Në thelb | Zgjedhjet2021

Zgjedhjet 2021: Java 2 — Çfarë na është përvjedhur?

Nga , - 29.01.2021

Nga vendimi i Gjykatës Supreme deri tek premtimet që të bëjnë të rotullosh sytë, të gjitha në një vend.

Ndjekja e përditshme e lajmeve mund të jetë e lodhshme edhe në situatat më të mira, edhe kur nuk ka ndonjë pandemi që është duke tronditur jetët tona.

Prandaj, në paraprirje të rundit të radhës të zgjedhjeve, nuk ju fajësojmë nëse doni t’i hiqni qafe të gjitha njoftimet në telefon, ta mbyllni llaptopin dhe t’iu shmangeni të gjithë titujve e lajmeve 24/7 sikur ndonjë murtaje…

Por përderisa ndjekja e vazhdueshme e premtimeve të përsëritura, debateve dhe skandaleve mund të jetë e tepërt, kjo s’do të thotë që nuk është mirë të mbetemi të informuar.

Prandaj do t’jua sjellim “pikat kryesore” (dhe ato të ulëta) të shtatë ditëve të fundit për çdo jave deri në ditën e zgjedhjeve më 14 shkurt.

Surprizë, surprizë…?

Pas vendimit të javës së kaluar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) për të mos certifikuar listat e kandidatëve të Vetëvendosjes (VV), Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nismës, kjo javë pritej të ishte përplot apele.

Të hënën (25 janar) Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka thënë se ka pranuar nëntë ankesa nga shtatë parti politike dhe pas 24 orësh ka bërë publike vendimet.

Të gjithë kryetitujt janë zënë nga vendimi për të mos i hedhur poshtë përjashtimin e udhëheqësit të VV-së dhe kandidatit të nominuar për kryeministër Albin Kurti dhe atë të katër kandidatëve për deputetë të VV-së me dënime gjatë viteve të fundit. Vendimi i PZAP-it përmend që pjesa tjetër e listës së VV-së duhet të certifikohet por pesë kandidatët e pacertifikuar nuk mund të zëvendësohen pasi afati i fundit për këtë ka kaluar.

Polemika Kurti

Liderit të Vetëvendosjes Albin Kurti i është dhënë një dënim burgimi me kusht për 18 muaj nga Gjykata Themelore në Prishtinë në janar 2018 pasi ai dhe figura të tjera udhëheqëse të partisë janë gjetur gajtorë për përdorimin e armëve sulmuese.

Katër deputetët janë dënuar për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend në vitin 2015 derisa provonin të ndalonin marrëveshjen e shumëpërfolur të demarkacionit të kufirit me Malin e Zi dhe formimit të Asosacionit të komunave me shumicë serbe.

Vendimi i Gjykatës Themelore ka hyrë në fuqi nga Gjykata e Apelit në shtator 2018 dhe vendimi është bërë përfundimtar.
Në kohën ë dënimit, Kodi Kriminal i Kosovës ka cekur që “Pasojat juridike të dënimit nuk krijohen” për dënim me kusht. Megjithatë, Kodi Kriminal i ri i cili ka hyrë në fuqi në 2019 nuk e përfshinë atë dispozitë.

Në vendimin e dhjetorit 2020 që ka shpënë te zgjedhjet e parakohshme, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka cekur Nenin 29.1(q) të Ligjit për Zgjedhje të Përgjithshme. Kjo përcakton që individët nuk mund të certifikohen si kandidatë zgjedhorë nëse janë shpallur fajtorë për vepër penale nga një vendimi gjykatës gjatë tri viteve të fundit.

VV-ja ka bërë apel kundër vendimit të PZAP-it në Gjykatë Supreme e cila të premten (më 29 janar) ka konfirmuar që Kurti — si dhe kolegët e partisë Albulena Haxhiu dhe Bajram Mavriqi — nuk mund të kandidojnë. Përkundër pasigurisë së vazhdueshme, para vendimit të Gjykatës Supreme Kurti dhe përfaqësues të tjerë të VV-së kanë vazhduar të pohojnë që lista e VV-së nuk do të ndryshojë dhe që Kurti do të mbetet si kandidati për kryeministër i partisë. 

