Në thelb | Zgjedhjet 2025

Zotimet e partive politike për artet dhe kulturën

Nga - 29.01.2025

K2.0 analizon programet zgjedhore.

Në sallat sportive anembanë Kosovës buçet muzika, përcjellur me fjalimet e vende-vende edhe performancat e politikanëve/eve, që kërkojnë votën për zgjedhjet e përgjithshme të 9 shkurtit. Derisa forma të artit — muzika, dizajni, e tek-tuk edhe krijimi letrar — po shfrytëzohen si mjete për të tërhequr votën, krijimi i një ambienti të përshtatshëm i të bërit art nuk ka marrë vëmendjen e mjaftueshme të qeverive ndër vite. 

Sektori i artit dhe kulturës në Kosovë ende nuk e ka kapërcyer problemin më themelor, atë të infrastrukturës. Mungesa e tërësishme e infrastrukturës, infrastruktura e papërshtatshme, mungesa e mirëmbajtjes së asaj ekzistuese, prodhojnë pengesa të panumërta për artistët/et, punonjësit/et artistikë/e e kulturorë/e. Shpeshherë, këto probleme infrastrukturore, pos që kufizojnë të bërit art, kufizojnë edhe mënyrën se si diskutohet rreth artit dhe kulturës — biseda, siç dëshmohet edhe në programet zgjedhore, rrallëherë zhvendoset përtej ndërtimit të godinave të reja e renovimit të të vjetrave. 

Një ambient kufizues të zhvillimit po e përjetojnë sidomos aktorët e Teatrit Kombëtar, balerinët/et e Baletit të Kosovës dhe artistët e Operës së Kosovës. 

Tash e tri vjet, Teatri Kombëtar i Kosovës është mbyllur, kur në vitin 2022, u lajmërua renovimi i tërëishëm i objektit. Mbyllja e tij pa një plan konkret se ku do të zhvillohej puna nxiti shqetësime të menjëhershme nga komuniteti artistik rreth funksionimit të mirëfilltë të ofertës teatrore në kryeqytet. Pas disa muajsh, puna e Teatrit Kombëtar u zhvendos në amfiteatrin e Pallatit të Rinisë, një hapësirë larg optimales për veprimtarinë e teatrit. E në teatrin e vjetër, renovimi nuk nisi deri në shtator të vitit 2024. 

Derisa aktorët e vazhduan disi punën në hapësirën e re, ku megjithatë vazhdoi repertori i shfaqjeve, balerinët e patën më të vështirë të gjenden në këtë situatë të re. Ata përfunduan duke realizuar provat në objektin e Ansamblit “Shota”, në hapësirë të vogël, me kushte të papërshtatshme për balet, sfida në koordinim të orareve me Ansamblin dhe pa një skenë të dinjitetshme për t’i vendosur shfaqjet e tyre. 

Teatri Kombëtar, ndonëse ka shërbyer si vend pune për Baletin, nuk do të duhej të ishte i tillë. Institucioni i Baletit, që ekziston qe gjysmë shekulli, ka përjetuar premtime të njëpasnjëshme e të parealizuara për një teatër të vetin. Madje, 16 vjet më parë është vënë një gurthemel afër Fakultetit Teknik të Universitetit të Prishtinës për ndërtimin e një shtëpie enkas për këtë institucion, si dhe për operën. Kosova nuk ka pasur një institucion të Operës deri në vitin 2021, anipse me ligj, ky institucion është paraparë qe gati 20 vjet. Kjo gjendje e pazgjidhur ka bërë që artistët/et që kanë zgjedhur këtë formë të arti, në vendin e tyre të performojnë në skena të improvizuara ose të ndjekin karrierën jashtë vendit, pa një teatër dhe pa vëmendje në funksionalizimin e institucionit.

