Ani pse zgjedhjet janë bërë ndodhi e shpeshtë në Kosovë, diskutimi për atë që njëmend ka rëndësi për jetën e zgjedhësve është i rrallë.
Në tubimet e partive politike, debatet televizive e në atë që shkruhet e thuhet nga dhe për partitë politike flitet shumë për llogaritje e manovrime partiake, sondazhe, slogane e njerëz, e më pak për çështje praktike që në thelb do t’i njoftonin votuesit se çfarë mund të presin pas fushatave zgjedhore. Në parim, vetë fushatat zgjedhore do duhej të ishin në funksion të këtij qëllimi — që votuesit të dinë për çfarë po votojnë.
Midis gjithë kësaj e mbi të gjitha, për ta sfiduar këtë kontekst, në K2.0 kemi folur me ekspertë të fushave të ndryshme dhe përmes përgjigjeve të tyre jemi përpjekur të radhisim disa prej çështjeve që nuk diskutohen e që janë të rëndësishme për votuesit në këtë 14 shkurt.
Përmes serisë “Zgjedhjet 2021, një perspektivë tjetërqysh”, në tetë artikuj të fokusuar në nga një lëmi shtjellojmë se çka konkretisht nuk po merr vëmendjen e duhur, cila është situata e tanishme dhe çka duhet bërë që gjërat të ndërrojnë në favor të qytetarëve. Po ashtu, provojmë që përmes ofrimit të zgjidhjeve largpamëse të informojmë votuesit e ta kthejmë mirëqenien e tyre në qendër të diskutimit.
Perspektivë tjetërqysh për të ardhmen e nxënësve, të ardhmen e shtetit
Gati në secilin problem të secilës sferë shoqërore arsimi del një prej problematikave kyçe — ndoshta kryesorja. Me këtë pajtohen edhe partitë politike kosovare — së paku kështu shkruajnë në programet e tyre politike. Ata pajtohen se Kosova qëndron shumë keq me të arriturat në fushën e arsimit, dhe vazhdimisht premtojnë se “një ditë” do ta ndryshojnë për të mirë “sektorin më të rëndësishëm për shoqërinë kosovare”.
Gati të gjitha partitë politike që garojnë në zgjedhjet e 14 shkurtit e kanë udhëhequr ministrinë e arsimit, dhe vazhdojnë të insistojnë se prioritet në qeverisjen e tyre të ardhshme e kanë reformën në këtë sektor. Për shumë vite, mediat dhe organizatat që merren me fushën e arsimit kanë ngritur shqetësime se punët i kemi shumë keq.
Pas kaq shumë vitesh të mbushura me premtime, sa edhe zhgënjime, ishte testi PISA (Programi për Vlerësimin e Studentëve Ndërkombëtarë) i vitit 2015 që kallëzoi me të dhëna konkrete se sa keq janë punët: 77% e nxënësve kosovarë kanë probleme në lexim. Me këto të dhëna shprehin shqetësim edhe programet e partive politike të cilat garojnë për ta marrë qeverisjen pas 14 shkurtit, por nuk është se japin edhe aq politika konkrete dhe afate se kur mund t’ia dalin t’i zgjidhin problemet e sistemit të arsimit në Kosovë.
LDK-ja në programin e saj për arsimin parasheh nëntë shtylla — arsimi në pandemi, kurrikulat, arsimi për komunitetet joshumicë, arsimi i lartë dhe profilizimi i universiteteve publike dhe shkenca, për t’i përmendur disa. Përkrahja e qeverisë ndaj komunave për ndërtimin e institucioneve parashkollore po ashtu bën pjesë në programin e LDK-së, si dhe riaftësimi i mësimdhënësve që të jenë 100% gati për institucionet parashkollore. Pikë tjetër është qëndrimi gjithëditor në shkollat ku ka infrastrukturë të nevojshme.
Ndërsa Vetëvendosja (VV) parasheh përfshirje më të madhe të fëmijëve nga 2 deri në 4 vjeç në arsim parashkollor, pastaj përfshirje të plotë të fëmijëve në arsimin parafillor, ndërtimin e çerdheve dhe kopshteve të reja, adaptimin e objekteve për institucione parashkollore. Për familjet në nevojë dhe ato në skema sociale, VV parasheh që t’i japë rëndësi përjashtimit nga pagesa edhe në institucionet parashkollore private. Një tjetër fokus i paraparë janë pilot-projektet për qëndrim gjithëditor në shkolla derisa të vijë koha që qëndrimi gjithëditor të bëhet standard. Po ashtu premtojnë se do të iniciojnë procesin e vlerësimit të mësimdhënësve.
