Të shtunën (më 6 mars 2021) jemi alarmuar së tepërmi kur redaktorja rajonale e K2.0 Nidžara Ahmetašević shkroi në llogarinë e saj në Facebook se ishte arrestuar.
Së bashku me gazetarë, aktivistë, përkrahës të të drejtave të njeriut, si dhe miq e familjarë të Nidžara-s, u përpoqëm të mblidhnim informata për atë që kishte ngjarë, vendndodhjen e saj dhe nëse po respektoheshin mbrojtjet e saj ligjore.
Përgjatë orëve në vijim arritëm t’i qëmtonim faktet kryesore.
Në pasditen e hershme të së shtunës, Nidžara ishte arrestuar dhunshëm nga policia në Sarajevë të Bosnjës e Hercegovinës pasi kishte xhiruar një zyrtar policor në detyrë duke shpërndarë gjoba trafiku.
Gjatë arrestimit, Nidžara kishte kërkuar vazhdimisht nga dy zyrtarët që t’i vinin maskat në mënyrë të duhur meqë i mbanin nën hundë. Një video e filmuar nga Nidžara gjatë ndodhisë paraqet zyrtarët duke u tallur me të dhe duke e quajtur “budala” (budallaqe) para se ta arrestonin dhe të thonin se do ta çonin te Jagomir-i (një spital psikiatrik në Sarajevë).
Nidžara-n e lidhën me pranga pa kurrfarë arsyetimi, ia morën telefonin dhe më pas e dërguan në stacionin policor ku është vënë në mbajtje, pa ia hequr prangat dhe pa i dhënë ujë e ushqim.
Ndërsa po ndodhte e gjithë kjo, zyrtarët kishin vazhduar ta fyenin dhe t’ia shanin nënën. Asaj i ishte mohuar qasja ndaj avokatit për më shumë se një orë; edhe pasi ishte lejuar të thirrte një avokat, asaj nuk i ishte dhënë asnjë shpjegim për shkakun zyrtar të arrestimit të saj.
Të detyrosh një person që i janë mohuar dhunas liritë të zhvishet cullak është akt i hapur i poshtërimit ritual dhe shpërdorim i rëndë i detyrës.
Pasi ishte ndryrë në një hapësirë mbajtjeje, ajo është detyruar të zhvishet cullak dhe i është thënë se do t’i kontrollohet i tërë trupi.
Pas reagimeve të shumta publike nga aktivistët, mediat dhe përkrahësit e të drejtave të njeriut anekënd rajonit, Nidžara më në fund u lëshua pas rreth pesë orësh.
Edhe arrestimi i Nidžara-s, edhe trajtimi abuzues dhe degradues që ka pësuar nga autoritetet, të cilët kanë për detyrë t’i mbrojnë qytetarët dhe ta respektojnë sundimin e ligjit, janë tejet të qortueshme. Ato duhet të shërbejnë si zile shurdhuese alarmi për të gjithë njerëzit që pretendojnë se kujdesen për vlerat demokratike në Bosnjë e Hercegovinë ose në rajonin e gjerë.
Të detyrosh një person që i janë mohuar dhunas liritë të zhvishet cullak është akt i hapur i poshtërimit ritual dhe shpërdorim i rëndë i detyrës, i bërë kryekëput për të shkaktuar cenim. Duke pasur parasysh po ashtu fyerjet dhe sharjet ndaj familjarëve të Nidžara-s, këto veprime kanë pasur qartazi për qëllim të ndjellin frikë dhe ta shtrëngojnë atë dhe janë pa dyshim shkelje e ashpër e të drejtave të njeriut.
Arsyet e gënjeshtërta që janë ofruar rreth arrestimit — të cilat kanë dalluar varësisht nga dëshmitë e ndryshme të dhëna nga zyrtarët — janë tregues shtesë se ka pasur keqpërdorim institucional.
Edhe sikur ky të ishte incident i izoluar do të paraqiste arsye të mjaftueshme për shqetësim. Por çfarë ka ndodhur të shtunën duhet të shihet brenda kontekstit të një fushate të vazhdueshme dhe të shënjestruar të ngacmimit dhe frikësimit ndaj Nidžara-s në vitet e fundit dhe të një dështimi të tmerrshëm të përfilljes së ankesave të saj të raportuara.
Nidžara është ndodhur rregullisht në qendrën e vëmendjes së autoriteteve që parapëlqejnë të veprojnë me mosndëshkueshmëri të plotë.
