“Çka është kjo mrekulli? Si e bëre këtë? Prej nga kanë ardhur këto gjëra?”
Rudina Xhunga është e emocionuar.
Përgjatë viteve, drejtuesja e njohur e televizionit shqiptar e ka vizituar shpesh Galerinë Kombëtare të Arteve, një ndërtesë elegante e bardhë në rrugën qëndrore të Tiranës, mirëpo nuk e ka parë asnjëhërë në këtë gjendje. Ajo është këtu për të intervistuar drejtorin e galerisë, Erzen Shkololli. Pasi e vendosi maskën e saj të fytyrës në një statujë, ai e udhëzon drejt rradhëve të skulpturave, pikturave, vizatimeve dhe qeramikës. Ajo nuk mund t’i përmbahet entuziazmit të saj. “Këto ngjyra! Këto fytyra! Si mund të mos e ndjesh buzëqeshjen e këtij portreti?”
Këto fytyra, ngjyra dhe buzëqeshje të rastit i përkisnin Njeriut të Ri (dhe Gruas dhe Fëmijës) së Shqipërisë komuniste. Nëntëqind prej tyre janë të prezentuara këtu – dhe prapë është vetëm një e pesta e koleksionit të madh të realizmit socialist të Galerisë Kombëtare.
Një djalë që fitoi një garë biçikletash, dy krahët në ajër, yllin e kuq të fiksuar në këmishën e tij të bardhë. Një fshatar më kapelën e tij të bardhë dhe mustaqe të bardha, duke ecur prapa djalit të tij i cili mban radion e parë trazistore të familjes. Një punëtore e fabrikës, e rrethuar nga rollet e tekstilit. Ushtarë me mjekërr. Gra të armatosura. Nudo modeste. Zonja të rrudhura. Fermerët me shpatulla të gjera që shikojnë plot besim nga distanca.
Galeria shkëlqente. Pllakat e dyshemesë shndrisnin. Çdo hapësirë qasej në tjetrën me një zhurmë pothuajse të dëgjueshme. Në pjesën e poshtme të shkallëve të gjera në katin e parë qëndronin statuja më të vogla dhe më të mëdha të mbledhura në një gjysmë rrethi, duke mirëpritur vizitorin, duke ruajtur thesarët. Sipër, një pikturë pas një tjetër pikture, të rreshtuara në një panoramë të pafundme të optimizmit proletar.
Njëra pikturë pas tjetrës të rreshtuara në një panoramë të pafundme optimizmi proletar. Foto: Ylli Bala / Arkivi i Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë.
Herën e fundit që isha këtu, në vitin 2005, m’u desh të pyesja dy herë një zonjë të çmendur në kabinën e portierit nëse mund t’i ndezte dritat. Unë isha vizitori i vetëm. Ndërtesa i ngjante galerive të tjera shtetërore të përkeqësuara në të gjithë këtë pjesë të Evropës, të papajisura, apo ndoshta të pa interesuara, për të ruajtur trashëgiminë e tyre dhe për ta lidhur atë me të tashmen.
Sot, jam i mbyllur në Amsterdam. Por, kameramani i Rudina Xhungas po kalon nëpër hapësirat e ndritshme, duke ma mundësuar t’i zmadhoj shumë nga veprat individuale.
Mbi të gjitha këto ferma dhe fabrika qielli është blu. Nuk binte kurrë shi në Shqipërinë komuniste. Megjithatë, edhe në dritën e bollshme të diellit, udhëheqësi suprem shoku Enver nuk kishte kurrë hije. Natyrisht që jo. Ai nuk ishte si të tjerët.
Enver Hoxha po e krijonte Njeriun e Ri, dhe arti ishte një nga mjetet e tij. I ndjeri Gëzim Qëndro, historian i artit dhe ish-drejtor i Galerisë Kombëtare, vinte në dukje se ky Njeri i Ri ishte një faktor i rëndësishëm në krijimin e bashkësisë kolektive, të bashkuar ideologjikisht të popullit shqiptar.
Hoxha kishte punë për të bërë kur erdhi në pushtet në vitin 1944. Lufta e Dytë Botërore e kishte shkatërruar vendin. Pothuajse 80% e popullsisë, pak më shumë se 1 milion në atë kohë, jetonte në zonat rurale dhe varej nga bujqësia. Kishte analfabetizëm masiv. Përmes arsimimit, Njeriu i Ri do të mësonte normat dhe vlerat e socializmit dhe do të ndërtohej një shoqëri e re.
