Biseda | LGBTQ+

Yasmin Benoit: Kështu duket aseksualiteti

Nga - 15.09.2022

Modelja dhe aktivistja britanike flet për aseksualitetin.

Si adoleshente e re, Yasmin Benoit s’lidhej dot me shoqërinë saj gjatë bisedave rreth simpative të tyre, dëshirave seksuale apo takimeve romantike. Vazhdimisht përballej me pyetje lidhur me mungesën e dukshme të interesit në këdo. Më vonë u pyet edhe për orientimin e saj seksual; nëse ajo s’flet për djemtë, me shumë gjasë i pëlqejnë vajzat. Por ajo e dinte se nuk ishte lezbike.

Pastaj shoqja e saj e njoftoi me faqen e internetit “Tumblr”, ku filloi të lexonte për përvojat e të rinjve e të rejave, përvoja të cilat i ngjanin me të sajat. Ishte aseksuale. Sot është një aktiviste, modele, shkrimtare dhe folëse për aseksualitetin me famë botërore.

Aseksualiteti i referohet mungesës së tërheqjes seksuale ndaj të tjerëve, ose interesimit të ulët për aktivitet seksual, pavarësisht gjinisë. Konsiderohet si orientim seksual, njësoj si lezbike, gej, biseksual ose queer (është “A-ja” në akronimin LGBTQIA). Por shumë njerëz nuk e dinë se çka do të thotë të jesh aseksual.

Pasi u përshkrua si “fytyra e pazakontë e aseksualitetit” nga revista “Cosmopolitan” për shkak të punës së saj si modele, ajo nisi lëvizjen #ThisIsWhatAsexualLooksLike për ta treguar komunitetin e larmishëm të njerëzve aseksualë dhe ishte bashkëthemeluese e Ditës Ndërkombëtare të Aseksualitetit, që i bie më 6 prill.

Këtë vit, ajo është njëra nga folëset kryesore në Konferencën Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut, e organizuar nga Civil Rights Defenders, si pjesë e EuroPride 2022, që po zhvillohet në Beograd nga data 12 deri më 18 shtator.

Yasmin mbajti një ligjëratë mbi “Demaskimi i Miteve për Aseksualitetin” dhe theksoi disa nga çështjet dhe sfidat kryesore me të cilat përballen personat aseksualë (apo “një pikë”) si njëri nga grupet më të nën-përfaqësuara dhe keqkuptuara në komunitetin LGBTQIA+. Ajo foli për nevojën për ta kuptuar aseksualitetin ngjashëm si orientimet e tjera seksuale, si një spektër plot nuanca. Për shembull, nëse një person nuk tërhiqet seksualisht nga një gjini e caktuar, jo domosdoshmërisht do të thotë se nuk dëshiron të ketë marrëdhënie romantike ose se nuk do ta përjetojë kurrë marrëdhënien seksuale. Njerëzit aseksualë mund të përjetojnë tërheqje romantike ose platonike, tërheqje sensuale ose estetike, si dhe lloje të tjera të tërheqjes që nuk kanë të bëjnë fare me seksin.

Sipas Benoit, shpesh aseksualiteti diagnostikohet si problem mjekësor e jo si orientim seksual. Fotografia: Igor Čoko / K2.0.

Sipas Benoit, 1% e popullsisë bëjnë pjesë në spektrin aseksual, apo mbi 70 milionë njerëz.

“Është më shumë se popullsia e shumë vendeve”, tha ajo.

Yasmin filloi nismën e parë për të drejtat aseksuale në Mbretërinë e Bashkuar, në partneritet me Stonewall, organizatën më të madhe evropiane të të drejtave LGBTQIA+. “Projekti Stonewall x Yasmin Benoit Ace” po hulumton çështjen e diskriminimit të njerëzve aseksualë në Mbretërinë e Bashkuar.

Pas prezantimit të saj në konferencë, K2.0 u takua me të për të folur rreth ideve të gabuara, përfaqësimit, diskriminimit dhe gjithçka që lidhet me aseksualitetin.

K2.0: Dje në konferencë, mbajtët një prezantim shumë të mirëpritur ku hodhët poshtë shumë mite dhe ideve të gabuara rreth aseksualitetit. Por nëse do ta veçonit njërën prej tyre, cilën ide të gabuar do ta konsideronit si më të dëmshmen për personat aseksualë?

