Lufta e Rusisë në Ukrainë ka ndikuar shtetet e Ballkanit Perëndimor — Shqipërinë, Bosnjë e Hercegovinën, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë, të njohura bashkërisht si Gjashtëshja e Ballkanit Perëndimor (Western Balkan Six – WB6) — në shumë mënyra. Teksa qytetarët e zakonshëm janë ballafaquar me sfida ekonomike siç është ngritja e çmimeve të energjisë e ndërlidhur me luftën , ndikimi gjeopolitik i Rusisë në rajon mbetet sfidë urgjente.
Asnjë nga gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor nuk e mohon hapur rëndësinë e integrimit në Bashkimin Evropian (BE), por Serbia, Mali i Zi dhe entiteti i Republikës Srpska në Bosnjë e Hercegovinë mbajnë lidhje të forta me Rusinë dhe Kinën, duke e lehtësuar ndikimin e Moskës dhe Pekinit në rajon.
Shtetet e rajonit mund të hezitojnë sa i përket integrimit në BE apo të ndjekin modele alternative të bashkëpunimit rajonal për shumë arsye. Një nga arsyet më të rëndësishme është lodhja nga procesi i zgjerimit i BE, i cili në këtë fazë nuk ka as vizion të qartë dhe as pikë përfundimtare. Ndonëse shtetet e Ballkanit Perëndimor vazhdimisht përpiqen t’i zbatojnë reformat e nevojshme për t’iu afruar BE, kjo e fundit vazhdon t’iu largohet tutje atyre, duke e vonuar procesin dhe duke prezantuar kritere dhe instrumente financiare shtesë, pa hapur të gjithë kapitujt e anëtarësimit.
Në vazhdën e këtyre çështjeve, BE prezantoi një Plan të ri të Rritjes (Growth Plan) në nëntor të vitit 2023. Plani i Rritjes është një instrument zgjerimi, që synon të “përshpejtojë konvergjencën shumë të nevojshme socio-ekonomike” mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe anëtarëve të BE, duke ofruar gjashtë miliardë euro grante dhe kredi.
Plani i Rritjes është instrument i rëndësishëm potencial për vendet e Ballkanit Perëndimor, pasi premton mbështetje të konsiderueshme financiare dhe përdor një strukturë të re shpërndarjeje të mjeteve. Duke qenë kështu, bart edhe sfida, që kryesisht janë mungesa e ndërlidhjeve konkrete me procesin e zgjerimit. Nëse këto nuk merren parasysh me seriozitet, Plani i Rritjes rrezikon të mbetet jo-funksional.
Katër shtyllat kryesore të Planit të Rritjes
Komisioni Evropian (KE) krijoi Planin e Rritjes që t’i “sjellë rajonit disa prej përfitimeve të anëtarësimit në BE përpara anëtarësimit, të nxitë rritjen ekonomike dhe ta përshpejtojë konvergjencën shumë të nevojshme socio-ekonomike”. Për më shumë se dy dekada, zgjerimi i BE ka ngecur. Për ta çuar përpara procesin, përpjekje të tilla si Procesi i Berlinit janë prezantuar jashtë politikës zyrtare të zgjerimit të BE, duke synuar nxitjen e bashkëpunimit të nivelit të lartë mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe anëtarëve pjesëmarrës të BE dhe Mbretërisë së Bashkuar (MB). Derisa Procesi i Berlinit konsiderohet nismë e rëndësishme për shtetet e Ballkanit Perëndimor, ende nuk ka dhënë rezultate të dobishme në procesin e zgjerimit. Nisur nga kjo, BE vazhdon të zhvillojë instrumente të ndryshme financiare, që synojnë lehtësimin e integrimit të shteteve të Ballkanit Perëndimor në BE.
Derisa Procesi i Berlinit konsiderohet nismë e rëndësishme për shtetet e Ballkanit Perëndimor, ende nuk ka dhënë rezultate të dobishme në procesin e zgjerimit.
