Në thelb | Zgjedhjet 2025

Zotimet e partive politike për më të moshuarit

Nga - 31.01.2025

K2.0 analizon programet zgjedhore.

Qytetarët më të moshuar janë ndër grupet demografike më të angazhuara politikisht në Kosovë. Ata pëcjellin fushatat zgjedhore, bisedojnë me kandidatët partiakë për pozita shtetërore e shqyrtojnë ofertat dhe premtimet e tyre, siç dëshmohet nga prania e tyre në këto tubimet elektorale përpara zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit. 

Megjithatë, pavarësisht përfshirjes dhe angazhimit të tyre, ata mbeten një nga grupet më të anashkaluara në hartimin e politikave. Nevojat e tyre — nga kujdesi shëndetësor dhe mbrojtja sociale deri te strehimi dhe përfshirja në komunitete — shpesh lihen jashtë programeve politike. 

Nevoja për zgjidhje konkrete dhe afatgjata bëhet edhe më urgjente, sidomos marrë parasysh ndryshimet demografike në vend dhe botë. Sipas regjistrimit të popullsisë së vitit 2024, Kosova ka gati 1.6 milion banorë, nga të cilët rreth 173,875 persona janë në/mbi moshën 65 vjeç. Krahasuar me vitin 2011, kur u bë regjistrimi i fundit i popullsisë, përqindja e njerëzve në këtë grupmoshë është rritur prej 6.7% në 10.97% të popullsisë së përgjithshme.

Kjo përkon me trendin botëror. Sipas projektimeve të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), midis viteve 2024 dhe 2074 numri i personave në/mbi moshën 65-vjeçare do të dyfishohet. Po ashtu, deri në vitin 2080, numri i personave në/mbi moshën 65-vjeçare parashihet të jetë më i lartë se i fëmijëve nën moshën 18. Kurse, deri në fund të viteve 2070 numri i personave të moshave 65 e më lart projektohet të arrijë 2.2 miliardë, duke kapërcyer numrin e fëmijëve (nën moshën 18 vjeç). Momentalisht, në botë janë mbi 2.4 miliardë fëmijë, ndërsa persona në/mbi moshën 65-vjeçare rreth 830 milionë.

Ky ndryshim demografik paraqet nevoja të reja për qeveritë në mbarë botën: kërkon përshtatje urgjente të politikave në fusha kyçe si kujdesi shëndetësor, pensionet, strehimi, transporti dhe përfshirja sociale. Si përgjigje dhe me qëllim të përforcimit të të drejtave të personave më të moshuar, si dhe për të adresuar padukshmërinë e përgjithshme të këtyre personave në ligjin ndërkombëtar, OKB ka nisur punën në Konventën për të Drejtat e Personave të Moshuar

Plakja nuk është thjesht një rrugëtim personal, por duhet të shihet si pjesë e transformimit shoqëror, që kërkon përgjigje të strukturuara politike. Këto përgjigje të strukturuara politike mungojnë në Kosovë, ku të moshuarit shpesh ndihen të lënë në harresë, të vetmuar dhe me mundësi të kufizuara për pjesëmarrje në jetën ekonomike, shoqërore dhe politike. Ndërsa diskursi politik njeh praninë e tyre, politikat që në të vërtetë i fuqizojnë dhe i integrojnë më të moshuarit mbeten të pakta.

Në Kosovë, personat në/mbi moshën 65-vjeçare kryesisht mbështeten në pensione modeste që variojnë nga 100 deri në 265 euro, të cilat pos që janë të pamjaftueshme për një standard jetese të dinjitetshme, paraqesin politikë jo-gjithëpërfshirëse, që nuk merr për bazë pengesat tjera strukturore me të cilat përballen njerëzit më të moshuar. 

Mungesa e sigurimit shëndetësor publik, strehimit të përballueshëm dhe shërbimeve të mbështetjes komunitare i bën ata edhe më të cenueshëm. Një studim nga instituti kërkimor, Iniciativa Kosovare për Stabilitet (IKS) zbuloi se 88% e pensionistëve të anketuar dëshirojnë më shumë përfshirje të organizatave të shoqërisë civile në programe të dedikuara për ta, si aktivitetet vullnetare dhe nismat për angazhim shoqëror. Megjithatë, sipas të njëjtit raport, shteti ua ka kaluar përgjegjësinë e kujdesit për të moshuarit familjeve.

