Biseda | Media

Yusuf Omar: Lehtë është ta manipulosh një kamerë, vështirë është t’i manipulosh mijëra kamera

Nga - 28.08.2019

Gazetari mobil ndërkombëtar i diskuton syzet kamerë, udhëtimin me autostop në Siri dhe atë se si është dashur ta parashikojmë ngritjen e Donald Trump.

Historia e Yusuf Omar nis me disa dyer të mbyllura para fytyrës së tij.

Kompanitë e mediave nuk ishin të interesuara t’i jepnin punë dikujt që sapo i kishte kryer studimet e gazetarisë. “Ua tregova gishtin e mesëm” thotë ai, e më pas udhëtoi 12,000 kilometra me autostop në bregdetin afrikan të Lindjes së Mesme. Ishte ky udhëtim që ia shtroi rrugën për karrierën e shquar anembanë botës në gazetari mobile.

I lindur në Londër, Mbretëria e Bashkuar, ai u shpërngul në Australi kur ishte 14 vjeç, e më vonë shkoi në Afrikën e Jugut për ta studiuar gazetarinë në moshën 21 vjeçare.

Foto nga Yusuf Omar.

Ai përfundoi në Egjipt gjatë Pranverës Arabe në 2011, dhe në një intervistë pati thënë se ishte në vendin e duhur në kohën e gabuar. Disa prej raporteve të tij u publikuan në ballinat e gazetave të ndryshme të Afrikës së Jugut. Ai ka punuar për media dhe gazeta të ndryshme, por ka eksperimentuar edhe me video.

Gjatë kohës kur po punonte për eNCA (eNews Channel Africa) në 2014 dhe po e mbulonte luftën në Siri, ai prodhoi lajme me telefon, pavarësisht faktit që në dispozicion kishte kamera dhe vegla tjera. Në atë mënyrë krijonte lajme “më intime, më shpejt”, dhe thotë që kjo është përparësi e gazetarisë mobile.

Pak kohë më vonë ai filloi të punonte për media të ndryshme ndërkombëtare. Punoi si redaktor mobil në Hindustan Times dhe CNN, dhe në 2016 u emërua Gazetari Mobil i Vitit nga Thomson Foundation.

Në shtator 2017, Omar e bashkëthemeloi Hashtag Our Stories, një platformë që i ka fuqizuar qindra gazetarë mobilë gjithandej për të raportuar nëpërmjet telefonave, duke promovuar “MOJO” (mobile journalism – gazetarinë mobile) përreth botës.

Kjo platformë, në të cilën së fundmi ka investuar Snap Inc. (kompania që e ka në pronësi aplikacionin Snapchat), e ka moton “Më shumë kamera, më shumë perspektiva, më shumë të vërteta”.

Omar, kreu i redaksisë dhe teknologjisë në Hashtag Our Stories, thotë se fokusin e kanë tek inovatorët dhe ata që bëjnë ndryshime në shoqëri përmes lajmeve dhe tregimeve unike. 

“Ne i trajnojmë komunitetet rreth botës, duke u ndihmuar që t’i tregojnë historitë e tyre. E kemi një ekip të gazetarëve të shpërndarë rreth botës të cilët i ndihmojnë njerëzit t’i kuptojnë dhe përpilojnë tregimet”, thotë ai.

Derisa Omar po përgatitej të nisej nga Rusia për në Kosovë për edicionin tonë të radhës të Volume UP, K2.0 kontaktoi me të në Skype dhe diskutoi për fytyrën e ndryshueshme të gazetarisë në shekullin 21 dhe si mund të shfrytëzohet teknologjia për t’i ndihmuar gazetarisë ta ndryshojë botën.

Foto nga Yusuf Omar.

K2.0: Duke lexuar artikuj për jetën, punën dhe karrierën tënde në gazetari, vërehet qartë se ke pasion të madh për gazetarinë. A është diçka që gjithmonë ke dashur ta bësh, apo ndodhi aksidentalisht?

Yusuf Omar: Mendoj se të dyjat nga pak. Si fëmijë nuk është se jam rritur me dëshirën për të qenë gazetar.