Tutje, zgjedhjet e gjejnë Teatrin Kombëtar pa shfaqje teatrore. Aktorët e TKK, përmes Shoqatës Sindikale të Artistëve të Teatrit Kombëtar të Kosovës, janë në grevë prej nëntorit të vitit 2024, ndër tjera, duke kërkuar rritje të koeficientit, siç është përcaktuar me Ligjin për Pagat në Sektorin Publik. Teatri Kombëtar është një prej vetëm tre teatrove në kryeqytet —  njëri prej tyre teatri i qytetit, “Dodona” dhe tjetri, teatri “ODA”, i menaxhuar nga organizatat jo-qeveritare, Qendra Multimedia dhe Oda. Mosadresimi i kërkesave të grevistëve veç sa e varfëron tutje ofertën teatrore në kryeqytet. 

Ndërkohë, shumë nga teatrot e qyteteve tjera përtej kryeqytetit — në Podujevë, Prizren, Gjakovë, Ferizaj, Mitrovicë, Pejë, Gjilan, ndër vite janë përballur me infrastrukturë të dobët, buxhete të ulëta, që kanë kufizuar krijmtarinë dhe kanë bërë që personeli, qoftë artistik e qoftë artistiko-teknik të jetë i stërngarkuar e të punojë në kushte të vështira pune. 

Kur është fjala te infrastruktura, edhe Muzeu Kombëtar i Kosovës është i mbyllur për renovim, derisa muze tjerë të ndryshëm nëpër Kosovë po ashtu vuajnë nga infrastruktura e vjetëruar. Në këtë situatë, një muze tjetër, ai i artit bashkëkohor nuk e ka parë dritën, anipse është premtim qe gati 20 vjet

Edhe në rastin e muzeve, biseda për infrastrukturë ka vënë në hije ndër vite aspekte tjera që e bëjnë një muze — ndër to inkurajimi i vizitorëve vendorë dhe të huaj përmes programeve të pasura, vizitave të organizuara shkollore, qasshmëria në informacion rreth muzeve, e narrativave që përçojnë këta muze. 

Infrastruktura e dëmtuar edhe në Bibliotekën Kombëtare rrezikon përmbajtjet arkivore, ngjashëm me atë të Arkivit të Kosovës. Me numër të vogël punëtorësh, mungesë digjitalizimi, kushte të rënda — ndër to, drita të papërshtatshme, pluhur, mungesë dollapesh, kushte të papërshtatshme atmosferike — e shkuara e ruajtur deri tash rrezikon të këputet prej të tashmes që s’i bëhet vonë. Të dy institucionet presin digjitalizimin, si zgjidhje të qëndrueshme të këtyre brengave.

Pos këtyre, skena e pavarur kulturore në Kosovë nuk ka pasur ditë të lehta — sidomos pasi pandemia Covid-19 ekspozoi vështirësitë strukturore të paadresuara ndër vite nga qeveritë e njëpasnjëshme. Sponsorizimet e pasigurta dhe afatshkurtëra, financimi i paqëndrueshëm publik, mosnjohja e artistëve/eve të pavarur/a, ishin ndër sfidat që e bënë të ardhmen sidomos të pasigurt për këtë komponent të industrisë së kulturës

Përpara zgjedhjeve në vend, K2.0 analizoi premtimet e partive politike në fushën e artit, duke u përqendruar te ajo se sa komunikojnë këto premtime me nevojat ekzistuese të institucioneve kulturore në Kosovë, qofshin ato nevoja nfrastrukturore fizike dhe ligjore, qofshin ato përtej infrastrukturës. 

K2.0 analizoi planet e katër subjekteve politike më të mëdha, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleancës së Ardhmërisë së Kosovës (AAK), e cila garon në koalicion me Nisma Socialdemokrate. 


Lëvizja Vetëvendosje

LVV, më 25 janar publikoi një listë zotimesh dhe pas pak ditësh, programin politik. 

Zotimet e LVV për kah fusha e artit, që i bëri publike janë ekskluzivisht të lidhura me infrastrukturën fizike — ndërtime të reja. LVV ka premtuar Teatrin e Operës dhe Baletit, zotim që duket se është bartur nga programi qeverisës i vitit 2021, dhe Muzeun e Artit Bashkëkohor të Kosovës (MABK). 

Që të dy zotimet janë tashmë në proces, të paktën proceduralisht. 