Dy kandidatët e tjerë të VV-së të cilët janë ndaluar të kandidojnë — Labinotë Demi-Murtezi dhe Liburn Aliu — do të jenë pjesë e listës së partisë pasi Gjykata Supreme ka ardhur në përfundim që PZAP-i ka përdorë datën e gabuar për të llogaritur periudhën trevjeçare brenda së cilës kandidatët potenicalë duhen të mos jenë të dënuar nga një vendim përfundimtar i gjykatës. PZAP ka numëruar nga data që janë shpallur zgjedhjet (më 6 janar) në vend se data e zgjedhjeve (më 14 shkurt).

Gjykata Supreme gjithashtu ka vendosur që Shemsedin Dreshaj i AAK-së është kandidat i pranueshëm në baza të njëjta si tre kandidatët e aprovuar të VV-së, por ka refuzuar apelin e kësaj partie për tre kandidatë të tjerë, si dhe apelin e Nismës për 12 kandidatë të tyre. 

Tash, çështjet e tjera ligjore mund të vijojnë në Gjykatën Kushtetuese.

Në ndërkohë, ekspertët ligjorë kanë paralajmëruar që polemikat e tanishme mund të jenë vetëm maja e akullnajës në krahasim me çfarë pritet, ndërsa Kosova duket të jetë rrugës për një krizë të thellë kushtetuese që mund të sjellë zgjedhje të tjera të parakohshme gjatë muajve në vijim.

Me mandatin gjashtëmujor të Presidentes në detyrë Vjosa Osmani që pritet të përfundojë më 5 maj dhe procesin paszgjedhor i numërimit të votave, si dhe duke pasur parasysh që certifikimi i rezultatit dhe formimi i qeverisë shpesh zgjasin disa muaj, një analizë nga Grupi Ballkanik për Studimin e Politikave ka paralajmëruar që mund të pritet një “boshllëk institucional” pasi Kuvendi i ri mund të mos formohet në kohë për të zgjedhur presidentin e ri.

Edhe nëse hapat paszgjedhorë përfundojnë shpejt, nuk do të ketë garanci që presidenti do të zgjidhej pasi vota për të zgjedhur presidentin kërkon qe dy të tretat e deputetëve të zgjedhur të jenë në Kuvend — nëse procesi për të zgjedhur një persident të ri dështon do të ketë nevojë për zgjedhje të reja.

Profesori i drejtësisë Vigan Qorrolli ka sugjeruar se mund të vijë puna për zgjedhje të reja edhe më herët — në fillim të prillit — duke cituar Nenin 86.2 të Kushtetutës, i cili thekson: “Procedurat për zgjedhjen e Presidentit të ri duhet të fillojnë jo me vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual”. 

Programet politike

LDK nuk ka publikuar program të shkruar për zgjedhjet e ardhshme, por kandidati për kryeministër dhe kryeministri në detyrë Avdullah Hoti këtë javë ka paraqitur zotimet e partisë së tij. Në një adresim televiziv para një publiku të përbërë kryesisht prej antarësh të partisë, ai ka njoftuar që programi i LDK-së do të jetë i bazuar në katër shtylla kryesore: shëndetësia, arsimi, sundimi i ligjit, si dhe zhvillimi e mirëqenia.

Hoti ka thënë se prioriteti i parë janë vaksinimet dhe që pasi kanë “marrë hapat e parë drejt sigurimit të vaksinave”, ai shpreson që shpërndarja e tyre do të fillojë gjatë javës së parë të shkurtit.

Ngjashëm me PDK-në dhe AAK-në në javët e kaluara, Hoti i LDK-së ka përmendur shifra të mëdha të parave që premton t’i investojë në ekonominë e shtetit, e cila është goditur rëndë nga COVID-19. Ai ka thënë që qeveria e tij do të investojë gjashtë miliardë euro në shtatë vitet e ardhshme — një prejudhë kohore që duket arbitrare — në infrastrukturë, autostrada, hekurudha, qasje në internet, ngrohje qëndrore dhe energji.

Kandidati i PDK-së për kryeministër Enver Hoxhaj dhe ish-Ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri kanë paraqitur programin e tyre të “rimëkëmbjes” së drejtësisë dhe sundimit të ligjit, pasi paraprakisht kanë prezantuar programin e tyre të rimëkëmbjes ekonomike. Kjo bazohet në katër shtylla: lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, reformimi strukturor dhe integriteti i gjyqësorit, thellësimi i reformave për të bashkërenduar dhe përmirësuar performancën e rendit dhe ligjit, si dhe qasjen në drejtësi.

PDK-ja për një kohë të gjatë ka pasur problemet e veta me ligjin, pasi është përmbytur me skandale të korrupsionit të rregullta gjatë kohës së tyre në pushtet.

