S`fundmi | Dhuna në Familje

Zemërim për shkak të dënimit të vrasësit të Zejnepe Berishës

Nga - 14.04.2017

Aktivistët kërkojnë vazhdimin e dënimit prej 12 vitesh.

Aktivistët e të drejtave të grave në Kosovë kanë reaguar ashpër ndaj dënimit të gjykatës të një burri për vrasjen e rëndë të bashkëshortes së tij. Nebih Berisha u shpall i fajshëm për vrasjen e bashkëshortes së tij Zejnepes në tetor të vitit 2015, pasi e kishte goditur me thikë 20 herë; Gjykata Themelore e Prizrenit pardje e dënoi atë me vetëm 12 vjet burg për këtë vepër penale. Berisha gjithashtu u dënua me një vit shtesë për veprën penale të lëndimit të lehtë trupor, të cilin ia shkaktoi vajzës së tij.

Aktivistët kanë reaguar me zemërim me faktin se Berisha në tërësi do t’i mbajë 12 vjet e gjashtë muaj burg, një prej dënimeve më të lehta që mund të ipen sipas legjislacionit të Kosovës. Kodi Penal i Kosovës thotë se çdo person që e privon ndonjë anëtar të familjes nga jeta e tij apo saj duhet të dënohet me dënim prej 10 viteve deri në dënim të përjetshëm.

Kallxo.com raportoi se gjatë shpalljes së dënimit, Gjykatësi Xhevdet Elshani tha: “Duke konstatuar se vepra penale është kryer në gjendjen e mendësisë së kufizuar, për veprën penale të vrasjes së rëndë i shqipton dënimin me 12 vite burgim, ndërkaq për veprën e dytë të lëndimit të lehtë trupor dënimin prej një viti”.

Pasi doli lajmi, aktivistë dhe anëtarë të shoqërisë civile menjëherë reaguan në rrjete sociale, duke kërkuar drejtësi për Zejnepe Berishën. Ata do të mblidhen sot (e premte, 14 prill) në Sheshin Zahir Pajaziti në 12:00 për të shprehur indinjatën e tyre në lidhje me këtë dënim të butë, dhe për të kërkuar që prokuroria të apelojë për të kërkuar dënim maksimal.

Dhuna sistematike që Zejnepja e vuajti në duart e bashkëshortit të saj me vite të tëra bëri që vendimi i gjykatës të shkaktoi edhe më shumë mllef. Pas vdekjes së saj, familja e Zejnepes thotë se ajo kishte raportuar dhunë në familje kundër saj tek autoritetet 16 herë, por se kërkesat e saj për ndihmë ishin injoruar.

Vdekja e saj, dhe ajo e Diana Kastratit në 2011 – e cila u vra nga ish-bashkëshorti i saj pasi gjykata nuk i kishte dhënë asaj urdhërin e mbrojtjes që e kishte kërkuar ajo kundër tij – e kanë vënë në pah sistemin e përgjithshëm të drejtësisë, me theks në mosefikasitetin në trajtimin e rasteve të dhunës në familje.

“Konsideroj që një vendim i tillë është krim në vete dhe turpërues për ata të cilët moren këtë vendim. Vendime të tilla tregojnë qartë që jeta e gruas për këtë sistem të drejtësisë nuk ka ndonjë vlerë”.

Eli Gashi

Në një deklaratë që u publikua dje nga organizatorët e protestës së sotme u tha se për shkak të rrethanave të vrasjes brutale të Zejnepes, dënimi i vrasësit të saj nuk ishte proporcional. Ata theksuan se kishte gjithashtu mospërputhje në mes të dënimeve që ipen nga gjykatat për burrat dhe gratë përkatësisht.

Fakte të shumta tregojnë se sistemi i drejtësisë në Kosovë nuk është korrekt në dhënien e dënimeve të vrasësve burra dhe gra”, shkruan në deklaratë. “Konsideroj që një vendim i tillë është krim në vete dhe turpërues për ata të cilët moren këtë vendim. Vendime të tilla tregojnë qartë që jeta e gruas për këtë sistem të drejtësisë nuk ka ndonjë vlerë”.

Nëpërmjet një kumtese për media që u publikua menjëherë pas shpalljes së dënimit pardje, Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës (RrGGK) theksuan shembuj të vizitave që i kanë bërë ata në Qendrën Korrektuese në Lipjan për Femra dhe të Mitur. Ata raportuan se janë takuar me gra në burg që janë dënuar me më shumë se 30 vite burgim, madje edhe në raste të kryerjes së veprës penale të vraasjes në vetëmbrojtje.

Për sociologen Eli Gashi, që është bashkëthemeluese e Alter Habitus – Instituti për Studime në Shoqëri dhe Kulturë – rasti i Zejnepes duhet të klasifikohet ashtu siç është – vrasje e rëndë nga dikush që ka histori të gjatë të ushtrimit të dhunës sistematike në familje. Ajo tha për K2.0 se fakti që nuk u dha dënimi maksimal me burgim të përjetshëm siç specifikohet në Kodin Penal është tregues i mendësisë patriarkale që dominon në sistemin e drejtësisë në Kosovë.

“Si duket këta zotërinj [në gjykata] e kanë një metodë për vlerësimin e jetës së një gruaje dhe jetës së një burri”, tha ajo. “Unë konsideroj se një vendim i tillë është vet krim, dhe se kushdo që e morri atë vendim është i poshtëruar. Vendimet e tilla qartë tregojnë se jeta e një gruaje nuk ka vlerë në këtë sistem të drejtësisë”.

Gashi gjithashtu aludoi se ky vendim i gjykatës mund të ndikojë në rritjen e numrit të sulmeve dhe vrasjeve. “Shoqëria jonë duhet të kërkojë përgjegjësi nga trupi gjykues dhe gjyqtari që kanë ardhë në një përfundim të tillë”, tha ajo.