S`fundmi | Shqipëria

Studentët shqiptarë kërkojnë ndryshime

Nga - 14.12.2018

Mijëra të rinj po kërkojnë ndryshime në sistemin arsimor të Shqipërisë.

Për më shumë se një javë, mijëra njerëz – kryesisht studentë – kanë protestuar në rrugët e qyteteve të Shqipërisë, duke kërkuar ndryshime serioze dhe sistematike në sistemin arsimor të vendit.

Protestat më të mëdha janë mbajtur para Ministrisë së Arsimit dhe Sportit në Tiranë, ku protestuesit nga qytetet tjera erdhën për t’i shtuar numrat këtë javë.

“Nuk duam negociata”, “Duam arsim evropian”, “Jemi studentë, jo klientë”, “Hiqni tarifat”, “Jo politikë” dhe “Jo parti politike” janë disa nga slloganet që mund të shihen në rrugë.

Në ditët e fundit protesta janë mbajtur edhe në qytete tjera të Shqipërisë, përfshirë këtu Korçën, Gjirokastrën, Durrësin, Shkodrën dhe Vlorën.

Mbështetje nga profesorët

Gjithçka nisi më 5 dhjetor, me rreth 100 studentë nga Fakulteti i Arkitekturës në Tiranë, e më pas dolën në rrugë protestuesit në Durrës dhe Elbasan. Të nesërmen, më shumë studentë i bojkotuan ligjëratat dhe u bashkuan, duke i sjellur në ndalesë universitetet publike, ndërsa numri i protestuesve është ngritur në mënyrë të qëndrueshme prej atëherë.

Foto: Lorin Kadiu.

Protesta nisi pasi Këshilli i Ministrave e miratoi Vendimin nr. 288 në maj, Neni 4 i së cilit i obligon studentët të paguajnë tarifë shtesë për të hyrë përsëri në provim. Megjithatë, vendimi nuk u diskutua publikisht në atë kohë dhe u mbulua minimalisht nga mediat.

Shumë studentë ishin krejtësisht të pavetëdijshëm për këtë vendim për shkak se universitetet nuk ia shpjeguan ndryshimet as domethënien e vendimit studentëve, pra kjo çështje tek së fundmi erdhi në vëmendje të publikut.

Megjithatë, problemi i ka fillet në vitin 2015 me prezantimin e Ligjit të ri për Arsim. Neni 3 i këtij Ligji i dha universiteteve publike autonomi më të madhe sa i përket financave, autonomisë akademike, organizimit dhe përzgjedhjes së stafit.

Njëkohësisht, kjo lloj autonomie bëri që universitetet të marrin më pak para nga buxheti shtetëror, por si alternativë ta kenë mundësinë për të gjetur vet mënyra të tjera të financimit. Metodat e mundshme që pranoheshin nga Ligji përfshijnë, mbledhjen e parave nëpërmjet aktiviteteve të mësimdhënies apo hulumtimeve shkencore, të drejtave intelektuale, markave apo patentave, si dhe nëpërmjet aktiviteteve artistike the sportive dhe aktiviteteve të tjera ekonomike.

Në 2013, Kryeministri Edi Rama premtoi se shpenzimet në arsim do të rriteshin në 5 përqind të PBB-së, por shpenzimet nuk arritën kurrë mbi 3 përqind. Ndërkohë studentët po ballafaqohen me tarifa të shtuara në vitet e fundit.

Studentët janë mbështetur nga disa profesorë, përfshirë këtu Dhurata Shehrin, e cila thotë se e ka kundërshtuar Ligjin për Arsim prej kur u prezantua për herë të parë. Shehri, e cila ka punuar si profesoreshë e letërsisë në Universitetin e Tiranës për 23 vite, tha për K2.0 se të gjitha kërkesat e studentëve janë të drejta dhe të realizueshme.

“Ata janë kundër Ligjit, pasojat e së cilit mund ta përkeqësojnë situatën si për studentët, ashtu edhe për profesorët”, tha ajo. “Mungesa e financimit të kërkimit shkencor, mungesa e investimeve për infrastrukturën, bibliotekat, e dijen në përgjithësi e ka çuar sitemin universitar drejt kalbëzimit”.

Shehri shtoi se protestat aktuale janë protestat më të mëdha në vitet e fundit – të cilat nuk janë të lidhura për ndonjë parti politike – mund të konsiderohen si reagimi që i ka munguar shoqërisë shqiptare për një kohë të gjatë.

Foto: Lorin Kadiu.

Në mesin e studentëve në rrugë është Erdi Bërxulli, i cili i kreu studimet baqellors në Prishtinë, dhe erdhi në Tiranë për t’i kryer studimet masters. “Dallimi më i madh ndërmjet studimit në këto dy qytete është se në Prishtinë jeta studentore është më e përballueshme financiarisht”, tha ai. “Ne kishim kushte më të mira në konvikte, ndërsa tarifat që duhej t’i paguanim ishin mjaft simbolike: 50 euro në vit”.

Bërxulli pretendon se në Tiranë kushtet janë shumë më të këqia dhe se gjithçka është më e shtrenjtë për studentin. “Qiraja është më e lartë dhe kushtet në konvikte janë të tmerrshme”, tha ai.

Çfarë duan saktësisht studentët?

Në ditën e parë të protestave, studentët i kishin katër kërkesa që i shprehën në rrugë: shfuqizimin e Vendimit nr. 288, përfaqësimin studentor në bordet menaxhuese të institucioneve të arsimit të lartë, përmirësimin e kushteve në konvikte dhe përgjysmimin e të gjitha tarifave studentore.

