Në thelb | Ekonomia

Ku janë 60,000 vendet e reja të punës?

Nga - 13.09.2018

Pas një viti në pushtet, çfarë ndikimi pati qeveria aktuale në ekonomi?

Në një seancë të Kuvendit të mbajtur më 9 shtator, 2017 – tre muaj pas zgjedhjeve të qershorit dhe dy pas verifikimit të rezultateve – Ramush Haradinaj arriti të sigurojë vota të mjaftueshme nga deputetët e sapo zgjedhur për t’u bërë Kryeministër. Pas duartrokitjes, Haradinaj mbajti fjalim para deputetëve dhe i lajmëroi emrat e anëtarëve të kabinetit të tij. Por, fjalimi i tij i parë si kryeministri i ri i vendit nuk zbuloi hollësi për programin e tij, as për mënyrën se si do ta drejtonte ai Kosovën.

Megjithatë, gjatë fushatës zgjedhore në fund të majit dhe fillim të qershorit të vitit 2017, Haradinaj ishte më i zëshëm për atë se si do ta qeveriste shtetin. I zjgedhur nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nisma Social Demokrate (në atë kohë NISMA) si kandidati për kryeministër i koalicionit ‘PAN’, ai foli për plot çështje, përfshirë këtu ekonominë. Ish-ushtari konsideronte se shteti është në “gjendje lufte”, duke u thënë njerëzve se “ne luftojmë për zhvillim ekonomik”.

Në atë kohë, Haradinaj i bëri disa premtime për ta zhvilluar ekonominë e Kosovës. Në njërën anë premtoi një rritje pesë-fish të eksporteve të mallrave dhe një reduktim të importeve. Ai gjithashtu shpresonte ta tranfsormonte Kosovën në një superfuqi energjetike dhe kompleksin e minierave Trepça në Mitrovicë ta shndërronte në një gjigant ekonomik, duke krijuar vende të reja pune dhe duke sjellur mirëqenie. Haradinaj gjithashtu mendonte se liberalizimi i vizave do ta ndihmonte zhvillimin e ekonomisë dhe premtoi se ky proces do të kryhej brenda 90 ditëve.

Në anën tjetër, Haradinaj gjithashtu u zotua t’ua mbushte qytetarëve xhepat me para, duke premtuar se do t’i rriste pagat e sektorit publik për 30 përqind dhe pensionet për 25 përqind, si dhe ta rriste pagën minimale, e cila kishte mbetur e njejtë nga viti 2011. Ai gjithashtu donte ta ndalte rrjedhjen e jashtëligjshme të parave nga ekonomia, duke u zotuar ta luftonte krimin dhe korrupsionin.

Kur i analizojmë tani ato premtime, progresi drejt këtyre synimeve duket se ka qenë i vogël. Të dhënat e fundit tregojnë se në qerekun e parë dhe të dytë të vitit 2018, eksportet kanë rënë përkatësisht për 4 përqind dhe 7.2 përqind në krahasim me këtë periudhë në vitin 2017. Ndërsa importet janë shtuar, më shumë se 12 përqind në qerekun e dytë të vitit 2018 në krahasim me periudhën e njejtë në 2017.

Sa i përket zhvillimit në një “superfuqie energjetike”, veprimi kryesor i qeverisë ishte nënshkrimi i kontratës më ContourGlobal, një kompani ndërkombëtare e prodhimit të energjisë, për ndërtimin e një termocentrali të ri, që parashihet të filloj në dhjetor.

Analisti politik i Institutit GAP, Agron Demi, argumenton se marrëveshja e qeverisë me ContourGlobal për termocentral të ri, me gjasë do ta rris çmimin e energjisë elektrike, duke ndikuar negativisht në ekonomi. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Për analistin politik të Institutit GAP, Agron Demin, ky investim nuk do të sjellë zhvillim ekonomik. Përkundrazi, do ta rris çmimin e energjisë elektrike për 40 përqind. Në një intervistë të mbajtur së fundmi, Kryeministri Haradinaj pranoi se çmimi i energjisë elektrike “me gjasë do të rritej, por jo brenda vitit”.