Por deri në mesin e viteve të 50-ta, Shqipëria nuk kishte universitete dhe kjo sepse, siç tha antropologu Olsi Lelaj, Shqipëria ishte “e vonuara e të vonuarave në industrializëm në Ballkan”, nuk kishte klasë punëtore. Në Shqipëri, tha Lelaj, proletari duhej gdhendur nga fshatari.
Sot, këta proletarë të skalitur e mbizotërojnë galerinë. Fermerët, duke mbajtur me krenari sfurqet e tyre midis duajve të artë të grurit; saldatori me përkrenaren e tij mbrojtëse dhe makinën e nxehtë; fytyrat e panumërta, të rinj dhe të moshuar, modestë dhe të përulur, të rreshtuar në rafte gri në katin përdhesë — këta ishin modelet për t’u ndjekur. Kjo nuk ishte si shqiptarët dukeshin në të vërtetë, por si duhej të bëheshin.
Renovimi i Galerisë Kombëtare
Erzen Shkololli, i cili u bë drejtor i Galerisë Kombëtare në vitin 2018, lindi në Pejë në Kosovë në vitin 1976. Ai i mbijetoi luftës, bëri emër si artist, drejtoi hapësirën e tij të artit, vazhdoi të drejtojë Galerinë Kombëtare të Kosovës dhe ishte këshilltar kurator i ekspozitës prestigjioze të artit bashkëkohor dokumenta 14.
Gjithmonë i veshur në mënyrë të përkryer, syzet e tij me rrathë të errëta dhe buzëqeshja ngjitëse fshehin një ndjenjë të çeliktë të misionit — për ta ngritur praktikën artistike në këtë rajon në standardet globale që ai ka arritur ta vlerësojë me kalimin e viteve.
“Unë i qasem kësaj vepre nga perspektiva e artit bashkëkohor”, tha Shkololli. Duke e mohuar një kompleks inferioriteti të zakonshëm në lidhje me artin e epokës komuniste që do ta kishte fshehur të gjithë punën, Shkololli tha, “duam t’i bëjmë të gjitha të dukshme”.
“Ne e morëm punën nga depot me pluhur, e pastruam dhe e sollëm në publik”, tha ai. “Dhe tani, do të organizojmë një histori gojore rreth saj, me leksione dhe intervista. Do të ftojmë artistët origjinalë, si dhe shkrimtarët dhe artistët nga Perëndimi. Kjo do të çojë në shumë interpretime të ndryshme. Më herët, kishte vetëm një kanal — tani, do të ketë shumë “.
Me anë të telefonit, e pyeta pse Rudina Xhunga, drejtuese e televizionit, bërtiti se galeria dukej më e madhe se sa ajo e mbante mend. “Sepse është”, qeshi ai.
Galeria shkëlqen, çdo hapësirë qaset në tjetrën me një tingull këmbues pothuajse të dëgjueshëm. Foto: Ylli Bala / Arikvi i Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë.
Ndërtesa u projektua si një hapësirë ekspozite në vitet e ’70-ta nga arkitekti Enver Faja, por më pas u përdor pjesërisht si depo për ruajtjen e artit. Që nga ardhja e Shkolollit ata kanë hapur sërish hapësirat dhe kanë restauruar materialet origjinale dhe modelet e ndërtesave.
“Riparimi është më i lirë sesa ndërtimi”, tha Shkololli, “dhe kjo ndërtesë meriton të restaurohet duke respektuar format e përdorura nga arkitekti. Një vit nga tani, çdo hapësirë do të jetë e qasshme. Ndërtesa do të jetë e mbushur nga lart poshtë. I gjithë koleksioni do të shfaqet”.
Arkiv i Hapur
Ekspozitat aktuale, “Durimi i Tiranës” dhe “Arkiv i Hapur”, u goditën nga fatkeqësitë. Shkololli i ktheu ato në avantazh. Një ditë para datës zyrtare të hapjes së dy ekspozitave, më 27 nëntor të vitit 2019, Shqipëria u godit nga një tërmet, më vdekjeprurësi në vend që një shekull. Tërmeti mbyti 51 persona. Gjithashtu krijoi çarje të gjata në muret e galerisë. Shkololli i la ato të dukshme, si një përkujtim i tranzicionit të vazhdueshëm dhe të shpejtë që po kalon ky rajon, si në natyrë ashtu edhe në politikë.