Nidžara është zë i fuqishëm dhe tejet i duhur për të drejtat e njeriut, sidomos për ato të refugjatëve dhe migrantëve në Bosnjë dhe vërdallë rajonit. Ajo ka bërë fushatë aktive për trajtimin njerëzor të disa nga njerëzit më të cenueshëm dhe të përbuzur në shoqëri dhe është aktiviste e palodhur në terren, duke punuar që nevojtarët të kenë qasje në ushqim, rroba, strehim dhe mbrojtje themelore ligjore.
Që nga angazhimi i saj fillestar në K2.0 para katër vjetësh, Nidžara është një nga redaktoret kyçe në synimin për të siguruar se nxirren në pah rrëfimet e padrejtësive që u nënshtrohen ata njerëz. Puna jonë si medium pa dyshim se pasurohet nga vendosmëria, zelli, ngulmi dhe kujdesi i saj për të zbuluar dhe për të theksuar mënyrën se si padrejtësia brenda sistemeve dhe ushtrimit të pushtetit shtyp individët dhe grupet e caktuara të qytetarëve.
Si rrjedhojë e aktivizmit të saj personal dhe e punës së saj si gazetare, ajo është ndodhur rregullisht në qendrën e vëmendjes së autoriteteve që parapëlqejnë të veprojnë me mosndëshkueshmëri të plotë — pa llogaridhënien që kërkohet përmes fjalëve dhe veprave të saj.
Meqenëse ka qenë cak i ngacmimit keqdashës dhe i një fushate shpifëse online, Nidžara ka dorëzuar ankesa të vazhdueshme te autoritetet. Ngacmimi online që ka raportuar përfshin mesazhe personale në Facebook dhe mesazhe anonime të dërguara në numrin e saj që përmbajnë kërcënime për sulme fizike dhe përdhunim.
Sidoqoftë, në vend se të ndërmarrin hetime për ankesat e saj dhe ta mbrojnë atë, autoritetet boshnjake kanë vazhduar të ngrisin padi të pabaza ndaj saj përmes gjykatave; Nidžara tashmë ka fituar një numër rastesh ndaj saj pasi është zbuluar se policia ka sajuar dëshmi ose nuk ka ofruar prova të vlefshme, megjithatë secili rast ka pasoja personale.
Pavarësisht nga orvatjet e tilla për ta shtyrë drejt heshtjes, Nidžara është e zëshme dhe e papenduar në qasjen e saj dhe shfrytëzon plotësisht të drejtën e saj për shprehje të lirë. Për shumë njerëz, kjo qartazi shkakton parehati dhe shqetësim.
Është pa diskutim thelbësore për shoqëritë tona demokratike që të mbrohen fuqimisht e drejta e Nidžara-s për të ngritur zërin pa frikë dhe puna e saj për të kërkuar llogaridhënie nga pushteti.
Gjuha dhe toni tallës që janë përdorur nga zyrtarët ndaj Nidžara-s gjatë arrestimit teksa ajo ua rikujtonte detyrat e tyre po ashtu pasqyron mënyrat se si mizogjinia është e rrënjosur në sjelljen institucionale.
Sikur thuajse kudo tjetër, në sistemin patriarkal të pushtetit, dhuna ndaj gruas shpërfillet dhe nënçmohet sistematikisht. Prandaj, dhuna e këtillë jo vetëm që ruhet nga institucionet, por edhe riprodhohet nga ta. Sjellja e dhunshme e zyrtarëve policorë ndaj Nidžara-s shpërfaq një shembull klasik të njerëzve me pozitë autoriteti që përdorin pushtetin për t’i delegjitimuar gratë duke u përpjekur t’i zhveshin nga fuqia e tyre e vendimmarrjes dhe qenia politike.
Është padiskutim thelbësore për shoqëritë tona demokratike që të mbrohen fuqimisht e drejta e Nidžara-s për të ngritur zërin pa frikë dhe puna e saj për të kërkuar llogaridhënie nga pushteti.
Duke qenë dëshmitarë të një shpërdorimi kaq flagrant të pozitës së autoritetit me pretendim të vetëcaktuar të fuqisë absolute, është e rëndësishme që të gjithë aktorët dhe organizatat që punojnë për mbrojtjen e lirisë së shprehjes, së medias dhe të të drejtave të njeriut, si dhe ata që promovojnë vlerat demokratike, të këmbëngulin për llogaridhënie. Moskërkimi i veprimeve konkrete dhe mosangazhimi i vazhdueshëm për të ofruar mbrojtje të duhur do të rezultojë në përkeqësimin e një mjedisi tashmë të dobët për gazetarët, aktivistët dhe përkrahësit e të tjerë të të drejtave të njeriut.
Imazhi i ballinës: Velija Hasanbegović.