Yasmin Benoit: Ideja kryesore e gabuar është se ndoshta s’është diçka në rregull fizikisht ose mendërisht me ty, sepse të gjitha idetë e gabuara përqendrohen rreth mendimit se ke probleme fizike ose psikologjike.

Nëse është fizike, atëherë me gjasë është diçka hormonale dhe ndoshta mund të trajtohet me barna, ose me diçka që mund ta rregullojë instinktin tuaj seksual dhe hormonet tuaja.

Dhe pastaj nëse është psikologjike, njerëzit mendojnë se është lloj sëmundjeje mendore, apo si pasojë e efektit shoqëror apo diçka tjetër, qoftë traumë, apo qoftë thjesht të pasurit të një  personaliteti të keq apo përvojë të keqe.

Rrallëherë hasim persona që identifikohen si aseksualë, apo rrallëherë madje dëgjojmë më shumë rreth kësaj përvoje që do ta krijonte një të kuptuar më të gjerë rreth aseksualitetit dhe njerëzve aseksualë. Kjo është arsyeja pse jam e interesuar në rrugëtimin tuaj në zbulimin e vetes dhe pranimin e vetes.

Njerëzit gjithmonë përpiqeshin ta zbulonin se çka nuk ishte në rregull me mua. Pothuajse çdo ditë më pyesnin se cili ishte seksualiteti im; përpiqeshin ta zbulonin pse nuk reagoja ndaj gjërave njësoj si të tjerët. Dhe kurrë s’kam pasur fjalët e duhura për ta përshkruar këtë. Ndonjëherë u thosha se jam heteroseksuale, por s’më pëlqejnë djemtë, që është disi mënyra ime për ta përfunduar atë diskutim dhe kur më pyesnin nëse jam gej, epo, s’më pëlqejnë as gratë.

Deri kur njëra nga shoqet e mia supozoi se mund të isha aseksuale, sepse ajo kalonte shumë kohë në Tumblr dhe kishte dëgjuar për këtë, sepse aty zhvilloheshin bisedat në atë kohë. Dhe kjo është çfarë më shtyu ta hulumtoj më tutje.

Kështu, mësova rreth kësaj sepse njerëzit gjithmonë më shtronin pyetje dhe më pyesnin se cili ishte orientimi im. Ishte diçka për të cilën s’kisha përgjigje, por më nxiti ta analizoja veten. Dhe s’kishte ndonjë lloj përfaqësimi të tij, si për shembull në mediat kryesore…

Shumë adoleshentë e përdornin internetin, duke krijuar përmbajtjen e tyre dhe kishte shumë burime personale, njerëz që ndanin historitë e tyre. I gjeta këto histori dhe rrëfime rreth përvojave të njerëzve të tjerë dhe e kuptova se tingëllojnë shumë si të miat. Dhe kësisoj e zbulova terminologjinë, por nuk isha plotësisht rehat ta përdorja atë, sepse të gjitha informacionet ishin në vetën e parë dhe kjo më bëri të dyshoj nëse ishte orientim legjitim apo thjesht një përvojë që një grup i caktuar adoleshentësh e kishte.

Ka shumë variacione të shkurtesave të përdorura për t’i grupuar identitetet seksuale dhe gjinore. Dhe me kalimin e kohës, shkurtesës LGBT i janë shtuar shkronja shtesë për ta njohur shumëllojshmërinë e përvojave. Çka do të thotë për njerëzit aseksualë ta kenë shkronjën “A” në akronim?

Mendoj se është e rëndësishme që “A-ja” të përfshihet. S’më pengon gjatë bisedave të rastësishme, shpesh e them Q+ sepse është më shkurt. Por mendoj se kur bëhet fjalë për organizata dhe të ngjashme, kjo tregon nivelin e përkushtimit ndaj komunitetit. Dhe s’ka asnjë arsye që të mos i përmbahen standardit të gjithëpërfshirjes, sepse janë angazhuar qartazi për të.

Kështu që, kur përfshihet “A-ja” do të thotë se je në dijeni se çka do të thotë, se e di se nëpër çka po kalon ky komunitet dhe do të bësh diçka lidhur me këtë.