Kryeministri Edi Rama reagoi nëpërmjet Twitter duke shkruar se kërkesa për tarifën e re për provime kishte ardhur nga dekanët dhe rektorët e universiteteve të Shqipërisë, dhe jo nga vet qeveria. Megjithatë, më herët gjatë javës, deklarata e tij u mohua nga Universiteti i Tiranës, i cili e dha një deklaratë publike në të cilën u tha se ky institucion nuk kishte kërkuar ndonjë tarifë shtesë dhe i mbështetë kërkesat e studentëve. Më 13 dhjetor kërkesat e studentëve u mbështetën edhe nga Universiteti i Arteve nëpërmjet një deklaratë publike.

Ministria e Arsimit ka thënë se e pranon kërkesën për ta shfuqizuar tarifën për provime. “Studentët kanë të drejtë për [të kërkuar] katër pikat. Nuk do të ketë kosto shtesë për studentët përsëritës”, tha Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla në një konferencë për shtyp në ditën e dytë të protestave.

Por studentët thanë se nuk është e mjaftueshme dhe se nuk do të negocionin për kërkesat e tyre.

Kryeministri i ka përsëritur kërkesat – kryesisht nëpërmjet rrjeteve sociale dhe TV kanalit të tij në Facebook, ER TV- për të biseduar me studentët pothuajse çdo ditë prej ditës së dytë të protestave, duke thënë se është i vendosur për t’u munduar ta gjejnë së bashku një zgjidhje.

Por deri sot, studentët i kanë refuzuar të gjitha ofertat për takime dhe i kanë shtuar kërkesat e tyre, që tani përfshijnë gjithashtu më shumë transparencë në buxhetet e Ministrisë së Arsimit dhe institucionet e arsimit të lartë, si dhe rritjen e nivelit të përfshirjes së studentëve në procese të përzgjedhjes së stafit akademik.

Foto: Lorin Kadiu.

Më 13 dhjetor, gjatë një seancës në Parlamentin e Shqipërisë, studentët e lëvizën protestën e tyre te ndërtesa e Parlamentit dhe përsëritën se nuk do të bënin negociata apo dialog dhe se qeveria duhej t’ua përmbushte tetë kërkesat e tyre.

Gjatë fjalimit të tij në seancën parlamentare, KM Rama tha: “E para, protesta i dha një shuplakë qeverisë. E dyta, protesta i dha një grusht opozitës. E treta, protesta i dha një shpresë shoqërisë”.

Në fund të seancës parlamentare, studentët vazhduan duke protestuar para Zyrës së Kryeministrit, ku janë mbledhur përsëri më 14 dhjetor.

Atyre u janë bashkuar të tjerët që e mbështesin kauzën e tyre.

Neritan Liçaj, aktor i mirënjohur në Shqipëri i cili ishte pjesë e protestave të studentëve në dhjetor 1990 që e rrëzuan regjimin komunist, po del përsëri në rrugë. Atij i kujtohen protestat para 25 vitesh dhe slloganet që i ngjajnë këtyre sot: “Liri, Demokraci” dhe “”E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”.

“Nuk më duken shumë të ndryshme këto protesta me ato atëherë”, tha Liçaj për K2.0. “Studentët po i japin mësimet. Ata nuk pajtohen me sistemin politik i cili nuk po funksionon”.

Aktori thotë se beson në fuqinë e protestave të sotme dhe shton se mund të sjellin ndryshime të pakthyeshme. “Ndryshimi do jetë i madh pasi askush nuk do e çojë nëpër mend më të luaj me dinjitetin qytetar pasi do dijë që qytetarët dhe rinia në rradhë të parë do jenë aty për t’i detyruar të punojnë drejt”.K

Tetë kërkesat e studentëve

  • Të rritet buxheti në 5 përqind të PBB-së për ta lejuar përgjysmimin e tarifave studentore dhe të ketë përmirësime në infrastrukturë dhe mësimdhënie (brenda universiteteve dhe konvikteve);

  • Të ketë transparencë në buxhetet e Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe në të gjitha Institucionet e Arsimit të Lartë dhe të publikohen online të gjitha shpenzimet;

  • Të rritet vota totale e studentëve në zgjedhjen e kandidatëve për dekanë dhe rektorë nga 10 përqind në 50 përqind dhe të ketë përfaqësues studentor në çdo senat akademik të çdo fakulteti;

  • Të rishikohen titujt akademikë dhe të verifikohet se nuk ka plagjiaturë në doktoratura dhe libra shkollorë;

  • Bazuar në Paragrafin 2 për Këshille Studentore të Nenit 99 të Ligjit për Arsim të Lartë, ne kërkojmë që Bordi Menaxhues i Institucioneve të Arsimit të Lartë të ketë numër të barabartë të votave nga Anëtarët e Senatit Akademik dhe Institutet e Arsimit të Lartë dhe të shtohet një përfaqësues studentor në këtë bord;

  • Të gjithë studentëve t’u sigurohen karta studentore brenda vitit akademik 2018-19;

  • Të ndërtohen biblioteka me standarde evropiane dhe librari online në gjuhën shqipe pa pagesë për të gjithë studentët;

  • Të vlerësohet performanca e mësimdhënies, të kërkohet nga profesorët të kenë hulumtime të publikuara online si dhe ligjerata të publikuara online.

Foto kryesore: Lorin Kadiu.