Këtë vit, edicioni i 16-të i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Anibar trajtoi të tashmen, që po karakterizohet me pasigurinë në rritje, lodhjen emocionale dhe dështimet e përsëritura të historisë. Festivali mobilizoi si kujtesën, ashtu edhe të tashmen e trazuar, jo si trajektore lineare drejt progresit, por si hapësira ngërçi, ku mundësia e një transformimi të njëmendtë duket gjithnjë e më e paarritshme.
Përmes veprimeve kolektive dhe hapësinore të angazhimit, si shfaqje filmash, biseda, prezantime, programe arsimore dhe përvoja përmes realitetit virtual (VR), tensioni mes shpresës dhe dëshpërimit u materializua dukshëm nëpër Pejë, mes mureve të saj, përgjatë rrugëve dhe hapësirave të gjelbra.
Jashtë “Jusuf Gërvallës”, kinemasë së vetme të qytetit, skena ishte e njohur: pjesëmarrësit e festivalit hynin në hapësirë me pritshmëri, ku vullnetarët me bluza me mbishkrime grafike i përshëndesnin, kurse stenda e produkteve të festivalit rrinte e vendosur përballë rrugës. Në prapavijë me zhurma trafiku, koordinatorja e festivalit Anibar, Vita Kasapolli, foli për identitetin në zhvillim të festivalit dhe temën provokuese të këtij viti.
Edicioni i vitit 2025, i mbajtur nga 14 deri më 20 korrik, u fokusua rreth temës “WTF?!”, një koncept i lënë qëllimisht i hapur, duke ofruar hapësirë për një kuptim të dyfishtë: një kërkim spekulativ rreth të ardhmes së pasigurt, “What’s The Future?!”, (në shqip: Cila është e ardhmja?), dhe një reagim emocional dhe i sinqertë ndaj pikërisht asaj pasigurie, “What The F***?!”.
“Nuk lidhet vetëm me diçka specifike; secili ka lirinë të vendosë se çka mendon se nuk është në rregull. Mund të jetë personale. Mund të jetë kolektive”, tha Kasapolli. “Nuk ka pse të jetë politikisht korrekte; është e hapur”.

Fotografia: Ferdi Limani / K2.0.
Kasapolli theksoi se ndonëse dy edicionet e kaluara kanë përçuar një ndjenjë optimizmi, përmes temave të dashurisë dhe luftës kundër patriarkatit, ngjarjet e fundit në botë e bënë më të vështirë mbajtjen e këtij qëndrimi. Tema aktuale pasqyron paqartësi më të gjerë emocionale dhe politike, si dhe i fton, si krijuesit, ashtu edhe publikun, të ballafaqohen me botën e ndërlikuar nëpërmjet interpretimit të tyre.
Programi i Anibar përqafoi një frymë hapjeje, duke prezantuar një llojllojshmëri temash emocionale dhe politike, në kategoritë konkurruese dhe jokonkurruese, me përzgjedhjet të vlerësuara nga një juri ndërkombëtare. Në mesin e 143 filmat e animuar, pati filma më të lehtë për publikun e ri, deri te komeditë e errëta, veprat eksperimentale, dokumentarë, videoklipe muzikore dhe një përzgjedhje specifike të këtij viti që vuri në qendër Ballkanin dhe Palestinën.
Anibar – një histori deri më tani
Anibar nisi në vitin 2010 si një nismë lokale, e udhëhequr nga një grup artistësh të rinj aktivistë nga Peja, përfshirë Petrit Gorën, sot drejtor kreativ dhe Vullnet Sanajën, sot drejtor ekzekutiv. Festivali nisi si një mbledhje e vogël vendore, ku themeluesit ftonin shoqërinë dhe familjarët për të shfaqur filma të animuar në kinemanë “Jusuf Gërvalla” në Pejë.
I regjistruar zyrtarisht si organizatë joqeveritare (OJQ), Anibar shpejt u shndërrua nga një nismë lokale, në një festival filmi të animuar të njohur ndërkombëtarisht. Profili ndërkombëtar i festivalit është i qartë, duke mirëpritur një sërë regjisorësh dhe artistësh si Mike Reiss (drejtuesi kryesor dhe producent i serialit të animuar “The Simpsons”), Bryan Newton dhe Matt Taylor (regjisor i disa projekteve, përfshirë “Rick and Morty Exquisite Corpse”). Në qendër të pozicionimit ndërkombëtar të Anibarit qëndron trupi kuratorial dhe vlerësues i festivalit, i përbërë nga një juri profesionistësh me rotacion nga e gjithë bota, ku pikëpamjet e tyre të ndryshme disiplinore, përfshirë animacionin, filmin, studimet kulturore dhe të drejtat e njeriut, sigurojnë që Anibar të mbetet i rrënjosur thellë në diskurset që zhvillohen nëpër botë në industrinë e animacionit.