Sapo e kisha kryer fakultetin e marketingut dhe menaxhmentit, dhe idea ishte të punoja në marketing, të komunikoja dhe të shisja produkte.

Në fakt isha në Times Square, në Nju Jork, te ai billbordi me shumë drita – po e shikoja një burrë me bregë të ngushta. Dhe në atë moment e kuptova që nuk e doja më atë jetë. Nuk doja të krijoja përmbajtje duke u shitur njerëzve sende që realisht nuk u duhen.

Në thelb, besoj se bën një lloj dallimi jo vetëm të jesh pjesë e botës, por edhe ta ndryshosh atë, të zhytesh në jetët e njerëzve.

Pastaj aplikova për plot drejtime – mjekësi e plot tjera – dhe përfundova duke marrë bursë për gazetari në Afrikën e Jugut. Sinqerisht nuk e mbaj mend që kam aplikuar për gazetari. Dhe prindërit më thanë “Thuaju shpejt po para se të mendojnë që kanë bërë gabim”. 

Kështu që pranova dhe shkova në Afrikën e Jugut dhe fillova të merrem me gazetari në Rhodes University. U dashurova me gazetarinë. Më ndriçoi, dhe m’u përshtat shumë mirë me personalitet.

Aftësia për të folur me njerëz për ta fituar bukën e gojës, mundësia për ta udhëtuar krejt botën… në thelb besoj se bën dallim të kesh shkak dhe efekt, dhe jo thjesht të jesh pjesë e botës, por edhe ta ndryshosh atë, të zhytesh në jetët e njerëzve.

Për plot arsye, ishte përvojë tepër e vlefshme që ma ndryshoi gjithë jetën. Pra për t’iu përgjigjur pyetjes, nuk është që si fëmijë kam menduar “dua ta bëj këtë”. Në momentin që e shijova u dashurova në të.

A mundet gazetaria ta ndryshojë botën?

Po, absolutisht. 

Është një thënie në mësimet islamike, një nga thëniet e Profetit Muhamed, e cila thotë se kur ndodh një gjë e ligë, një padrejtësi, sendi i parë që mund ta bësh është të mendosh që është e padrejtë. E dyta është të thuash që është e padrejtë. E treta është të bësh diçka, të veprosh.

Dhe unë mendoj që gazetaria përbën hapin e dytë dhe të tretë. Është diku në mes të shprehjes verbale dhe veprave praktike. Dhe prandaj mendoj se mund të kemi ndikim të madh në shoqëri, duke sjellur ndryshime pozitive.

Dhe për ty gjithçka nisi me autostop, apo të paktën kështu ke thënë në një intervistë?

Në 2010 desha të bëhem korrespondent i huaj dhe të prodhoj lajme për luftëra, katastrofa natyrore – dhe redaksitë thanë “jo”. Ishin duke i reduktuar buxhetet. Nuk deshën t’i sillin të rinjtë nëpër botë.

Foto nga Yusuf Omar.

Pra në thelb ua tregova gishtin e mesëm dhe nisa ta bëj vet. Fillova të udhëtoja me autostop, ta ngrisja gishtin e madh dhe të udhëtoja pa pagesë nga Afrika e Jugut deri në Damask, Siri. 

Isha 21 vjeç dhe prindërit e mi u tmerruan. E bëra sepse doja t’i hedhja poshtë mitet që Afrika është kontinent i madh, i errët, i frikshëm, me plot luftëra civile, sëmundje dhe rreziqe, dhe doja ta shoh me sytë e mi. Pas atij udhëtimi e pashë një pamje krejt ndryshe, një histori shumë pozitive të Afrikës, plot ngrohtësi, siguri, mirëpritje.

Pra nuk ishte vetëm udhëtim i gazetarisë mobile, i kapjes së ngjarjeve, xhirimit, montimit, shkrimit dhe përdorimit të veglave të ndryshme, por ishte edhe udhëtim i gazetarisë konstruktive.

Ishte tregim i ngjarjeve i bazuar në zgjidhje, pra nuk isha i fokusuar vetëm në problemet e shoqërisë, por kërkoja përgjigje dhe zgjidhje. Ishte fillimi i udhëtimit tim për t’i hedhur poshtë disa mite, stereotipe dhe paragjykime të njerëzve në pjesë të ndryshme të botës.