Objektivat afatgjata të Planit të Rritjes janë dyfishimi i madhësisë së ekonomive të shteteve të Ballkanit Perëndimor në dekadën e ardhshme, duke nxitur shtetet të përshpejtojnë zbatimin e rregullave dhe standardeve të BE dhe përparimin në procesin e anëtarësimit. Plani i Rritjes është ndërtuar bazuar në katër shtylla kryesore: përafrimi i ekonomive të Ballkanit Perëndimor me tregun e përbashkët të BE, thellimi i integrimit ekonomik rajonal në Ballkanin Perëndimor, përshpejtimi i reformave themelore dhe rritja e ndihmës financiare për t’i mbështetur reformat.
Dy shtyllat e para ndërlidhen ngushtë me nismën e Tregut të Përbashkët Rajonal (Common Regional Market – CRM) dhe luajnë rol plotësues: thellimi i integrimit ekonomik rajonal nënkupton mundësi më të mira për t’u bashkuar me tregun e përbashkët të BE. Shtylla e tretë synon përshpejtimin e miratimit të reformave qenësore në rajon. E fundit, shtylla e katërt parashikon krijimin e një pakoje “Lehtësimi për Reforma dhe Rritje”, për ta ndihmuar secilin shtet të Ballkanit Perëndimor të zbatojë reformat e planifikuara.
Çka dallon Plani i Rritjes nga mekanizmat e mëhershëm?
Plani i Rritjes, duke qenë thjesht edhe një tjetër instrument në radhën e gjatë të mekanizmave të krijuar për ta lehtësuar zgjerimin, ndryshon nga instrumentet ekzistuese financiare të BE si Plani Ekonomik dhe i Investimeve (PEI), Instrumenti i Asistencës së Para-Anëtarësimit (IPA), Lehtësimi për Zhvillim dhe Inovacion për Ndërmarrjet e Ballkanit Perëndimor (WB EDIF) dhe Programi Rajonal i Efiçiencës së Energjisë (REEP). Plani i Rritjes dallon në tri mënyra kryesore: është i orientuar rreth zbatimit të reformave të paracaktuara nga secili shtet, përdor një format të ndryshëm të shpërndarjes së pagesave dhe nuk përdor qasje gjithëpërfshirëse ndaj rajonit.
Qasja në fondet e Planit të Rritjes varet nga zbatimi i reformave nga shtetet individualisht, ndryshe nga instrumentet e tjera financiare si IPA, të cilat shpërndajnë dhe caktojnë fondet në bazë të fushave tematike dhe nuk caktojnë fonde veçmas për shtet. Shtete e Ballkanit Perëndimor do të zhvillojnë Agjenda individuale të Reformave, që do të vlerësohen dhe miratohen më tej nga KE. Përtej agjendave të reformave, lirimi i fondeve dhe pagesave kushtëzohet nga reformat e gjera që ndërlidhen me bazat e procesit të zgjerimit, si sundimi i ligjit, demokracia dhe të drejtat e njeriut.
Pagesat do të bëhen dy herë në vit; KE do ta pezullojë ose reduktojë pagesën nëse kërkesat nuk janë përmbushur. Në një rast të tillë, shteti do t’i ketë një deri në dy vjet kohë për t’i përmbushur ato; nëse kjo nuk ndodh, fondet do të ndahen mes shteteve të tjera në vitet në vijim.
Kushtet e vendosura janë kritike, veçanërisht për Kosovën dhe Serbinë. Qasja në fondet në kuadër të Planit të Rritjes është kushtëzuar me angazhimin konstruktiv në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve. Kosova dhe Serbia nuk do të mund të kenë qasje në fondet e Planit të Rritjes në qoftë se nuk bëjnë përparim në përmbushjen e detyrimeve të tyre përkatëse sipas Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit dhe Shtojcës së Zbatimit të saj, të gjitha marrëveshjeve të mëparshme të dialogut dhe duhet të angazhohen në negociatat për Marrëveshjen Gjithëpërfshirëse për Normalizimin e Marrëdhënieve.
