Pikëpamje | Serbia

A është qeveria e re e Serbisë vërtet feministe?

Nga - 19.11.2020

Apo si e udhëhoqi Aleksandar Vučić-i Serbinë drejt një rilindjeje feministe.

Pas 129 ditëve të pritjes së panevojshme për formimin e qeverisë nga parlamenti, Serbia më në fund u bë me kabinet të ri ekzekutiv më 28 tetor. Edhe pse koalicioni i ri përfshiu një sërë kompromisesh tërësisht problematike, shumë platforma mediale — veçanërisht jashtë Serbisë — theksuan faktin se 10 ministri do të udhëhiqen nga gratë.

Duke pasur parasysh që Serbia nuk ka vendosur përnjëherë ta çojë partiarkatin në varrezat e ideve të dështuara e as nuk ka përjetuar rilindje feministe në katër vitet e shkuara, shtrohet pyetja: çfarë çoi drejt kësaj përmbysjeje të përbërjes?

Fillimisht, është nevoja për ta kamufluar faktin se qeveria nuk ka bërë shumë për t’i përmbushur synimet e përcaktuara në programin qeverisës të kryeministres Ana Brnabić në 2017. Është bërë pak kur bëhet fjalë për futjen në përdorim të kartelave të sigurimit shoqëror, krijimin e kategorive të pagave për administratën publike apo reformimin e ndërmarrjeve publike, ndërsa lufta e trumbetuar kundër krimit të organizuar nuk ia vlen as të përmendet.

Mandati i qeverisë së mëparshme u shënua me skandale madhore dhe mungesë llogaridhënieje, që kulmuan në bojkotin zgjedhor të 2020-tës dhe në një parlament pa opozitë e me legjitimitet të dyshimtë.

Meqenëse autokracia serbe është bërë shumë e vërejtshme për shijen e partnerëve të saj në BE, Aleksandar Vučić u detyrua ta shkurtojë mandatin e qeverisë, duke i shpallur zgjedhjet e parakohshme parlamentare “më 3 prill 2022, më së voni”. Sidoqoftë, nuk u lodh fare të shpjegojë se cilat kompetenca kushtetuese ia lejojnë marrjen e një vendimi të tillë.

Zbukurimi i sfondit Potemkin

Duke qenë se asnjë reformë serioze nuk mund të bëhet në një periudhë kaq të shkurtër, është nisur një fushatë zgjedhore me kohëzgjatje prej një viti e gjysmë e cila qëllim kryesor e ka simulimin e përmirësimeve në klimën politike për të mos i lënë opozitës argumente të vlefshme për një bojkotim tjetër të zgjedhjeve.

Përbërja e balancuar gjinore e qeverisë është hapi i parë në zbukurimin e sfondit Potemkin. Një zhvillim i ngjajshëm është vënë në dukje kur Ana Brnabić — e cila kishte dalë publikisht si lezbike — u emërua për herë të parë në pozitën e kryeministres, vetëm në rast se Vučić-i do të mund ta paraqiste veten në BE si lider progresiv. Shpejt u kuptua se ky ishte rast klasik i pinkwashing (përvetësim i lëvizjes për çlirim seksual në dobi të qëllimeve regresive politike) pasi Brnabić-i nuk bëri absolutisht asgjë për të përmirësuar gjendjen e komunitetit LGBTI+ në Serbi. E njëjta hile vlen edhe për “qeverinë e grave” dhe kjo nuk paraqet asgjë të re.

Partia Përparimtare Serbe (SNS) për vite të tëra ka manipuluar me çështjet që kanë të bëjnë drejtpërdrejt apo tërthorazi me gratë.

Në janar të vitit 2019, përparimtarët filluan një fushatë me titullin e përgjithësuar Ndal Dhunën kundër Grave. Gratë anëtare të komiteteve lokale të SNS-së pozuan me slloganin në fotografi grupore dhe mediat mbështetëse të regjimit u kujdesën të raportonin rregullisht për njoftimet e tyre. E gjithë kjo do të ishte në rregull nëse postimet mizogjiniste në Twitter të disa prej figurave opozitare nuk do të ishin forma e vetme e dhunës me të cilën u preokupua fushata.