I pari, procesi i ndërtimit të Teatrit të Operës dhe Baletit ka nisur që në tetor të vitit 2022 kur ishte hapur tenderi për projekt ideor dhe i hollësishëm për teatër, me vlerë mbi 2 milionë e gjysmë euro. Në vitin 2023 MKRS zgjodhi një operator ekonomik, por rasti shkoi në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP). OSHP e anuloi aktivitetin e prokurimit në janar të vitit 2024. MKRS shpalli sërish tender në vitin 2024, zgjodhi një operator ekonomik e procesi prapë hasi në pengesa — një prej operatorëve ekonomikë paraqiti kërkesë për rishqyrtim. Në tetor 2024, pas rishqyrtimit, MKRS shpalli sërish fituesin e njëjtë. Por, pati sërish ankesa e aktiviteti shkoi prapë në OSHP. 

Më 20 janar 2025, OSHP e aprovoi pjesërisht ankesën, derisa konstatoi se vendimi i shtatorit 2024 mbetet në fuqi. Pra, më në fund, një projekt ideor është i aprovuar. Pas mbarimit të kësaj odiseje, Teatri i Operës dhe Baletit është më pranë bërjes, kjo nëse MKRS-së i ecin më mbarë aktivitetet tjera të prokurimit, sidomos ato lidhur me fazën e punimeve për këtë godinë. 

Zotimi i dytë, ndërtimi i Muzeut të Artit Bashkëkohor (MABK) është zotim që ka një të kaluar po aq të ndërlikuar sa ai për Teatrin e Operës dhe Baletit. Prej vitit 2007, qeveri të njëpasnjëshme e kanë premtuar, kanë nisur procedura për ideimin e tij, kanë ndarë vende.

Për të, MKRS e prirë nga LVV, në vitin 2022 formoi një Këshill Inciues, përbërë nga artistë/e e punonjës/e kulturorë/e, për ta hartuar konceptin themelues të MABK, i cili u përfundua në vitin 2023. Këshilli ndër tjera propozoi që MABK të vendosej në ndërtesën e ish-shtypshkronjës “Rilindja”. Koncept-dokumenti ofron një pamje të pasur të muzeut, me programe e nisma që do të adresonin mungesën e hapësirës për. Muzeu parashihet të përfundohet në vitin 2028, por nuk dihet se kur do të nisin procedurat për punime. 

Kurse në program, LVV premtoi se në një mandat të ri, punën për trashëgiminë kulturore do ta dërgojnë nga mbrojtja fizike në funksionalizim, por pa dhënë hollësi se si. 

Gjatë mandatit të tanishëm, LVV ka bërë lëvizje që mund të sinjalizojnë se në një mandat tjetër do të përqendrohej në trashëgimi kulturore dhe në ruajtjen infrastrukturore të saj. Për shembull, LVV ka pasuruar listat e përhershme dhe të përkohshme të pasurive trashëgimore, ka themeluar Grupin Koordinues Ndërinstitucional për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, ku përfaqësues prej institucioneve të ndryshme synohet të veprojnë të koordinuar për t’i ruajtur pasuritë e trashëgimisë kulturore, ka sponsoruar Ligjin për Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore. Tash, pritet që këtyre nismave t’u shihen rezultatet. 

Në vazhdën e infrastrukturës ligjore, LVV miratoi një ligj të vetëm për artin dhe kulturën, duke shfuqizuar plotësisht ose pjesërisht një sërë ligjesh para-ekzistuese që lidheshin me aspekte të ndryshme si për shembull: Ligjin për Teatrot, Ligjin për Institucionet Kulturore, Ligjin për Filarmoninë, Baletin dhe Operën. 

Ligji solli risi të rëndësishme, por edhe u kritikua për mospërfillje të vërejtjeve, që kryesisht lidheshin me brengën se kultura po centralizohej. 