Aftësia e gazetarisë mobile është aftësi për t’i vlerësuar me të vërtetë ngjarjet e dalluara lokale që janë relevante për tregjet globale.

Çfarë mendon për punën e kontribuesve dhe korrespondentëve të huaj? Sa mund të thellohen ata në çështjet që rrethojnë jetët e njerëzve dhe komuniteteve që i mbulojnë? Apo mos janë informatat që i japin të kufizuara në sipërfaqe, dhe kështu vetëm i shtojnë paragjykimet dhe anësitë për një shtet apo grup të njerëzve?

Mendoj se kryesisht organizatat mediale tradicionale janë të dizajnuara për t’i ndjekur ngjarjet më universale. Dhe shpeshherë kjo do të thotë që ka përgjithësime shumë të gjera, lajme që audienca i kupton lehtë, që janë relevante për tregjet lokale. Duke bërë këtë, përfundojmë me një botë tepër të polarizuar ku, në rastin e SHBA-së, kemi racizëm në njërën anë dhe elita liberale në anën tjetër.

Realisht bota është shumë më komplekse. Dhe mendoj se aftësia e gazetarisë mobile, kur i trajnon komunitetet dhe i kuron zërat, është aftësi për t’i vlerësuar me të vërtetë ngjarjet e dalluara lokale që janë relevante për tregjet globale, për të mos përgjithësuar e për të mos ndjekur vetëm ngjarjet e lehta po edhe ato më të vështira.

Sa i përket pyetjes për kontribuesit dhe korrespondentët e huaj që parashutojnë nëpër vende të ndryshme, mendoj që e shohim këtë gjatë gjithë kohës. A është më e vlefshme të kesh një korrespondent të huaj në terren, apo vendasit që i tregojnë përvojat e jetuara nga këndvështrimi i tyre dhe gazetarët që i kontrollojnë dhe verifikojnë ato informata? Unë besoj që tregimet janë më me vlerë kur tregohen nga vendasit dhe verifikohen faktet nga gazetarët profesionistë. 

Pra po thua që gazetaria mobile mund të ketë rol të rëndësishëm për t’i sjellë në sipërfaqe ngjarjet e padëgjuara në këtë botë të polarizuar. Me siguri është edhe më praktike meqë ka vegla si telefonat mobilë që mundësojnë mobilitet më të lartë?

Gazetaria e mirë gjithmonë kërkon një mori burimesh. Nëse ke një raport dhe mban një sondazh, i interviston dy njerëz, apo i interviston 2,000 njerëz. Sondazhi me 2,000 njerëz në përgjithësi është më i saktë sepse jep një pamje më gjithëpërfshirëse të shoqërisë, dhe njëjtë është me gazetarinë mobile. Ke mundësinë jo vetëm të flasësh me një apo dy ekspertë, por të flasësh me plot njerëz të prejardhjeve të ndryshme.

Arsyeja pse na iku ngritja e Donald Trump në SHBA ishte sepse nuk po e dëgjonim Amerikën e Mesme.

Duke i përdorur telefonat mobilë, dhe specifikisht kamerat për selfie dhe videot, nuk ka arsye për të mos i parashikuar zgjedhjet më saktë, për shembull, kur me të vërtetë mund t’i dëgjosh komunitetet në terren, në vende që zakonisht injorohen prej mediave tradicionale. Arsyeja pse na iku ngritja e Donald Trump në SHBA ishte sepse nuk po e dëgjonim Amerikën e Mesme. Na iku Brexit në Mbretërinë e Bashkuar sepse po e dëgjonim Londrën, por jo gjithë Mbretërinë e Bashkuar.

Pra nëpërmjet telefonave mobilë dhe gazetarisë mobile, komunitetet po i tregonin ngjarjet e tyre. Dhe kur ne i dëgjojmë këto tregime, e kuptojmë shumë më mirë çfarë po ndodhë në botë.