Teksa statusi ndërkombëtar i festivalit Anibar është rritur, përkushtimi i tij ndaj qytetit të Pejës ka mbetur thellësisht i rrënjosur. Zhvillimi i festivalit është i pandashëm nga shpëtimi i kinemasë “Jusuf Gërvalla”, një hapësirë që ka formësuar identitetin e festivalit që nga fillimi. Përgjatë viteve, Anibar është shndërruar po ashtu në një magnet kulturor, duke tërhequr vizitorë ndërkombëtarë dhe duke kontribuar në ekonominë lokale të Pejës përmes turizmit, mikpritjes dhe angazhimit me industrinë kreative.
Ndikimi ekonomik i Anibarit
Teksa shpenzimet direkte gjatë Anibarit sjellin burime të konsiderueshme financiare në ekonominë lokale, efekti shumues tregon se kontributi ekonomik i festivalit është edhe më i madh në përmasa.
- Shpenzimet totale të konsumatorëve:
€1,671,067.50 (Përfshin akomodimin, ushqimin dhe pijet, transportin, argëtimin dhe suveniret)
- Efekti ekonomik shumues:
1.07 (Bazuar në të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës)
Burimi: IDRA Consulting, “Vlerësimi 2024 i ndikimit socio-ekonomik të festivalit Anibar në Kosovë”
Në vitin 2016, Anibar u bë hapësirë e zëshme e rezistencës politike, duke mbrojtur aktivisht kinemanë “Jusuf Gërvalla” kundër planeve për rrënim dhe projekteve komerciale. Përmes ballafaqimit të drejtpërdrejtë me Agjencinë e Privatizimit të Kosovës (APK) dhe qeverisjen komunale, ekipi udhëhoqi përpjekjet për ta mbrojtur kinemanë “Jusuf Gërvalla” nga shkatërrimi dhe transformimi në një hapësirë komerciale.
Aktivizmi i Anibarit është zhvilluar përtej kundërshtisë institucionale ndaj akterëve shtetërorë dhe privatë; festivali angazhohet gjithashtu në një konflikt më të gjerë shoqëror e kulturor, veçanërisht me qëndrimet konservatore brenda segmenteve të komunitetit vendas. Reagimet publike, veçanërisht ato përmes rrjeteve sociale, kanë shënjestruar mbështetjen e festivalit për grupet e margjinalizuara, veçanërisht komunitetin queer, në vitin 2023.
Një dialog i ri mirëkuptimi
Këtë vit, Anibar u përpoq ta krijojë një dialog të ri mirëkuptimi me qytetin e Pejën. Siç e përshkroi koordinatorja e Festivalit, Kasapolli: “Në vend që Peja të vijë te ne, ne shkuam te Peja”. Ky ndryshim u shënua me hapjen e Kinemasë së Çarshisë, një nismë që synonte ta sillte festivalin më afër qytetit.
E vendosur në zemër të tregut historik të Pejës, “Çarshia e Gjatë”, ekrani i kinemasë së Çarshisë ndodhet përballë xhamisë “Bajrakli” të shekullit XV, një nga monumentet më të rëndësishme osmane në Kosovë. Vetë xhamia qëndron si dëshmi e çarjeve të dhunshme historike të qytetit. Ajo u shkatërrua dy herë, fillimisht nga forcat italiane në vitin 1943 dhe më pas në vitin 1999 nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë.

Fotografia: Ferdi Limani / K2.0.
Fjalët e Kasapollit, që Anibarin e përshkruanin si festival që “vjen te Peja”, morën një kuptim të qartë hapësinor kur i afrohesh Kinemasë së Çarshisë. Vendndodhja e re është menjëherë tutje tregut historik të qytetit, afër “Soliterit”, një bllok banimi brutalist me 13 kate, që ngrihet mbi skajin lindor të qendrës, ku dikur jetonin gjyshërit e mi. Rruga drejt kinemasë është një rrugë e njohur për shumë vendas; është e njëjta që dikur të çonte në shtëpi pas shfaqjeve të vona. Tani na çon në zemër të një hapësire të rimenduar komunitare.
