Blogbox | Diaspora

Zemërimi që të takon

Nga - 09.12.2021

Është koha që gratë ta përqafojnë zemërimin e tyre.

Dy vjet më parë, e shkrova historinë time. Historinë time të abuzimit seksual nga duart e dy familjarëve. E shkrova, pa plan, pa pritshmëri, pa menduar se si do të ndikonte në mua dhe të ardhmen time. Thjesht e shkrova sepse ishte koha ta shkruaja. E enjte, 15 gusht 2019, ishte dita e publikimit. Nuk jam shumë e sigurt se ku saktësisht isha në momentin që u publikua — ndoshta në shtëpi apo rrugës për në qendër të Prishtinës.

Për të parën herë u ndjeva e dukshme. Hyra në Dit’ e Nat’, porosita çaj, pashë përreth dhe mendova me vete: “Tashmë e dinë. E dinë”. Qesharake, padyshim, sikur të gjithë ta kishin lexuar. Por kështu u ndieva. U ndieva e parë, e dëgjuar dhe e kuptuar. Dëshiroja të njihesha. Nëse jo nga familja ime, atëherë nga të huajt. Më nevojitej që njerëzit ta kuptonin se abuzimi seksual që mu desht ta duroja, ndodhi.

Çfarë ndodhi pastaj ishte fatkeqësi e plotë. Ishte një ngjarje që do ta mendonit se do të ndodhte vetëm në shoqëritë më patriarkale, më të prapambetura — apo të paktën, kështu mendova unë. Më turpëruan, më kërcënuan, më quajtën me emra dhe më mohuan vetë familja ime. Pata njerëz që shpikën histori të tmerrshme për mua të cilat as nuk do të mund t’i imagjinoja ndonjëherë.

Më akuzuan për hakmarrje për atë që më ndodhi.

Hakmarrja është fjalë e fortë. Nuk më pëlqeu në fillim. Mendova se dukej paksa shumë e dhunshme, paksa shumë e zemëruar. Por më pas u rrit në mua dhe mendova, “Pse jo?” Në fund të fundit, kam të drejtë ta marr. Kush thotë se nuk kam? Kush vendosi se vetja ime 11-vjeçare e dhunuar do të duhet ta jetojë jetën pa u hakmarrë për veten? Kësisoj, u zemërova më shumë, i zotërova emocionet e mia, krenohesha me to. Dhe tani mund të mendoni se këto emocione më pushtuan, por, siç Mona Eltahawy pëlqen të thotë, zemërimi të çliron.

Dhe po. Zemërimi më ka mundësuar t’i përqafoj emocionet e mia me besim, sepse ato kanë të drejtë të ekzistojnë. Jam një grua 26-vjeçare dhe kam përjetuar shumë budallallëqe që nga lindja ime, por gjithë ai zemërim është vetëm 2 vjeç. Ndoshta e kam përgatitur për 24 vitet e para pasi zemërimi im doli i nxehtë valë.

Tani eci rrugëve me plot besim, sa që do të mendonit se jam kryetare komune. U bërtas burrave kur më fishkëllejnë. E mbroj veten time kur më ngacmojnë. Luftoj që të drejtat e mia, që të të drejtat e mia si qenie njerëzore të ekzistojnë pa m’i shfrytëzuar njerëzit çdo ditë. Bëhet rraskapitëse, nuk e mohoj. Aq rraskapitëse.

Pas çdo zënke, qaj. Bëhem vetvetja ime më e vogël, e tronditur nga ideja se jeta si grua do të jetë gjithmonë kështu. Gjërat e thjeshta nuk do të jenë kurrë të këndshme për ne. Të shkosh në dyqan ushqimor do të thotë të përballesh me një burrë 60-vjeçar që do ta shikojë me epsh gjoksin tënd. Të shkosh në klub do të thotë të të preket trupi nga burra që nuk i ke parë kurrë. Ta marrësh një taksi për në shtëpi do të thotë të stresohesh nga ideja se në çdo moment shoferi mund ta mbyllë makinën dhe të të përdhunojë. Jeta është e keqe si grua. Por e dini se si mund ta bëjmë atë më të durueshme?

Duke u zemëruar.

