe gjithë familjen e tyre, të cilët mundohen t’i ndihmojnë asaj.

Dhe princesha nuk ka zgjidhje tjetër pos ta shpëtojë vetën. Ajo ia pret fytin viganit dhe kthehet në shtëpi. E mbuluar në gjak dhe me kokën e tij të prerë në duart e saj, i thotë babait: “Qe burri që e ke zgjedhë për mua”.

Romani fiktiv i Naomi Alderman, “The Power”, paraqet skenare të ngjashme. Përmes personazheve të ndryshme në tregime të ndryshme, Alderman ofron detaje të shëmtuara se si do të ishte po qe se gratë jo vetëm do ta kishin pushtetin, por çka nëse do të abuzonin me të. Personazhet femërore në liber i torturojnë dhe vrasin dhunshëm burrat që u kanë bërë keq.

Pa marrë parasysh krimet e tmerrshme të dokumentuara kundër vajzave dhe grave në jetën reale, shumëkush do t’i shihte këto tregime si shqetësuese, do ta dënonin dhunën me çdo kusht dhe do e ndjenin nevojën për ta bindur publikun se nuk ka luftë kundër burrave dhe se feministet në fakt nuk i urrejnë të gjithë burrat. Prapëseprapë, insistohet në drejtësi dhe kërkohen që të gjithë përdhunuesit dhe abuzuesit të japin përgjegjësi para ligjit.

Së fundmi, u shpërfaq një incident i cili e ka ndezur përsëri bisedën rreth dhunës seksuale kundër vajzave në Kosovë. Një vajzë adoleshente 16 vjeçare nga Drenasi dyshohet se është ngacmuar dhe përdhunuar nga arsimtari i saj.

Kur ajo e raportoi abuzimin në polici, hetuesi policor 50 vjeçar i cili ishte në detyrë nuk i ndihmoi. Në vend se t’i ndihmojë, ai thuhet se e abuzoi pushtetin dhe autoritetin e tij për ta shantazhuar dhe kërcënuar atë, në mënyrë që ta përdhunojë ai vet për dy vitet e ardhshme. Raportohet gjithashtu se duke u përdhunuar vazhdimisht, ajo mbeti shtatzënë. Thuhet më tej se ai e ka adresuar këtë problem duke e detyruar vajzën të kryej abort tek një gjinekolog i njohur në Prishtinë, i cili tani akuzohet se e ka performuar abortin kundër dëshirës së saj.

Kjo vajzë e ka gjetur veten në një zingjir kërcënimi, shantazhi, përdhunimi dhe abortimi të detyruar. Siç ndodh shpesh kur akte tilla të dhunës ndaj grave vihen në pah, i gjithë vendi duket se përjeton një gjendje shoku. Politikanë burra e gra, Grupi i Grave Deputete, stacioni policor në Drenas, të gjithë kanë deklaruar se janë shokuar nga rasti. Në rrjete sociale, njerëzit e përshkruan rastin si “monstruoz”, dhe pyesnin: “Çfarë po ndodh me gjithë këtë dhunë?”

Kur jeton në një “kulturë përdhunimi”, pritet që viktima të fajësohet për provokim të burrave me veshje apo me qëndrim flirtues. Madje për disa të tjerë, kjo situatë nuk u vlerësua si rast “i vërtetë” i përdhunimit, por marrëdhënie konsensuale seksuale në të cilën vajza ka hyrë me vet vullnetin e saj.

E gjithë kjo gamë emocionesh dhe opinionesh u shoqërua nga një shfrytëzim total i viktimës nga ana e mediave. Identiteti i saj gradualisht u zbulua, duke e lënë atë edhe më të pafuqishme për t’u ballafaquar me përvojën traumatike. Ajo është etiketuar si “skllave seksi” e cila e gjeti veten në duart e një padroni, një “heroinë” që i mbijetoi dhimbjes dhe abuzimit, një “vajzë e shkretë” për fatin e keq që e kishte, por edhe si “vajzë jo e mirë” për shkak se nuk ishte mjaft e guximshme dhe të thotë “jo”.

E tillë është kultura në Kosovë dhe në rajon sa i përket vajzave dhe grave. Një kulturë e frikës, paralajmërimit që të kemi kujdes dhe gjykimit. Një kulturë e bindjes dhe turpit, ku koncepti i edukimit seksual në shkolla apo në shtëpi kundërshtohet fuqishëm.

Është shumë tipike kjo kapja për parimin e vjetër të mbrojtjes së nderit dhe “emrit të familjes”, dhe përpjekja për ta mbajtur turpin “brenda shtëpisë”.