Teksa thirrja e ezanit për namaz jehonte nëpër çarshi para shfaqjes, bashkimi i narrativave kinematografike palestineze me ritualin islamik zgjoi një ndjenjë njohjeje të dëbimit, zhdukjes dhe gjenocidit. Kjo ndërthurje e fuqishme vuri në pah ndërlikueshmërinë e kujtesës në kontekste pas-konflikti, ku aktet e ruajtjes kulturore dhe shprehjes artistike bëhen vende thelbësore rezistence ndaj harresës dhe zhdukjes. Disa filma shtjelluan tema të luftës dhe konfliktit, veçanërisht përmes programit “Palestina e animuar”, që përfshinte tetë filma të shkurtër, që përshkruanin jetën nën okupim dhe traumën e qëndrueshme të luftës. Këta filma të animuar ofronin përshkrime personale dhe shpesh intime të mbijetesës, kujtesës dhe rezistencës, duke theksuar më tej rolin e artit në përballjen me dhunën historike dhe në ruajtjen e kujtesës kolektive.
“Ne jemi një popull që ka dalë nga lufta; edhe ata në mesin tonë që nuk e përjetuan drejtpërdrejt, jetojnë me ankthin e trashëguar nga prindërit dhe kujtimet e miqve që e përjetuan”, tha Kasapolli. “Për këtë arsye ishte e domosdoshme që këta filma të shfaqeshin në festival”.
Dhimbje e shprehur në të gjitha ngjyrat
Flaka Kokolli, regjisorja e filmit “17 o’clock”, i cili u shfaq në Anibar, reflektoi rreth mënyrës se si animacioni si medium, formëson përfaqësimin e dhimbjes dhe traumës.
Programi “Dokumentarë të animuar” paraqiti filma të bazuar në ngjarje të vërteta. Këto narrativa u prezantuan ose nga pikëpamja në vetën e parë, ose përmes zërave të lidhur ngushtë me producentët, të cilët punuan me individë për t’i animuar përjetimet e tyre personale. “17 o’clock” fokusohet te një familje prej katër anëtarësh që përpiqet ta ruajë ndjenjën e normalitetit gjatë konfliktit të armatosur të vitit 2001 në Maqedoninë e Veriut. Filmi ndjek protagonistët e vegjël, ndërsa përpiqen ta mbajnë gjallë pafajësinë e tyre të brishtë dhe dëshirën për të luajtur jashtë, pavarësisht rreziqeve të vazhdueshme që i rrethojnë.
“Ajo që është interesante te animacioni është se mund të paraqesësh shumë, duke mbajtur njëkohësisht personazhet anonime dhe mund të jesh më përzgjedhës me hollësitë sesa në format e tjera të filmit”, tha Kokolli. “Nga njëra anë, nuk do që ta bësh shumë senzacional dhe të tregosh vetëm hollësi të dhunshme, sepse ato do të jenë të vetmet që do t’u mbeten në mendje njerëzve. Nga ana tjetër, nuk do ta minimizosh atë që ka ndodhur, veçanërisht kur këto janë realitetet e dikujt tjetër”.
Kokolli shpjegoi komunikimin e ngushtë mes producentëve dhe gruas që ndau historinë e saj për krijimin e “17 o’clock”. “Dokumentari bazohet në një person të vërtetë; nuk ka më të bëjë me abstrakten apo politikën, por me atë që ndien ai individ”, shpjegon ajo.
Kokolli përmendi gjithashtu Shkollën e Animacionit në Prishtinë, një kurs nëntëmujor ku të rinjtë mësojnë bazat e animacionit. Shkolla u hap para shtatë vitesh dhe Kokolli iu bashkua pesë vjet pas fillimit të saj. Në fund të kursit, secili/a student/e krijon një film të shkurtër, i cili mund të shfaqet të shfaqet në festivalin Anibar.

Fotografia: Ferdi Limani / K2.0.
Programi është plotësisht falas. “Për ne është qenësore që studentët të mos paguajnë asnjëherë për të”, shpjegon Kokolli. “Nëse ndonjëri nga këto programe do të kishte pasur kosto, shumë prej nesh nuk do të kishin mundur të bëheshin pjesë e industrisë”.
Tani, Kokolli po merr mbështetje përmes nismës “Pitch It!” Filmi i saj, “I Still Haven’t Cried”, fitoi çmimin e parë në këtë edicion të “Pitch It!”, një platformë ku animatorët prezantojnë idetë e tyre para një jurie ndërkombëtare për të fituar mundësi financimi, mentorimi dhe mbështetjeje në industri.
Filmi vendos publikun në një këndvështrim ndërhyrës dhe shqetësues, teksa dy vajza flasin hapur për pikëllimin dhe mpirjen emocionale. “I Still Haven’t Cried” shtjellon se si objektifikimi i vajzave të reja mund t’i heshtë përjetimet e tyre të ndjeshme. Me fitimin e çmimit të parë, Kokolli ka siguruar mjete financiare dhe mentorim, duke shënuar një hap të rëndësishëm për zhvillimin e filmit.
