Në mesnatën e 6 gushtit në Prizren në kuadër të festivalit DokuFest, Fatime Kosumi e njohur ndryshe si Andrra, risolli në jetë Palinën, vogëlushen 14-vjeçare që familja vendos ta martojë. Palina është protagonistja e një kënge të vjetër folklorike nga Ulqini dhe njëkohësisht epiqendra e albumit të Andrrës. “Kalle llamen” (Ndize dritën), album i lançuar në janar të këtij viti, përqëndrohet te fenomeni i martesave të vajzave në të gjitha trojet shqipfolëse.
Në maj të vitit 2014, Fatimja udhëtoi nëpër Kosovë duke kërkuar këngë rapsodike të kënduara nga gratë në zonat rurale, çka prodhoi dhe dokumentarin e shkurtër “Këngë e Defa”. Ishte ky udhëtim hulumtues ai që e shpuri tek ato që ndryshe njihen si këngë kanagjeqi: këngët e natës së fundit të beqarisë së vajzës apo gruas.
Në një intervistë për Kosovo 2.0 në janar të vitit 2017, Fatimja tregon sesi ka qenë e vështirë për të gjetur këngë kanagjeqesh. Një pjesë të konsiderueshme të tyre ajo i ka shtënë në dorë nëpërmjet teksteve të mbledhura nga Anton Ҫeta. Afërmendsh, këto tekste vinin bruto, atyre nuk u njihej muzika; ato mbeteshin rrëfenja lirike çfarë e bënte akoma më sfidues përkthimin e tyre në këngë moderne.
Arti i Andrrës është thellësisht politik por mbi të gjitha ai është personal, siç është personale gjithçka kur je vajzë ose grua. Bota e gjitha është personale kur ti identifikohesh si seksi i dytë.
Fatimja kujdeset të tregojë se sa personale është puna e saj edhe për të vetë. Ajo nuk heziton ta njohë publikun me historinë e saj familjare: e ëma e këngëtares ka qenë viktimë e një sistemi që e ka detyruar të fejohet në moshën 14 vjeç dhe të martohet me të mbushur 16. Duke u dhënë zërin e munguar vajzave të këtyre teksteve, ajo i jep njëkohësisht zë edhe nënës së saj.
Ngjarje të tilla përpara se të fitojnë peshë publike, rëndojnë mbi supet e atyre që i përjetojnë drejtpërdrejtë këto fenomene. Dhuna përçohet në një mënyrë ose në një tjetër duke lënë shenjat përkatëse. Ajo është dhimbje e shpirtit përpara se të jetë dramë shoqërore por duke fituar përmasa publike, nuk e lejon të keqen të vijojë pa shqetësim e njëkohësisht i kujton gjithsecilës të prekur se nuk janë vetëm.
Ndër të tjera, ekziston një mekanizëm mbrojtës i njeriut për ta projektuar dhunën si fenomen që u ndodh ‘‘të tjerëve‘”, ‘‘diku”, kudo ku ne s’jemi kur, në fakt, dhuna është e mirë-strukturuar dhe ndodh përditë nën hundën tonë — nga qytetet më të zhvilluara deri në fshatrat më të thellë. Të pretendosh se dhuna nuk ekziston, nuk e zhbën atë, vetëm e forcon.
Realiteti historik dhe aktual që përçojnë këto tekste, shfaqet i zhveshur nga çdo sentimentalizëm kombëtar. E veçanta e artit të Andrrës qëndron në faktin se këtu folklori dhe tradita nuk bien në grackën e adhurimit të trashëgimisë kulturore dhe mbulimit të kësaj trashëgimie me vellon e nacionalizmit për të shfaqur një identitet të rremë, sikurse ndodh jo rrallëherë. Këtu kënga përdoret me mençuri si mjet për të shkuar në zemër të patriarkalizmit në Ballkan, më konkretisht në Kosovë dhe Shqipëri e për ta goditur këtë sistem.
Foto: Somer Spat / DokuFest.
Tingujt e Andrrës janë pasqyrë dhe thirrje revolte për të gjitha vajzat dhe gratë që ky realitet dhe këto tradita u kushtojnë jetën dhe u kushtëzojnë përditshmërinë ende. Pavarësisht elementëve kulturorë të traditës shqiptare të cilët shfaqen edhe vizualisht në videoklipe nëpërmjet kostumeve popullore, valleve ose zakoneve, fryma nëpërmjet të cilës Andrra bën art, i kalon kufijtë e shtetit kosovar dhe atij shqiptar. Ajo rrok çdo vajzë ndaj së cilës pedofilia legjitimohet nëpërmjet institucionit të martesës, teksa dhunën ia shesin si vlerë, nënshtrimin si virtyt dhe burgun psiko-social ku mund të gjendet e ngërthyer, ia paraqesin si rregull ose normë të pakundërshtueshme.