“Në këto zgjedhje përballë janë vetëm PDK-ja dhe VV-ja”, ka thënë Hoxhaj. “Në të vërtetë, në këto zgjedhje përballë janë vetëm respektimi i ligjit, në një anë; dhe kërcënimi ndaj institucioneve që e zbatojnë ligjin, në anën tjetër,” ka vazhduar ai, duke aluduar për betejën e vazhdueshme të VV-së me KQZ-në rreth largimit të kandidatëve me dënime penale.

PDK-ja për një kohë të gjatë ka pasur problemet e veta me ligjin, pasi është përmbytur me skandale të korrupsionit të rregullta gjatë kohës së tyre në pushtet si pjesë e disa koalicioneve qeveritare gjatë dekadës së fundit.

Udhëheqësi i AAK-së Haradinaj këtë javë u është referuar zgjedhjeve si “një referendum për antarësim në NATO”, gjë që thotë duhet të ndodhë deri më 2024. Atarësimi në NATO dhe organizata të tjera ndërkombëtare është një ndër prioritetet e AAK-së në shtyllën e politikave të jashtme të programit të tyre parazgjedhor.

Aty thotë që përpjekjet për antarësim do të vazhdojnë “pa marrë parasysh moratoriumin njëvjeçar për antarësime të reja”, duke iu referuar marrëveshjeve të nënshkruara në Uashington vitin e kaluar nga Hoti dhe Presidenti i Serbisë Aleksandar Vučić si pjesë e përpjekjeve të administratës paraprake të Trump-it për të vazhduar dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. 

Megjithatë, programi nuk thotë asgjë rreth reformimit të fushës së mardhënieve të jashtme, një fushë që ka paraqitur një numër të madh të skandaleve të korrupsionit dhe nepotizmit gjatë viteve të fundit. 

Një ndër skandalet më të fundit përfshin djalin e deputetit Haxhi Shala — votuesi vendimtar i qeverisë Hoti pasi Haradinaj dhe presidenti i atëhershëm Thaçi i kanë bërë vizitë në orët e vona të natës para votimit — i cili është emëruar konsull i përgjithshëm në Çeki pa kredenciale të qarta ose përvojë pune në shërbimet e jashtme. Ministrja e Punëve të Jashtme në kohën e emërimit ishte Meliza Haradinaj e AAK-së, e cila vetë ka qenë temë e skandaleve që përfshijnë abuzimin e parave të taksapaguesve

Kosova ka rënë 3 vende dhe është renditur e 104-ta nga 180 shtete në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit 2020.

VV, e cila ende nuk ka publikuar program të shkruar, është duke bërë fushatë përmes vizitave në terren, ku kanë bërë publike disa ndër prioritetet e tyre. Në sektorin e shëndetësisë ata janë duke premtuar fokusim në sigurim shëndetësor, inspektoriat dhe një sistem informimi të kuptueshëm, në fushën e ekonomisë ata janë duke u zotuar të ndihmojnë prodhuesit vendorë në treg, përderisa gjithashtu kanë premtuar të kujdesen për viktimat e luftës dhe lehtësimin e administrimit të drejtësisë.

Me sloganin “Krejt dhe Drejt”, Kurti i quan këto zgjedhje një “referendum” në të cilin qytetarët do të vendosin mes “konjukturave të vjetra dhe politikanëve të epokës së re”.

Shumë e mirë për të qenë e vërtetë?

Deklaratat bombastike nuk janë diçka e re në fushatat parazgjedhore por pretendimet e Avdullah Hotit gjatë kësaj jave që ka “larguar nga diskursi politik fjalën korrupsion” gjithmonë duken të tingëllojnë të zbrazëta. 

Një raport ndërkombëtar i publikuar vetëm disa ditë më vonë ka konfirmuar që qytetarët mbase nuk pajtohen me vlerësimin e Hotit. Pasi ka shënuar numrin e njejtë të pikëve si vitin e kaluar, Kosova ka rënë 3 vende dhe është renditur e 104-ta nga 180 shtete në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit 2020 nga Transparency International (Transparenca Ndërkombëtare).

Në ndërkohë, një premtim tjetër nga Hoti që qeveria e LDK-së do të investojë në shkencë si pjesë e prioriteteve të edukimit të lartë “sepse pa shkencë nuk ka cilësi të edukimit” gjithashtu ka nxitur befasi.