Po ashtu, sistemi shtetëror kryesisht llogarit në strehim të personave të moshuar pa përkujdesje, derisa ofron pak mundësi që ata të jetojnë me mirëqenie në shtëpitë e tyre, pa nevojë të strehohen në një institucion. Edhe për kah strehimi, sistemi shtetëror është i varfër — me vetëm pesë shtëpi për persona të moshuar dhe pa përkujdesje familjare

Disa vende në botë, veçanërisht ato skandinave, kanë ndërtuar sisteme të fuqishme të mirëqenies sociale për të mbështetur popullsinë e tyre në plakje, pa u mbështetur domosdo në shtëpi të veçanta. Suedia, për shembull, investon në strehim miqësor për të moshuarit dhe programe asistence në shtëpi, duke promovuar një jetë të pavarur dhe duke shmangur institucionalizimin. Pra, ofron një kombinim të pensioneve universale, mbështetjes komunale dhe qasjes në kujdesin shëndetësor. 

Ndërkohë në Kosovë, mungesa e mundësive për strehim të ofruara nga shteti, ka ndikuar që ky shërbim të bartet te sektori privat. Por, sipas raportit të IKS, sektori privat përshkohet nga një sërë sfidash, përfshirë mungesë standardesh, kontrollit shëndetësor dhe të sigurisë.

Po ashtu, Kosova është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor pa një sistem publik të sigurimit shëndetësor, që e bën qasjen në kujdes cilësor shëndetësor një privilegj të rezervuar për ata që mund të përballojnë planet private të sigurimit. Me pensionet modeste, qytetarët më të moshuar janë veçanërisht të prekur nga kjo mungesë.

Përtej vështirësive financiare dhe mungesës së qasjes në kujdesin shëndetësor, moshizmi, ose diskriminimi ndaj të moshuarve, mbetet një çështje e neglizhuar në diskursin publik dhe politikëbërjen në Kosovë. Teksa të moshuarit shpesh stereotipizohen si të varur, të dobët dhe të paaftë për të kontribuuar në shoqëri, rrallë flitet për pengesat sistemike që e ulin mirëqenien e tyre.  

Në prag të zgjedhjeve, K2.0 analizoi premtimet e partive politike për të moshuarit, duke vlerësuar nëse ato e njohin nevojën urgjente për politika më të fuqishme, mbrojtje sociale më të mirë, eliminim të diskriminimit dhe mundësi për një jetë të pavarur dhe dinjitetshme.

K2.0 analizoi planet e katër subjekteve politike më të mëdha, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleancës së Ardhmërisë së Kosovës (AAK), e cila garon në koalicion me Nisma Socialdemokrate.

Lëvizja Vetëvendosje 

Në zotimet e saj gjatë kësaj fushate elektorale, LVV ka ofruar pak për më të moshuarit. E vetmja referencë e drejtpërdrejtë për ta në programin zgjedhor lidhet me një mbështetje të propozuar për gjyshërit, të cilët kujdesen për nipërit dhe mbesat e tyre të moshës 13-36 muaj, kur të dy prindërit janë në punë. Sipas kësaj politike, gjyshërit do të përfitonin 100 euro në muaj për këtë përkujdesje. 

Ndërsa kjo qasje jo-konvencionale fillimisht mund të duket si një ide inovative, ajo ngre shqetësime serioze rreth qasjes së LVV ndaj mirëqenies dhe përkujdesit. Në vend që të institucionalizojë edukimin e hershëm, kjo politikë do ta zhvendoste barrën e kujdesit tek më të moshuarit, duke kufizuar mundësinë e tyre për të pasur një jetë sociale aktive dhe të pavarur jashtë shtëpisë. 

