S`fundmi | Zgjedhjet 2019

Zgjedhjet: 5 gjëra që i mësuam këtë javë

Nga - 04.10.2019

‘Miqtë’ e SHBA-së, (pa)barazia gjinore dhe një mesazh i rrallë.

Gati u krye. 

Fushatat zyrtare zgjatën vetëm 10 ditë, por vështirë është ta kujtojmë kohën kur partitë nuk ishin duke u përgatitur për zgjedhjet e të dielës.

Të shtunën do të pushojmë pak, pasi të hyjë në fuqi për 24 orë heshtja zgjedhore, ndërsa të dielën herët në mëngjes do të hapen qendrat e votimit. E deri të dielën në mbrëmje do t’i kemi treguesit e parë për të gjitha spekulimet, shpresat dhe frikat në realitetin e ftohtë të rezultateve zgjedhore.

Por para gjithë kësaj, java finale e fushatës lëvizi me ritëm të furishëm. Partitë janë ndalur në të gjitha qytetet dhe kanalet televizive anembanë vendit për t’i shprehur mesazhet thelbësore të tyre për herë të fundit.

Nëse nuk i keni përcjellë, pa merak. Ndodhën shumë gjëra, por ne përsëri, dhe për herë të fundit në këtë periudhë parazgjedhore, i kemi përmbledhur lajmet e javës për ju.

Këto janë pesë gjërat që i mësuam këtë javë.

1. Lidhjet me presidentin skandaloz të ShBA-së nuk janë pengesë për mesazhin kundër korrupsionin

Me gjasë lajmin më të madh këtë javë e bëri Partia Demokratike e Kosovës (PDK), e cila e kaloi javën duke u munduar t’i konsolidonte mesazhet thelbësore të saj kundër korrupsionit dhe pro ShBA-së.

Banerë të mëdhenj që paraqisnin liderin partiak Kadri Veseli duke i shtrënguar duart me Presidentin e ShBA-së Donald Trump – i cili vetë është i përfshirë në një skandal ndërkombëtar për shpërdorimin e detyrës dhe po ballafaqohet me akuza në gjykatë – e çuditën botën.

Por ishte një lidhje me njërin nga ish-vartësit e Trump-it ajo që tërhoqi vëmendje të posaçme mediale. Të martën, Ambasada e ShBA-së u detyrua ta publikonte një deklaratë që mohonte mbështetjen e saj për ndonjë parti a kandidat në zgjedhje, pasi doli se ish-ushtruesi i detyrës së prokurorit të përgjithshëm në administratën Trump ishte në Kosovë për ta dhënë një fjalim të flaktë në tubimin e PDK-së në Gjilan.

Mediat menjëherë theksuan që Whitaker nuk është njeriu ideal për t’i ndihmuar përpjekjet e PDK-së për t’u distancuar nga skandalet.

Në mes të brohoritjeve “USA! USA!”, Mathew Whitaker e përshkroi Veselin si “reformator” dhe “mik”; ky i fundit e kishte postuar edhe një fotografi në Facebook që i paraqiste të dy të ulur së bashku në Burger King.

“Është e qartë për mua që këto zgjedhje këtu në Kosovë janë: një, për ta luftuar korrupsionin; dhe dy, për mundësi ekonomike për çdo qytetar të Kosovës”, tha Whitaker në fjalimin e tij. “Të dy këto synime do të arrihen duke pasur një kryeministër që i drejtohet Shteteve të Bashkuara për miqësi dhe mbështetje”.

Mediat lokale dhe ndërkombëtare menjëherë theksuan që Whitaker nuk është njeriu ideal për t’i ndihmuar përpjekjet e PDK-së për distancim nga skandalet e shumta të korrupsionit të profilit të lartë që e kanë njollosur kohën e saj në pushtet.

Është raportuar se Whitaker ka kaluar më shumë se një vit në bordin këshillues të një kompanie që një gjykatës i ShBA-së e mbylli, pasi u akuzua nga autoritetet rregullative për organizim të “një skeme që i ka mashtruar mijëra konstumatorë duke ua vjedhur miliona dollarë”. Emërimi i tij si ushtrues i detyrës së Prokurorit të Përgjithshëm nga ana e Trump-it – që u bë duke shpërfillur procesin e zakonshëm të aderimit në Departamentin e Drejtësisë – u përshkrua si “jokushtetues” nga demokratët, të cilët kishin frikë se ky vendim ishte i bazuar në kritikat e Whitaker-it për hetimet ndaj ndërhyrjes së supozuar të Rusisë në zgjedhjet e ShBA-së.