Duke reflektuar rreth këtij momenti, Kokolli tha se: “Po flisnim me Vullnetin [Sanaja], drejtorin e organizatës dhe ai e përshkroi atë që ndodhi me ‘Pitch It!’ si ndërhyrje hyjnore. Dhe unë thashë që ishte ndërhyrje hyjnore në mes të apokalipsit”.
Fjalët e Kokollit janë më shumë sesa ndjesi personale. Ato pasqyrojnë një ankth ekzistencial më të gjerë, që përshkon brezin e ri në Kosovë, veçanërisht ata që përpiqen të ndërtojnë të ardhme kreative jashtë kryeqytetit.
Në kontekstin kosovar, centralizimi asimetrik, përfshirë financimin, infrastrukturën, arsimin e lartë, kapitalin kulturor, madje edhe dukshmërinë, e ka pozicionuar Prishtinën si qendër urbane mbizotëruese, shpesh në dëm të qyteteve rajonale si Peja.
“Nëse do të studiosh, duhet të shkosh në Prishtinë. Nëse do ta gjesh një punë, shko në Prishtinë”, tha Kasapolli, koordinatore e programit në Anibar. “Edhe nëse gjen punë në Pejë, është e vështirë të ndihesh mirë me individualitetin tënd, me rrobat e tua, me shoqëritë e tua”.
Anibar si infrastrukturë kulturore e decentralizuar
Shumë nga figurat kyçe të Anibarit e kanë nisur rrugëtimin e tyre brenda vetë festivalit, duke dëshmuar rolin e tij të rrënjosur në kultivimin e talenteve vendore. Vita Kasapolli fillimisht u angazhua në Anibar si pjesëmarrëse në shfaqje dhe punëtori. Pastaj më vonë u bë vullnetare, iu bashkua stafit dhe ndërkohë u ngrit në rolin e saj aktual si koordinatore e programit të festivalit.
Një rrugë të ngjashme ndoqi edhe Kaltrina Berisha, e cila filloi si pjesëmarrëse në punëtori dhe vullnetare. Me kalimin e kohës, filloi të mbante mentorim për të tjerët dhe tani është njëra nga 10 animatorët e rinj të përzgjedhur për Anibar Pro – Genesis – një nismë e re franko-kosovare që synon t’i mbështesë regjisorët e rinj dhe ta fuqizojë industrinë kreative në rajon.
Kokolli iu bashkua Anibarit si vullnetare në vitin 2013, pastaj mori pjesë në punëtori, mbajti mentorime për të rinjtë dhe kontribuoi në përzgjedhjen e programit për audiencat e reja. Pas studimeve në animacion në Budapest, u rikthye në Anibar për t’i prezantuar veprat e saj dhe tani udhëheq studion e saj të animacionit, “Flammorum”.

Fotografia: Ferdi Limani / K2.0.
Në një peizazh ku njohja dhe legjitimiteti shpesh ndërlidhen me kryeqytetin, Anibar ofron një gjeografi alternative të përkatësisë. Siç reflekton Berisha: “Anibar na ka bërë të ndihemi të dukshëm”, duke theksuar se festivali është një hapësirë ku të rinjtë jo vetëm që marrin mentorime, por ata edhe njihen, mbështeten në aspektin shoqëror dhe institucional.
“Duke pasur parasysh gjithçka që po ndodh në Kosovë tani, sinqerisht më frikëson ideja se mund të bëhet shumë e vështirë ta mbajmë gjallë festivalin, jo vetëm Anibarin, por të gjitha festivalet”, tha Berisha, duke iu referuar faktit se të rinjtë po shpërngulen në Prishtinë për studime dhe punë.
Megjithatë, ajo shprehet optimiste për të ardhmen, pasi pjesëmarrja në Anibar vazhdon të rritet çdo vit.
“Producentët vazhdimisht na thonë: Kosova është vend me potencial në këtë industri. Mezi po presim ta shohim çka do të krijoni pas tre vitesh”, shton ajo. “Kjo më jep shpresa”.
Teksa të rinjtë në Kosovë ballafaqohen me traumën e trashëguar dhe një klimë globale gjithnjë e më të paqëndrueshme, Anibar vazhdon të mbetet një infrastrukturë e gjallë e imagjinatës, duke e shndërruar animacionin në një formë kolektive të shprehjes.
Imazhi i ballinës: Ferdi Limani / K2.0.
Dëshironi të mbështetni gazetarinë tonë? Anëtarësohuni në “HIVE” ose konsideroni një donacion. Mëso si këtu.