LVV, me këtë politikë shpërfill edhe kontekstin thellësisht patriarkal në Kosovë, ku barra kryesore e përkujdesjes për fëmijë u bjen grave. Me këtë politikë, kryesisht grave më të moshuara, apo gjysheve, në vend të gjyshërve, me shumë gjasë do t’u binte të përkujdeseshin për nipërit e mbesat.

Premtimi tjetër, që ndonëse s’është drejtpërdrejt për të moshuarit, por do t’i ndikonte dukshëm ata, është ai për sigurimet shëndetësore, një premtim i kahershëm i partive në Kosovë. LVV premtoi se pasi të miratohet Ligji për Sigurimet Shëndetësore dhe të funksionalizohet Sistemi Informativ Shëndetësor, do të jetësohet edhe skema e sigurimeve shëndetësore publike.

Projektligji për Sigurimet Shëndetësore, i cili ka qenë pjesë e programit legjislativ të qeverisë që nga viti 2022, u miratua nga qeveria vetëm më 29 gusht 2024. Miratimi i këtij projektligji është vetëm hapi i parë në një proces të gjatë dhe të pasigurt, siç dëshmojnë vonesat e vazhdueshme që e kanë shoqëruar këtë legjislacion ndër vite. Sipas LVV, sigurimet shëndetësore për të moshuarit do të financohen nga buxheti i shtetit, por me mungesën e një plani konkret për zbatim, mbetet e paqartë se kur — apo nëse — ky angazhim do të realizohet.

Kur flitet për politikat që kanë nisur dhe meqë LVV në fillim të programit zotohet se do të vazhdojë punët që ka nisur gjatë kësaj qeverisjeje një nga masat kryesore të ndërmarra ishte rritja e pensioneve, e zbatuar në tetor të vitit të kaluar. Qeveria rriti pensionet për 20%, duke e aplikuar këtë rritje si në pensionin bazik të moshës, ashtu edhe në pensionin kontributpagues. Si rezultat, pensioni bazik u rrit nga 100 në 120 euro, ndërsa pensionet kontributpaguese arritën midis 218-318 eurosh.

Ndonëse kjo rritje përfaqëson një përmirësim të dukshëm krahasuar me vitet e kaluara, ajo mbetet larg të qenit e mjaftueshme për të mbuluar shpenzimet esenciale të jetesës për më të moshuarit. Për krahasim, paga minimale në Kosovë është 350 euro bruto bruto, e edhe kjo shumë është larg të qenit e mjaftueshme për një jetë të dinjitetshme në Kosovë. LVV nuk ka paraparë se si do të vazhdojë të sigurohet që të moshuarit të kenë të ardhura të qëndrueshme, që do t’u mundësonin mirëqenie e jetë të dinjitetshme. 

Ndërkohë, nuk dihet nëse LVV do t’i kthehet premtimit kyç të zgjedhjeve të vitit 2021, që ishte pjesë e programit qeverisës 2021-2025, për ndërtimin e pesë shtëpive të përkujdesjes për të moshuarit. Plani për ndërtimin e këtyre shtëpive ka qenë pjesë e projeksioneve buxhetore nga 2021 deri në 2025, por pos transferimit të fondeve nga një vit në tjetrin, nuk ka pasur ndonjë zbatim konkret.

Lidhja Demokratike e Kosovës

Brenda vizionit të saj për shoqërinë, në programin e shpalosur, LDK thekson vlera si dinjiteti e solidariteti me grupet e cenueshme dhe të moshuarit, si dhe respektin për jetën në të gjitha fazat e saj. Por, mbetet e paqartë se si ky solidaritet do të përkthehet në politika konkrete publike për të moshuarit.

LDK ka një kapitull për politikën sociale dhe pensionale, por atë e sheh me korniza të ngushta.

Ajo deklaron se beson në një sistem pensional të qëndrueshëm dhe të barabartë, i cili garanton pensione stabile dhe të mjaftueshme për gjeneratat e ardhshme, duke u përkujdesur njëkohësisht edhe për pensionistët ekzistues. 