Benoit po punon për ta rritur njohurinë e publikut se çka do të thotë të jesh aseksual. Fotografia: Igor Čoko / K2.0.

Në prezantimin tuaj i shfaqët disa statistika tejet shqetësuese, ku thuhej se 89% e njerëzve aseksualë e fshehin orientimin e tyre seksual. Cilat janë arsyet kryesore që i bëjnë ata të hezitojnë të dalin publikisht dhe të zgjedhin të mos identifikohen si aseksualë në publik?

Mendoj se arsyeja kryesore pse njerëzit aseksualë e fshehin orientimin e tyre është e ngjashme me orientimet e tjera seksuale. Është frika nga kundër-reagimi, frika nga të qenit të refuzuar, të pa kuptuar dhe të perceptuar si të çuditshëm, abnormal, të çrregullt ose të sëmurë. Sepse edhe pse njerëzit ende nuk e dinë se çka do të thotë aseksualiteti, ata prapë kanë shumë mendime rreth kësaj. Na mësohet ta shohim se të mos pasurit tërheqje seksuale është gjë e keqe, pavarësisht a e kuptoni apo jo aseksualitetin.

Kështu që mendoj se njerëzit kanë frikëse çka mund të thonë njerëzit, kanë frikë se mos perceptohen si të çuditshëm dhe të ballafaqohen me një milion pyetje.

Si shfaqet diskriminimi ndaj personave aseksualë? Me çka përballen shpesh personat aseksualë?

Për shembull, kur bëhet fjalë për kujdesin shëndetësor, personat aseksualë, 10% i nënshtrohen terapisë së konvertimit, sepse e kemi patologjizuar orientimin si “çrregullim i dëshirës seksuale hipoaktive” në Manualin Diagnostik dhe Statistikor të Çrregullimeve Mendore dhe Klasifikimin Ndërkombëtar të Sëmundjeve. Pra, nëse na duhet shkojmë te mjekët e kujdesit shëndetësor dhe t’ua përshkruanim aseksualitetin, ata do të prireshin të mendojnë se je i/e sëmurë dhe do t’ju përshkruanin barna, terapi dhe do të përpiqeshin t’ju kthenin në heteroseksualë, në vend se thjesht ta kuptonin se je person aseksual dhe ky është orientimi juaj.

Është e ngjashme me atë nëpër çka kalojnë dhe kanë kaluar personat e orientimeve tjera.

Pastaj, në vendin e punës nuk kemi të njëjtat mbrojtje për sa i përket akteve të barazisë, veçanërisht në Mbretërinë e Bashkuar.

Dhe çdo gjë që ka qenë e dëmshme për komunitetin queer është gjithashtu e dëmshme për komunitetin aseksual.

Ligjet për krimin e urrejtjes nuk kanë dispozita për mbrojtjen e njerëzve aseksualë, ndonëse ende përjetojmë urrejtje. Ende përjetojmë kundër-reagime. Ende përjetojmë përpjekje që provojnë të na ndreqin në të njëjtën mënyrë.

Një prej shqetësimeve kryesore, që është i qartë në hulumtimin rreth njerëzve aseksualë është shëndeti mendor. Ngjashëm me identitetet tjera të LGBTIAQ+, aseksualët shpesh përballen me mosbesim ose shpërfillje. Shpesh u thonë “thjesht ende s’e ke takuar personin e duhur”. Disa madje përpiqen t’u bëjnë presion personave aseksualë që të bëjnë marrëdhënie seksuale, gabimisht duke besuar se kjo do ta ndryshojë mungesën e tërheqjes së tyre seksuale. Si përkthehet e gjithë kjo në emocionet dhe ndjenjat e personave aseksualë?

Është përvojë tejet tjetërsuese dhe izoluese sepse askush tjetër nuk e kupton vërtet këtë aspekt të asaj se kush je. Sikur orientimi yt aseksual është një nga karakteristikat kryesore, pavarësisht se kush dëshiron të jesh. Dhe ka për qëllim të lidhet me atë se si duhet të vazhdojë pjesa tjetër e jetës tënde, si duhet të duket e ardhmja jote.