Ndër tjera, ky ligj parasheh krijimin e një Këshilli Kombëtar të Arteve, që ka rol këshillëdhënës, përzgjedhës dhe mbikëqyrës, i cili emërohet dhe shkarkohet nga Qeveria e Kosovës me propozimin e ministrit të Kulturës dhe të një Këshilli të skenës së pavarur kulturore, që midis detyrash tjera, propozon prioritetet, kriteret dhe modalitetet e skemave mbështetëse të Ministrisë për skenën e pavarur kulturore. Po ashtu, parasheh statusin e artistit të pavarur. Megjithatë, nuk është e qartë se cili është plani i LVV që të sigurohet që të hartojë mekanizmat, që mundësojnë zbatimin e obligimeve që burojnë nga ky ligj. 

Në program thuhet se do të vijojnë me mbështetjen e artistëve të pavarur dhe ansambleve rezidente, por pa dhënë hollësi tjera. LVV nisi mbështetjen e organizatave të pavarura të kulturës dhe individëve me granteve institucionale, përfshirë grante tri-vjeçare, që është në thelb mundësi e mirë për organizatat që të ndërtojnë dhe ruajnë qëndrueshmërinë e tyre në një ambient përgjithësisht të varfër për to. 

Mirëpo, qasja në këto grante nuk ishte e lehtë për entitetet përfituese. Sipas raportit të GAP, institutit që realizon hulumtime që monitorojnë punën e institucioneve publike, sfidat në dhënien e subvencioneve dhe granteve nga MKRS përfshijnë, ndër tjera, mosfunksionimin e sistemin online dhe platformës e-Kosova, humbjen e dosjeve/dokumenteve të aplikuesve nga MKRS, mungesën e transparencës gjatë proceseve të vlerësimit, neglizhencën nga MKRS në mbylljen e avanseve nga përfituesit dhe kapacitetet e ulëta të MKRS në monitorimin e zbatimit të projekteve. MKRS ka nevojë për një reformë të brendshme, për t’i ndërtuar kapacitetet që t’u prijë reformave tejra. Digjitalizimi i mënyrës së aplikimit mund të jetë vetëm një hap i parë drejt këtij reformimi. 


Lidhja Demokratike e Kosovës

Programi i LDK po ashtu në qendër ka infrastrukturën fizike, respektivisht ndërtimin e katër ndërtesave — Teatrin e Operës dhe Baletit, një ndërtesë të re për Teatrin Kombëtar, Muzeun e Artit Bashkëkohor dhe Muzeun e Paqes dhe Rezistencës. 

Kryetari i LDK dhe kandidati për kryeministër nga kjo parti, Lumir Abdixhiku, ka publikuar katër fotografi se si do të duken katër ndërtesa, të përcjellura me një shkrim që thoshte: Më lejoni të ju drejtoj e të ju flas nga e ardhmja”, shkruajti Abdixhiku në profilin e tij në Facebook. Objektet në fotografi, njëmend krijojnë ndjenjën e udhëtimit në kohë në të ardhmen — objekte që duken bukur nga jashtë, por pa informacione se si do të financohen e funksionojnë.

Sa i përket venddodhjes, Abdixhiku, në një intervistë, sugjeroi se këto katër objekte, bashkë me të tjera kulturore, do të jenë në oborrin e njëjtë, më saktësisht, në oborrin e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK). Sipas Abdixhikut, të gjitha objektet në oborr të QKUK do të rrënohen sepse do të ndërtohet një qendër e re spitalore në një vendndodhje të re. Kurse, në hapësirën e QKUK, sipas tij, do të ndërtohet një kompleks kulturor. 

Abdixhiku po ashtu tha se, derisa qendra e re spitalore të ndërtohet, spitalet ekzistuese do të vazhdojnë t’i kryejnë shërbimet e veta, në hapësirën ekzistuese. Kjo lë të kuptohet se pa u ndërtuar në plotni Qendra e Re Spitalore — e paraparë të marrë katër vjet, ndërtimi i objekteve kulturore të premtuara kulturore nuk do të mund të nisë fare brenda mandatit. 

Kjo e vë në pikëpyetje pjesën më substanciale të programit të LDK, e edhe seriozitetin ndaj këtyre premtimeve.  

Edhe po të mos ishin këto kontradikta, premtimi ambicioz nuk mund të shkëputet prej kontekstit në Kosovë, ku mbizotëron tempo e ngadaltë e ndërtimeve, sidomos kur është fjala për art dhe kulturë. 