Në një sondazh të zhvilluar nga Instituti GAP me 84 kompani vendase, secila prej tyre u përgjigj se shkarkimi i punëtorëve do të ishte një prej masave që do të detyroheshin t’i marrin po të rritej çmimi i energjisë elektrike. Demi e kritikon gjithashtu faktin se Qeveria e Kosovës do ta blejë gjithë energjinë e prodhuar nga termocentrali për 20 vitet e para nga ContourGlobal dhe se me çmim 80 euro për megavat, do të jetë marrëveshja më e shtrenjtë në Ballkan.

Sa i përket Trepçës, ‘gjigantit ekonomik’, Arkëtari i Përkohshëm i kompanisë Miftar Hyseni tha në maj, se ka rënë niveli i prodhimit në kompleksin e minierave këtë vit, siç ka ndodhur çdo vit prej 2014-ës. Qeveria ende nuk e ka zbatuar Ligjin për Trepçën, që synon hapjen e rrugëve të investimit dhe që është miratuar në vitin 2016.

Kjo ka ndodhur kryesisht për shkak të emërimeve të politizuara dhe të papërfunduara, që kanë pamundësuar finalizimin e formimit të dy bordeve, Bordit të Mbikëqyrjes dhe Bordit të Menaxhimit, pa të cilët Ligji për Trepçën nuk mund të zbatohet. Drejtori i Trepçës, Ahmet Tmava, ka thënë se formimi i bordeve është hap jetik, për shkak se pa to, Trepça nuk mund të zhvillohet.

Sa i përket shtimit të të hyrave për publikun, të vetmit punëtorë të sektorit publik të cilëve u është rritur paga janë zyrtarët e lartë shtetëror.

Madje edhe Ministri i Zhvillimit Ekonomik Valdrin Lluka ka pranuar se Trepça ka probleme të mëdha dhe po ballafaqohet me vështirësi në prodhim. “Trepça aktualisht po e kalon një periudhë të vështirë”, tha ministri për Telegrafin më herët gjatë muajit.

Ndërsa liberalizimi i vizave nuk ndodhi brenda 90 ditëve, por u bë një hap kyç në korrik të këtij viti kur u përmbush kriteri i fundit: përmirësimi i rekordit të qeverisë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Sidoqoftë, ministrat e akuzuar nga Prokuroria Speciale për korrupsion kanë mbetur në qeverinë e Haradinajt, përfshirë këtu Ministrin e Infrastrukturës, Pal Lekaj, i cili u padit në prill.

Sa i përket shtimit të të hyrave për publikun, të vetmit punëtorë të sektorit publik të cilëve u është rritur paga janë zyrtarët e lartë shtetëror, përfshirë këtu vet kryeministrin, deputetët e tij dhe zyrtarët e zyrës së tij, si dhe presidenti. Madhësia e qeverisë gjithashtu është parë si problematike. Rreth 80 zëvendës ministra marrin rroga të larta, vlera e të cilave për punën e qeverisë është vënë në dyshim nga plot komentues.

Përderisa nuk është rritur paga minimale e as pensionet, ka shpërthyer një skandal në lidhje me hetimet për ndihmën sociale për veteranët e luftës. Prokurori Elez Blakaj ka pretenduar se zyrtarët qeveritarë, përfshirë këtu Kryeministrin Haradinaj, e kanë penguar punën e tij deri sa ishte duke hetuar pretendimet se deri në 19,000 njerëz po kërkojnë para nga shteti në mënyrë të rreme, dhe kështu shpërthyen protestat.

Ndonëse Kryeministri me sa duket është ballafaquar me vështirësi në realizimin e premtimeve të fushatës së tij, disa kritikë e theksojnë natyrën e qeverisë si pengesë në ringjalljen e ekonomisë. Për ta formuar koalicionin qeverisës, partitë që e përbëjnë koalicionin PAN e formuan gjithashtu një partneritet me Aleancën Kosova e Re (AKR) dhe Listën Serbe, e cila më vonë dha dorëheqje nga qeveria.