Mendoj që kur i shohim sot mashtrimet e mëdha që ndodhin… e kemi parë ngritjen e video klipeve manipuluese… për mua, e vetmja mënyrë për t’i luftuar është nëpërmjet gazetarisë mobile, pra nëpërmjet plot telefonave mobilë në një vend, që na ndihmojnë t’i verifikojmë ngjarjet. Lehtë është ta manipulosh një kamerë, vështirë është t’i manipulosh mijëra kamera.

Foto nga Yusuf Omar.

Pra nuk është vetëm qasja e mediave tradicionale në prodhimin e përmbajtjeve, janë edhe veglat e tyre?

Është ndryshimi nga mënyra e centralizuar e të menduarit për ngjarje ku ke një kamerë të cilën ja drejton situatës, në decentralizimin e të menduarit për tregim të ngjarjeve. Kemi plot gjëra të drejtuara nga situata e njëjtë, apo vet situatën të drejtuar nga kamera.

Nëse e analizojmë shohim që tani po shkojmë përtej gazetarisë mobile, sepse kemi filluar të eksperimentojmë më shumë me kamera që vendosen në trup. Gjithmonë e mbaj një kamerë në fytyrë. Idea është që mund ta vendosim kamerën te subjekti… pra t’i shohim tregimet nëpërmjet syve të njerëzve.

Pra po, mediat tradicionale kanë dështuar në gjetjen e një përgjigjjeje të re për botën sepse mbështeten tepër në një mënyrë të centralizuar të tregimit të ngjarjeve kur e mbajnë kamerën.

E përmende termin “gazetari konstruktive”, për të cilën thua se është një lloj gazetarie që bazohet në zgjidhje. A nuk është kjo përzierje me aktivizmin dhe avokimin? Ka profesionistë të mediave që e mbështesin këtë kryqëzim, por ka edhe të tillë që ngulin këmbë ta ndajnë gazetarinë nga pjesëmarrja në kauzë.

Mendoj se në shkollë të gazetarisë gjithmonë të mësojnë që gazetaria është thjesht raportimi i ngjarjeve që ndodhin para syve tu. Problemi me këtë është lloj raportimi është se nuk ka më vlerë për konsumatorët. Nëse jemi thjesht gazetarë që raportojnë kush, ku, çfarë dhe kur, këto  të gjitha do t’i shpërndahen audiencës nga rrjetet sociale në mënyrë të verifikuar para se të mbërrijnë gazetarët.

Nëse përputhet me avokimin dhe mbajtjen e qëndrimit, atëherë them se ka raste për të cilat gazetarët mund të mbajnë qëndrime.

Mund ta jap një shembull: Ndodh një zjarr në Kiev sot, në qendër të qytetit, apo në cilindo qytet. Ajo që ka ndodhur aty… pra informata se ku ka ndodhur, do të jetë në dispozicion. Informata se kur ka ndodhur do të jetë në dispozicion – të gjitha detajet bazike veçse do të dihen. E vetmja vlerë reale që e ka gazetaria profesionale, për mendimin tim, dhe veçanërisht sa u përket gjërave për të cilat njerëzit janë të gatshëm të paguajnë, janë përgjigjet për pyetjet PSE dhe SI.

Pse ndodhin gjërat dhe si mund ta përmirësojmë situatën? Këto nuk janë bazat e gazetarisë, raportimi i drejtpërdrejtë. Më shumë ka të bëjë me njohuri, analizë, kontekst, prandaj them se roli i gazetarëve është dhe duhet të jetë i fokusuar në gazetarinë konstruktive. Jo vetëm te identifikimi i problemeve, por edhe te biseda për zgjidhjen e tyre.

Nëse përputhet me avokimin dhe mbajtjen e qëndrimit, atëherë them se ka raste për të cilat gazetarët mund të mbajnë qëndrime. A mund të mbajmë qëndrim për ndryshimin klimatik? Mendoj se po. Nuk mendoj se jemi në një pozitë të themi, hej, këta njerëz e mohojnë ngrohjen globale, hajde thjesht të flasim për këtë.