Nuk u përmend as edhe një herë numri i grave të vrara nga partnerët e tyre, apo numri i grave të dhunuara dhe të rrahura; apo fakti se është bërë pothuajse një vit që kur u ngrit kallëzimi penal për dy vite ngacmimi seksual kundër kolegut të tyre partik dhe kryetarit të komunës së Brusit, Milutin Jeličić Jutka.

Gjatë qeverisë së kaluar, gratë u përdorën si mburoja njerëzore sa herë që protestat e opozitës kërcënonin të eskalonin në incidente.

Përkundrazi, vetëm një muaj e gjysmë pas përmbylljes së nismës Ndal Dhunës, zyrtaret gra të SNS-së dhe gra të punësuara në ndërmarrje të menaxhuara nga anëtarët e partisë së tyre u bënë bashkë në Brus që publikisht të shprehnin mbështetjen e tyre për Jeličić-in. Presidenti Vučić pretendoi se presioni që Jeličić-i të dorëhiqej dhe të përballej me akuzat ishte thjesht farsë dhe se sulmet në të vërtetë ishin të drejtuara kundër tij.

Sidoqoftë, ky nuk ishte rast i izoluar i keqpërdorimit të dhunës ndaj grave.

Shqetësimi i rrejshëm i pushtetarit

Gjatë mandatit të qeverisë së mëparshme, gratë u përdorën si mburoja njerëzore sa herë që protestat e opozitës kërcënonin të eskalonin në incidente të profilit të lartë. Për shembull, në mes të protestave anti-regjim në prill të vitit 2019, gratë e punësuara në Asamblenë Komunale të Beogradit bllokuan fizikisht opozitën për të mos hyrë në hapësirat e Asamblesë, duke thirrur (sërish) “Ndal Dhunën!” 

Në gusht, pasi protestat filluan të organizoheshin jashtë ndërtesës së Presidencës, Presidenti Vučić përdori njësinë “Kobrat” (njësi speciale e Policisë Ushtarake), të përbërë plotësisht nga gratë, duke iu lutur cinikisht protestuesve të mos “godasin vajzat dhe gratë”. Sigurisht e njëjta kërkesë nuk u bë këtë korrik, kur policia goditi protestuesit e të gjitha gjinive, pa përjashtim. 

Këto dhe një sërë rastesh të tjera janë pjesë e ndërtimit të një narrative që bazohet në një opozitë mizogjiniste dhe në një qeveri që në dukje kujdeset për gratë, e cila po vazhdon prej vitesh.

Edhe pse disa anëtarë të opozitës — përfshirë Sergej Trifunović-in — përdorin fjalor tërësisht mizogjinist, raportimi i vazhdueshëm i anshëm nga mediat e regjimit krijon përshtypjen se ky paragjykim është shumë më i pranishëm në mesin e opozitës. Në të vërtetë, Vučić-i shpeshherë ka dalë në mbrojtje të zyrtarëve të lartë të SNS-së pas gafave të tyre mizogjiniste.

Përralla e qeverisë së re për arritjen e balancit në përfaqësimin gjinor në fakt është vazhdimësi e natyrshme e vënies së grave në vijën e parë të frontit në rastet kur qeveria pret të sulmohet nga kritikat. Ekziston një arsye për këtë. 

Për vite tanimë, kriza politike në Serbi është bërë fenomen i pandryshueshëm: dy të tretat e qytetarëve nuk kanë më asnjë përfaqësues në institucionet kombëtare, ndërsa opozita dhe votuesit e tyre trajtohen si parazitë të traktit tretës nga qeveria. Prandaj diskursi publik është bërë shumë i dhunshëm. 

Meqenëse është shndërruar në strukturë që praktikisht qëndron mbi ligjin, klasa politike mund të goditet vetëm përmes sulmeve verbale, qoftë në rrjete sociale apo në seksionet e komenteve në faqe të ndryshme të internetit. Çdo veprim i qeverisë — krahas kritikave përmbajtësore — përcillet me një breshëri talljesh, sharjesh dhe provokimesh.