Muzika pop-folk që haset tek Andrra daton herët, në mesin e shekullit të XX në perëndim, ku një formë e re folku tradicional mori hov dhe arriti kulmin në vitet 60. Kjo tipologji muzikore përfshiu në vete zhanre të reja si folk rock, folk metal, electric folk etj. Disa lloje të kësaj muzike folk, të konsideruara world music, përfshijnë kategori të ndryshme të muzikës etnike apo neotradicionale të ndërthurura me muzikën perëndimore pop.
Ky bashkim i tradicionales me modernen është një gjuhë e qartë për të komunikuar me publikun kosovar dhe shqiptar anipse kemi të bëjmë me shoqëri që gjenden në limbo, të ngecura midis të shkuarës dhe dëshirës për të ardhmen, mes traditave arkaike dhe normave shoqërore moderne. Andrra i flet publikut me gjuhën e tij por kujdeset të mos e lejojë këtë të fundit të bjerë në ekzotizma të panevojshme, madje të dëmshme.
Qasja e Andrrës ndaj shoqërisë prej së cilës vjen është kritike, megjithatë ajo nuk e hedh krejt poshtë kulturën e cila e ka kalitur, duke ditur si të veçojë ato elemente që kontribuojnë në pasurinë kulturore shqiptare; madje ajo i përdor këto elemente për t’iu kundërvënë injorancës dhe prapambetjes.
Të këtilla janë kostumet tradicionale nga Zymi i Hasit që Lajde Kajtazi Kolgjeraj, kryetare e shoqatës folklorike “Katarina Josipi” në Zym dhe gratë e tjera në videoklipin e Palinës, mbajnë veshur. Zonja në fjalë ka një koleksion të pasur me veshjet kombëtare të kësaj zone dhe Fatimja nuk ngurron t’i bëjë pjesë të artit të saj këto qëndisma.
Ndërsa te kënga “Kalle llamen”, koreografia e vajzave është frymëzuar nga ajo që njihet si ‘‘Vallja e ushtarit” ose ‘‘Vallja e çlirimit” — një valle e vjetër që origjinën e ka nga Tetova, kërcehet kryesisht nga burrat dhe lidhet me çlirimin nga zgjedha osmane por që Andrra e përvetëson për të paraqitur idenë e çlirimit nga tradita patriarkale.
Ajo na bën të kuptojmë se jetesa nën zgjedhën e një padroni dëmton dhe vret njëlloj. Madje ajo vret më ashpër kur ky padron është i yti; kur ai jeton brenda shtëpisë tënde, ndan të njëjtën shkollë, të njëjtën punë, të njëjtën rrugë me ty; flet të njëjtën gjuhë dhe sillet brenda kufijve të të njëjtit shtet ashtu si dhe ti.
Por jo vetëm kaq, kjo valle simbolikisht jep mesazhin se janë vetë vajzat dhe gratë ato që do të ndryshojnë realitetin duke marrë në dorë frerët e fatit të tyre dhe se ato nuk i ndalon dot asgjë për të ndryshuar kushtet e gjendjen aktuale, sepse gratë munden dhe e dinë se ç’është më e mira për to. Fundja, shpëtimi nuk do të zbresë as nga qielli as nga kali, ai do të nisë me pyetje fare të thjeshta: pse kështu? Pse unë? Pse këtu?
Në koncertin e DokuFest-it, Andrra këndonte e çlirët në skenë duke tërhequr vëmendjen te fuqia e artit dhe muzikës për të shpalosur dhe goditur plagë të tilla sociale. Njëkohësisht ajo na kujton se ndryshimi është proces në kohë: ai vjen me një këngë, një artikull, një protestë, një emision, një koment në rrjetet sociale; prej talenteve dhe mjeteve që zotëron gjithsekush në mënyrë që liria dhe dinjiteti njerëzor të mos i cënohen askujt për shkak të gjinisë ose seksualitetit, kombësisë apo të tjera karakteristikave të tilla sepse liria nuk është veç andërr por e drejtë.
Foto kryesore: Somer Spat / DokuFest.