Qeveria e re e publikoi vizionin e saj për mandatin në një program të titulluar Fillimi i Ri. Demi mendon se ky program u bë shpejtë e shpejtë dhe me qasje “të shkapërderdhur” ndaj ekonomisë.

Agron Demi beson se qeveria Haradinaj tani përbëhet nga disa parti që nuk kanë asgjë të përbashkët me njëra tjetrën. Ai mendon se kjo u bë e qartë nga fakti se koalicioni nuk garoi me një program të përbashkët politik në zgjedhje.

PAN e lajmëroi vendimin për të garuar së bashku në ditën e fundit për regjistrimin e koalicioneve parazgjedhore në Komisionin Qendror Zgjedhor (KQZ). Para kësaj, tri partitë më të mëdha të koalicionit kishin programe të ndara, dhe për Demin, asnjëri prej tyre nuk ofronte hollësi për atë se si do ta ringjallnin ekonominë.

Ai thekson premtimin e fushatës së Nismës Sociale Demokrate për t’i punësuar 25,000 njerëz brenda 2 viteve, ku kriter kryesor ishte që këta njerëz të mos kenë anëtarë të familjes së afërt të punësuar. Demi e etiketon këtë premtim si të dëmshëm për ekonominë dhe mendon se punësimi duhet të jetë i bazuar në kualifikime.

Qeveria e re e publikoi vizionin e saj për mandatin në një program të titulluar Fillimi i Ri. Demi thotë se ky program u bë shpejtë e shpejtë dhe me qasje “të shkapërderdhur” ndaj ekonomisë. Ekonomisti mendon se kjo bazë e lëkundshme ka bërë që qeveria të dështojë në marrjen e vendimeve që mund ta ndihmojnë zhvillimin ekonomik.

Demi i përshkruan veprimet dhe vendimet e qeverisë si të kryera në formë ad hoc dhe beson se ata nuk po e zbatojnë Strategjinë Kombëtare për Ekonominë, që u miratua në vitin 2015. Ai e thekson veçanërisht sektorin e arsimit – që është parë si element jetik për zhvillimin ekonomik në strategjinë ekonomike – si dështim kyç.

Sektori i arsimit është karakterizuar me skandale në mandatin e qeverisë aktuale. Agjencia Kosovare e Akreditimit, që garanton kualitet në arsim të lartë, e humbi anëtarësinë në Regjistrin Evropian për Sigurim të Kualitetit. Kjo erdhi si rrjedhojë e mungesës të pavarësisë pasi bordi dhe drejtori i përkohshëm u shkarkuan nga Ministria e Shkencës, Arsimit dhe Teknologjisë.

Krijimi i vendeve të punës përmes rritjes

Për pjesën më të madhe të qytetarëve, kërkesa kryesore nga ekonomia është krijimi i vendeve të punës dhe reduktimi i nivelit të lartë të papunësisë. Në një raport të publikuar nga UNDP në nëntor të vitit të kaluar, 40 përqind e të anketuarve e identifikuan papunësinë si problemin më të madh të Kosovës.

Kryetari i Kuvendit dhe kreu i PDK-së Kadri Veseli foli për rëndësinë e krijimiit të vendeve të reja të punës gjatë fushatës zgjedhore në 2017, duke premtuar 60,000 vende të reja pune. Në një bisedë me K2.0, Këshilltari ekonomik i Kryeministrit, Gazmend Abrashi, u zotua se qeveria do të krijonte edhe më shumë vende pune se pretendimi ambicioz i Veselit.

Këshilltari ekonomik beson se kjo qeveri është “qeveria më proaktive prej kur u çlirua vendi”, duke shtuar se me këtë intensitet, ajo mund t’i arrijë synimet e saj. Ai gjithashtu i lidh përpjekjet për krijimin e vendeve të reja të punës me numrin e njerëzve që pritet të pensionohen në të ardhmen e afërt. Megjithatë, kur u pyet se a krijon kjo vende të reja të punës apo thjeshtë i zëvendëson vendet aktuale të punës, Abrashi nuk kishte përgjigje.

