Pikëpamje | Drejtësi sociale

A jemi gati për një udhëheqës që nuk duket si shumica jonë?

Nga - 18.09.2025

Mungesa e romëve, ashkalinjve dhe egjiptianëve në pozita shtetndërtuese.

Pas disa muajsh ngërçi politik, më 26 gusht, Dimal Basha u zgjodh kryetar i Kuvendit të Kosovës. Kjo erdhi pas afro 60 tentativash të dështuara deri në një vendim të Gjykatës Kushtetuese më 8 gusht, i cili kufizoi Lëvizjen Vetëvendosje se mund ta propozonte një kandidat vetëm tri herë. Pasi asnjëri nga tre ministrat e propozuar nga LVV nuk mori votat e mjaftueshme dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK) kërkoi që të propozohej një deputet që nuk ishte pjesë e Qeverisë në dorëheqje, LVV nominoi Bashën, i cili u zgjodh në tentativën e dytë me mbështetjen e PDK.

Meqenëse ky ngërç ia kishte humbur kohën Kosovës më shumë se gjysmë viti, pritej që me zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, opinioni publik do të përqendrohej tek hapat e ardhshëm drejt krijimit të Qeverisë dhe institucioneve shtetërore. Por diçka e tillë nuk ndodhi. Rrjetet sociale u vërshuan me ofendime dhe fyerje kundrejt Bashës, ofendime këto që kishin marrë kahje raciste, duke e bërë temë ngjyrën e lëkurës së tij, përcjellë me komente përçmuese. Ironia është se Basha nuk i përket asnjërit nga komunitetet romë, ashkali apo egjiptian; ai është shqiptar. 

Në fakt, përdorimi i shprehjeve poshtëruese si “magjup”, “gabel” apo “cigan” të drejtuara kundrejt tij, nuk e përjashtuan atë nga grupi etnik shqiptar, të cilit dihej se i përket. Mjaftoi ngjyra e lëkurës që opinioni publik ta zhveshë atë nga përgjegjësia e tij politike, e ta ngarkojë me barrën e racizmit që komunitetet romë, ashkali dhe egjiptianë e bartin përditë. Kjo nuk ndodh, për shembull, me përfaqësues të shtetit që i përkasin komunitetit boshnjak. Ata identifikohen nga prejardhja e tyre etnike, mirëpo për shkak që janë të bardhë – dhe përfaqësuesit e bardhë shtetërorë paraqesin normën – ngjyra e tyre e lëkurës nuk paraqet problem. Kjo nënkupton që pamja dhe ngjyra e lëkurës, përkundër etnisë, mund të përdoren si bazë për përbuzje e racializim të institucionalizuar, e shpesh të mvishen edhe si “kritikë” kolektive.

Mirëpo me përdorimin e fyerjeve raciste nuk po i bëhet kurrfarë “kritike” individit, në fakt, po përbuzet identeti i disa komuniteteve, që historikisht kanë qenë të shtypura. Fyerje të tilla për mijëra qytetarë të komuniteteve romë, ashkali dhe egjiptian janë mesazh. Atyre, sikur u thuhet se nuk ka rëndësi sa punoni, mësoni apo kontribuoni për këtë vend, ju gjithmonë do të mbeteni “të tjerët” – të padenjë për ta udhëhequr vendin.

Në Kosovë, zakonisht presidenti apo kryeministri përfaqëson shumicën dhe vjen nga radhët e shumicës shqiptare, ndërsa komunitetet joshumicë, sipas Kushtetutës së Kosovës, kanë vende të garantuara në Kuvend dhe Qeveri. Për shembull, për herë të parë që pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, tek nga viti 2021 deri në vitin 2023, Bekim Arifi nga komuniteti ashkali shërbeu si nënkryetar i Kuvendit. Përveç pozitave të parapara për komunitete në Kuvendin e Kosovës, në secilin mandat qeveritar kemi pasur zëvendësministra, këshilltarë të kryeministrit e ministrave që kanë përfaqësuar zërat e këtyre komuniteteve dhe kanë punuar për integrimin e tyre në shoqëri. Në mandatin e Qeverisë Kurti 2020–2024 për herë të parë pati një ministër nga komuniteti egjiptian, Elbert Krasniqi, i cili vazhdon të jetë ministër në detyrë i Ministrisë së Administratës dhe Pushtetit Lokal (MAPL). Sidoqoftë, edhe ky përfaqësim, pra, një ministër nga radhët e komuniteteve jo-shumicë në qeveri, është kërkesë kushtetuese.