PDK-ja ka orientuar programin më shume karshi nevojave në pandemi, ku parasheh zbatimin e e programeve për mësim online, trajnimin e mësimdhënësve për mbarëvajtjen e mësimit në distancë, dhe zbatimin e konceptit hibrid të klasave – me rotacion gjysma fizikisht dhe gjysma virtualisht. Përtej këtyre, PDK-ja po ashtu premton rritje të stafit mbështetës në shkolla, të tillë si specialistët e teknologjisë informative, psikologët e të tjerë, si dhe përkrahje për familjet me fëmijë në shkollim me nga 50/100/200 euro.
Ndërsa AAK-ja parasheh ndërtimin e shkollave të reja profesionale në mënyrë që të përgatiten kuadro të duhura për tregun e punës, rishikimin e Ligjit për Arsimin e Lartë, si dhe rishikimin e vlerësimin e teksteve shkollore dhe kurrikulave.
Një pjesë e madhe e këtyre premtimeve nuk janë të reja dhe janë ricikluar nga zgjedhjet në zgjedhje.
Andaj, për të kuptuar më hollësisht problemet e trashëguara ndër vite në këtë sektor kemi folur me tre ekspertë të fushës: njohësen e arsimit parauniversitar Agnesa Qerimi, zëvendësdrejtorin e Organizatës për Rritje të Cilësisë në Arsim (ORCA) Gramos Buçinca, dhe drejtorin e Institutit EdGuard për hulumtim dhe avokim në arsim Rinor Qehaja. Në pyetjet tona për atë se çfarë na mungon, çfarë aspiratash do duhej të kemi dhe si do të mund të vijë ndryshimi, kështu u përgjigjën ekspertët:
Çka po na mungon?
Agnesa Qerimi, njohëse e arsimit parauniversitar:
Brenda zinxhirit arsimor do të ndalem në arsimin parauniversitar, e cila bazë duhet të kuptohet vjen në fuqi në vendin tonë sipas modeleve dhe praktikave më të mira të vendeve fqinje dhe atyre evropiane. Por edhe si e tillë, jemi mësuar të dëgjojmë togëfjalëshin “Ligjet i kemi të mira në letër por jo dhe në praktikë” — më lejoni të them se nuk qëndron mirë karshi realitetit, nevojës dhe situatës sonë si shtet.
"Duhet të fillohet me përmbushje obligimesh ligjore dhe adaptim të tyre karshi nevojës konkrete të palëve në arsim."
Për ta vendosur këtë në një shembull konkret – [Ligji për] Arsimin Parauniversitar ka hyrë në fuqi në vitin 2011 duke e shfuqizuar atë të vitit 2006, dhe që nga ky vit deri sot numërojmë rreth 61 akte nënligjore që rrjedhin nga Ligji për Arsimin Parauniversitar me qëllim të përforcimit të zbatimit të neneve të tij. Përgjatë gjashtë legjislaturave, ky ligj dhe aktet e tij nënligjore nuk kanë arritur nivelin e kënaqshëm të zbatimit. Vetëm në analizim të këtij ligji vërehet qartazi sa larg është zbatimi në të gjitha elementet dhe dispozitat e tij, pa i analizuar fare planet strategjike, kurrikulat e aktet tjera nënligjore dhe pa i përmendur formulat buxhetore, arsimin profesional, arsimin paralel e më gjerë. Rrjedhimisht, duhet të fillohet me përmbushje obligimesh ligjore dhe adaptim të tyre karshi nevojës konkrete të palëve në arsim.
Gramos Buçinca, ORCA:
Arsimi në Kosovë është dizajnuar t’i përshtatet më shumë mësimdhënësve se studentëve apo nxënësve. Mungesa e programeve të studimit që e aftësojnë të riun kosovar për të qenë qytetar produktiv në shoqëri ka sjellë zhvillim të ngadaltë ekonomiko-shoqëror. Diploma e cila nuk sjell para ka bërë që shumë të rinj të mos e mendojnë të ardhmen në Kosovë.
