Në thelb | Politika

Albin Kurti bëhet kryeministër për herë të dytë

Nga , - 22.03.2021

Administrata e re merr detyrën pas miratimit në Kuvend të qeverisë së re të kryesuar nga VV-ja.

Albin Kurti është bërë kryeministër i Kosovës për herë të dytë pas miratimit të qeverisë së tij të re në Kuvend të hënën (më 22 mars).

Ai do ta udhëheqë një qeveri me tre zëvendëskryeministra dhe 15 ministri thuajse një vit pasi administrata e tij e parë u rrëzua me mocion të mosbesimit. 

Qeveria e përbashkët mes Vetëvendosjes (VV) së Kurtit, listës GUXO të Vjosa Osmanit dhe partive minoritare mori 67 vota për, 30 kundër dhe asnjë abstenim formal nga 107 deputetët e pranishëm në seancë. 

Duke iu drejtuar Kuvendit para votimit, Kurti ka thënë se pas ballafaqimit me shumë pengesa, ajo që dukej e paarritshme u bë realitet. 

Tetë nga ministrat e kabinetit të ri janë të VV-së, dy nga GUXO dhe tri nga partitë minoritare, ndërsa dy nga ministrat në ardhje nuk kanë përkatësi partiake. 

Ministri i Financave dhe Transfereve nga VV i qeverisë së saj të kaluar Besnik Bislimi do të jetë Zëvendëskryeministër i parë për Integrime Evropiane, Zhvillim dhe Dialog. Donika Gërvalla nga GUXO do të jetë edhe Zëvendëskryeministre e dytë, edhe Ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ndërsa Emilija Redžepi nga Nova Demokratska Stranka (NDS, Partia e Re Demokratike) — njëra nga partitë që përfaqëson komunitetin boshnjak — do të jetë Zëvendëskryeministre e tretë për Çështje të Pakicave dhe të Drejta të Njeriut.

Gjatë parashtrimit të planit për qeverisje, Kurti ka ritheksuar shumë nga pikat e fushatës që kanë mundësuar fitoren e thellë të listës së përbashkët të VV-së dhe Osmanit në zgjedhjet e shkurtit, përfshirë luftën kundër pandemisë, e cila është përshkallëzuar sërish në javët e fundit. 

“Me Ministrin e ri të Shëndetësisë, do të fillojmë një plan për vendosjen nën kontroll të COVID-19 me masa të cilat ulin numrin e rasteve të reja dhe që çojnë drejt eliminimit të rasteve me vdekje. Brenda vitit synojmë sigurimin e vaksinave për 60% të popullsisë që do të sigurojë imunizim të mjaftueshëm për të filluar gradualisht kalimin në normalitet”.

Ai është zotuar se do të përqendrohet në reforma me rreze të gjerë në sektorin e shëndetësisë, drejtësisë — me vetingun si prioritet — dhe në arsim, ekonomi dhe mirëqenie sociale.

Duke përvijuar shtegun për rimëkëmbjen nga COVID-19 dhe më tej, Kurti ka thënë se qeveria e tij do t’i japë përparësi përfshirjes së grave, rinisë, pjesëtarëve të komuniteteve minoritare dhe të familjeve në mbrojtje sociale në tregun e punës, si dhe do të punojë për formalizimin e punësimit. Ai po ashtu ka premtuar se do t’i mbrojë tokat bujqësore dhe t’i ndihmojë bujqit, sepse “nëse ka diçka që kemi mësuar nga kjo pandemi, atëherë kjo është se bujqësia është siguri dhe pavarësi”.

Sa i përket procesit të dialogut me Serbinë, i cili po ashtu ka pasur shumë vëmendje ndërkombëtare, ai ka thënë se nuk mund të ketë normalizim të marrëdhënieve për sa kohë që Serbia nuk njeh realitetin e pavarësisë së Kosovës, kërkon falje dhe paguan reparacionet për dëmet e luftës. Kurti po ashtu ka thënë se qeveria e tij do ta padisë Serbinë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe do të kërkojë llogari për personat që mbesin ende të zhdukur.

Gjatë seancës përuruese, Glauk Konjufca i VV-së është zgjedhur Kryetar i Kuvendit dhe kështu është bërë edhe ushtrues i detyrës së Presidentit të Kosovës.

Përfaqësuesit e partive të opozitës kanë kritikuar ekspozeun e tij duke e quajtur “fontanë dëshirash” të pabuxhetuar dhe të paqartë, si dhe mospërmendjen e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, e cila është ngritur sërish si çështje në muajt e fundit.

Disa deputetë po ashtu kanë kritikuar VV-në për caktimin e ngutshëm të seancës, e cila u ka lënë deputetëve pak kohë pas paralajmërimit.

Votimi i qeverisë ka ndodhur në një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të hënën mbrëma pas seancës përuruese të mbajtur mëngjesin e po asaj dite. 