Rrugët individuale
Sipas Planit të Rritjes, KE po shqyrton për herë të parë integrimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor në tregun e përbashkët të BE individualisht dhe jo bashkërisht. Teksa thekson se shtetet e Ballkanit Perëndimor duhet t’i përmbushin obligimet e zotuara në kuadër të nismës së Tregut të Përbashkët Rajonal, për t’iu qasur integrimit në tregun e përbashkët, Plani i Rritjes gjithashtu vëren se asnjëri shtet nuk mund t’ia bllokojë pesë shteteve tjera qasjen në tregun e përbashkët të BE.
Ky ndryshim hap rrugë të reja për shtetet e Ballkanit Perëndimor. Shtetet që janë pajtuar për zbatimin e nismës së Tregut të Përbashkët Rajonal, do të jenë në gjendje të kenë qasje në fondet e disponueshme, për t’u përgatitur për Tregun e Përbashkët të BE, duke u mundësuar atyre të afrohen më shumë me BE pa u ngadalësuar nga të tjerët.
Kjo veçori ka rëndësi të veçantë për Kosovën dhe Serbinë, të cilat janë të përfshira në mosmarrëveshje dy-palëshe që ndikojnë në zbatimin e Planit të Veprimit të Tregut të Përbashkët Rajonal dhe funksionimin e përgjithshëm të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë me Evropën Qendrore (CEFTA). Për Kosovën dhe Serbinë mund të jetë më e vështirë ta mbajnë ritmin e njëjtë me pjesën tjetër të vendeve të Ballkanit Perëndimor nëse nuk bëjnë përparim drejt normalizimit të marrëdhënieve. E njëjta gjë vlen edhe për Bosnjë e Hercegovinën dhe dështimin e saj për t’i përmbushur obligimet e nismës së Tregut të Përbashkët Rajonal, veçanërisht marrëveshjet për lëvizje, që lejojnë qytetarët e shteteve të Ballkanit Perëndimor të udhëtojnë brenda rajonit duke përdorur vetëm letërnjoftimet.
CEFTA dhe Plani i Rritjes
Një nga marrëveshjet kryesore për zbatimin e Planit të Rritjes është CEFTA, një marrëveshje e financuar nga BE, e krijuar për të lehtësuar tregtinë mes shteteve që dëshirojnë të anëtarësohen në BE. CEFTA kërkon t’i harmonizojë kornizat rregulluese të shteteve pjesëmarrëse me standardet e BE dhe standardet e tjera ndërkombëtare. Anëtarët aktualë përfshijnë të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe Moldavinë.
Plani i Rritjes thekson lehtësimin e CEFTA për bashkëpunim rajonal dhe zbatim të nismës së Tregut të Përbashkët Rajonal si tregues kyç që përcaktojnë qasjen e shteteve të Ballkanit Perëndimor në fondet e Planit të Rritjes. Kjo është posaçërisht problematike, marrë parasysh sfidat e tanishme të CEFTA, të cilat burojnë nga vështirësitë bilaterale midis vendeve të caktuara.
Në veçanti, çështja e përfaqësimit mes Kosovës dhe Serbisë pengon zbatimin e marrëveshjeve dhe protokolleve përkatëse. CEFTA mbetet e vetmja marrëveshje rajonale sipas së cilës Kosova përfaqësohet nga UNMIK. Çdo përpjekje për ta ndryshuar këtë refuzohet nga Serbia, duke rezultuar në bllokimin e aktivitetit të CEFTA. Me përjashtim të zhvillimeve të paparashikuara, Kosova, Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina nuk kanë gjasa t’i përmbushin kushtet e CEFTA. Dhe për shkak se CEFTA është njëri nga organet koordinuese të Planit të Rritjes, ka gjasa që dobësitë e saj të reflektohen në Planin e Rritjes. BE dhe shtetet e Ballkanit Perëndimor duhet të gjejnë mënyra për t’i adresuar këto dobësi. Për të qenë e besueshme, CEFTA duhet ta pasqyrojë realitetin gjeopolitik të rajonit dhe t’i përfaqësojë në mënyrë të drejtë të gjitha palët.