Do të doja t’jua tregoja fytyrat e të gjithë burrave që më ngacmuan, t’i shihnit reagimet e tyre kur u bërtisja, kur i kundërshtoja. Në fakt, është zbavitëse. Kurrë nuk e presin. Kanë nevojë për një sekondë që ta kuptojnë se çfarë sapo ndodhi. Njerëzit kanë harruar se kemi zëra, burrat kanë harruar se sa të forta jemi, sa kompetente jemi për t’i luftuar. Tani, imagjinoje një person që nuk të pëlqen. Imagjinoje sikur i bërtet kur nuk e pret — të kënaq, apo jo?

Sa herë shpërthej me zemërim, e kuptoj se gjërat mund të kishin përfunduar ndryshe. Mund të më kishte goditur, apo mund të më kishte vrarë. Nganjëherë, shfaqjen e zemërimit tuaj duhet ta bësh ndryshe që të jesh i/e sigurt, diçka që nuk duhet të jetë kështu. Kjo nuk do të thotë që duhet të heshtim. Shkruaje zemërimin tënd. Dërgojua miqve një mesazh me zë të zemëruar. Shaj pa u ndalur. Ulërij në jastëkun tënd. Qaj nga idiotësia e gjithë kësaj.

The-anger-you-are-entitled-to-AK-K2.0

Ilustrimi: Arrita Katona/K2.0

Sepse çfarë saktësisht presim nga gratë që dhunohen ditë pas dite? Që të durojnë më shumë? Ta mirëpresin me krahë të hapur? Turp për të gjithë ata që presin që gratë mos të bëjnë gjë kur dhunohen. Që mendojnë se jemi vetëm një statujë pa zë, pa aftësi për të lëvizur, pa forcë për të bërë luftë kundër abuzuesve tanë dhe shoqërisë që e ka mundësuar një dhunë të tillë.

Të flasësh hapur nuk është hakmarrje, por nëse njerëzit duan ta quajnë kështu, mirë atëherë, po hakmerrem, madje me krenari. Ditë pas dite, me çdo frymëmarrje që marr. Me ekzistencën time të vetme. Me po të njëjtat fjalë që po i shihni këtu: po hakmerrem. Ekziston një nocion se gratë nuk kanë të drejtë të zemërohen, nuk kanë të drejtë të zënë hapësirë ​​kur është pikërisht aftësia jonë për të lëvizur dhe për të folur lirshëm ajo çfarë na merret gjithmonë.

Paragjykimi gjinor fillon para lindjes. Nëse nënat e dinë se do të lindin djalë, me shumë gjasa do ta quajnë lëvizjen e djalit të tyre në bark “të fortë” dhe “të fuqishëm”. Prindërit i trajtojnë fëmijët e tyre ndryshe edhe në këndin e lojërave, varësisht nga gjinia e fëmijës. Prindërit kanë më shumë gjasa t’u bëjnë presion djemve që të rrëshqasin nga shtylla, edhe në qoftë se djali thotë se është shumë i frikësuar, kurse me shumë gjasa do t’i ndihmojnë vajzat, edhe nëse nuk kanë kërkuar ndihmë. Pra, si fëmijë të vegjël, vajzat tashmë janë mësuar të jenë të kujdesshme dhe të ndërgjegjshme. Djemtë inkurajohen që të ndërmarrin rreziqe. Mua më tingëllon marrëzi absolute.

Ndonjëherë pyes veten se sa herë në jetën e saj ngacmohet një grua. Sa herë na merren mundësitë vetëm sepse jemi gra? Sa herë në jetën tonë dhunohemi në mendjet e burrave? Në sa ditë të ndara përballemi me diskriminimin gjinor?

Sigurisht është e vështirë të dihen shifra të tilla, por çdo e dyta ditë e jetës sonë duket si vlerësim konservator. I bije 182.5 ditë në një vit. Jetëgjatësia aktuale globale e një gruaje është 74.2 vjet.

74.2 vite jetë, shumëzuar me 182.5 ditë të diskriminimit gjinor bëjnë 13,541.5 ditë ferri.

Tash, a keni nevojë për një tjetër arsye për të luftuar?

Zemërohu. Të nxis të jesh grua e zhurmshme, e zemëruar, e pafalshme. Bërtit.

Bëje.

Kurrë nuk i dihet, mund ta nisësh vetë një revolucion.

The-anger-you-are-entitled-to-AK-K2.0

Ilustrimi: Arrita Katona/K2.0

Imazhi i ballinës: Arrita Katona / K2.0