Kushtetuta nuk parasheh përcaktime etnike. President mund të zgjedhet çdo shtetas i Republikës së Kosovës, mbi moshën 35 vjeçare.

Mirëpo edhe pse Kushtetuta e Kosovës specifikon vendet e garantuara për përfaqësues të komuniteteve joshumicë, ajo nuk e ndalon që një anëtar/e i/e komuniteteve të marrë pozita më të larta përfaqësuese, qoftë si president/e ose kryetar/e komune. Sipas Kushtetutës, të drejtë për t’u nominuar dhe të drejtën për t’u zgjedhur e ka çdo shtetas i Republikës së Kosovës. President/e i/e Republikës së Kosovës, për shembull, mund të zgjedhet çdo shtetas/e i/e Republikës së Kosovës, i/e cili/a i ka mbushur 35 vjeç. Nuk ka përcaktim kushtesh apo përkatësie etnike si kritere të ushtrimit të kësaj pozite.

Por, lind pyetja, a mund ta imagjinojmë se çfarë do të ndodhte nëse një ditë, një rom, ashkali apo egjiptian do të vihej në krye të shtetit – jo si nënkryetar i komuniteteve joshumicë, e as si këshilltar për “integrimin” e tyre, por si Kryetar Kuvendi apo President i Kosovës? A jemi të gatshëm ta imagjinojmë një realitet të tillë, e më pas edhe ta krijojmë atë, apo ky përçudnim i “tjetrit”, si më pak i vlefshëm, e zbeh krejt rëndësinë e demokracisë në të cilën presupozohet se jetojmë?

“Të pranishëm” në aktivitete simbolike, por pa fuqi ekzekutive

Zgjedhjet lokale të 12 tetorit 2025 në Kosovë janë mundësi e mirë për të reflektuar mbi përfaqësimin e komuniteteve romë, ashkali dhe egjiptianë në strukturat vendimmarrëse. Sipas të dhënave të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), në total, 93 subjekte politike janë certifikuar për zgjedhjet lokale të këtij viti, saktësisht 32 parti, dy koalicione, 32 iniciativa qytetare dhe 27 kandidatë të pavarur, me 5.626 kandidatë që garojnë për pozita lokale. Nga këta, 206 kandidatë/e kandidojnë për kryetarë/e komunash, ndërsa 5.420 për Kuvendet Komunale.

Megjithatë, asnjë kandidat/e për kryetar/e komune nuk është pjesëtar/e i/e komuniteteve rome, ashkali apo egjiptiane. Një ndër faktorët kryesorë janë edhe gjasat reale të personave nga radhët e komuniteteve për fitore. Ata e dinë shumë mirë se për shkak të paragjykimeve kundrejt tyre dhe votimit mbi baza etnike, gjasat që një kandidat/e ashkali, egjiptian apo rom të fitojë një komunë janë shumë të ulëta.

Në Kuvendet Komunale, ka pjesëmarrje të komuniteteve romë, ashkali dhe egjiptian, por pjesëmarrja e tyre është e siguruar kryesisht përmes partive dhe iniciativave të komuniteteve të tyre dhe jo përmes partive të mëdha politike. Në total, sipas KQZ, 129 kandidatë nga këto komunitete garojnë në zgjedhjet e këtij viti, të shpërndarë në tetë komuna, edhe pse komunitetet jetojnë në 26 komuna të Republikës së Kosovës. Konkretisht, këta kandidatë përfaqësojnë dy parti egjiptiane, dy parti rome, një parti ashkali dhe një iniciativë e komunitetit ashkali. 

Asnjë nga partitë e mëdha nuk ka për kandidat/e për asamble ndonjë përfaqësues/e nga komuniteti rom, ashkali apo egjiptian. Ky boshllëk nuk është pasojë e mungesës së kapaciteteve, por është një dëshmi e qartë e ndarjes etnike të partive në nivel lokal, sikur secili komunitet të jetë i detyruar të përfaqësohet vetëm nga partia e tyre.

Përfaqësuesit e komuniteteve vetëm përcjellin nevojat e tyre tek udhëheqësit shqiptarë, por nuk kanë ndikim real në adresimin e këtyre nevojave.