Sfidat dhe hapat e mëtutjeshëm
Plani i Rritjes me gjasë do të përballet me disa sfida. Së pari dhe më kryesorja, përmbushja e tij nuk garanton anëtarësimin në BE. Kjo rrit mundësinë që shtetet e Ballkanit Perëndimor të mos e trajtojnë seriozisht zbatimin ose ta vënë në pikëpyetje nëse pjesëmarrja është e nevojshme, marrë parasysh kushtet e Planit të Rritjes. Nëse zbatimi i suksesshëm i reformave të planifikuara sipas Planit të Rritjes do të siguronte anëtarësim në BE, kjo do ta rriste gatishmërinë e shteteve të Ballkanit Perëndimor për ta zbatuar plotësisht atë. Së dyti, përderisa Plani i Rritjes po jetësohet, tri shtete të Ballkanit Perëndimor potencialisht mund të mos kenë qasje në fonde për shkak se mosmarrëveshjet bilaterale do të mund ta bënin instrumentin të pafuqishëm. Së treti, Planit të Rritjes i mungon një vizion apo udhëzues për adresimin e mosmarrëveshjeve bilaterale rajonale.
Nëse zbatimi i suksesshëm i reformave të planifikuara sipas Planit të Rritjes do të siguronte anëtarësim në BE, kjo do ta rriste gatishmërinë dhe përpjekjet e shteteve të Ballkanit Perëndimor për ta zbatuar plotësisht atë.
Caktimi i zgjidhjeve të mosmarrëveshjeve dypalëshe dhe zbatimi i plotë i nismës së Tregut të Përbashkët Rajonal, si kushte për qasje në fonde, ngre pikëpyetje thelbësore për efektshmërinë e Planit të Rritjes. Për më tepër, përcaktimi i CEFTA si një nga organet kryesore koordinuese për bashkëpunimin rajonal në kuadër të Planit të Rritjes mund të prodhojë kundërefekt, marrë parasysh sfidat me të cilat përballet CEFTA.
Ndërkohë, Plani i Rritjes do të rishikohet nga Parlamenti Evropian dhe KE. Pas miratimit nga këto organe, barra do t’u kalojë shteteve të Ballkanit Perëndimor, të cilave do t’u kërkohet të dorëzojnë veç e veç Agjendat e Reformës, që ofrojnë hollësi lidhur me reformat që do të adresohen nga viti 2024 deri në vitin 2027.
Marrë parasysh përparimin e ngadaltë të shteteve të Ballkanit Perëndimor drejt anëtarësimit, krijimi i një instrumenti tërësisht të varur nga niveli i zbatimit të reformave, rrit mundësinë që fondet e Planit të Rritjes të bëhen të paarritshme. Sipas raporteve të KE të vitit 2023 mbi zgjerimin, Shqipëria dhe Kosova bënë hapa përparimi, ndërsa katër shtetet e tjera nuk bënë përparim domethënës në 33 kapituj. Niveli i gatishmërisë ndryshon në secilin shtet, por në përgjithësi, përparimi ka qenë i ngadaltë.
Këto rrethana shtrojnë pyetjen nëse shtetet e Ballkanit Perëndimor do të mund t’i plotësojnë ndonjëherë kushtet e kërkuara për t’u qasur në fondeve e Planit të Rritjes. Ritmi aktual i zbatimit të reformës është i pamjaftueshëm. Marrë parasysh këtë, BE duhet të konsiderojë për t’i ndihmuar shtetet e Ballkanit Perëndimor në ndërtimin e kapaciteteve për t’i përfunduar reformat, në mënyrë që përpjekjet e BE për zgjerim dhe gatishmëria e shteteve të Ballkanit Perëndimor për t’u bashkuar me BE të përbashkohen. Përndryshe, nëse Plani i Rritjes fillon zbatimin, në një kontekst ku shtetet e Ballkanit Perëndimor janë ende larg përmbushjes së kushteve, i gjithë instrumenti bëhet i pakuptimtë.
