Në thelb | Zgjedhjet2021

Zgjedhjet 2021: Java 4 — Çfarë na është përvjedhur?

Nga , - 12.02.2021

Nga polemikat e COVID-19 deri te vizionet për të ardhmen, të gjitha në një vend.

Ndjekja e përditshme e lajmeve mund të jetë e lodhshme edhe në situatat më të mira, edhe kur nuk ka ndonjë pandemi që është duke tronditur jetët tona.

Prandaj, në paraprirje të rundit të radhës të zgjedhjeve, nuk ju fajësojmë nëse doni t’i hiqni qafe të gjitha njoftimet në telefon, ta mbyllni llaptopin dhe t’iu shmangeni të gjithë titujve e lajmeve 24/7 sikur ndonjë murtaje…

Por përderisa ndjekja e vazhdueshme e premtimeve të përsëritura, debateve dhe skandaleve mund të jetë e tepërt, kjo s’do të thotë që nuk është mirë të mbetemi të informuar.

Prandaj do t’jua sjellim “pikat kryesore” (dhe ato të ulëta) të shtatë ditëve të fundit për çdo javë deri në ditën e zgjedhjeve më 14 shkurt.

Fushata pothuajse ka përfunduar edhe për një palë zgjedhje të tjera, por ka mjaft gjëra nga shtatë ditët e fundit për të cilat duhet të përditësoheni…

Surprizë, surprizë…?

Meqë është fushata e parë zgjedhore në Kosovë që ndodh gjatë një pandemie, politikanët që bëjnë fushatë kanë pasur mundësi konkrete të praktikojnë atë që predikojnë për ruajtjen e njëri-tjetrit nga virusi. Është mbase jo aq befasuese që shumica dërrmuese e kanë djegur këtë mundësi.

Përkundër mijëra eurove në dënime dhe vetë premtimeve të tyre për t’u kujdesur për shëndetin e qytetarëve, të gjitha partitë e mëdha dhe udhëheqësit e tyre kanë vazhduar të mos çajnë kokën për kujdesin, duke rrezikuar pikërisht shëndetin e njerëzve të cilët premtojnë se do t’i mbrojnë posa të vijnë në pushtet.

Duke shpërfillur lutjet e ekspertëve shëndetësorë, partitë kanë vazhduar të mbajnë tubime masive — shpesh në hapësira të mbyllura pa distancim ose maska — në ditët e fundit të fushatës këtë javë. 

"Që nga fillimi i fushatës parazgjedhore nuk janë respektuar masat anti-covid nga ana e partive politike."

Institucioni i Avokatit të Popullit

Të hënën, Institucioni i Avokatit të Popullit ka nxjerrë një reagim që rithekson se institucionet dhe partitë politike janë të obliguar të respektojnë masat që kanë për qëllim ndalimin e përhapjes së COVID-19.

“Që nga fillimi i fushatës parazgjedhore nuk janë respektuar masat anti-covid nga ana e partive politike ndërsa në anën tjetër institucionet që kanë për obligim t’i zbatojnë këto masa nuk kanë reaguar”, thotë reagimi. “Ky është një standard i dyfishtë që nuk mund të tolerohet dhe cenon barazinë e qytetarëve para ligjit”.

Ministria e Shëndetësisë nuk ka publikuar as edhe një deklaratë në uebfaqen e tyre dhe në llogarinë e Facebook-ut këtë javë — duke kritikuar individët për keqinterpretim të komunikimeve të tyre — ndërsa gjatë javëve të fundit Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj ka publikuar fotografi ku shihet duke shkelur rregullat e COVID-19 në tubime zgjedhore të LDK-së. 

***

Një tjetër varg jo aq befasues i ngjarjeve përfshin debatet politike në prag të zgjedhjeve të së dielës. Debatet televizive mes gazetarëve, komentuesve, analistëve dhe kandidatëve për deputetë janë të gjithpranishme, por kjo fushatë do të mbyllet pa asnjë debat mes kandidatëve për kryeministër.

Çfarëdo debati i drejtpërdrejtë do të prishte traditën e gjatë ku kandidatët që duket se kanë epërsi refuzojnë të debatojnë me rivalët e tyre. Organizatat e shoqërisë civile për një kohë të gjatë kanë shtyrë kandidatët t’i japin fund kësaj tradite dhe t’i vënë planet qeverisëse ballë për ballë në një debat të drejtpërdrejtë, duke këmbëngulur që ekspozimi i tillë ballafaques është thelbësor për zhvillimin e proceseve zgjedhore demokratike. 

