Duhet të jetë mjaft e rrallë të jetosh në Kosovë në kohë të COVID-19 dhe të mos dëgjosh gjithfarë teorish konspirative për pandeminë.
“COVID-19 është rrenë. Është e krijuar qëllimisht nga njerëzit”. Ose: “Njerëzit po vdesin prej shkaqeve të tjera po qeveria po ua jep familjeve të viktimave nga 3,000 euro nëse vdekja shpallet se ka qenë nga COVID-19”. Ose diçka më morbide: “Virusi është i vërtetë, por qeveria e Kosovës merr para për çdo person të infektuar ose të vdekur nga ai — prandaj po vrasin njerëz me qëllim”.
Së fundi bëra një sondazh të thjeshtë në llogarinë time në Instagram ku i pyeta njerëzit nëse kanë dëgjuar ndonjërën nga këto teori dhe 89% të shokëve që u përgjigjën thanë se po. Por, nëse pyet njerëzit që i besojnë këto teori se ku i kanë lexuar ose dëgjuar këto informata, përgjigjja zakonisht është: “Kushëriri i dikujt i ka thënë kushëririt tim” ose “në internet”, ose “në një portal”.
Po, mediat kanë depërtuar kudo rreth nesh. Mund të pranojmë përmbajtje thuajse në çdo vend dhe në çdo kohë. Sidoqoftë, dikush që është shkolluar mirëfilli priret t’i shohë informatat përmes një thjerre të kërshërisë dhe t’i marrë ato me së paku një fije dyshimi, duke i vënë në pyetje dhe duke u përpjekur t’i vërtetojë — në shkallë të ndryshme, natyrisht, varësisht nga burimi.
Kjo ndodh rrallë në shoqërinë tonë në Kosovë. Informatat konsumohen lehtësisht dhe me to ndërveprohet pa ndonjë lloj analize.
Kam vërejtur tash dhe para COVID-19 — në biseda personale dhe profesionale, në media sociale si dhe në disa media tradicionale — sa vështirë është të bësh diskutime që bazohen në fakte dhe arsye logjike. Sinjalet e tilla shërbejnë si dëshmi që fuqia punëtore e Kosovës jo vetëm që është kryesisht e papajisur me aftësitë dhe diturinë e nevojshme për ekonominë e botës moderne, por edhe shumë njerëz nuk janë të pajisur me aftësi themelore sikur mendimi kritik dhe edukimi medial.
Por, ky problem nuk është i ri. Është thjesht një problem i vjetër në normalen e re. Këto të meta të të menduarit janë sidomos për shkak të një sistemi arsimor që nuk u selit pjesëmarrësve aftësi themelore. Pandemia thjesht ka ngritur në sipërfaqe disa probleme të rrënjosura me të cilat përballemi si shtet.
Problemet e rrënjosura në sistemin arsimor
Mund të pyesni përse po e përmend sistemin arsimor këtu, sikur situata me COVID-19 nuk është tashmë mjaft e komplikuar? Epo, po e cek sepse janë të lidhura ngusht. Ja një rrëfim për ta ilustruar këtë.
“Ju lutem nxirrni një copë letër dhe një laps. Sot do ta shkruajmë një ese të stilit të lirë”. Kjo fjali, të cilën e kam dëgjuar vazhdimisht gjatë viteve të shkollimit tim në Kosovë, dilte nga goja e shumë arsimtarëve të gjuhës shqipe. Për sqarim: Unë i kam kryer klasat 1-11 në Kosovë; pra tërë shkollën fillore deri në shkollën e mesme. Dhe për ata që nuk kanë vijuar shkollën këtu, këto fjali mund të tingëllojnë plotësisht normale. Por për ata që kanë vijuar shkollën këtu, ky është rikujtim për atë se si gjërat e tilla na kanë bërë të ngecim pas për vite me radhë.
Ja përse: Kjo ishte një nga lëndët thelbësore që është dashur të na mësojë themelet e leximit dhe shkrimit. Kur jemi detyruar të lexonim libra për këto lloj lëndësh, qofshin prozë artistike ose tregimtare, informatat që janë kërkuar t’i nxjerrim nga leximi nuk kanë pasur qëllimin të na zhvillojnë aftësitë.
Nuk jemi mësuar kurrë të vëmë qëllime për lexim ose të nënvizojmë tekstin dhe të marrim shënime, të cilat ndihmojnë me përqendrimin dhe përmirësimin e nxënies. Kurrë nuk na është kërkuar të nxjerrim asocime dhe krahasime me ngjarje aktuale, të identifikojmë tema dhe ide të përbashkëta ose t’i qasemi një subjekti në mënyrë kritike.