Akademia e Shkencave dhe artit, institucioni më i lartë shkencor i Kosovës, është lënduar nga skandale të vazhdueshme gjatë dy dekadave të fundit, me LDK-në në qeveri në tre çerekë të kësaj kohe. Gjatë kësaj prejudhe, raportet monitoruese të shoqërisë civile kanë vënë në dukje dëshmi të plagjiaturës nga anëtarët e Akademisë, një mungesë të llogaridhënies, performancë të ulët dhe lidhje politike me partitë politike. 

Në ndërkohë, nga 32 antarët e Akademisë — ku përfshihet udhëheqësi i LDK-së Isa Mustafa — vetëm katër janë gra.

QYSH kanë thënë?

Qytetarët mund t’u kenë humbur ndjenjat për deklaratat e pacipa të politikanëve në një periudhë që nganjëherë duket të jetë fushatë zgjedhore e përhershme, por kjo nuk i ndalon ata që të provojnë ta tejkalojnë njëri-tjetrin me fjalë gjithmonë me më shumë vetëbesim.

I tillë ishte mesazhi publik i Hoxhajt për Kurtin pasi ky i fundit ka refuzuar ftesat e tij të vazhdueshme për një sërë debatesh zgjedhore. “Albini po ik, Albini s’po guxon me dalë në debat se ai e din për politikë të jashtme, për politikë të brendshme, për arsim, për ekonomi — jo qysh jam tash çutë, po me më çu prej gjumit në 2 të natës në pizhame — Albin Kurtin e shti në xhep në çdo debat”, ka thënë ai në një tubim në Malishevë.

Një deklaratë tjetër ka ardhë nga një figurë udhëheqëse e AKK-së dhe ish Ministrit të Infrastrukturës Pal Lekaj. Në një postim në Facebook rreth një shkëputje të dukshme mes partisë së tij dhe PDK-së, Lekaj ka thënë: Kur kishit nevojë për të qëndruar në pushtet e për të mar votat e z. [Ramush] Haradinaj dhe z. [Fatmir] Limaj i kërkonit ku ishin e ku nuk ishin…! Ndërsa sot kur keni rrëshqitur nga indentiteti juaj në një parti “kulleriste” sipas jush ata nuk i nevojiten më politikës”.

Kuller është një term degradues që ndër të tjera ka kuptimin “i qullët”, por kullerist duket të jetë një fjalë e re e shpikur nga Lekaj. 

Ky nuk është gabimi i parë gjuhësor i deputetit gjatë vitit të kaluar. Gjatë shfaqjes në një program televiziv në qershor 2020, ai ka folur për “politikat feministe” të Albin Kurtit të cilën më vonë e ka sqaruar që ka pasë qëllimin të thotë “politika fëmijërore”. 

Diaspora thërret

Numri i votuesve të regjistruar të diasporës për të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme tanimë ka kaluar rekordet paraprake, me dhjetëra mijëra aplikime që ende janë duke u procesuar. 

Deri të mërkurën (28 janar), KQZ-ja ka thënë që ka “futur në sistem” 130,000 aplikime përmes emailit për tu regjistruar për votim përmes postës, nga e cila ka aprovuar rreth 46,000 për fazën tjetër të verifikimit përmes telefonit. 

Ai numër tanimë është më i lartë se 40,313 votuesit të cilët përfundimisht janë aprovuar në zgjedhjet e 2019, kur antarët e diasporës janë regjistruar të votojnë me numra rekordë.

Ata që janë aprovuar do të mund të dërgojnë votat e tyre me postë nga 2 shkurti dhe zarfet duhet të arrijnë KQZ-në deri më 12 shkurt për të qenë të pranueshme.

KQZ ka thënë që deri tash ka bërë rreth 39,000 telefonata për personat që kanë aplikuar të votojnë nga jashtë Kosovës si pjesë e procesit të tyre të ri të verifikimit për votuesit e diasporës, duke shtuar që pothuajse një në pesë persona të thirrur nuk janë përgjigjur në telefon dhe do të telefonoheshin prap. 

Regjistrimi i votuesve do të vazhdojë deri më 1 shkurt.

Ata që janë aprovuar do të mund të dërgojnë votat e tyre me postë nga 2 shkurti dhe zarfet duhet të arrijnë KQZ-në deri më 12 shkurt për të qenë të pranueshme. Megjithatë, përfaqësues të diasporës tashmë kanë shfaqur shqetësime për prejudhën e shkurtë, veçanërisht gjatë situatës së tanishme ku raportohen vonesa të mëdha në dërgesa postare për shkak të situates me pandeminë. 