Në disa komuna, sipas Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, konkretisht neneve 54 dhe 56, komunitetet kanë të drejtë të kenë pozitën e zëvendëskryesuesit/es së komuniteteve dhe nënkryetarit/es së komuniteteve, në komunat ku të paktën 10% e qytetarëve i përkasin komuniteteve joshumicë. Në disa raste, edhe nëse përqindja e komuniteteve joshumicë për komunë nuk e ka e kaluar pragun prej 10%, kryetarët komunal kanë caktuar gjithsesi nënkryetarë nga radhët e komuniteteve. 

Por në shumicën e kohës, këto pozita kanë qenë më shumë “dekorative” sesa ekzekutive. Cilësohen si dekorative sepse përgjegjësitë në kuadër të këtyre pozitave shpesh reduktohen vetëm në aktivitete simbolike dhe takime protokollare, që i mban përfaqësuesit e komuniteteve “të pranishëm” në nivel komunal, por pa ndikim të prekshëm politik.

Edhe vetë përfaqësuesit e shoqërisë civile nga radhët e komuniteteve romë, ashkali dhe egjiptianë, shpesh i vlerësojnë këto role si të kufizuara, duke theksuar se përfaqësuesit e komuniteteve joshumicë mbledhin informata për kërkesat dhe nevojat e komuniteteve dhe i përcjellin ato tek udhëheqësit e tyre shqiptarë, por pa pasur vetë ndonjë fuqi ekzekutive apo ndikim të drejtpërdrejtë në vendimmarrje lidhur me adresimin e këtyre nevojave.

Edhe Ligji për Vetëqeverisje Lokale e përforcon dallimin mes roleve për nënkryetar/e të komunës dhe nënkryetar/e të komuniteteve: Nënkryetari i Komunës ka kompetenca ekzekutive dhe mund të veprojë në mungesë të kryetarit, ndërsa nënkryetari për komunitete mbetet kryesisht këshillues. Ky i fundit vetëm ofron sugjerime për çështjet që prekin komunitetet joshumicë, pa pasur përgjegjësi vendimmarrëse apo autoritet ekzekutiv.

Mungesa e kompetencave reale për përfaqësuesit e komuniteteve romë, ashkali dhe egjiptianë prodhon pasoja të thella strukturore, duke e kthyer përfaqësimin në një iluzion që krijon imazh të përfshirjes, por në thelb riprodhon margjinalizimin politik. Kjo nënkupton se nevojat e komuniteteve adresohen në mënyrë të ndërmjetësuar, shpesh duke u filtruar dhe zbehur nga interesat e shumicës, në vend që të jenë vetë komunitetet ato që i artikulojnë dhe i shtyjnë përpara zgjidhjet. Pasoja afatgjatë e kësaj praktike është mungesa e besimit në institucione, përjetësimi i pabarazive dhe rreziku që këto komunitete të mbeten gjithnjë të varura nga “mëshira” apo vullneti i shumicës. Një sistem i tillë jo vetëm që e dëmton kohezionin shoqëror, por edhe bie ndesh me parimet e demokracisë gjithëpërfshirëse, sepse barazia politike nuk duhet të reduktohet në praninë fizike në institucione, pa kompetenca reale për të ndikuar në vendimmarrje.

Demokracia nuk matet vetëm me zgjedhje dhe rotacione pushteti. Ajo matet edhe me aftësinë tonë për të votuar dikë që ka program dhe vizion, që sheh përtej ngjyrës, mbiemrit, prejardhjes. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), zgjedhja e Barack Obamës si President, dy herë, në periudhën 2009–2017 nuk e zhduku racizmin në SHBA, por bëri që bota ta kuptojë se demokracia mund të triumfojë mbi racizmin. Ngjashëm ndodhi edhe në Londër, kur një djalë i emigrantëve nga Pakistani, Sadiq Khan, u bë Kryetar Komune, një metropol prej mbi nëntë milionë banorësh. 

Për shumë njerëz, e sidomos për komunitetet e stigmatizuara, këto momente nënkuptonin njohje dhe shpresë, për një të ardhme më të drejtë e përfaqësuese. Kur Kosova ta arrijë nivelin që romët, ashkalinjtë apo egjiptianët të kenë më shumë përfaqësim politik e publik, kjo nuk do të jetë fitore e individëve nga radhët e komuniteteve joshumicë, por fitore e Kosovës në betejën me veten, kundër racizmit.

Dëshironi të mbështetni gazetarinë tonë? Anëtarësohuni në “HIVE” ose konsideroni një donacion. Mëso si këtu.