Pastaj erdhi pandemia. E cila pastaj i dha shtrirjes së ekspozitave një kuptim shtesë. Për ta simbolizuar natyrën e saj të mbyllur, Shkololli kishte porositur artistin ganez Ibrahim Mahama që të mbulonte Galerinë Kombëtare me një mozaik të madh të pëlhurës së ashpër të markës së tij. Por tani, ky plan dukej më shumë si një gjest mbrojtjeje, duke e mbrojtur galerinë nga kërcënimi i padukshëm.
Brenda, kuratorët Adam Szymczyk dhe Nataša Ilić kishin planifikuar të paraqisnin disa statuja përbrenda kubeve të tejdukshme të ngjyrosura dhe të linin një numër pikturash në ekspozitë të mbuluara me leckë të bardhë, për t’u zbuluar më vonë. Përsëri, pa dashje por me efekt të vërejtshëm, në rrethanat aktuale këto ndërhyrje dukeshin mbrojtëse.
Edhe në këto rrethana, Shkololli mendon se ekspozita ka pasur sukses. Njerëzit, tha ai, e kanë përdorur atë si “arratisje nga jeta e përditshme”.
“I largon nga rutinat e tyre e përditshme dhe frika”, tha ai. Duke vënë në dukje përgjigjen përgjithësisht pozitive, ai tha se shikuesit “vazhdojnë të kthehen për t’i parë pikturat që i kanë dashur atëherë, që i njohin nga librat për fëmijë, duke përfytyruar vende që nuk ekzistojnë më”.
Çfarë do të thotë të ikësh nga një jetë e përditshme e turbulluar nga pandemia dhe dhuna e kapitalizmit në një jetë të përditshme të ndriçuar nga dielli shtypës i përjetshëm i komunizmit shqiptar? Si mund të ndihen sot si një oazë skenat nga proletarizmi paranojak i së kaluarës, ai që përndiqte njerëzit në çdo aspekt të ekzistencës së tyre?
Ky është paradoksi i këtyre ekspozitave: i njëjti realizëm socialist që për dekada i dha një fytyrë të guximshme dhe të qeshur një diktature brutale, ndjehet si një frymë e ajrit të freskët në këto kohë. Kjo vepër, e krijuar nën kufizime të ashpra, e ndaluar nga censuruesit që të mos largohet kurrë nga modelet e shokut Enver, tani duket se shpreh një ndjenjë të lavdishme të lirisë.
Duke ua hequr veprave pëlhurën e ideologjisë, është e qartë se shumë prej këtyre artistëve ishin mjeshtra. Foto: Ylli Bala / Arkivi i Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë.
Pjesë e kësaj mund të jetë efekti i distancës, dhimbja dhe paranoja që qetësohen pas tridhjetë vjetësh. Por një pjesë e saj ka të bëjë me cilësinë e pastër të punës. Duke mos ofruar asnjë kontekst politik ose historik, duke paraqitur 900 veprat në mënyrë të thjeshtë kronologjike, Shkololli dhe kuratorët nxjerrin në pah artin, jo ideologjinë.
Duke ua hequr veprave pëlhurën e ideologjisë, është e qartë se shumë prej këtyre artistëve ishin mjeshtra. Në një vend ku akademitë e artit, si shumica e institucioneve arsimore, filluan të krijoheshin vetëm gjatë viteve të ’50-ta, komanda e zanatit dhe teknikës është goditëse. Nga statuja e fytyrës së një vajze fshatare introverte deri tek peisazhet madhështore të kodrave të rrokullisura të shënuara nga tubat e oxhakut të fabrikave të reja, vetëm mund të mrekullohem me atë që arritën këta artistë brenda kufizimeve të tyre të rrepta, dhe çfarë mund të kenë qenë të aftë të bëjnë jashtë atyre kufizimeve.
Gjetja e lirisë në ngjyrë
Nuk kishte asnjë skenë nëntokësore në Shqipëri. Çdo shenjë e disidencës çoi direkt në kampet e punës. Abstraktet ose eksperimentalet ishin të ndaluara: perëndimor, borgjez, dekadent. Mënyra e vetme për ta shmangur ikonografinë standarde të realizmit socialist ishte përmes ngjyrës dhe furqës.
“Disa nga këta artistë e gjetën momentin e vetëm të lirisë së tyre në ngjyra”, tha Shkololli. Të tjerët ofruan copëza të jofunksionalitetit në përshkrimet e tyre të natyrës, qyteteve dhe fshatrave, në një kohë kur arti pritej të ishte asgjë tjetër veçse funksional.