Në këtë rajon, mizogjinia buron nga patriarkati i rrënjosur thellë dhe nga ndjesia se asnjë grua nuk ka të drejtë të ketë pozitë hierarkike më të lartë se një burrë.

Këto rrethana janë bërë pjesë e një mekanizmi për dredhjen e cilësdo temë. Ndonëse qeveria do të duhej të ketë tolerancë të shtuar ndaj kritikëve në përputhje me gradën e saj shoqërore dhe një kriter për përzgjedhjen e situatave ndaj të cilave ia vlen të reagojë, realiteti është ndryshe: për t’iu shmangur kritikave thelbësore, nxirret në plan të parë gjithçka tjetër që mbetet dhe proklamohet si “fytyra e opozitës”.

U kushtohet vëmendje individëve jostabilë të cilët shpërndajnë postime të pakëndshme nga llogaritë e tyre në Twitter me pak ndjekës, por jo artikujve të gazetarisë hulumtuese që merren me familjen e Vučić-it dhe lidhjet e tyre me korrupsion dhe krim të organizuar.

Andaj, për një vit e gjysmë të ardhëm — sa është kohëzgjatja e mandatit të qeverisë e përcaktuar nga presidenti përkundër kompetencave të tij kushtetuese — ka gjasë të ndodhin një sërë situatash ku kritikat legjitime të drejtuara ndaj grave ministre do të amortizohen duke e zhvendosur shpejt vëmendjen te gojët e ndyra për të na treguar se si gratë në pushtet janë më shumë shkas për to sesa korrupsioni apo pazotësia.

Një version distopik i Serbisë

A duhet të lihen mënjan komente të tilla mizogjiniste? Sigurisht që jo. Në këtë rajon, mizogjinia buron nga patriarkati i rrënjosur thellë dhe nga ndjesia se asnjë grua nuk ka të drejtë të ketë pozitë hierarkike më të lartë se një burrë. 

Sidoqoftë, nuk duhet të mashtrohemi nga truku i ndërrimit të temës i regjimit, siç u mashtrua Bloomberg-u, për shembull; ndërsa raportuan se qeveria e një kryeministreje lezbike do të përfshinte dhjetë gra ministre, nuk e përmendën se Serbia de facto është kthyer në shtet njëpartiak.

Në Serbinë e Vučić-it, ideja e barazisë gjinore po realizohet në formën e saj distopike: gjinia e ministrave bëhet e parëndësishme. Jo për shkak se është thyer tavani prej xhami, por sepse mungesa e integritetit dhe tepria e servilizmit kanë bërë që të jetë plotësisht e parëndësishme nëse pozitat e kabinetit mbahen nga gratë apo burrat.  

Madje edhe ideja e nxjerrjes së disa përfitimeve të tërthorta për të drejtat e grave përmes popullimit të qeverisë serbe me më shumë gra se kurrë, e humbet kuptimin e saj triumfues kur  sjellim ndër mend se një burrë me prirje autokratike i ka vendosur ato aty dhe mund t’i largojë thjesht për një tekë të veten.

Dhe, nuk është vetëm kjo: një vendim i tillë nuk do të kundërshtohej as nga Zonja Kryeministre së cilës i është treguar dera, e as nga koleget e saja gra. Ashtu siç emërimi i Amy Coney Barrett si gjyqtare në Gjykatën Supreme të ShBA-së nuk paraqet fitore për gratë amerikane për faktin se ajo do të angazhohet për kufizimin e të drejtave riprodhuese, njësoj edhe 10 gratë e famshme ministre të qeverisë së Serbisë nuk do të shërbejnë si inspirim për një grua që ka mjaftueshëm integritet sa për të mos u varur në mbështetjen e Vučić-it.

Nuk është poenta që kabineti i Ana Brnabić-it përbëhet nga “këmbësoria e patriarkatit”, në fjalët e Mona Eltahawy — më saktë do të mund të thuhej se këto gra dhe kolegët e tyre kanë ndërtuar një tjetër sistem shtypës për veten mbi atë ekzistues, ku sërish një burrë i vrazhdë është ai që kontrollon gjithçka.   

Imazhi i ballinës: Free press, © Jason Andrew for DLD.

KOMENTO