Ndërkohë, Prokuroria Themelore e Prishtinës e bëri një deklaratë të enjten duke thënë se kishte nisur hetime ndaj biznesmenit dhe ish-Zëvendës-Kryeministrit Ramiz Kelmendi, i cili me sa duket i ka nxitur punëmarrësit në bizneset e tij që të votojnë për PDK-në. Në deklaratë u tha se themeluesi i ELKOS Group – punëdhënës i madh në Kosovë – ishte duke u hetuar për shkelje të mundshme të Nenit 213 të Kodit Penal të Kosovës, “Cenimi i Përcaktimit të Lirë të Votuesve”, në lidhje me deklaratat publike të tij.

2. Partitë e mëdha nuk kanë shumë befasi në fushatë

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) i theksoi me ëndje kredencialet e saj me marrëdhëniet “e shenjta” Kosovë-ShBA. Pasi që një nga pesë shtyllat e programit të publikuar të LDK-së për qeverisje titullohet “Partneritetet Ndërkombëtare”, kandidatja e partisë për kryeministre, Vjosa Osmani, dhe kryetari i partisë, Isa Mustafa, kanë bërë pretendime të vazhdueshme se LDK-ja është e vetmja parti që mund t’i fuqizojë realisht marrëdhëniet me një nga mbështetësit më të mëdhenj të Kosovës.

“Kërkoj nga ju të merrni pjesë në zgjedhje masivisht si në kohën e Presidentit Rugova, për ta realizuar vizionin e tij për Kosovën si shtet i pavarur dhe i zhvilluar, në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me Bashkimin Evropian”, tha Osmani para mbështetësve në një tubim në Podujevë, duke iu thirrur frymës së ish-kryetarit partiak Ibrahim Rugovës. 

Osmani përsëriti se nën kryesinë e saj, PDK-ja mund ta harrojë idenë e formimit të një koalicioni paszgjedhor me LDK-në, dhe i theksoi gjithashtu disa prej mesazheve thelbësore të partisë për zhvillimin ekonomik, arsimin dhe luftën kundër korrupsionit.

Edhe Lëvizja Vetëvendosje (LVV) u fokusua në masat kundër korrupsionit në javën e fundit të fushatës zgjedhore, si dhe ofroi një vizion alternativ për Kosovën nën slloganin e partisë “Erdhi dita”.

“Për punëtorët: punë, bukë dhe dinjitet. Për manjatët, taksa mbi përfitimet e ligjshme, dënim dhe konfiskim të atyre që janë të paligjshme."

Albin Kurti, LVV

Në një tubim në Pejë, kandidati për kryeministër, Albin Kurti, foli për “çlirimin e dytë” të Kosovës “nga oligarkët dhe manjatët që e kanë okupuar atë”. “Ne do ta katërfishojmë numrin e inspektorëve të punës, do ta themelojmë Gjykatën e Punës, do ta miratojmë një Ligj të ri të Punës, dhe do t’i ndihmojmë e fuqizojmë organizatat e sindikatat e tregtisë”, tha ai.

“Pas 6 tetorit, për punëtorët: punë, bukë dhe dinjitet. Për manjatët, taksa mbi përfitimet e ligjshme, dënim dhe konfiskim të atyre që janë të paligjshme”. 

Kurti foli gjithashtu për atë se si LVV-ja planifikon ta përmirësojë sistemin e shëndetësisë – ashtu që njerëzit të trajtohen pa marrë parasysh sa kanë para – të garantojë që secila familje ta ketë të paktën një anëtar të punësuar, dhe të zbatojë shumë më shumë skema sociale.

Edhe Partia Social-Demokrate (PSD), e cila u nda nga LVV në mënyrë të hidhur vitin e kaluar, e përdori javën e fundit të fushatës për t’i theksuar çështjet sociale, përfshirë këtu ndryshimin e pagës minimale për ta bërë atë “pagë që të mundëson të jetosh”, që të jetë më e drejtë për të gjithë. Ndërkohë, lideri i partisë Shpend Ahmeti e mbajti një fjalim në Gjilan ku argumentoi që Kosova ka nevojë për burra feministë.