Megjithatë, ndërsa dita e votimeve afrohet, partitë politike u janë kthyer gjithnjë e më shumë formulave të tyre të provuara të zgjedhjeve të kaluara. 

Për LDK-në, kjo do të thotë të thirren në trashëgiminë e Ibrahim Rugovës, anëtarit themelues të partisë dhe presidentit të Kosovës që — 15 vite pas vdekjes — ende nderohet gjerësisht për udhëheqjen e rezistencës paqësore të shqiptarëve të Kosovës gjatë viteve të 90-ta dhe rrugëtimit pasues të Kosovës drejt shtetësisë. 

Në një takim zgjedhor të dielën, kandidati për kryeministër i partisë Avdullah Hoti ka zënë ngoje historinë, duke tentuar të bëjë kontrast mes të kaluarës së partisë së tij me atë të ish-partnerit që tash është shndërruar në rival, Vetëvendosjes (VV). 

“Ne krenohemi me historinë tonë politike. Krenohemi me Presidentin Rugova dhe rrugëtimin e tij që po e ndjekim edhe sot, ndërsa oponentët tanë kanë qenë në anën e kundërt të Rugovës dhe të shtetit të Kosovës”, ka thënë ai. “Sot [VV] kanë angazhuar me dhjetëra IT për t’i fshehur nga publiku deklaratat e tyre kundër demokracisë dhe kundër proceseve që sollën formimin e shtetit të Kosovës”.

VV ka thënë preras që nuk do të formojë koalicion me askënd tjetër dhe rrjedhimisht duhet të sigurojë një shumicë të përgjithshme prej 61 deputetësh.

Deklarata referencon pretendimet e LDK-së se shqetësimet e VV-së për qëndrimet e tyre të kaluara si lëvizje radikale dhe nacionaliste mund t’i kenë shtyrë të fshijnë një pjesë të pranisë së tyre online nga vitet formative. 

Për partitë e “krahut të luftës” — PDK, AAK dhe Nisma — rivaliteti kryesor lidhet me atë se cila ruan vlerat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) më mirë se tjetra.

Kandidati për kryeministër i PDK-së Enver Hoxhaj u ka thënë votuesve në Skenderaj, në zemrën e UÇK-së: “Mos e lini askënd ta përçajë Drenicën, sepse kushdo që është për UÇK-në është për PDK-në”.

Kandidatja për deputete e AAK-së Time Kadrijaj, e cila ka shërbyer si mjeke e UÇK-së gjatë luftës, më herët ka ngulur këmbë që partia e saj është e vetmja parti e vërtetë kur vjen te përfaqësimi i UÇK-së: “E çuditshme ta dëgjosh PDK-në e 2021 kur flet për UÇK-në, derisa në përbërje të tyre dhe në listën për deputetë nuk gjen as për së afër vlera të luftës, aq më pak tek ata që flasin në emër të PDK-së”.

VV-ja, e njohur për “vijat e kuqe” në të kaluarën për koalicionet potenciale me PDK-në, këtë herë ka thënë preras që nuk do të formojë koalicion me askënd tjetër dhe rrjedhimisht duhet të sigurojë një shumicë të përgjithshme prej 61 deputetësh. Në një bisedë online me qytetarë të dielën, Kurti ka thënë: “S’kemi nevojë për kurrfarë koalicioni – s’ke me kë të bësh”. 

Programet politike

Ndërsa partitë kanë përfunduar angazhimet e fundit të fushatës këtë javë, është shfaqur pak substancë e vërtetë sa u përket programeve të partive. 

VV-ja është partia e fundit e madhe që ka publikuar programin e shkruar pasi udhëheqësi Albin Kurti ka shpalosur gojarisht premtimet e partisë javën e kaluar, por diskutimi i politikave nuk ka qenë në krye të agjendës së partisë ndërkohë që vazhdon ta theksojë zotimin kundër korrupsionit.

Një fushë që ka vazhduar të bjerë në sy nga mungesa e saj në mbledhjet e fushatave është dialogu mes Kosovës dhe Serbisë. Meqenëse kjo temë ka luajtur rol kyç në rrëzimin e qeverisë së udhëhequr nga Kurti, e cila është zgjedhur herën e kaluar kur kosovarët kanë dalë në vendvotime, të gjitha partitë kësaj here kanë ngurruar ta rrokin këtë çështje të vështirë. 