Megjithëse një një reformë e tillë mund të jetë e domosdoshme për Kosovën, të moshuarit trajtohen brenda skemës më të gjerë pensionale, duke e bërë të vështirë të kuptohet qartë angazhimin specifik të LDK-së për këtë kategori, pasi u referohet të gjitha grupeve. Gjuha përgjithësuese sugjeron mungesë vëmendjeje për faktin se përfituesit e skemës pensionale nuk janë grup homogjen dhe si rrjedhojë as qasja përgjithësuese ndaj adresimit të nevojave të tyre s’mund të sjellë rezultate të barabarta për të gjithë. 

Për shembull, LDK thekson nevojën për një arkitekturë të re të sistemit pensional, duke argumentuar se Kosova ka nevojë për një strukturë me katër shtylla, në vend të sistemit aktual me tre shtylla. Këto shtylla përfshijnë: Shtylla A – skemat aktuale të ndihmës sociale; Shtylla B – të gjitha financimet nga sigurimet sociale, përfshirë pensionet e moshës, pensionet e invaliditetit të punës, mbrojtjen familjare, mbrojtjen prindërore, sigurimin nga papunësia dhe pushimin mjekësor; Shtylla C – kontributet e detyrueshme pensionale, të përcaktuara me ligj, dhe Shtylla D – sigurimet vullnetare për pensionet dhe shëndetësinë, të rregulluara nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK).

LDK ka propozuar që pensioni bazik i moshës të bartet në shtyllën B, pra të paguhet përmes kontributeve shtesë nga punëdhënësit dhe punëmarrësit dhe mos të ofrohet krejtësisht nga buxheti shtetëror. 

Megjithatë, vështirë se do të arrihen rezultate të kënaqshme vetëm duke ndërhyrë sërish në sistemin ekzistues pensional. Në këtë sistem, vazhdimisht është ndërhyrë — janë shtuar kategori, janë rritur shumat, por sistemi prapëseprapë nuk ka arritur të jetë një sistem që i mbron qytetarët, në vend se t’ua mundësojë vetëm mbijetesën. 

Një premtim më konkret i LDK-së për pensionet është bërë gjatë tubimeve elektorale, ku Lumir Abdixhiku, kandidati i saj për kryeministër, së bashku me kandidatët e tjerë të partisë, kanë premtuar rritjen e të gjitha pensioneve brenda javës së parë të qeverisjes. Ata kanë deklaruar se asnjë pension nuk do të jetë më i ulët se 150 euro, ndërsa të gjitha pensionet do të rriten me 36.2%, dhe se të gjitha barnat esenciale për të moshuarit do të jenë falas. 

Kjo, në mungesë të sigurimit shëndetësor, mund t’ua lehtësojë sadopak barrën e rënduar financiare qytetarëve më të moshuar. 

Sa i përket sigurimeve shëndetësore, LDK ka premtuar se skema e sigurimeve shëndetësore do të bëhet plotësisht funksionale brenda vitit të parë të qeverisjes. Mirëpo, marrë parasysh proceset që duhet realizuar përpara realizimit të këtij premtimi, siç janë, ndër tjera, ndërtimi i sistemeve administrative, funksionalizimi i plotë i fondit shëndetësor dhe kushtet tjera si miratimi i pakos së përfitimeve të sigurimeve shëndetësore, lidhjen e kontratave me institucionet shëndetësore dhe barnatore, sigurimin e financimeve, këtij zotimi, për t’u realizuar duket se do t’i duhej të paktën një mandat katër-vjeçar, edhe atë nëse ky do të ishte prioriteti kryesor.

Prioriteti, sipas LDK-së, do të jetë rimbursimi i plotë i barnave jashtëspitalore për sëmundjet kronike më të zakonshme tek pensionistët, duke zgjeruar çdo vit listën e medikamenteve të mbuluara nga fondi.

Partia Demokratike e Kosovës

PDK e ka formuluar qasjen e saj ndaj politikave për të moshuarit nën sloganin “Më shumë dinjitet dhe mirënjohje për të moshuarit”, duke theksuar rritjen e pensioneve, përmirësimin e qendrave të kujdesit për të moshuarit dhe ofrimin e barnave falas. Megjithëse programi bën premtime në shikim të parë më të zgjeruara se partitë tjera, mbetet e paqartë se sa të realizueshme janë këto zotime, si do të funksionalizohen dhe si do të financohen ato.