Vëzhgimi i qeverisë

Pas bisedave të zgjatura dhe ultimatumeve publike nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Republikës së Kosovës, të premten e kaluar (më 22 janar) qeveria ka pranuar të sigurojë dy pagesa shtesë për mësimdhënësit parauniversitarë për shkak të ngarkesës së tyre të punës gjatë pandemisë. Problemet tjera për të cilat janë marrë vesh përfshijnë pagesën e ushqimit, shujtës ditore dhe shpenzimet e transportit.

Sindikatat tjera — të zjarrfikësve, mjekve dhe puntorëve të sektorit privat — e kanë quajtur këtë vendim “diskriminues” dhe “politik”. Kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës Blerim Syla ka thënë për Koha.net që ai i konsideron pagat si manovër për të fituar “një grusht vota”. “Të mos paguash mjekët [që janë duke u trajnuar në] specializimin e tyre por të paguash punëtorët e edukimit është e turpshme dhe jo njerëzore”, ka thënë ai. 

Ndërkaq të hënën (më 22 janar) Fitim Uka i VV-së ka ngritur kallëzim penal kundër Ministrit të Arsimit në veprim Ramë Likaj dhe dy zyrtarëve të Ministrisë, duke pretenduar “abuzim të pozitës zyrtare apo autoritetit” në lidhje me një tender të pothuajse të milion eurove të shpallur në nëntor të vitit të kaluar. Sipas pretendimeve, dy javë pas publikimit të tenderit origjinal, Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASh) e ka fshirë dhe ka ripublikuar një tender të ngjashëm që kërkon dukshëm më pak produkte për shumën e njëjtë të të hollave. 

MASh ka lëshuar një reagim publik ndaj akuzave këtë javë duke thënë që ka pasur një gabim teknik në procedurën e prokurorimit të cilën e kanë korrigjuar para hapjes së tenderit.

Në ndërkohë, ish-kandidati për deputet i LDK-së Valbon Krasniqi është kthyer në garë për pozitën e drejtorit të institutit të shëndetit publik Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) pasi javën e kaluar nuk ka arritur të futet në listë përfundimtare për shkak të përvojës menaxheriale të pamjaftueshme. Kallxo.com raporton që një javë më vonë, vlerësimi për Krasniqin i cili paraprakisht ka thënë “i mungon përvoja menaxheriale, sipas kritereve të konkursit”, tash shkruan “i plotëson [kriteret]”, 

Krasniqi është emëruar drejtor në detyrë i QKUK-së në korrik 2020 pasi ish-drejtori gjeneral Basri Sejdiu është larguar nga bordi duke cituar shumë shkelje, keqmenaxhim dhe performancë të dobët. 

Vëzhgimi i pandemisë

Partitë politike kanë vazhduar të shpërfillim thirrjet nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë që t’u kushtojnë vëmendje masave të distancimit fizik, përkundër dëshmive që rastet pozitive dhe vdekjet me COVID-19 janë në rritje.

PDK, VV dhe LDK të gjitha janë gjobitur për shkeljen e rregullave të COVID këtë javë pasi kanë mbajtur tubime të cilat nuk përputhen me masat ligjore. Partnerët e koalicionit në largim, LDK, AAK dhe Nisma janë dënuar javën e kaluar për tejkalimin e numrit të njerëzve të lejuar në tubime publike, edhe pasi kanë ndryshuar ligjin për të lejuar më shumë persona të grumbullohen.

Të enjten, kryetari i PDK-së në Skenderaj Sami Lushtaku ka postuar foto në Facebook ku thotë se kanë qenë “qindra” mbështetës të PDK-së në një tubim në hapësira të mbyllura në qytetin që duket se nuk ndjekur masa të distancimit fizik. Një video që duket se përfshin shtëna armësh festive ka dalë nga një tjetër tubim i mbushur me njerëz në hapësirë të mbyllur në Suharekë. 

Në ndërkohë, numri zyrtar i rasteve “aktive” të COVID-19 në Kosovë është ngritur mbi 6,000 këtë javë — më shumë se 800 më lartë se javën e kaluar — me një mesatare të mbi 300 raste të reja të shënuara çdo ditë. 

Numri i vdekjeve gjithashtu vazhdon të rritet: 40 persona kane vdekur nga virusi gjatë 7 ditëve të fundit (nga e shtuna, 23 janar) duke përfshirë një 29 vjeçar nga Lipjani.K

Imazhi i ballinës: Arrita Katona / K2.0.