Arsimi publik është një prej punëdhënësve më të mëdhenj — si rrjedhojë ka qenë dhe vazhdon të mbetet ndër sektorët më të shfrytëzuar nga politika partiake. Partitë e ndryshme shfrytëzojnë sentimentin e mësimdhënësit si bartës të shkollimit kombëtar ndër periudhat më të vështira, në njërën anë, dhe në anën tjetër shfrytëzojnë varfërinë e papunësinë që të premtojnë vende të reja pune e ngritje pagash në arsim.
Arsimi kosovar vuan më së shumti nga mungesa e një sistemi që do të shoqëronte nivelin e pagës së mësimdhënësve me vlerësim të performancës së tyre.
Rinor Qehaja, EdGuard:
Arsimit në Kosovë i mungon shumëçka për të arritur diçka. Ka nevojë për shumë korrigjim për pak ndryshim, me shpresën që kjo pak dikur të kthehet në shumë. Cilësia e munguar është e ardhme e humbur për shumë të rinj. Duket sikur askush nuk e ka me seriozitet ndikimin që arsimi ka në shoqëri, dhe do të nevojitet edhe pak [kohë] për të kuptuar të gjithë se shtetndërtimi varet nga arsimimi i shoqërisë, jo nga politizimi i saj.
Sistemi jonë arsimor nuk mungon në ligje e strategji të mira, mungon në zbatim të tyre; nuk mungon në shkolla, por në pajisje dhe teknologji në shkolla; nuk mungon në mësimdhënës të mirë, por në mësimdhënës që nxiten për punë të mirë; nuk mungon në kurrikulë të mirë, por në tekste të mira që plotësojnë këtë kurrikulë. Por mbi të gjitha arsimi mungon në llogaridhënie, dhe kjo është pikënisja e të gjitha problemeve.
Cilat qëllime duhet të na prijnë?
Agnesa: Përmirësimi i cilësisë së arsimit në Kosovë duhet të fillojë nga zero. Logjika e fashimit, proceseve ad-hoc e shumë të shpejta pa rezultate të konkretizuara afatgjata do të vazhdojë ta ngulfasë cilësinë. Për arsim duhet të vendosim njëzëri dhe ta ndajmë të gjithë/a një vizion që është vetëm yni, që i përshtatet mendësisë, komunitetit tonë dhe nevojës sonë — nuk duhet assesi ta marrim me qira këtë vizion nga vendet tjera.
Aspiratë tjetër për arsim duhet ta kemi angazhimin për ndërtim të kapaciteteve. Duhet të zhvillohemi në njerëz të aftë për konceptim dhe strategji të organizimit të komunitetit. Kjo është e pamundur të arrihet përmes një trajnimi dy orësh, apo përmes një metodologjie teorike të njësuar për çdo komunë e shkollë. Sepse çdo komunë e shkollë dhe çdo interes i njërit dallon nga i tjetrit. Për të arritur suksesin e përgjithshëm duhet të inspirojmë, të përdorim inovacionin dhe përgjegjësinë kolektive.
Edukimi është baza, është imperativi i një shtetndërtimi ku duhet të mbretërojë njohuria, aftësia dhe mirëqenia shoqërore për një të ardhme të mirë.
Gramos: Shoqëria kosovare duhet të jetë më kërkuese ndaj qeverisë, sa i përket arsimit. I gjithë sistemi ekonomiko-shoqëror i një shteti varet tërësisht nga niveli i aftësive dhe njohurive të qytetarëve të tij.
Arsimi për dije — kosovarët duhet të kenë një sistem arsimor që i pajis me dije në nivel të qytetarëve evropianë. Një student universitar duhet të jetë në gjendje t’i kuptojë konceptet e fushës së studimit të tij. Profesori kosovar duhet të jetë i orientuar në hulumtim dhe shkencë, në mënyrë që njohuritë e tij të jenë të plota dhe të përditësuara, dhe përmes mësimdhënies t’i përçojë ato te studentët, një pjesë e së cilëve do te jenë mësues në shkolla, kështu duke e siguruar cilësinë në të gjitha nivelet e arsimit.
Arsimi për ekonomi — qeveria kosovare duhet të ketë një plan veprimi afatshkurtër, afatmesëm dhe afatgjatë për ndërlidhjen e tregut me arsimin. Programet e studimit në universitetet kosovare vetëm viteve të fundit kanë filluar të dizajnohen për t’iu përshtatur industrisë. Qeveria duhet të mësojë nga bizneset dhe industria se çfarë aftësi konkrete nevojiten për punëtorët dhe si mund të sigurohet një pagë e mjaftueshme e cila reflekton investimin që taksapaguesi e bën për shkollimin e punëtorit.