Një shembull i kësaj tempoje është objekti i parë në program të LDK, Teatri i Operës dhe Baletit, që në program është kryeprojekti infrastrukturor që mban emrin “Dr. Ibrahim Rugova”. Në të parashihet të shkojnë 25 milionë euro. Ky projekt është i moçëm edhe për LDK-në. Në vitin 2009, presidenti i atëhershëm nga radhët e LDK, Fatmir Sejdiu, bashkë me kryeministrin e atëhershëm nga radhët e PDK, Hashim Thaçi, gjatë qeverisjes në koalicion, e rrëmihën tokën te Fakulteti Teknik dhe i vunë gurthemelin këtij teatri

Këto palë zgjedhje, LDK ia ka mbajtur emrin e njëjtë, por tash në lokacion të ri, diku afër Pallatit të Rinisë, meqë te vendi i vjetër te Fakulteti Teknik veç po punohet në objektin e ri të Fakultetit të Shkencave Matematiko-Natyrore. Në fakt, programi i LDK bie ndesh me atë që Abdixhiku e sugjeroi kur është fjala për lokacionin e Teatrit të Operës dhe Baletit — njëri përmend hapësirën e QKUK, tjetri hapësirën afër Pallatit të Rinisë. 

Ndërtimi i Teatrit të Operës dhe Baletit, sipas programit, do të kushtojë 25 milionë euro dhe do të kryhet për katër vjet. LDK nuk ka përmendur asgjë rreth procesit që veç ka nisur nga qeveria aktuale për këtë Teatër. Në program lexohet se do të nisë gjithçka prej fillimit. Vlerësuar nga përvoja e tanishme, veç nisja e procedurave të prokurimit mund të marrë një mandat të tërë.

Objekti tjetër është ai i Teatrit Kombëtar të Kosovës, një ndërtesë që parashihet të kushtojë 10 milionë euro. LDK nuk ka shpjeguar se si e ka matur nevojën për një ndërtesë krejt të re për Teatër Kombëtar, i cili veç është në renovim e sipër — një ndërtesë ikonike, që zë vend strategjik në qendrën e qytetit, e që për mbi 50 vjet është shtëpi e Teatrit Kombëtar. LDK premton që ta shndërrojë këtë në teatër të qytetit — por pa dhënë hollësi se për çfarë teatri bëhet fjalë, ç’nevoja do të adresojë ai, apo se ku do ta zhvillojë punën Teatri Kombëtar ndërkohë. Ndonëse nuk përmendet në program, edhe për Teatrin Kombëtar, Abdixhiku ka thënë se do të vendoset në hapësirën e QKUK.

Objekti i tretë është Muzeu i Artit Bashkëkohor. Edhe këtu, LDK shpërfill faktin që MABK është në proces dhe nuk tregon se çka do të bëjë me punën dhe burimet njerëzore e financiare që janë investuar deri tash në këtë muze. Pa hollësi më shumë, ky premtim rrezikon t’i shkojë për shtati avazit të fillimit të gjithçkaje prej zeros, gjë që kushton edhe para, edhe kohë. 

Objekti i katërt është Muzeu i Paqes dhe Rezistencës, njashtu 10 milionë euro, përmes së cilit LDK synon të tregojë rreth të të ‘90-ave — lëvizjet politike, humanitare, shoqërore dhe kulturore. LDK do ta përqendrojë muzeun te veprimtaria e institucioneve paralele të Kosovës së atëhershme dhe institucioneve të kohës. 

Ndërkohë, LDK premton edhe themelimin e një Muzeu Arkeologjik, ku do t’i çojë 8 milionë euro, — por pa shpjeguar se çka nënkupton me këtë themelim: a do të ndërtohet një muze, a do nis procesi i themelimit, a do të vendoset ai si pjesë e ndonjë institucioni tjetër. 

LDK po ashtu premton themelimin e një qendre të librit që do të ketë në fokus stimulimin e krijimtarisë letrare dhe leximin; mbështetjen për krijuesit përmes ofrimit të bursave dhe granteve letrare, si dhe ndërmjetësimin ë veprimtarinë përkthyese. Gjuha përgjithësuese në këtë premtim, pamundëson nxjerrjen e një përfundimi se ku e si do të bëhet kjo qendër.