Dhe të thonë se po nuk iu përshtate një modeli të caktuar, me siguri do të kesh një të ardhme të vështirë dhe kjo mund të jetë përvojë tejet tjetërsuese. Dhe pastaj ti po ashtu nuk takon njerëz si vetja dhe nuk ke qasje tek njerëzit në jetën reale, për të parë nga afër shembuj se si duket e ardhmja jote. Kështu që, kjo thjesht bën që njerëzit të bien më shumë në depresion dhe të kenë më shumë ankth, sepse njerëzit janë krijesa sociale dhe është e vështirë të jesh po aq social dhe i hapur sa dëshiron të jesh, në qoftë se njerëzit nuk të kuptojnë apo lidhen me përvojat tua.

Heteronormativiteti dhe idetë problematike të “vlerave familjare” dhe familjes bërthamë, ofrojnë një bazë për diskriminim ndaj njerëzve me orientime seksuale apo identitete gjinore jokonformuese. Ky diskriminim ekziston sepse njerëzit homofobikë dhe transfobikë paramendojnë një shoqëri që nuk ka hapësirë apo ndjeshmëri për njerëzit gej apo trans. Besimet heteronormative diskriminojnë këdo që nuk është heteroseksual dhe këdo identiteti gjinor dhe seksi biologjik i të cilit nuk përputhet me këto besime. Por duket se personat aseksualë mund t’ia dalin ta shmangin një lloj të veçantë të këtij diskriminimi. A shkakton kjo përçarje mes aseksualëve dhe njerëzve tjerë që bëjnë pjesë nën ombrellën e LGBTQIA+?

Po, kjo po ndodh dhe ndodh edhe përbrenda komunitetit LGBTQIA+. Ekziston një mendësi e çuditshme që i ngjan shumë olimpiadës së shtypjes; në thelb duhet ta kesh përjetuar një sasi të caktuar diskriminimi që të njihesh. S’mendoj se kjo është mënyrë e mirë për ta përcaktuar rëndësinë e orientimeve, ose sa të vlefshme ose të rëndësishme janë disa përvoja. Ka persona gej që bëjnë jetë të rehatshme e të privilegjuar dhe kjo nuk i bën ata më pak gej. Kjo s’do të thotë se përvojat e tyre janë më pak të rëndësishme.

Dhe çdo gjë që ka qenë e dëmshme për komunitetin queer është gjithashtu e dëmshme për komunitetin aseksual dhe çka është e dëmshme për ne është e dëmshme për komunitetin queer.

Njerëzit gjithmonë më thoshin: "Nuk dukesh aseksuale". Dhe ua ktheja "si duket një aseksual"?

Heteronormativiteti e ka ndikuar komunitetin aseksual. Nëse e shkatërroni atë për ne, e shkatërroni për të gjithë. Nëse e shkatërroni për ata, e shkatërroni për ne. Pra, e gjitha është pjesë e së njëjtës kauzë.

E krijove hashtagun (thurrjen) #ThisIsWhatAsexualLooksLike dhe inkurajove njerëzit e tjerë në spektrin aseksual ta përdorin atë. Në prezantimin tënd thatë se hashtagu erdhi si pasojë e shtypjes me të cilën jeni ballafaquar shpesh. A e jeni ndierë se njerëzit nuk të besojnë se je aseksuale sepse nuk po i përshtatesh narrativës së vazhdueshme që i sheh gratë e zeza si hiper-seksuale?

Ishte kombinim i gjërave. Njerëzit gjithmonë më thoshin: “Nuk dukesh aseksuale”. Dhe ua ktheja “si duket një aseksual/e”? Jam unë ajo se si duket një aseksuale. 

Sepse nuk i perceptonin me të vërtetë gratë e zeza si aseksuale dhe gjithmonë më gjykonin në bazë të pamjes sime.

Dhe në të njëjtën kohë kur e shpenzoja atë kohë në internet e vërejta se aseksualiteti përfaqësohej shumë nga adoleshentët e bardhë amerikanë shumë të ngjashëm dhe mendova se ata s’mund të jenë që të gjithë. Kur pata mundësinë të takoj njerëz aseksualë në jetën reale, e kuptova se nuk i përfaqëson që të gjithë, është thjesht kë priremi ta shohim.