Arsimi për kulturë — mësimdhënësit e fushës së artit dhe kulturës e kanë mbikëqyrjen më të vogël ndër kolegët e tyre. Kjo ka bërë që kultura kosovare të dominohet nga artistë që nuk kanë kryer shkollë arti. Kosova duhet të ketë shkolla arti që prodhojnë artistë të kompletuar, që në njërën anë shpërfaqin aftësi teknike në përfaqësim të së bukurës dhe në anën tjetër dinë që përmes krijimit artistik të kritikojnë padrejtësi.
Arsimi për qeveri — “e keqja vjen nga injoranca” thoshte Sokrati. Çdo e keqe e qeverisë do të mund të evitohej nëse qeveritarët do t’i kishin njohuritë e duhura. Kosovarët duhet të presin udhëheqje nga njerëz të aftë — si rrjedhojë shoqëria duhet të aspirojë shkolla që prodhojnë liderë të tillë.
"Aspirata për ndryshim vjen kur mësimnxënia ka një kuptim më shumë sesa një notë ose diplomë."
Rinor: Aspirata për arsim është aspirata për të ardhmen e të rinjve; ky është kuptimi i betejës sonë për një arsim më të mirë. Pikënisja është një vullnet i fuqishëm politik i konvertuar në buxhet dhe politika që synojnë korrigjimin e sistemit përtej interesit elektoral — korrigjimi rrënjësor i sistemit arsimor tkurr interesat por nxit zhvillimin. Politika ka kufizuar debatin për një arsim më të mirë në mirëqenien ekonomike të mësimdhënësve, dhe jo në mekanizma që do të siguronin ngritjen e cilësisë në arsim. Kjo të lë përshtypjen që aspirata e vetme për përmirësim është monetare, por nuk është — po sikur të ishte, ndryshimi do të vinte vite më herët.
Aspirata për ndryshim vjen kur mësimnxënia ka një kuptim më shumë sesa një notë ose diplomë. E kjo e fundit është ajo aspirata false e të rinjve që i shpie në të jetuarit e iluzionit që janë të dijshëm sepse kanë titull, e me kalimin e kohës i kthen në të papunë me titull.
Si të arrijmë te ndryshimi?
Agnesa: Është një thënie që thotë “Nëse të gjithë mendojmë njëjtë, atëherë asnjëri/a prej nesh me gjasë nuk mendojmë shumë” — mbi këtë bazë mendimi është i nevojshëm ndryshimi. Që të arrijmë zbatimin e politikave dhe legjislacionit, fillimisht duhet ta pyesim veten si shtet për secilën politikë, reform apo ligj nëse do të jetë e mirë dhe e përshtatshme për fëmijët dhe për mësimdhënësit/et. Përgjigjja duhet të gjendet përmes hulumtimeve dhe analizave konkrete që do duhej të rridhnin nga vetë komunat karshi nxënësve dhe personelit të shkollave të tyre. Pra, arsimi duhet të decentralizohet plotësisht dhe të mos jetë i njësuar. Secila komunë duhet t’i ketë duart e lira për të vendosur reformën arsimore për popullatën dhe nxënësit e vet. Në një komunë mund të jehojë arsimi profesional e në një tjetër ai shkencor.
Një çështje tjetër që duhet të ndryshohet është qasja arsimore — pra, ne duhet të synojmë kualitet shumë të lartë, jo kualitet të mirë. Kjo arrihet duke krijuar kualifikime më të fuqishme akademike për mësimdhënie.
Pra, mësimdhënës që zgjedhin profesionin të udhëhequr nga përgjegjësia për zhvillim të vizionit shoqëror, me autonomi të plotë dhe mbështjetje të pakontestueshme dhe të vazhdueshme në çdo formë që u duhet. Mbështetje profesionale në përmirësim të materialeve të punës dhe librave, rritje të burimeve dhe trajnime më kualitative e të avancuara. Trajnimet afatshkurtëra nuk janë zgjidhja; përpjekja për të zhvilluar vetveten vazhdimisht si mësimdhënës/e dhe zotërimi i profesionit me dashuri, pasion dhe dinjitet është zgjidhja.