PDK premtoi rritje të konsiderueshme të pensioneve, me qëllim të përmirësimit të cilësisë së jetës për pensionistët. Ndryshimet e propozuara përfshijnë rritjen e pensionit bazik në 200 euro dhe rritjen e pensioneve kontributpaguese për 30%.

Një nga zotimet më ambicioze të PDK-së është krijimi i qendrave të specializuara për të moshuarit në secilin rajon të Kosovës. Këto qendra do të ofrojnë kujdes mjekësor të specializuar, terapi fizike, aktivitete sociale dhe kulturore dhe trajnime për aftësitë jetësore për të ruajtur pavarësinë. PDK gjithashtu përmend barrën disproporcionale që gratë mbajnë në kujdesin për të moshuarit, duke argumentuar se krijimi i qendrave të kujdesit do t’i lehtësonte gratë nga ky përgjegjësi, duke u dhënë atyre më shumë mundësi për punësim dhe pjesëmarrje në jetën sociale, kulturore dhe politike. 

Megjithatë, plani nuk përfshin hollësi mbi mënyrën se si këto qendra do të integrohen me sistemin ekzistues të kujdesit shëndetësor, se si do të sigurohet që më të moshuarit të kenë qasje të papenguara në to, nëse këto qendra do të jenë të qasshme për të gjithë më të moshuarit, pavarësisht statusit të tyre financiar, se si do të financohen ato apo kur do të kryhen.

Gjithashtu, PDK premtoi të ofrojë mbështetje për familjet që kujdesen për të moshuarit në shtëpi, përmes trajnimeve dhe burimeve që ndihmojnë në menaxhimin e nevojave të tyre. Për të siguruar cilësinë dhe efektivitetin e këtyre shërbimeve, PDK propozoi që të vendoset një sistem monitorimi, pa treguar se si do të organizohet ky sistem i monitorimit dhe se si do të zbatohet ai në rast kur familjet përkujdesen për të moshuarit. 

PDK gjithashtu premton të ofrojë barna falas për të moshuarit që vuajnë nga sëmundje kronike, duke siguruar qasjen e nevojshme në trajtimet mjekësore pa barrë financiare. Po ashtu, partia ka premtuar funksionalizimin e sistemit të sigurimeve shëndetësore publike, i cili mund të ndikojë drejtpërdrejt tek të moshuarit. Sidoqoftë, mbetet e paqartë se kur do të vihet në zbatim.

  Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës-Nisma

Koalicioni AAK-NISMA paraqet një qasje të paqartë dhe të përgjithshme ndaj politikave për të moshuarit, duke i përfshirë ato brenda një kornize më të gjerë për mirëqenien sociale dhe mbështetjen për familjet.

Një nga propozimet më të paqarta të programit të AAK-NISMA gjendet në sektorin e industrisë ushqimore dhe bujqësisë, të cilin koalicioni e sheh si një prioritet strategjik për Kosovën. Programi premton “krijimin e fondeve stimuluese për blerjen e tokës nga familjet e moshuara dhe ato jobujqësore”, por nuk specifikon së pari, çka do të thotë me familjet e moshuara dhe jobujqësore, çka pritet të bëhet me këto toka, nëse bëhet fjalë për subvencione, grante apo kredi për të moshuarit dhe si do të ndikojë kjo masë drejtpërdrejt në përmirësimin e cilësisë së jetës së tyre.

AAK-NISMA i përfshin të gjitha politikat sociale, përfshirë ato për të moshuarit, brenda planit të saj për krijimin e një “Ministrie për Familjen”. Meqë kjo ministri parashihet të ketë një shtrirje të gjerë të përgjegjësive, mbetet e paqartë nëse të moshuarit do të kenë vëmendjen dhe mbështetjen e nevojshme, sidomos duke marrë parasysh mungesën e politikave të strukturuara për ta në Kosovë.