 

 

Ekonomisti Florin Aliu paralajmëron se nivelet e punësimit mund të rriten vetëm nëse arrijmë një rritje ekonomike në vlerë tetë ose nëntë përqind. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Sipas të dhënave të Bankës Botërore, Kosova mund të pres një rritje ekonomike prej 4.2 përqind në vitin 2018, ngjashëm me nivelet e rritjes në vitet e fundit. Kjo duket si shenjë pozitive, por Florin Aliu, hulumtues ekonomik në Tomas Bata University në Republikën e Çekisë thotë se, “ky nivel i rritjes nuk mund të krijojë më shumë vende pune se në të kaluarën”.

Sipas Aliut, vetëm kur të rritet ekonomia për 8 apo 9 përqind mund të fillojmë të flasim për zhvillim ekonomik dhe rritje të nivelit të punësimit. Me sa duket Kadri Veseli pajotohet me këtë parashikim, sepse gjatë fushatës zgjedhore ai premtoi se shteti do të ketë rritje ekonomike në vlerë 8 përqind.

A është përgjigja tek infrastruktura?

Por me gjithë premtimet e parealizuara të Haradinajt, çfarë përpjekje po bën qeveria për t’i kontribuar zhvillimit ekonomik? Sipas këshilltarit Abrashi, qeveria do ta zhvillojë ekonominë nëpërmjet këtyre parimeve: investime në infrastrukturë, investime të jashtme dhe menaxhim i integruar i kufijve.

Këshilltari ngul këmbë se qeveria Haradinaj ka një qasje më ndryshe ndaj zhvillimit ekonomik në krahasim me qeveritë e kaluara, por kur kërkohet nga ai ta shtjellojë atë se si janë më ndryshe kur investimet e jashtme dhe investimet në infrastrukturë janë përmendur edhe në të kaluarën, Abrashi nuk ofron hollësi të mëtejme, duke thënë “kjo do t’i binte të flasim keq për qeveritë e tjera dhe këtë nuk duam ta bëjmë”.

Megjithatë, ai tha se investimet në infrastrukturë i shohin si çelës të suksesit për zhvillim ekonomik dhe se mënyra se si do t’i bëjnë ato i dallon nga qeveritë e kaluara.

Me sa duket devoluimi lokal do të jetë një tjetër gurthemel i qasjes së tyre, pasi që Abrashi i thekson si suksese takimin ndërmjet Kryeministrit Haradinaj dhe Kryetarit të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmetit, si dhe miratimin e ligjit të ri që rregullon kryeqytetin, që u miratua në maj. “Katërdhjetë përqind e banorëve jetojnë në Prishtinë, kështu që kryeqyteti do të përfitojë nga investimet, e kjo nuk ka ndodhur në dy dekadat e fundit”, thotë Abrashi.

Ai thekson gjithashtu projektet që po financohen aktualisht nga qeveria nëpërmjet Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, dhe po propozohen dhe menaxhohen nga Komuna e Prishtinës, duke thënë se ato do të ndikojnë pozitivisht në ekonomi dhe do ta përmirësojnë imazhin e vendit. Këto projekte përfshijnë rindërtimin e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve dhe zhvillimin e rrugës unazore të jashtme të qytetit. Abrashi thotë se kjo marrëdhënie mund të përsëritet në 11 komuna të tjera dhe se autostradat janë prioritet.

Këshilltari ekonomik i Kryeministrit, Gazmend Abrashi, argumenton se projektet e infrastrukturës mund t’i ndihmojnë ekonomisë së Kosovës. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Ndërtimi i rrugëve duket se është pika kryesore e fokusit për qeverinë. Abrashi gjithashtu po e promovon ndërtimin e autostradës Prishtinë-Shkup si hap jetik, për shkak se do ta lehtësojë transportin e njerëzve dhe mallrave. Në përgjithësi, ai thotë se duke e përmirësuar sistemin e rrugëve, “produktet kosovare do të kenë mundësi të hynë në tregun e Bashkimit Evropian”.

Abrashi gjithashtu i thekson investimet në hekurudha, duke thënë se brenda 36 muajve, Kosova do ta ketë një “sistem modern të hekurudhave”, dhe se kjo do ta reduktojë humbjen dy përqindëshe në prodhimin lokal bruto që shkaktohet si rrjedhojë e vonesave në kufij – siç ka vlerësuar Banka Botërore.