Gjatë seancës përuruese, Glauk Konjufca i VV-së është zgjedhur Kryetar i Kuvendit dhe kështu është bërë edhe ushtrues i detyrës së Presidentit të Kosovës. Me anë të këtij roli më pas ka nominuar Kurtin, si udhëheqësin e subjektit fitues të zgjedhjeve të shkurtit, për ta formuar qeverinë

Kërkesa e VV-së për seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të mbajtur pasdite — me arsyetimin se është krijuar “vakum institucional” — është miratuar nga Kryesia e sapozgjedhur e Kuvendit. 

Të gjitha ndryshimet në krye

Gjatë seancës përuruese në Kuvend, Konjufca ka marrë 69 vota për dhe 33 kundër në votimin për Kryetar të Kuvendit. 

Më herët, ai ka qenë Nënkryetar i Kuvendit mes viteve 2010-2015 dhe ka shërbyer shkurtimisht si Kryetar i Kuvendit pas zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2019, ndërsa më pas ka dhënë dorëheqjen në shkurt për t’u bërë Ministër i Punëve të Jashtme në administratën e parë të Kurtit. 

Me t’u ulur në karrigen e kreut të Kuvendit pas zgjedhjes së tij të hënën, Konjufca u ka thënë deputetëve se do t’i trajtojë paanësisht. “Për mua nuk do të ketë deputetë të kësaj apo asaj partie”, ka thënë ai. “Për mua do të ketë deputetë të barabartë të popullit të Kosovës, sepse kështu jeni”.

Konjufca trashëgon postin më të lartë në Kuvend nga Vjosa Osmani, e cila ka ushtruar këtë detyrë për rreth një vit. Si Kryetare e Kuvendit, ajo po ashtu ishte bërë automatikisht ushtruese e detyrës së Presidentit të Kosovës më 5 nëntor 2020 pas dorëheqjes së Hashim Thaçit.

Në mbyllje të seancës përuruese të Kuvendit, Osmani dhe Konjufca janë takuar për ceremoninë e pranim-dorëzimit të detyrës së Kryetarit të Kuvendit, ku Konjufca ka falënderuar Osmanin për punën dhe përkushtimin e saj gjatë ushtrimit të postit.

“Ajo ka kryer detyrën e ushtrueses së detyrës së Presidentit me shumë përgjegjësi dhe po e bën deri në këto çaste, kur po e kalon detyrën te unë”, ka thënë ai. “Jam i nderuar që po e marr këtë përgjegjësi nga ju znj. Osmani, që keni dhënë shembull të shkëlqyeshëm në politikë e kudo”.

Osmani shpreson që së shpejti të zgjidhet për një mandat të plotë si Presidente e Kosovës pas marrjes së numrit më të madh të votave si kandidate për deputete në historinë zgjedhore të Kosovës dhe theksimit të synimit të saj për t’u bërë koka e shtetit.

Gjatë seancës përuruese po ashtu janë zgjedhur pesë nënkryetarë të Kuvendit.

Betimi solemn i deputetëve të Kosovës

"Unë, deputet/e i/e Kuvendit të Republikës së Kosovës, betohem se me nder e me përkushtim do ta kryej detyrën time dhe do ta përfaqësoj me dinjitet popullin, do të punoj në interes të Kosovës dhe të gjithë qytetarëve të saj, do të angazhohem për mbrojtjen dhe për respektimin e kushtetutshmërisë dhe të ligjshmërisë, për mbrojtjen e tërësisë territoriale dhe të integritetit institucional të Kosovës, për garantimin e lirive dhe të drejtave të njeriut, në përputhje me ligjet e vendit dhe me standardet evropiane. Betohem!"

Saranda Bogujevci (VV), Bedri Hamza (PDK) dhe Kujtim Shala (LDK) janë zgjedhur t’i marrin tri pozitat e përfaqësuesve shqiptarë, ndërsa Slavko Simić (Lista Serbe) është rizgjedhur si përfaqësuesi serb. Pozita e pestë do të mbahet me rotacion nga partitë joshumicë joserbe, duke filluar me Bekim Arifin nga Partia e Ashkalinjve për Integrim (PAI).

Seanca përuruese e së hënës shënon zyrtarisht fillimin e mandatit katërvjeçar të legjislaturës së tetë të Kosovës. Gjatë seancës së drejtuar nga Avni Dehari si deputeti më i vjetër në moshë, janë betuar 114 nga 120 deputetët e rinj. Deputetët që kanë munguar dhe ata që do t’i zëvendësojnë deputetët e emëruar si ministra do të betohen solemnisht në seancën e radhës të Kuvendit.

Kuvendi i sapokonstituuar shënon disa rekorde të reja. 43 ulëset e fituara nga gratë përbëjnë numrin më të madh nga të gjitha legjislaturat, ndërsa 35 të zgjedhurat pa ndihmën e kuotës gjinore prej 30% janë po ashtu rekord.

VV-ja ka 58 deputetë — më shumë se cilado parti në historinë zgjedhore të Kosovës — ndërsa PDK-ja ka 19 dhe LDK-ja 15, rezultati më i dobët ndonjëherë për këto parti. AAK-ja ka tetë deputetë, Lista Serbe 10, ndërsa 10 deputetët e mbetur ndahen mes nëntë subjekteve të ndryshme që përfaqësojnë komunitetet e tjera joshumicë.

K
Imazhi i ballinës: K2.0.