Me propozime të politikave kuptimplota në të gjitha fushat që përgjithësisht mungojnë nga partitë politike, K2.0 këtë javë ka pyetur një sërë ekspertësh t’i shfaqin ripërfytyrimet e tyre për të ardhmen dhe të sugjerojnë ndryshime të nevojshme që na çojnë aty. Në serinë tonë “Një perspektivë tjetërqysh” kemi vështruar së afërmi aspiratat për: shëndetin tonë; arsimimin tonë; mjedisin tonë; artin dhe kulturën; sundimin e ligjit; politikën e jashtme; drejtësinë tranzitore; ekonominë tonë; dhe të drejtat e grave dhe të LGBTQ+.

Shumë e mirë për të qenë e vërtetë?

Këtë javë, PDK-ja ka vazhduar ta shtyjë temën zgjedhore të “rimëkëmbjes” — rimëkëmbjen në arsim, në bujqësi dhe për çdo fshat dhe qytet. Më pak e qartë është se nga çfarë saktësisht premtohet të ketë rimëkëmbje. 

Shumë njerëz janë shprehur se slogani i tyre është i çuditshëm për një parti që ka kaluar më shumë kohë në pushtet se cilado tjetër që nga lufta — duke përfshirë 12 nga 13 vitet prej shpalljes së pavarësisë.

Por nëse dikush ka menduar që kjo përbën tentativë të sinqertë për ta kapërcyer të kaluarën e partisë, e cila është përcjellë me skandale të vazhdueshme të korrupsionit, ata mbase duhet të korrigjohen. 

Tubimet zgjedhore të PDK-së shpesh kanë përfshirë video që u bëjnë homazh Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, figurave udhëheqëse të partisë gjatë dy dekadave e fundit, të cilët aktualisht po mbrohen ndaj akuzave për krime të luftës në Hagë. Reklamat televizive të PDK-së gjithashtu janë fokusuar në dy ish-udhëheqësit e tyre, gjë që nuk duket se përputhet me avazet për “rimëkëmbje” dhe se “vetëm PDK-ja mund ta dërgojë Kosovën përpara”.

QYSH kanë thënë?

Përderisa e diela afrohet, politikanët në fushatë janë larguar gjithnjë e më shumë nga programet, duke u përqendruar në thirrje populliste të së kaluarës, në premtime të parealizueshme dhe në përgjithësi në fjalë boshe.

Deklarata e Kryeministrit në detyrë Avdullah Hotit të enjten në një mbledhje në Prishtinë mund të jetë një nga më befasueset pasi ngjan sikur sugjeronte që të gjithë anëtarët e një familjeje duhet doemos të votojnë për të njëjtën parti. 

“Ne si LDK nuk i kemi dalë të keqes përballë me kohë. Unë e di që është dashtë me i ndalë në vitin 2008 dhe 2009 kur hynin në shkolla të mesme dhe iu mbanin ligjërata fëmijëve”, ka thënë ai. “Sot, 20 vjeçarët, djem e vajza, studentë apo të diplomuar, kanë shkaktuar telashe edhe brenda familjeve. Djali dhe vajza 20 vjeç me e nda votën prej nënës, babës, gjyshes e gjyshit”.

Udhëheqësi i AAK-së Ramush Haradinaj gjithashtu është përballur me trashëgiminë, kësaj radhe me të tijën. Në një intervistë për KTV-në, ai duket se pranon që vendimi i tij famëkeq si kryeministër në vitet 2017-19 për ta pasur një kabinet me pesë zëvendëskryeministra dhe mbi 80 zëvendësministra mund të ketë qenë i tepruar. 

Behgjet Pacolli ka thënë që premtimi është “ekstremisht i mundshëm” dhe se përfshihet në programin e tyre zgjedhor — gjë që nuk del të jetë ashtu pas një vështrimi të programit.

“Nuk duhet të ketë një numër të madh të zëvendësministrave si [i kam pasë unë] në atë kohë sepse nuk është në rregull”, ka thënë ai, duke shtuar në mënyrë hutuese: “por nuk duhet të mendojmë që do ta ndihmojmë Kosovën nëse e zvogëlojmë qeverinë”.

Në ndërkohë, kandidati i AKR-së (parti e cila është duke garuar në listë të përbashkët me LDK-në) Islam Paciolli ka bërë premtimin e madh që t’u japë grave 10,000 euro kur lindin fëmijë. Kur është pyetur se si planifikojnë ta bëjnë këtë nga intervistuesi në Kanal10, ai është përgjigjur: “Qysh? Prej buxhetit të shtetit, qysh. Thjesht është”. 