Ramush Haradinaj u fokusua më shumë në mesazhin e tij për fuqi ndërkombëtare, duke ritheksuar që vetëm koalicioni që ai e kryeson mund t’i mbrojë kufijtë aktual të Kosovës

Duke folur bashkë me zyrtarë të partnerit të saj në koalicion, Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), PSD-ja lajmëroi gjithashtu që planifikon ta rrisë buxhetin e arsimit për 50%, për të mundësuar arsimim pa pagesë në nivelin Bachelor dhe Masters, dhe për ta krijuar një bibliotekë digjitale për studentët.

Kandidati për kryeministër i koalicionit PSD-AAK, kryeministri në largim, Ramush Haradinaj, u fokusua më shumë në mesazhin e tij për fuqi ndërkombëtare, duke ritheksuar se vetëm koalicioni që ai e kryeson mund t’i mbrojë kufijtë aktualë të Kosovës dhe t’i kundërvihet Serbisë me taksën 100% mbi produktet serbe, të cilën e ngriti në mandatin e tij si kryeministër.

Ndërkohë, kreu i Aleancës Kosova e Re (AKR) Behgjet Pacolli, foli për punët e sektorit privat që i ka krijuar nëpërmjet bizneseve të tij, dhe e bëri deklaratën tashmë të njohur se kosovarët së shpejti do të udhëtojnë pa viza në Zonën Shengen të Evropës. Kryetari i partnerit të tyre në koalicion, Fatmir Limaj i Nismës, u fokusua në bashkëpunimin e partive politike të Kosovës, me gjasë për shkak se koalicioni i tij ka shumë pak gjasa që t’i fitojë zgjedhjet, e prandaj po kërkon të jetë entitet minoritar brenda ndonjë koalicioni paszgjedhor qeveritar.

3. Barazia gjinore nuk i bie 50-50, sipas gjykatave

Këtë javë një gjykatë e refuzoi një kërkesë nga Avokati i Popullit për t’i pezulluar efektet ligjore të listave zgjedhore që nuk garantojnë përfaqësim të barabartë të grave.

Të premten (27 shtator), Avokati i Popullit lajmëroi se do ta padiste Komisionin Qendror Zgjedhor (KQZ) në Gjykatën Themelore të Prishtinës, duke thënë se listat e kandidatëve që i kishte çertifikuar ky organ për zgjedhjet e 6 tetorit e shkelin Ligjin për Barazinë Gjinore. Avokati i Popullit argumentoi se duke i çertifikuar listat e kandidatëve që nuk e jepin 50% të hapësirës për gratë, KQZ i ka shkelur dy nene të këtij ligji:

"Gjyqësori përsëri ka dështuar sa i përket mbrojtjes ligjore të barazisë gjinore."

Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës

Nenin 6.8, i cili thotë: “Përfaqësimi i barabartë gjinor në të gjitha organet legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore dhe institucionet e tjera publike arrihet kur sigurohet përfaqësim minimal prej pesëdhjetë përqind (50%) për secilën gjini, përfshirë edhe organet e tyre drejtuese dhe vendimmarrëse.

Dhe Nenin 14, i cili thotë: “Partitë politike me aktet e tyre obligohen të zbatojnë masat për promovimin e pjesëmarrjes së barabartë të meshkujve dhe femrave në organet dhe trupat e partive, në pajtim me dispozitat e nenit 6 të këtij ligji.”

Por zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi tha se komisioni ishte siguruar që të gjitha listat janë përpiluar sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, i cili thotë që “të paktën 30% duhet të jenë meshkuj dhe të paktën 30% duhet të jenë femra”.

Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës e publikoi një deklaratë nëpërmjet të cilës e dënoi vendimin e gjykatës dhe e vuri në dyshim zbatimin e ligjit nga ana e saj, duke thënë që gjyqësori “përsëri ka dështuar sa i përket mbrojtjes ligjore të barazisë gjinore”. 

4. Fushatat zgjedhore janë punë e shtrenjtë

Partitë politike i kanë shkelur rregullat e fushatës. KQZ-ja ka lajmëruar këtë javë se gjobat e dhëna nga ky organ kanë arritur një total prej më se 58,000 eurosh në pesë ditët e para të fushatës zyrtare.

Shumica e gjobave ishin për vendosje të posterave në hapësira publike, por shkelje të tjera përfshijnë përdorimin e fëmijëve në aktivitete të fushatave, ushtrimin e presionit mbi qytetarët për të ndikuar në vendimet e tyre në votim, shfrytëzimin e pozitave publike me qëllim të përfitimit të votave dhe përdorimin e gjuhës së urrejtjes.