Fatkeqësisht, e njëjta gjë vlen për shkrimin. Nuk na është mësuar struktura e esesë (hyrja, teza, shtjellimi, përfundimi) ose struktura e fjalisë. Po kështu, nuk na është mësuar të citojmë burime dhe madje më me rëndësi, si t’i identifikojmë dhe t’i zgjedhim burimet e besueshme të informatave. Dhe lista vazhdon.
“Sot do të shkruajmë një ese të stilit të lirë”, thoshte arsimtarja. Udhëzimet vazhdonin: “Tema për sot: Një ditë pranvere në qytetin tim”. Të gjithë shkarravitnim fjalë pas fjale dhe dikur prodhohej një shkrim kaotik dhe i pastrukturuar. Shpeshherë vidhnim fjali dhe paragrafe prej librave dhe poezive pa i cituar kurrë, duke mos ditur se duhej ta bënim një gjë të tillë.
Kur kryenim esenë dilnim para tërë klasës për ta lexuar me krenari. Një nxënës zgjidhej për shkrimin më të mirë. Kurrë nuk e dinim mbi çfarë kriteresh merrej vendimi; kështu mbesnim pa udhëzime dhe nuk mund të përmirësoheshim për herën tjetër. Kjo e bënte vështirë të ëndërroje për të qenë më e mira meqë nuk e kishe parasysh shtegun për të mbërritur aty.
“Sot do të shkruajmë një ese të stilit të lirë” është një ndër arsyet përse, kur Kosova mori pjesë për herë të parë në Programin për Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve (PISA) në vitin 2015 — një vlerësim ndërkombëtar i arsimit për shkencë, lexim dhe matematikë — shteti ynë u radhit në pesëshen më të dobët në tërë botën dhe në vendin e fundit në rajon.
I njëjti përfundim mbështetet nga Indeksi i Kapitalit Njerëzor i Bankës Botërore, i botuar në vitin 2018, i cili tregon për një hendek mësimor prej 5.1 vjetësh për fëmijët në Kosovë. Rezultatet e fundit të PISA-s nga viti 2018 tregojnë rezultat të ngjashëm, ku nxënësit e Kosovës dolën shumë më dobët se mesatarja e OECD-së në tri kategoritë.
“Sot do të shkruajmë një ese të stilit të lirë” është një detaj i vogël në rutinën shkollore që është lehtë të anashkalohet, por mishërohet më vonë.
Si sqarim: qëllimi i kësaj nuk është të hedh poshtë ose të përkrah ndonjërën nga teoritë e krijuara gjatë situatës me COVID-19, por për të treguar se si problemet e nënshtresuara, sikur mungesa e arsimimit cilësor, do të mbeten gjemb në sy për shoqërinë tonë në një mënyrë ose një tjetër. Dhe, puna edhe më e rëndësishme është se kjo duhet të ndryshojë tani.
Një reflektim personal
Ndërsa përpiqem t’i parashtroj këto argumente, dua t’i pranoj privilegjet e mia. Fatmirësisht, unë s’kam pasur nevojë të vijoj studimet universitare në Kosovë. Unë kam kryer vitin e fundit të shkollës së mesme si dhe studimet baçelor e master në ShBA dhe në Mbretërinë e Bashkuar. Por ishin pikërisht çështjet në fjalë që më kanë shtyrë të kërkoj edukim cilësor diku tjetër.
Në moshën 17 vjeçe isha e pakënaqur me drejtimin e shtetit tonë dhe shkallën e vogël të progresit. Kuptova se do t’i takojë brezit tim që t’i përmirësojmë gjërat, prandaj kërkoja mënyra për të kontribuar. Por kisha përshtypjen se sistemi i arsimit nuk më siguronte aftësitë e nevojshme për të shtyrë çfarëdolloj çështjeje përpara, dhe kështu gjeta një rrugë për t’i vazhduar studimet në ShBA në mënyrë që pastaj të kthehem dhe të kontribuoj në procesin e shtetndërtimit në Kosovë.
Kam dëgjuar rrëfime të pafundme nga shokët dhe të afërmit për tmerret e universitetit publik në Kosovë. Pikëpamja ime po ashtu informohet nga mësimet që kam marrë duke punuar me komunitete rinore, duke u angazhuar në komunitet dhe përmes përpjekjeve të mia personale dhe profesionale krahas njerëzve të tjerë, për ta përmirësuar këtë sistem të çalë të edukimit.