Sa i përket infrastrukturës ligjore, LDK nuk ka dhënë një plan konkret. Pos që ka thënë se do të merren hapat për “përmbylljen përfundimtare dhe të suksesshme të pavarësisë buxhetore për institucionet kulturore, në mënyrë që të garantohet pavarësi kompetencash në udhëheqje” nuk dihet se çka janë këta hapa e me cilin legjislacion do të merret saktësisht. E vetmja gjë pak më konkrete sa i përket legjislacionit është premtimi për një Strategji Kombëtare për Kulturë, me një plan veprimi dhjetë-vjeçar. Por derisa përmendet, në program nuk ka kurrfarë informacioni se çka do të përmbajë e ku do të përqendrohet kjo strategji. 


Partia Demokratike e Kosovës 

Programi i PDK është pak më i baraspeshuar sa i përket infrastrukturës fizike, asaj ligjore dhe angazhimit me disa prej sfidave të tanishme të skenës kulturore e artistike. 

PDK e fillon me një premtim për krijimin e një strategjie për kulturë. Prioritete të kësaj strategjie janë digjitalizimi i përmbajtjeve kulturore, rrjetëzimi institucional dhe krijimi i një baze të dhënash për krijuesit e Kosovës. Po ashtu, PDK me këtë strategji premton që do të promovojë turizmin kulturor dhe ekonominë kreative. Strategjia e PDK përmend një varg qëllimesh, që janë ambicioze, por nuk përvijon se çka do të thotë për shembull rrjetëzimi institucional, çfarë përmbajtjesh do të digjitaliziojë dhe për çfarë baze të të dhënash bëhet fjalë. Këto do të ishin të dobishme, marrë për bazë që historia ka treguar se bërja e strategjive në vetvete nuk paraqet përparim substancial. Po ashtu, një strategji konkrete do ta lehtësonte monitorimin e përmbushjes së këtij premtimi. 

Infrastruktura fizike është po ashtu në qendër të programit të PDK. 

PDK premton se do ta ndërtojë Galerinë e Arteve Pamore. Në bazë të përshkrimit në program, kjo galeri nuk duket të ketë funksion ndryshe prej Galerisë Kombëtare të Kosovës, prandaj është e paqartë nëse kjo galeri mendohet ndryshe dhe se çka do të bëhet me ndërtesën aktuale dhe funksionin e tanishëm të Galerisë Kombëtare. PDK thotë se kjo galeri e re do të përfshijë “artin tradicional, modern dhe bashkëkohor, si film, fotografi, animacione, grafika dhe instalacione”, por se çka nënkupton me artin tradicional, modern e bashkëkohor nuk dihet. PDK nuk tregon se sa do të kushtojë ky projekt.

Sa i përket Teatrit të Operës dhe Baletit, PDK që po ashtu pati marrë pjesë në vënien e gurthemelit bashkë me LDK në vitin 2009, tash ka ofruar diçka pak më ndryshe e pak më ambicioze — një vend të përbashkët në një Qendër Kombëtare të Arteve Performuese, ku do të shkojnë të gjitha: Teatri Kombëtar, Opera, Filarmonia dhe Baleti Kombëtar. Sipas tyre, kjo qendër do të bëhej edhe qendër për festivale dhe ngjarje tjera. PDK megjithatë nuk tregon se ku e ka bazuar këtë nismë për t’i centralizuar të gjitha institucionet në një vend e as se si do të realizohet ky premtim, në dukje kolosal. 

PDK nuk ka treguar hollësi themelore si për shembull sa do të kushtojë ky projekt, nga cili buxhet do ta mbështesin, si do të shpërndahet në hapësirë e mbi të gjitha, çka do të bëjë me proceset që veç kanë nisur si renovimi i Teatrit Kombëtar e ideimi i Teatrit të Operës dhe Baletit. 