E kemi një sistem të arsimit të pushtuar nga seksizmi dhe racizmi, si në planprogram ashtu edhe në sjellje, me mësues që dyshohen se i ngacmojnë seksualisht dhe përdhunojnë vajzat. Fshatrat dhe qytetet tona janë plot prindër që ballafaqohen me probleme financaire dhe kanë mungesë të njohurive edukative për t’i mbrojtur vajzat e tyre. E kemi një Kuvend në të cilin deputetët s’ndalen duke mbajtur fjalime pa lidhje që rrallëherë ofrojnë zgjidhje të vlefshme.

Dhe kemi politikane si Xhevahire Izmaku e PDK-së, e cila në vend se ta mbrojë në mënyrë agresive sigurinë e vajzës të drejtat e së cilës janë shkelur në mënyrë të tmerrshme, është më shumë e shqetësuar për dëmin që ky lajm do t’ia bëjë imazhit ndërkombëtar të Kosovës. Është shumë tipike kjo kapja për parimin e vjetër të mbrojtjes së nderit dhe “emrit të familjes”, dhe përpjekja për ta mbajtur turpin “brenda shtëpisë”.

Duke mos arritur t’i kuptoj të lartpërmendurat, shumëkush vazhdon të vajtojë: “Çfarë barre është me rritë vajza në këtë realitet”.

Do të duhet një gjeneratë e re e politikanëve, profesionistëve dhe edukatorëve për ta ndihmuar fuqizimin e strukturave shtetërore, vlerë thelbësore e së cilave do të jetë garantimi i sigurisë dhe dinjitetit të qytetarëve të rinj. Deri sa presim të ndodh ky ndryshim drastik, dhuna kundër grave në nivel institucional do të vazhdojë të shpërfillet dhe rastet tjera që do të dalin në publik do të vazhdojnë të tronditin vendin çdo herë e më shumë.

Prandaj, derisa e vazhdojmë betejën ligjore për drejtësi dhe dinjitet të grave, edhe unë sugjeroj ‘tronditjen’ si vlerë për të ndjellur dhembshuri dhe njerëzi. Pse mos të ofrojmë imazhe të ngjashme si ato të Alderman në romanin e saj?

Po të kishin paramenduar që burgu, turpërimi publik dhe çnderimi profesional do të pasonin për kërcënimin, abuzimin dhe përdhunimin e një vajze adoleshente duke ia shkatërruar mundësitë për adoleshencë të shëndoshë, burrat e akuzuar do të mendonin dy herë. Të nxitur nga frika e turpërimit dhe dënimit, ata mund të ishin tërhequr para se të synonin pronësinë e trupit të saj dhe duke i shkaktuar dëm të cilin kurrë nuk do të mund ta tejkalojë plotësisht.

Kemi nevojë për vajza që “ia kthejnë fjalën babit”, vajza që e kuptojnë shumë mirë se një “vajzë e bekuar” nuk ka nevojë të bindet gjithmonë.

Përmes rebelimit të hapur, sugjeroj që të ngjallim frikë tek djemtë dhe burrat. Rebelim ky që heq dorë nga cektësia e korrektësisë politike dhe në vend të kësaj i lartëson zërat e vajzave të reja dhe të zemëruara, zërat e së cilave i dëgjuam në protestat që u mbajtën si reagim ndaj këtij rasti, protestat kundër një sistemi që lejon shkeljen institucionale të të drejtave të vajzave.

Vetëm zemërimi i shprehur haptas i vajzave dhe aktivizmi i organizuar do t’i mbrojë ato nga e keqja. Një aktivizëm që i mëson vajzat të bërtasin nga zemra dhe tu kundërvihen djemve dhe burrave që mundohen t’i frikësojnë ato, pa marrë parasysh moshën apo pozitën e tyre.

Kemi nevojë për vajza që “ia kthejnë fjalën babit”, vajza që e kuptojnë shumë mirë se një “vajzë e bekuar” nuk ka nevojë të bindet gjithmonë. Vajza që kërkojnë edukim seksual në shtëpi dhe shkollë, dhe të cilat e njohin dhe mbrojnë autonominë e tyre. Vajza që i frymëzojnë moshataret e tyre që t’i tregojnë dhëmbët sa herë që ndihen të nënvlerësuara, të rrezikuara apo të shfrytëzuara.

Vajza që mundësojnë përmbysjen e këtij realiteti dhe ndihmojnë kultivimin e një kulture në të cilën djemtë dhe burrat u frikësohen pasojave të sjelljeve të tyre një kulturë në të cilën prindërit që kanë djem duhet të ndjejnë një përgjegjësi shtesë.

Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO

Kthehu n'fillim

THANKS FOR YOUR COMMENT

AFTER A QUICK CHECK IT WILL BE PUBLISHED HERE. PLEASE BE PATIENT.

THANKS FOR SUBSCRIBING

THANKS FOR YOUR COMMENT

AFTER A QUICK CHECK IT WILL BE PUBLISHED HERE. PLEASE BE PATIENT.