Dhe vërtet, arsimimi cilësor nuk ka të bëjë thjesht me aftësitë. Shkollimi në shtete të zhvilluara më ka bindur edhe më tej se sa shumë mund ta ndryshojë edukimi cilësor jetën e një individi, t’ia ndikojë për të mirë shtegun jetësor si dhe të ketë dobi në qarqet më të gjera të njerëzve nga vizioni dhe energjia që fitojnë.
Dallimet mes meje dhe shumë moshatarëve të mi që janë shkolluar në Kosovë janë të dukshme në një mori mënyrash: në mundësitë për punësim, në pavarësinë time dhe qasjen e hapur kundrejt sfidave si individ, në qasjen time ndaj jetës dhe sidomos vetëbesimin tim që mund ta ndryshoj kahjen e jetës sime dhe të vendit tonë nëse punojmë së bashku.
Prapëseprapë, nuk them që problemi i mendimit kritik dhe edukimit medial është i përhapur vetëm në Kosovë. Veglat e mediave të reja kanë ndërruar dinamikat e pushtetit, duke ndryshuar kush ka platformën për ta formësuar opinionin publik dhe autoritetin për të vendosur se çfarë është e vërtetë e çfarë jo. Si rrjedhojë, kjo ka shkaktuar probleme kudo. Megjithatë, kjo është thjesht një arsye shtesë përse qeveria jonë duhet të mundohet më fort për sistemin e arsimit në mënyrë që të përgatitemi për kohën në të cilën jetojmë.
Si mund të kontribuojmë
Ndonëse ky shkrim nuk nisi me një pikëvështrim edhe aq optimist, jo gjithçka është e zymtë. Për fat të mirë ka nisma të shoqërisë civile që punojnë për t’i adresuar të metat e sistemit të edukimit në Kosovë. Ja disa nga to:
Programi PONDER nga UNICEF Innovations Lab / PEN OJQ, i cili ka për qëllim përmirësimin e aftësive jetësore të adoleshentëve duke u selitur edukimin medial dhe qasjet kritike ndaj informatave, gjë që i fuqizon ata t’i marrin informatat në mënyrë kritike, t’i identifikojnë dhe t’i shqyrtojnë paragjykimet, si dhe të çmojnë vlerën, vërtetësinë dhe autoritetin e informatave që hasin.
Programi Changemaker S.K.I.L.L.S nga OJQ-ja 4-H Kosova, një platformë joformale jashtëshkollore që ka për qëllim pajisjen e brezit të ri të Kosovës me aftësitë që duhen për të qenë pjesëtarë proaktivë të shoqërisë. Disa nga këto aftësi përfshijnë zgjidhjen e problemeve komplekse, mendimin kritik, menaxhimin e njerëzve, inteligjencën emocionale dhe plotësimin e nevojave të rrethit.
Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA), misioni i së cilës është mbikëqyrja e proceseve akademike në arsimin e lartë të Kosovës dhe veprimi përmes përgjigjeve të koordinuara për ta përmirësuar cilësinë e mësimdhënies në universitetin publik.
Platorma AKADEMIA, e cila ka publikuar versionin e parë të sistemit kundër plagjiaturës me kapacitete kontrolluese në gjuhën shqipe dhe në disa të tjera.
BONEVET, një mjedis i përshtatshëm për fëmijët që është krijuar për t’i inkurajuar ata të luajnë aktivisht, t’i bëjnë lojërat e veta, të bashkëpunojnë me fëmijë të tjerë, të programojnë robotë, të bëjnë prototipe me printerë 3D dhe CNC, të zgjidhin gjëza dhe enigma, të skicojnë dhe të bëjnë shfaqje kukullash, ta kuptojnë rëndësinë e vlerave, të zhvillojnë aftësitë e komunikimit, të lexojnë libra dhe të mësojnë gjuhë.
Nëse je një i ri ose e re në Kosovë, të lutem u hidh një sy këtyre nismave dhe përdorin në dobinë tënde. Nëse jeni dikush tjetër, ju lutem lexoni për to dhe shikoni se si mund t’i mbështetni.
Në fund, ne duhet të kërkojmë në mënyrë më aktive nga udhëheqësit tanë të shtetit të ketë veprime konkrete, politika dhe mbështetje në mënyrë që t’i japim fund këtij rrethi vicioz pa reforma pragmatike dhe me përparim të pakët në sistemin tonë arsimor.
Ky blog është pjesë e serisë sonë #Rinia2020. A dëshiron të ndash me të tjerët se çka po bluan në mendje? Kliko këtu për më shumë informacione.
Imazhi i ballinës: Arrita Katona / K2.0.