Dhe thjesht mendova se duke e krijuar këtë, nuk do t’i ndihmonte vetëm t’i kthehej agjencia komunitetit aseksual që ata të mund ta përfaqësonin veten, por gjithashtu do të siguronte një burim, që ata të mund ta shihnin se ka diversitet brenda komunitetit, sepse komuniteti aseksual, jemi disi të vogël. 

Shumë njerëz s’kanë takuar kurrë një person aseksual në jetën reale dhe mendoj se është e pashëndetshme të jesh pjesë e një komuniteti që nuk e ke parë kurrë. Dhe thjesht mund ta shkruash hashtagun dhe t’i shohësh njerëzit e moshave, kombësive, gjinive dhe racave të ndryshme. Është burim i dobishëm, jo ​​vetëm për njerëzitaseksualë, por edhe për njerëzit jashtë komunitetit, që ta shohin se sa i larmishëm është ky komunitet.

Kam lexuar se për shkak të mungesës së përfaqësimit në media, shumë njerëz ngatërrojnë aseksualitetin me heqjen dorë nga marrëdhënia seksuale e që është zgjedhja për të abstenuar nga aktiviteti seksual e jo një orientim seksual. A beson se ka një ndryshim në portretizimin medial të personave aseksualë dhe aseksualitetit?

Mendoj se dukshmëria jonë po përmirësohet dalëngadalë, por nuk është përmirësuar në mënyrë drastike në krahasim me orientimet e tjera. Kemi folur vetëm për të qenit transgjinor për dhjetë vitet e fundit apo më pak dhe tani të gjithë e dinë se çka do të thotë.

Është temë e madhe për t’u biseduar. Është në të gjitha kanalet televizive, është në lajme, emisione televizive. Dhe kur e ke parasysh se si numri i personave aseksualë është shumë i ngjashëm me numrin e personave transgjinorë, por në fakt nuk është përfshirë në të njëjtën mënyrë. Kështu që mendoj se, ndonëse ka disa personazhe aseksuale në disa video lojëra, libra, seri televizive, por në krahasim me atë që shohim, këtë shpërthimin nga të gjitha orientimet e tjera, nuk është se ka përparuar aq shumë.

Është ende në fazën fillestare, por pastaj të drejtat e transgjinore janë në fazën fillestare dhe nuk ka pasur një përparim të madh duke qenë se ka pasur shumë përparim për orientimet e tjera viteve të fundit.

Pse është e rëndësishme të ketë Ditë Ndërkombëtare të Aseksualitetit?

Buroi nga unë, sepse m’u duk se të gjitha përpjekjet e tjera për ta bërë këtë s’ishin gjithëpërfshirëse. Ishin data të rëndësishme në kulturat e njerëzve të caktuar, pa marrë parasysh aspektin ndërkombëtar. Të gjitha burimet dhe dukshmëria jonë priren të vijnë nga Britania e Madhe dhe ShBA, priren të vijnë nga njerëzit që flasin anglisht, njerëzit e bardhë.

Mënyra se si diskutojmë se si përshtatet në kulturë, është shumë specifike për një kulturë të caktuar. Dhe ka komunitet të madh aseksual në Indi, Brazil, ka aseksualë në Nigeri dhe ata nuk përfshihen në mënyrën se si ne flasim për gjërat.

Kështu që, qëllimi i Ditës Ndërkombëtare të Aseksualitetit është ta zgjerojë të menduarit dhe t’i përforcojë zërat nga vende të ndryshme dhe shpresoj, t’i zgjerojë burimet tona në kultura të ndryshme. Edhe këtu, derisa po flasim, në Serbi, po flisja me dikë pak më parë dhe më thanë se është e vështirë të takosh persona aseksualë këtu dhe se diskutimi nuk po shkon në të njëjtën mënyrë si në Mbretërinë e Bashkuar. Dhe kam folur në vende, në Rumani dhe Republikën Çeke… gjithkund është ndryshe. Mendoj se është shumë e rëndësishme të theksohen se cilat janë këto dallime dhe të përshtaten gjërat për kulturat dhe vendet specifike.

Imazhi i ballinës: Igor Čoko / K2.0.