Përdorimi i projekteve të infrastrukturës për ta nxitur rritjen ekonomike nuk është fenomen i ri në Kosovë, për shkak se plot projekte janë ndërmarrë në të kaluarën, përfshirë këtu Autostradën Ibrahim Rugova që lidh Kosovën me Shqipërinë, e cila u përfundua në vitin 2009. Pavarësisht kësaj, rritja e ekonomisë së Kosovës ka mbetur e qëndrueshme dhe ndërtimi i asaj rruge me sa duket nuk kishte ndonjë ndikim të madh.

Agron Demi beson se fokusi në infrastrukturë nuk do të sjellë zhvillim ekonomik siç po pretendon qeveria. Ai justifikon pretendimin e tij duke theksuar rastet e keqmenaxhimit dhe keqpërdorimit të buxhetit, duke cituar shembullin e autostradës Prishtinë-Shkup dhe vendimin e qeverisë për t’i paguar 53 milion euro dëmshpërblim kompanisë që po e ndërton rrugën, Bechtel Enka.

Sipas Demit, Ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj morri një vendim të nxituar dhe të dyshimtë kur i pagoi borxhet që i pretendonte kompania, duke e dëmtuar rëndë buxhetin shtetëror. “Me ato para mund ta financonim 70 përqind të rrugës Prishtinë-Pejë, që do të kushtojë rreth 80 milion euro”, thotë ai. Për Demin është e çuditshme se si zyrtarët qeveritar e prezantuan vendimin si sukses, duke deklaruar se i shpëtuan 10 milion euro duke e reduktuar pagesën nga 63 milion në 53 milion euro.

Gazmend Abrashi nuk pajtohet me këtë. Ai thotë se pagesa ende nuk është kryer dhe se qeveria “mund të ishte përballur me arbitrazh ndërkombëtar dhe të rrezikonte humbjen e më shumë parave” po të mos e kishte marrë vendimin. Megjithatë, Kryeministri Haradinaj së fundmi e kundërshtoi këtë pretendim, duke thënë në një intervistë se ajo shumë do të paguhej sepse “rruga duhet të kryhet”.

Para në vendet e duhura

Florin Aliu nuk është i bindur nga rekordi i qeverisë për ekonominë. Ai thotë se në vitin e fundit nuk kishte parë veprime që do ta “ristrukturonin ekonominë dhe t’i nxisnin bizneset lokale”.

Aliu beson se zgjidhjet nuk i gjejmë tek infrastruktura, por te menaxhimi i kapitalit të shtetit. Ai shton se qeveria duhet ta shfrytëzojë fondin e privatizimit dhe remitancat e dërguara nga kosovarët që jetojnë në vende të ndryshme të botës. Aliu beson se veprimet e tjera do të sjellin vetëm nivele të ngjashme të rritjes ekonomike që i kemi parë në të kaluarën, që nuk janë të mjaftueshme për ta rritur shumë nivelin e punësimit.

Remitancat e dërguara në Kosovë nga kosovarët që jetojnë jashtë vendit vlerësohet të arrijnë një total prej mbi 650 milion euro në vit. Banka Qendrore e Kosovës deklaroi muajin e kaluar se anëtarët e diasporës kanë shprehur interesimin e tyre për të investuar në sektorin financiar në mënyrë që të lehtësohet zhvillimi ekonomik.

Për Aliun, ekonomia lokale ka shumë nevojë për një injektim të këtij lloji të kapitali financiar. Ai e përshkruan sistemin financiar si të dështuar, “sepse nuk ka arritur t’i ofrojë qasje në financa të gjitha bizneseve”. Sipas tij, do të ishte mënyrë e mençur t’i ofrohet qasje në kapital financiar bizneseve të vogla dhe të mesme, në mënyrë që ato të kenë mundësi t’i zgjerojnë aktivitetet, dhe kështu të krijohen vende të reja të punës.

Zyrtarët nga Banka Qendrore e Kosovës kanë shprehur gjithashtu shqetësimet e tyre për zbrazjen e kapitalit financiar të Kosovës. Nga janari deri në maj 2018, mbi 111 milion euro dolën jashtë vendit.