Historiani i artit Raino Isto ka shkruar se në disa prej këtyre veprave, “lidhja midis punëtorëve dhe peizazhit shfaqet në një gjendje të bollshme që tejkalon arritjen e Partisë (…) Po kështu, në peizazhet e qyteteve më të vjetra të Shqipërisë, si Berati dhe Gjirokastra, me arkitekturën e tyre të dendur osmane, format kubiste të qytetit paraqesin një plan ku mungon organizimi i qartë hierarkik endemik për shumë imazhe socialiste realiste. E njëjta gjë vlen edhe për pamjet e përziera të rrugëve të fshatit, të cilat gjithashtu mohojnë organizimin rreth një strukture qendrore, monumentale. Përsëri, nuk është se këto imazhe i rezistojnë në mënyrë aktive ideologjive totalitare, por që domethëniet e tyre tejkalojnë qëllimet e rrepta utilitariste, propagandistike”.
Ish-drejtori Gëzim Qëndro, i cili ishte një burrë i gjatë, gojëmbël me kaçurrela gri, ma tha të njëjtën gjë në një turne në vitin 2005 kur ai vuri në dukje se çfarë të kërkoj në disa nga të njëjtat piktura të ekspozuara në galeri sot.
Në një pikturë një familje fshatare është mbledhur në një dhomë të ndejes ndërsa një komandant partizan u tregon atyre për parajsën komuniste që ata do të ndërtojnë pasi të mposhten fashistët italianë. “Ato fytyra janë pikturuar me një ndjenjë të shurdhër detyre”, tha Qëndro. “Në fund të fundit, komisioni i censurimit gjithmonë mund të kërkojë ndryshime. Por shikoje oxhakun. Soba dhe flakët janë bërë në mënyrë kaq delikate. Aty artisti e fshehu mjeshtërinë e tij”.
Ekspozita nxjerr në pah edhe Pranverën shumë të shkurtër Shqiptare me pikturën, “Mbjellja e Pemëve” nga Edi Hila, e vitit 1972. Në atë kohë, të rinjtë i linin flokët të rriteshin, vishnin xhinse të gjera te këmbët dhe dëgjonin muzikë rock.
“Mbjellja e Pemës” e Edi Hilas nga viti 1972. Foto: Ylli Bala / Arkivi i Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë.
Në shikim të parë, nuk shoh asgjë të keqe me pikturën. Të rinj e të reja të gëzuar, me shalle të kuqe, po gërmojnë vrima dhe mbjellin pemë në një festë socialiste. “Por shiko përsëri”, tha Qëndro. “A duken këta fëmijë normalë? Është një teatër absurditeti! Një vajzë bërtet sikur ka parë një fantazmë, një tjetër po kërcen me një degë peme në sup. Ky djalë po shkelmon një pemë mbrapa të cilës një vajzë ëndërron. Është një përçartje, sjellje krejtësisht jofunksionale, për të mos i përmendur ato ngjyra impresioniste”.
Edi Hila, i lindur në vitin 1944, u dënua me tre vjet punë të rëndë për këtë pikturë. Sot, ai është i vetmi artist i brezit të tij që nderohet nga skena më e re. Dy vjet më parë, Erzen Shkololli bashkë-organizoi retrospektivën e tij të parë të madhe. Sot, piktura e tij e famshme është shfaqur përsëri në Galerinë Kombëtare, e kthyer në mesin e bashkëkohësve të saj.
“Transparenca e hapjes së këtyre arkivave është e rëndësishme në një shoqëri që ka kaluar 50 vjet izolim”, më tha Shkololli në telefon. “Është gjithçka këtu tani për t’i shërbyer historianëve, shkrimtarëve, studentëve dhe studiuesve. Unë madje marr kërkesa nga disa prej artistëve origjinalë: ‘Unë isha vetëm 19 vjeç në atë kohë dhe ende jo shumë i aftë, kështu që a mund të vij ta përmirësoj punën time? ‘ Natyrisht, unë nuk do ta lejoj, por gjithsesi, ky lloj komunikimi është shumë i këndshëm. “
Realizmi socialist trajtohet kryesisht si një kapitull i veçantë në sondazhet e artit të Evropës Lindore të shekullit të XX. Ai nuk konsiderohet as modern, as avangard dhe as bashkëkohor. Tani, Galeria Kombëtare po ia kthen vendin në historinë e artit modern. Duke ia hequr barrën e origjinës ideologjike dhe duke e ekspozuar tek kuratorët dhe artistët e shekullit XX, e kanë lidhur me botën e sotme.
Imazhi i ballinës: Ylli Bala / Arkivi i Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë.