Qytetarët/et e Kosovës do t’u drejtohen kutive të votimit më 9 shkurt për të zgjedhur 120 përfaqësuesit/et e tyre në Kuvend. Fushata zgjedhore nis sot, më 11 janar, dhe do të zgjasë deri më 9 shkurt, në orën 07:00, kur do të hapen vendvotimet.
Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), të drejtë vote kanë 2,075,868 qytetarë/e. Nga ta, 1,970,944 janë votues brenda Kosovës, ndërsa 104,924 jashtë saj. Për këta të fundit, procesi i votimit me postë filloi më 9 janar.
Në zgjedhjet e 9 shkurtit do të garojnë 28 subjekte politike me gjithsej 1,280 kandidatë/e. Prej tyre, 19 janë parti politike, pesë janë koalicione, dy janë nisma qytetare dhe një është kandidat i pavarur.
Qytetarët do të mund të votojnë një subjekt politik dhe deri në dhjetë kandidatë/e brenda një liste. Deri në zgjedhjet e kaluara, votuesit/et mund të votonin për pesë kandidatë/e.
Si performuan në zgjedhjet e vitit 2021?
Në zgjedhjet e përgjithshme të mbajtura më 14 shkurt 2021, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) shënoi një fitore bindëse me 50.2% të votave. Partia Demokratike e Kosovës (PDK) u rendit e dyta me 17%, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) përfundoi e treta me 12.7%. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) mori 7.12% të votave, ndërsa Nisma Socialdemokrate nuk arriti të kalojë pragun prej 5% për t’u përfaqësuar në Kuvendin e Kosovës.
Rezultatet për PDK dhe LDK shënuan performancat më të dobëta të tyre që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008. Në këtë cikël zgjedhor, të dyja partitë janë futur në garë me përbërje të reja dhe ndryshime të theksuara.
Pas aktakuzave të ngritura nga Gjykata Speciale kundër dy figurave kryesore të PDK, Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, PDK zhvilloi zgjedhje të brendshme duke zgjedhur Memli Krasniqin si kryetar. Për më tepër, disa muaj para zgjedhjeve, PDK propozoi Bedri Hamzën si kandidat për kryeministër, një rol që kryesisht mbulohej nga kryetari i partisë.
Në anën tjetër, LDK u angazhua për një reformë të brendshme duke zgjedhur Lumir Abdixhikun si kryetar të partisë dhe duke integruar figura të reja nga fusha të ndryshme publike për të forcuar radhët e saj.
LVV, ndërkohë, do të garojë për një mandat të dytë me kryeministrin aktual, Albin Kurti, duke synuar vazhdimin e qeverisjes.
AAK dhe NISMA garojnë në këto zgjedhje si koalicion, së bashku me partitë E-30 dhe Konservatorët. Bartës i listës dhe kandidati për kryeministër nga ky koalicion është Ramush Haradinaj.
Këto janë zgjedhjet e para të rregullta pas përfundimit të mandatit të plotë të qeverisë së udhëhequr nga Kurti.
K2.0 mbulon zgjedhjet 2025
K2.0 mbulon zgjedhjet 2025 me një seri përmbajtjesh mediale të shumëllojshme dhe interaktive për të inkurajuar një votë të mirëinformuar. Duke ndjekur traditën e mbulimit të zgjedhjeve të mëparshme, edhe këtë herë K2.0 do të ofrojë një mbulim të kuruar dhe të veçantë për zgjedhjet.
Synimi i K2.0 është t’i trajtojë çështjet më të rëndësishme duke qenë më afër nevojave të secilit grup dhe duke kuruar përmbajtje në bazë të grupmoshave, por edhe në bazë të çështjeve që shpesh kalojnë pa e marrë vëmendjen e duhur në zhurmën mediale zgjedhore.
Përveç kësaj, K2.0 do të fokusohet në mbajtjen e partive politike përgjegjëse për premtimet e tyre, duke analizuar jo vetëm ato që deklarojnë e premtojnë tani, por edhe atë që kanë arritur (ose dështuar të arrijnë) gjatë kohës që kanë qenë në qeveri. Kjo qasje i mundëson K2.0 të ofrojë një pasqyrë më të qartë e të nuancuar për t’ju ndihmuar të bëni një zgjedhje të informuar.
Seria e videove të shkurtra: “Bonu gati për zgjedhje me K2.0”
Kjo seri është për votuesit e rinj të vendit, duke u ofruar informacionet e nevojshme mbi procesin zgjedhor, rëndësinë e votës dhe si të bëhen votues/e të informuar/a. K2.0 e sheh të rëndësishme kurimin e përmbajtjes rreth zgjedhjeve specifikisht për të rinjtë, marrë parasysh çrregullimin informativ ekzistues në platformat sociale që shërbejnë si burim i parë i informatave për këtë grupmoshë; dhe interesimin në rënie për zgjedhje dhe më gjerë për politikë.
Këto përmbajtje do të shpërndahen kryesisht në platformat e rrjeteve sociale TikTok dhe Instagram.
Zbërthimi i premtimeve: “A ka gjasa m’u bo?”
Kjo seri analitike fokusohet në premtimet kryesore të partive politike, duke i zbërthyer mbi bazën e potencialit për realizim, qëndrueshmërisë financiare dhe implikimeve praktike. Qoftë në programet e tyre apo në debatet televizive, partitë shpesh bëjnë premtime të mëdha, disa prej të cilave tingëllojnë mirë kur thuhen apo shkruhen, por janë më pak të realizueshme në praktikë. Prandaj, përmes kësaj serie, K2.0 do të shqyrtojë këto premtime, duke vlerësuar sa të realizueshme janë dhe çfarë qëndrueshmërie kanë në realitet.
Këto përmbajtje do të shpërndahen kryesisht në platformat e rrjeteve sociale TikTok dhe Instagram.
Analizat e programeve zgjedhore
Në periudhën e fushatës zgjedhore, zhurma elektorale shpesh përqendrohet në disa tema të caktuara, duke lënë në hije çështje të tjera po aq të rëndësishme për shoqërinë dhe të ardhmen e vendit. K2.0 do të kurojë një seri artikujsh, përmes të cilëve do të shpalosen dhe analizohen programet zgjedhore të partive politike, duke krahasuar qasjen e partive më të mëdha ndaj disa temave kyçe.
- Drejtësia gjinore
- Kriza e energjisë
- Ekonomia
- Kultura
- Personat me aftësi të kufizuara
- Të drejtat e punëtorëve
- Mbrojtja sociale
- Përfaqësimi i të rinjve
- Të moshuarit
- Ndotja e ajrit
- Shëndeti mendor
Seria interaktive: “Po du me t’pytë”
Përmes kësaj serie pyetjesh të kuruara në rrjetet sociale të K2.0, lexuesit do të jenë të përfshirë drejtpërdrejt, duke ndarë mendimet e tyre për çështjet që do të përcaktojnë votën e tyre në këto zgjedhje. Përgjigjet dhe komentet më interesante do të ndahen në kanalet e K2.0 në platformat sociale, duke ndihmuar në krijimin e një dialogu publik të dobishëm.
Shumica e përmbajtjeve në kanalet e K2.0 në platformat sociale do të publikohen në gjuhën shqipe. Për t’i lexuar ato në gjuhën angleze dhe serbe, sigurohuni ta ndiqni uebfaqen online.
A kemi harru diçka?
Si çdo votues/e, mund të keni shqetësime që mendoni se programet zgjedhore të partive politike nuk po i adresojnë fare ose si duhet, dhe që do të dëshironit që K2.0 t’i analizojë dhe t’u japë hapësirë. Shkruani në [email protected] ose kontaktoni një nga redaktorët/et, adresat elektronike të të cilëve mund t’i gjeni këtu: https://kosovotwopointzero.com/per-ne/#aboutus. Na tregoni nëse keni ndonjë temë specifike dhe të rëndësishme që mendoni se po kalon pa vëmendjen e duhur gjatë kësaj periudhe, dhe K2.0 do të bëjë më të mirën për ta adresuar.
Imazhi i ballinës: Dina Hajrullahu / K2.0.
Dëshironi të mbështetni gazetarinë tonë? Anëtarësohuni në “HIVE” ose konsideroni një donacion. Mëso si këtu.