Ndër zotimet e tjera të AAK-NISMA për të moshuarit përfshihen: promovimi i pjesëmarrjes së të moshuarve në shoqëri, nxitja e programeve për përfshirjen aktive të të moshuarve, si puna vullnetare dhe krijimi i mundësive që të moshuarit të vazhdojnë të kontribuojnë edhe pas pensionimit. Megjithatë, nuk ofrohet ndonjë shpjegim se si do të realizohen këto synime. Programi nuk përmban hollësi mbi financimin, zbatimin apo nismat ligjore për këto politika, duke e bërë të vështirë vlerësimin e realizueshmërisë së tyre.

Një tjetër aspekt i politikave për të moshuarit në programin e AAK-NISMA është “Pakoja për Mirëqenien e Familjes”, e cila përfshin: ndihmë financiare për të moshuarit dhe kujdes shtëpiak përmes ndërmarrjeve sociale, dhe organizimin e këtyre shërbimeve në nivel qendror dhe lokal. Ndërsa ndihma financiare dhe kujdesi në shtëpi janë masa të rëndësishme për përmirësimin e jetës së të moshuarve, programi nuk përcakton burimet e financimit, shtrirjen e mbulimit,  mënyrën e organizimi apo afatet kohore.

AAK-NISMA ka paraqitur gjithashtu premtime të mëdha ekonomike, duke përfshirë premtimin se nuk do të ketë pensione nën 500 euro, por nuk sqaron se si do të strukturohet rritja e pensioneve, si do të ndikojë kjo në kategori të ndryshme pensionistësh, apo nëse është një premtim i qëndrueshëm nga ana fiskale.

Çka mund të nxjerrim nga këto programe?

Ndërsa partitë politike në Kosovë e pranojnë se të moshuarit kanë nevojë për mbështetje, programet e tyre kryesisht i reduktojnë ata në përfitues të pensioneve dhe kujdesit shëndetësor, duke neglizhuar të drejtën e tyre për pavarësi, përfshirje sociale dhe mirëqenie mendore. 

Shumica e zotimeve përqendrohen në ndihmën financiare, si rritja e pensioneve, ose në qasjen në kujdes shëndetësor, veçanërisht në barna falas për sëmundjet kronike. Megjithëse këto masa janë të rëndësishme, ato nuk e njohin të moshuarin/ën si anëtar/e aktiv/e të shoqërisë, të cilit/ës i nevojiten mundësi për t’u angazhuar socialisht, për të punuar nëse dëshiron dhe për të ruajtur një ndjenjë qëllimi përtej përfitimit të ndihmës financiare. Edhe vetë zotimet financiare janë të kufizuara, pasi punojnë me një sistem të vjetëruar pensional, që ndër vite ka dëshmuar të jetë i pamjaftueshëm dhe nuk ka adresuar pabarazitë shoqërore në vend. 

Sa i përket kujdesit shëndetësor, partitë kryesisht e trajtojnë plakjen si një çështje mjekësore, duke u përqendruar në ofrimin e kujdesit bazik shëndetësor, por duke neglizhuar plotësisht shqetësime kritike si stigmatizimi i të moshuarve dhe shëndeti mendor i tyre. Nuk ka pothuajse asnjë diskutim mbi luftimin e izolimit social apo ofrimin e mbështetjes psikologjike. 

Edhe kur propozohen politika më progresive, si programet për përfshirjen e tyre në shoqëri, ato mbeten të pazhvilluara dhe pa strategji të qarta për zbatim. Derisa politikat të shkojnë përtej ndihmës ekonomike dhe shërbimeve bazike shëndetësore për të adresuar nevojat më të gjera sociale, mendore dhe emocionale të të moshuarve, ata do të vazhdojnë të trajtohen si përfitues të ndihmës sociale dhe jo si individë me të drejta dhe agjenci të plotë.

 

Imazhi i ballinës: Dina Hajrullahu / K2.0 

Dëshironi të mbështetni gazetarinë tonë? Anëtarësohuni në “HIVE” ose konsideroni një donacion. Mëso si këtu.