Duhet të dalim dhe të themi se ngrohja globale është realitet i dëshmuar nga shkenca. A duhet të mbajmë qëndrim kundër ngacmimit dhe abuzimit? Mendoj se po. Ka plot raste ku gazetarët definitivisht duhet të mbajnë qëndrim në lidhje me ngjarjet.

Të gjithë mund të raportojnë, por gazetaria i kërkon disa parime dhe etika të caktuara që na ndihmojnë të dallojmë çfarë është e vërtetë dhe çfarë s’është.

Duhet të dalim dhe të themi se ngrohja globale është realitet i dëshmuar nga shkenca. A duhet të mbajmë qëndrim kundër ngacmimit dhe abuzimit? Mendoj se po. Ka plot raste ku gazetarët definitivisht duhet të mbajnë qëndrim në lidhje me ngjarjet.

Ku ndërlidhen gazetaria mobile me gazetarinë e qytetarëve? Si dallojnë?

Unë nuk ui referohem telefonave mobilë kur flas për gazetarinë mobile. I referohem çfarëdo forme të aftësisë dhe disponueshmërisë për të treguar ngjarje… kujtdo që e ka aftësinë për ta treguar një ngjarje krejtësisht vet, pa ndihmën e një organi të madh të lajmeve.

Për mua, gazetaria mobile ndryshon me kohë. Sot është një telefon mobil dhe nesër, definitivisht dhe pa dyshim, do të jenë kamerat që vendosen në fytyrë, apo pajisjet teknologjike që vendosen nëpër trup.

Sa i përket gazetarisë mobile dhe gazetarisë së qytetarëve, mendoj që gazetaria mobile është thjesht një vegël në dispozicion të gazetarëve qytetarë. Gazetarët qytetarë mund ta shkruajnë një blog, mund të krijojnë podkaste; gazetaria mobile është thjesht një vegël, një armë në dispozicionin e tyre.

Mendoj se është e rëndësishme ta theksojme që të gjithë mund të raportojnë… por gazetaria i kërkon disa parime dhe etika të caktuara që jo domosdoshmërisht rrjedhin nga universiteti, por definitivisht rrjedhin nga ndonjë formë e trajnimit, që na ndihmojnë ta dallojmë çfarë është e vërtetë dhe çfarë s’është.

Foto nga Yusuf Omar.

Mbase duke thënë “të gjithë mund të raportojmë” mund të kemi pasoja negative. Kemi parë plot raste kur qytetarët kanë raportuar për shpërthime të bombave, për shembull – kjo ka kontribuar në përhapjen e informatave të paverifikuara dhe të pasakta.

Kjo është gazetaria. Ky është roli i gazetarëve, ta analizojnë atë aspekt të situatës. Aftësitë e qytetarëve për të raportuar dhe thjeshtë për ta shtuar një kënd tjetër të kamerës në një ngjarje të caktuar janë shumë të dobishme për mendimin tim.

Mendoj se çdo formë e kontributit është e vlefshme, madje edhe gënjeshtrat apo informatat e gabuara. Kur e kontekstualizon dhe e kupton kush janë ata njerëz dhe pse po shpërndajnë informata të gabuara, nëse po e bëjnë qëllimisht, është pjesë shumë interesante e ngjarjes. Mendoj që teknologjia po përmirësohet gjithnjë më shumë për të na ndihmuar të kuptojmë çfarë është e vërtetë dhe çfarë s’është.

Në ditët e sotme mund ta kuptojmë datën dhe kohën, dhe shpeshherë lokacionin dhe llojin e pajisjes mobile me të cilën është xhiruar. Dhe shumë më shumë informata. E kemi nocionin e analizës me teknologji, që po përmirësohet gjithnjë më shumë. Shumë verifikime të lehta do të kryhen krejtësisht nëpërmjet teknologjisë.

Te zjarri në Kiev: A i besoni vetëm një kamere që e ka xhiruar atë zjarr? Apo u besoni mijëra kamerave që dokumentojnë kënde dhe perspektiva të ndryshme? Unë u besoj mijëra këndeve.

Mund ta shihni Yusuf Omar duke folur për gazetarinë mobile të enjten më 29 gusht prej orës 18:00 në K2.0 Hub.

Foto kryesore nga Yusuf Omar.