PDK po ashtu premton ndërtimin e një Memoriali të Gjenocidit, që do të shërbejë si një pikë përkujtimore kombëtare për t’i nderuar viktimat e gjenocidit dhe krimeve të luftës në Kosovë. Përtej kësaj, asgjë konkrete rreth kostos, afatit, apo mënyrës së funksionimit.

PDK ka premtuar edhe themelimin e një Shkolle për Ristaurim, që do të ofrojë programe të specializuara për konservimin e objekteve historike dhe do të trajnojë profesionistë për teknikat tradicionale dhe moderne të restaurimit. Nuk ka hollësi se çfarë niveli do të jetë kjo shkollë, se a do të jetë veçmas prej sistemit të edukimit dhe se si e me çka do të ndërtohet ajo. 

Sa i përket infrastrukturës ligjore, PDK premton “ndërmarrje masash juridike” por se çka do të jenë ato, nuk thotë. Ajo premton në një fjali rritjen e buxhetit për institucionet kulturore në emër të depolitizimit, rritje në buxhetet e teatrove, pasurimin e koleksioneve të bibliotekave, muzeve dhe galerive. Shkarazi përmend se do t’u kushtojnë “interesim të veçantë” teatrove komunale e do të mbështesin ndërtim të qendrave kulturore, do të investojë në objekte të reja, por asgjë specifike — çka përbën ky interesim, për çka këto qendra kulturore. 


Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës

Ndërsa AAK zgjedh një rrugë edhe më të lehtë. Pa shumë fjalë, AAK premton atë që veç ekziston dhe është përgjegjësi, si dhe një prej arsyeve pse ekziston MKRS, mbështetja e projekteve artistike. 

Në fakt, programi i AAK për art dhe kulturë është vetëm një fjali: “Do të krijohet një fond për të mbështetur projektet artistike të grave të reja dhe të rinjve të talentuar, përfshirë ekspozita, koncerte dhe festivale kulturore, me synimin për të financuar 100 projekte artistike çdo vit”.

Çka mund të nxjerrim nga këto programe?

Kultura ende mendohet kryesisht si godinë në Kosovë dhe vëmendja e partive politike është ende më shumë në ekskavatorë që vendosin gurthemele. Derisa adresimi i nevojave urgjente infrastrukturore është i rëndësishëm, programet politike nuk shkojnë shumë përtej kësaj. Në programet e tyre, shumica parashohin ndërtimin e godinave të reja, pa çka se godinat e vjetra janë aty, duke pritur të jenë të funksionalizuara apo të ripërtërira, për t’u krijuar punonjësve kushte që ta bëjnë artin e tyre. 

Për më shumë, shpesh nuk ka kurrfarë lidhjeje të asaj që ekziston, i asaj për të cilën veç ka nisur puna, me atë që synohet të ndërtohet. Kjo flet për një sjellje të shpeshtë të politikanëve/eve në Kosovë: nisje të gjithçkaje prej zeros — se ku do të mbesin investimet që janë bërë, kohore, financiare e njerëzore, partitë nuk e përmendin. 

Përqendrimi pothuajse vetëm te tullat i ka vënë në hije nevojat tjera të të punonjësve/eve kulturorë/e nëpër institucionet ekzistuese dhe ato të punonjësve të pavarur e në organizatat e shoqërisë civile. Vëmendja te skena e pavarur kulturore është e varfër. Ende s’ka vizion të qartë se si do të sigurohet qeveria e radhës që të shohë përtej institucioneve shtetërore kulturore, të cilat anipse janë të rëndësishme, mbesin vetëm një pjesë e motorit që shtyn përpara zhvillimin artistik e kulturor në vend. 

Ndërkohë, ligjet e strategjitë janë ende zotim, anipse ato do të duhej të ishin të mirëqena — minimumi i kërkuar. Deri tash, arti ka pasur një mal ligjesh, por në vetvete, pa u përcjellur me veprime konkrete, ato, siç dihet, s’kanë zgjidhur vështirësi ndonjëherë.

 

Imazhi i ballinës: Majlinda Hoxha / K2.0

Dëshironi të mbështetni gazetarinë tonë? Anëtarësohuni në “HIVE” ose konsideroni një donacion. Mëso si këtu.