Udhëheqësi i AKR-së, biznismeni ndërkombëtar i shndërruar në politikan Behgjet Pacolli, më vonë e ka përkrahur premtimin e bashkëpartiakut të tij, duke thënë që premtimi është “ekstremisht i mundshëm” dhe se përfshihet në programin e tyre zgjedhor — gjë që nuk del të jetë ashtu pas një vështrimi të programit

Diaspora thërret

Procesi i votimit për pjesëtarët e diasporës së Kosovës ka qenë i mbushur me polemika që prej kur është lajmëruar.

Institucioni i Avokatit të Popullit ka njoftuar këtë javë që ka pranuar disa ankesa në lidhje me aspekte të ndryshme të procesit të votimit të diasporës. Këto kryesisht kanë të bëjnë me verifikimin e aplikacioneve — pas vendosjes së një hapi të ri të verifikimit përmes telefonit sivjet — si vonesat në ngarkim dhe vështirësitë për shkarkim të formularëve të fletëvotimeve, mospërfshirja e qytetarëve me të drejtë vote në listën e votuesve, si dhe mospranimi fillestar i ankesave përmes emailit nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).

Avokati i Popullit gjithashtu ka shtyrë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të rishikojnë afatin e fundit për pranimin e votave nga jashtë për të siguruar që askujt nuk i mohohet e drejta e votës. 

Ministrja e Punëve të Jashtme Meliza Haradinaj-Stublla është akuzuar për pasinqeritet pasi ka publikuar një thirrje drejtuar diasporës për të votuar dhe një shpjegim se si duhet ta bëjnë këtë katër ditë para afatit të fundit.

Afati i fundit për pranimin e votave përmes postës është të premten (më 12 shkurt), edhe pse shumë pjesëtarë të diasporës janë ankuar që një afat dhjetëditor për dërgimin e votave të tyre është shumë i shkurtër, sidomos duke marrë parasysh ndërprerjet në shërbimet postare botërore të shkaktuara nga pasojat e pandemisë COVID-19.

Ambasada Britaneze në Kosovë, e cila ka nisur misionin e vet të profilit të lartë për monitorimin e zgjedhjeve, gjithashtu ka shprehur shqetësim rreth çështjes së votimit të diasporës, për të cilën thotë se është shkaktuar kryesisht nga dështimi për të ndryshuar ligjin që të lejojë një afat më të gjatë për votim.

“Si në zgjedhje të kaluara, ky proces nuk ka qenë i përkryer”, ka thënë Ambasada në një deklaratë të hënën. “Misionet e mëparshme të vëzhgimit të zgjedhjeve të BE-së kanë rekomanduar që ligji të ndërrohet për të lejuar më shumë kohë për proceset parazgjedhore. Kjo nuk ka ndodhur dhe afati kohor për këto zgjedhje të parakohshme është edhe më i shkurtë se zakonisht, duke i bërë presion KQZ-së dhe duke krijuar rrezikun që jo të gjitha fletëvotimet e dërguara nga jashtë do të arrijnë me kohë”.

Në ndërkohë, Ministrja e Punëve të Jashtme Meliza Haradinaj-Stublla është akuzuar për pasinqeritet pasi ka publikuar një thirrje drejtuar diasporës për të votuar dhe një shpjegim se si duhet ta bëjnë këtë më 8 shkurt, gjashtë ditë pas fillimit të votimit nga jashtë dhe vetëm katër ditë para afatit të fundit.

Vëzhgimi i qeverisë

Kryeministri në detyrë Hoti ka dështuar të plotësojë premtimin e tij të shfuqizojë një udhëzim administrativ të lëshuar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë që krijon monopol në tregun e naftës. Kallxo.com ka raportuar që Hoti i ka kërkuar dy herë ministrit në detyrë Vesel Krasniqit të Nismës që ta shfuqizojë atë, por ai nuk e ka bërë. 

Më 29 janar, Hoti ka thënë në një konferencë për shtyp: “E kam … nga zyra ligjore që udhëzimi administrativ nuk është në përputhshmëri me ligjin dhe i kam dërgu letër ministrit për të anuluar këtë udhëzim. Afat ka pasur deri më 21 janar; meqenëse kjo nuk ka ndodhur, unë do e fus në rend të ditës në votim në qeveri”.

Ndërkaq, duke treguar kujdes të pazakontë ndaj COVID-19, të mërkurën Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar se ka marrë vendim t’i pezullojë përkohësisht të gjitha shërbimet, përpos atyre esenciale të ofruara nga Qendra për Pajisje me Dokumente në Prishtinë. Sipas kësaj agjencie, vendimi për të mbyllur qendrën ku qytetarët pajisen me letërnjoftime dhe pasaporta ka ardhur sepse “disa zyrtarë kanë dalë pozitivë me COVID-19”.