Zyrtarët nga Banka Qendrore e Kosovës kanë shprehur gjithashtu shqetësimet e tyre për zbrazjen e kapitalit financiar të Kosovës. Nga janari deri në maj 2018, mbi 111 milion euro dolën jashtë vendit, ndonëse kjo shifër është më e ulët se ajo e periudhës së njëjtë të vitit 2017.

Në lidhje me investimet në infrastrukturë, Abrashi e thekson edhe ndërtimin e zonave ekonomike që sipas tij do të jenë të lidhura me “sistemin e rrugëve dhe hekurudhave”, duke krijuar mundësi më të mira për eksportim të mallrave që prodhohen në Kosovë.

Agron Demi argumenton se qeveria i përdorë këto zona ekonomike në mënyrë strategjike, duke i vendosur në zona që kanë përqendrim të lartë të mbështetësve të partive qeverisëse. Ai merr shembullin e zonës ekonomike në Malishevë, e caktuar nga ish-ministri Bajram Hasani, anëtar i Nismës Social Demokrate, e cila e konsideron Malishevën si bastion të saj.

Abrashi e mohon këtë, duke thënë se “Prishtina dhe Prizreni janë dy qendrat që do të përfitojnë më së shumti dhe e dimë kush i udhëheqë ato”, duke aluduar tek kryetarët Shpend Ahmeti nga Partia Social Demokrate në Prishtinë dhe Mytaher Haskuka nga Vetëvendosje në Prizren.

Demi gjithashtu argumenton se raporti i publikuar nga Instituti GAP në vitin 2012 tregoi se, institucionet shtetërore nuk kanë kryer studim të fizibilitetit për t’i përcaktuar përfitimet që do t’i sjellin këto zona ekonomike, mënyrën e përdorimit të tyre dhe efektet ekonomike të tyre.

Por Abrashi beson se zonat ekonomike do të jenë të mira për investime të jashtme. Sipas tij, këto zona do të tërheqin investime nga kompanitë ndërkombëtare. “Të gjithë këta hapa [rrugët, hekurudhat, zonat ekonomike] do të shoqërohen me menaxhim të integruar të kufijve, kështu që bizneset e huaja do të përfitojnë nga investimet në Kosovë”, argumenton ai.

Ndonëse Abrashi mund të jetë i bindur për argumentet e tij, ndikimi i qeverisë në ekonomi në vitin e parë është i diskutueshëm. Përfitimet e pothuajse të gjitha projekteve të mëdha që i ka nisur kjo qeveri janë kontestuar. Termocentrali i ri është akuzuar për mundësinë e rritjes të çmimit të energjisë dhe ndërtimi i autostradës po përcjellet me skandale. Me sa duket po e ndjekin rrugën e njejtë dhe të dështuar drejt ringjalljes ekonomike, si qeveritë e mëparshme.

Premtimet e fushatave me sa duket po shkojnë në drejtimin tjetër, ndërsa ekspertët argumentojnë se alternativat e tjera për zhvillim ekonomik nuk janë marrë parasysh nga qeveria Haradinaj. Përveç kësaj, shpenzimet buxhetore në skema sociale dhe rritjet e pagave për zyrtarët e lartë shtetëror shpeshherë janë etiketuar si keqmenaxhim.

E gjithë kjo ka ndodhur në një situatë ku papunësia mbetet e lartë. Një sondazh i publikuar së fundmi nga UNDP tregon se 60 përqind e të rinjve duan të largohen nga vendi për shkak të kushteve socio-ekonomike. Zgjidhje duhet të gjejmë shpejtë. K

Foto kryesore: Atdhe Mulla / K2.0.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO

Kthehu n'fillim

THANKS FOR YOUR COMMENT

AFTER A QUICK CHECK IT WILL BE PUBLISHED HERE. PLEASE BE PATIENT.

THANKS FOR SUBSCRIBING

THANKS FOR YOUR COMMENT

AFTER A QUICK CHECK IT WILL BE PUBLISHED HERE. PLEASE BE PATIENT.