Gjoba më e madhe iu vu partisë së mbështetur nga Beogradi, Listës Serbe. Javën e kaluar kjo parti u gjobit 30,000 euro nga KQZ për gjuhën e përdorur në një video promocionale për të cilën palët ankuese Balkan Investigative Reporting Network (BIRN) dhe Kosovo Democratic Institute (KDI) kishin argumentuar se e shkel legjislacionin zgjedhor që ua ndalon subjekteve politike të publikojnë materiale që nxisin urrejtje ose dhunë.

Gjobat me gjasë nuk do t’i dëmtojnë shumë financat e partive.

Pas kësaj, gjoba e dytë më e madhe shkoi për LDK-në, ne vlerë prej 14.100 euro, ndërsa PDK u gjobit me 6.100 euro, koalicioni AAK-PSD u gjobit me 6.000 euro dhe koalicioni Nisma-AKR u gjobit me 2.500 euro.

Nga partitë dhe koalicioniet e mëdha, me sa duket vetëm LVV nuk u gjobit për shkelje të rregullave të fushatës.

Ndonëse mund të duken të mëdha, gjobat me gjasë nuk do t’i dëmtojnë shumë financat e partive. U raportua këtë javë që rreth 1 milion euro u janë ndarë partive politike për fushatat zgjedhore nga buxheti shtetëror i Kosovës; nën Ligjin për Financimin e Subjekteve Politike, partitë kanë të drejtë për financim publik, sa kohë që buxheti total i ndarë nuk tejkalon më shumë se 0.17% të buxhetit total të shtetit.

Shuma që kanë të drejtë ta shpenzojnë partitë në fushatat zgjedhore vendoset nga KQZ në bazë të numrit të votuesve të regjistruar. Sivjet, ky kufi është 986,000 euro për parti – vlerë e barasvlershme me 50 cent për parti për çdo votues të regjistruar.

5. Fushatat nuk duhet të bëhen vetëm për një etni

Këtë javë, lideri i koalicionit të partive politike serbe Sloboda (Liri) e bëri një përpjekje të rrallë për politikanët e Kosovës, duke u bërë thirrje votuesve përtej grupit të vet etnik. Ai e publikoi një video në një pjesë të së cilës flet edhe shqip.

Kjo video e thjeshtë e tregon Nenad Rašić-in duke folur shqip në qendër të Prishtinës, duke e prezantuar veten si person që për një dekadë e gjysmë ka shërbyer me “dinjitet, profesionalizëm dhe tolerancë” brenda institucioneve të Kosovës për synimet e përbashkëta të “ndërtimit dhe zhvillimit të shtetit më të ri në botë”.

Në pjesën e dytë të videos që zgjat një minutë, Rašić flet serbisht në qendër të Prizrenit: “Ne e çmojmë trashëgiminë tonë, pavarësisht prej sfidave. Ne jemi përgjegjës për atë që ua lëmë fëmijëve. Është përgjegjësi e jona ta ndërtojmë një shoqëri në të cilën duan të jetojnë të gjithë”.

“Nuk e di si mund të prezantohen këto zgjedhje si demokratike pasi të kryhen sepse situata në teren është e tmerrshme."

Nenad Rašić, koalicioni Sloboda

Më vonë, në një intervistë për Radio Evropa e Lirë (REL), ai tha se dëshiron t’u adresohet drejtpërdrejt shqiptarëve “siç është normale në shoqëritë demokratike” sepse beson se “shqiptarët dhe serbët aspirojnë për të njëjtat gjëra”. 

Politikani i moderuar, i cili po mundohet ta eliminojë mbizotërimin e Listës Serbe – e cila në zgjedhjet e përgjithshme të fundit i fitoi 9 nga 10 ulëset e rezervuara në Kuvend për serbët – thotë se është ballafaquar me kundërplasje të ashpër prej publikimit të videos.

Partitë serbe vazhdimisht kanë paralajmëruar për një atmosferë të kërcënimeve dhe të shantazhit që është krijuar nga Lista Serbe dhe mbështetësit e tyre në Beograd.

“Kushtet janë absolutisht abnormale”, tha ai për REL. “Nuk e di si mund të prezantohen këto zgjedhje si demokratike pasi të kryhen, ose si mund të jenë demokratike, sepse situata në terren është e tmerrshme. Më vjen shumë keq për qytetarët e mi, të cilët duhet të ballafaqohen me këtë, dhe sinqerisht jam më i shqetësuar për ta se për veten”.  K

Foto kryesore: Arrita Katona / K2.0.