Gramos: Programet e studimit në të gjitha nivelet e arsimit duhet ta kenë qëllim formësimin e të riut kosovar. Këto programe deri më tani në masë të madhe janë përshtatur për të plotësuar norma pune të mësimdhënësve, që ata të marrin ndër pagat më të larta në rajon pa asnjë kushtëzim me performancë apo cilësi. Qeveria, në bashkëpunim me të gjithë hisedarët e arsimit, duhet të financojë programe studimi dhe të mbështesë mësimdhënës të cilët e pajisin qytetarin kosovar si me aftësi teknike profesionale, ashtu dhe me dije bashkëkohore, që ia mundëson atij të kuptojë thellësinë e funksionimit shtetëror dhe të jetë në gjendje të artikulojë mendim kritik.
"Qeveria duhet të shumëfishojë fondin për hulumtime shkencore."
Programe bursash si “Young Cell Scheme”, ku përmes financimit të studimit jashtë shtetit qeveria ua mundëson të rinjve kosovarë shkollimin në top universitete evropiane me kusht që pas përfundimit të studimeve të punësohen në administratë shtetërore, duhet të zgjerohen sa më shumë që është e mundur.
Qeveria duhet të shumëfishojë fondin për hulumtime shkencore. Pse organizatat si ORCA insistojnë që profesorët të kenë botime shkencore lidhet me faktin se për ta botuar një punim në një revistë të mirëfilltë shkencore nevojitet një hulumtim i gjerë i literaturës më të përditësuar dhe një përdorim i kujdesshëm i pajisjeve dhe mjeteve që sjellin rezultate mbi temën e punimit, të cilat profesori përmes mësimdhënies pashmangshëm i bart tek studentët, duke i aftësuar ata me informatat dhe metodat më të reja shkencore dhe praktike.
Rinor: Aspiratat për një arsim më të mirë duhet të ndërtohen mbi vlerën e dijes, jo të parasë ose të diplomës — kjo pastaj vetvetiu thërret për përgjegjësi dhe llogaridhënie. Nuk besoj shumë në atë ndryshimin e madh të përnjëhershëm, por besoj shumë në ndryshime të vogla që prekin përmbajtësisht cilësinë e mësimdhënies dhe nxënies në klasë: një tekst i mirë shkollor është qenësor për nxënësit e për të nuk nevojiten vite, por përgjegjësi e mirëdefinuar që sjell si rezultat tekstin e mirë. Pra, aspiratat për pak në sistemin tonë arsimor nënkuptojnë aspirata të mëdha që për këdo brenda në arsim janë ndryshime me ndikim të madh.K
Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0.
Përshendetje, uroj qê të ndryshojn gjërat për të mirë, por ndryshimet në arsimin parauniverzitar fatkeqsisht nuk mundet të ndryshohen kur caktohet drejtor shkolle x personi qê ka mbetur pa punë, vetem se asht antar apo simpatizant i partis fituese e kryen një trajnim dhe ai ose ajo bëhet drejtor shkolle, kjo asht gjendja ne shkollat e R.Kosoves, e pastaj ai ose ajo ka per të përkrahur të gjithë militantet e partis ne nivel shkolle e ka me i diskriminu të tjeret.Turp qka është duke ndodhur ne shumicen e shkollave, ka drejtor shkolle qe nuk din qka asht kurrikula, nuk din as PZHSH, nuk e njeh as ligjin e as UA, mbi te gjitha nuk ka as nje karakter per drejtor shkolle por ai ftkeqsisht zgjidhet perkunder të tjerve që e meritojn.Kerkoj nga ju si profesionist që të ngritëni këto probleme, të i mundësohet x personave që kan kryer studimet master ne programin udhëheqja arsimore perparesi ne zgjedhjen e postit të drejtorit, sepse ai ose ajo ka kryer keto studime që të jep kontributin ne shkollë me vullnet e jo si i thot partia. Të ndryshohet U.A.per zgjedhjen e drejtorit aty ku duhet dhe kërkohet që gjërat të ndryshojn për të mbarë.Ne munges të kandidatve me master të vien në shprehje kandidatet me kualifikim me tē ulët.Shpresojm se me ngritjen e zërit nga ana e juaj dhe presionin ne organet relevante gjërat të ndryshojn, përndryshe fatkeqsisht gjerat do të përkeqësohen edhe më keq.