“Deri në përfundimin e procesit të testimit të stafit të kësaj Qendre, të gjitha shërbimet e aplikimit për pajisje me dokumente, mund të bëhen nëpër Qendrat për Pajisje me Dokumente në Rajonin e Prishtinës (Podujevë, Graçanicë, Fushë Kosovë, Obiliq, Lipjan, Drenas) apo edhe në Qendrat e tjera më të afërta në territorin e Republikës së Kosovës”, thotë njoftimi.

Që nga mesi i javës së kaluar, qytetarët kanë raportuar që nuk kanë qenë në gjendje të gjejnë zyrtarët përgjegjës për shërbime të aplikimit në Agjenci dhe se një njoftim në derë ka thënë që Qendra nuk është duke vepruar për shkak të arsyeve që lidhen me COVID-19.

Vëzhgimi i pandemisë

Dy ditë para zgjedhjeve, qeveria ka vendosur të enjten të lehtësojë pjesërisht masat që kanë për qëllim të përmbajnë pandeminë COVID-19.

Ora policore, e cila ka qenë në fuqi nga ora 21:30 në komunat e “zonës së kuqe” (ato me më së shumti raste të COVID-19), është hequr dhe operatorët ekonomikë në këto zona tash mund të punojnë për një orë më shumë në mbrëmje — deri në orën 22:00.

Numri i personave që lejohen të tubohen në hapësira të jashtme është rritur nga 50 në 80, ndërsa numri i lejuar për tubime në hapësira të mbyllura — ku virusi përhapet më lehtë — është rritur nga 30 në 50. Dasmat dhe festat familjare mbesin të ndaluara.

Numri i rasteve me COVID-19 të përshkruara si "aktive" nga IKShP ka vazhduar të rritet në mënyrë të qëndrueshme këtë javë.

Qeveria gjithashtu ka konfirmuar se ka marrë vendim që studentët e shkollimit të lartë t’i kthehen mësimit fizikisht — një marrëveshje që është shpallur nga Parlamenti Studentor i Universitetit të Prishtinës të mërkurën e kaluar.

Në vendimin e vet, qeveria përmend që është duke i lehtësuar masat duke në bazë të rekomandimeve nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik (IKShP). 

Por ekspertët e tjerë të shëndetit kanë shprehur kundërshtimin e tyre ndaj vendimit, duke përfshirë edhe udhëheqësin e Bordin Këshillëdhënës të Ministrisë për Luftën Kundër COVID-19. Mikrobiologu Lul Raka ka thënë në një postim në Facebook që as ai, as ndonjë anëtar i Bordit Këshillëdhënës nuk është konsultuar rreth vendimit dhe që ai është kundër lehtësimit të masave në këtë kohë. 

“Çdo ‘lehtësim politik i masave’ mundëson përhapjen e infeksionit në komunitet duke kërcënuar shëndetin publik e individual në Kosovë”, ka shkruar Raka, i cili po ashtu ka theksuar praninë në Kosovë të variantit britanik të virusit që përhapet më lehtë.

Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës gjithashtu ka shprehur kundërshtim ndaj vendimit, duke e quajtur “skandaloz” dhe “të papranueshëm”. “Për ta bërë edhe më keq, asnjë parti politike nuk është duke reaguar… partitë politike nuk janë duke i dhënë përparësi shëndetit publik, vetëm votave të tyre”, ka thënë Federata. 

Numri i rasteve me COVID-19 të përshkruara si “aktive” nga IKShP ka vazhduar të rritet në mënyrë të qëndrueshme këtë javë në 7,041 deri të premten (12 shkurt). 

Të premten janë shënuar 372 raste zyrtare me virusin — numri më i lartë i rasteve të reja për një ditë të vetme për më shumë se dy javë — dhe 6 vdekje. Njëzet e një persona zyrtarisht kanë vdekur me COVID-19 gjatë shtatë ditëve të fundit.

Në ndërkohë, KQZ-ja ka njoftuar që ka vendosur një proces të votimit për personat me COVID-19 dhe ata në vetizolim, të cilëve do t’u pranohet vota nga ekipet mobile që do t’i vizitojnë në shtëpi.K

Nëse jeni duke planifikuar të votoni të dielën, sigurohuni ta mbani maskën dhe distancën.

Imazhi i ballinës: Arrita Katona / K2.0.