Zgjidhja e mosmarrëveshjeve bilaterale
BE përpiqet ta lehtësojë procesin e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve bilaterale mes shteteve të Ballkanit Perëndimor, por pak përparim është bërë deri më tani, gjë që ka penguar shumë procese dhe nisma qenësore rajonale të integrimit në BE. Duke qenë se përpjekjet për zgjidhjen e këtyre çështjeve nuk kanë dhënë shumë rezultate pozitive, është e vështirë e besueshme që shtetet e Ballkanit Perëndimor do t’i zgjidhin ato vetëm për të pasur qasje në fonde. Megjithatë, shtytja për ta bërë këtë, në mënyrë që të përparojnë në procesin e integrimit në BE, mund të ofrojë rezultate të favorshme.
Mosmarrëveshjet bilaterale mbeten temë e ndërlikuar në rajon dhe BE duhet të vazhdojë të ndihmojë në promovimin dhe arritjen e zgjidhjes së tyre. Teksa nxitja që Plani i Rritjes mund të ofrojë, mund të çojë në rezultate pozitive në këtë drejtim, është qenësore që BE të mos i lërë këto çështje plotësisht në duart e shteteve të Ballkanit Perëndimor, por përkundrazi të vazhdojë nxitjen e dialogut dhe diskutimeve në shumë takime krahas zbatimit të nismës së Planit të Rritjes.
Kjo sfidë është veçanërisht qenësore për Kosovën, Serbinë dhe Bosnjë e Hercegovinën, shtete që përballen me sfida të mëdha me integrimin rajonal për shkak të problemeve bilaterale dhe të brendshme. Derisa BE kërkon të ndihmojë në zgjidhjen e këtyre çështjeve, këto shtete duhet të gjejnë mënyra për të ecur përpara dhe për ta thelluar bashkëpunimin rajonal, derisa ndjekin integrimin në BE.
Pa rrugë të qartë drejt anëtarësimit në BE
Planit të Rritjes i mungojnë hapat e qartë drejt garantimit të anëtarësimit në BE për shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe si i tillë nuk specifikon se cilat reforma do t’i zhbllokojnë cilët kapituj të zgjerimit. Siç ka ndodhur me instrumentet e tjera, Plani i Rritjes mund ta mbajë peng procesin e zgjerimit dhe mund të ushqejë zhgënjim mes shteteve të Ballkanit Perëndimor.
Më gjerësisht, mungesa e përparimeve të prekshme për t’u anëtarësuar në BE e ushqen euroskepticizmin, veçanërisht në mesin e brezave të rinj, duke i hapur dyert ndikimit rus dhe kinez në rajon. Derisa pakënaqësia ndaj BE rritet, shtetet e Ballkanit Perëndimor, përjashtuar Kosovën, rrisin bashkëpunimin me Kinën dhe Rusinë në projektet zhvillimore, duke rrezikuar kredi kurthi dhe ndikim më të gjerë rajonal. Nëse zbatimi i reformës brenda Planit të Rritjes nuk lidhet me zhbllokimin e kapitujve të zgjerimit, shtetet e Ballkanit Perëndimor mund të mos e shohin nismën e Planit të Rritjes si të dobishme.
Planit të Rritjes i mungojnë hapat e qartë drejt rezultateve që do ta garantonin anëtarësimin në BE për shtetet e Ballkanit Perëndimor.
Plani i Rritjes ka potencial. Megjithatë, kur BE zhvillon instrumente të tilla, ajo duhet të hartojë strategji lehtësuese për problemet që mund të burojnë gjatë procesit të zbatimit. Nëse supozojmë se vendet e Ballkanit Perëndimor do të mund t’i qasen fondeve të tij, Plani i Rritjes do ta forcojë ekonominë rajonale. Megjithatë, Plani i Rritjes nuk përfshin një tregues të qartë për anëtarësimet e ardhshme në BE. Shtetet e Ballkanit Perëndimor duhet të lobojnë në KE për t’u siguruar që zbatimi i suksesshëm i reformave të ndërlidhet me zhbllokimin e kapitujve të zgjerimit, në mënyrë që integrimi të ecë përpara.
Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla/ K2.0.
Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi vetëm e K2.0. Pikëpamjet e shprehura në të janë të autorit/es dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e K2.0.
A jeni kurreshtarë ta dini se si financohet gazetaria që prodhojmë? Klikoni këtu për të mësuar më shumë.