Në gusht të vitit të kaluar, Artan Hajrullahu shfaqi punimet e tij në ekspozitën ‘‘Artistët në karantinë’’. Ekspozita prezantoi punimet e artistëve gjatë karantinimit, ku shfaqej jeta në situatë pandemie. Piktorit nga Gjilani ekspozita i përshtatej tërësisht; shumica e vizatimeve të tij, edhe në të kaluarën, përmbajnë elemente të jetës së përditshme, kryesisht brenda dhomës së ndejës apo të gjumit.
Duke i përdorur objektet tipike të shtëpive kosovare, e pranë të cilave është rritur, si tentenet, pasqyret dhe shporetin, ai eksploron intimitetet njerëzore dhe tenton t’i thyejë tabutë shoqërore. Me një nostalgji të thellë për shporetin që e përcolli gjatë tërë fëmijërisë, ai përçon në pikturat dhe vizatimet e tij, ngrohtësinë dhe bashkësinë që gjenin njerëzit kur bashkoheshin në dhomën me shporet. Ndërkaq, duke vendosur tentene mbi trupat e zhveshur të personazheve të tij, disi sikur tallet me refuzimin e shoqërisë kosovare për ta pranuar intimitetin për atë që është; pjesë e jetës së përditshme.
Mbyllja e përgjithshme përgjatë karantinimit, që erdhi si pasojë e pandemisë COVID-19, nuk i paraqiti probleme Hajrullahut për sigurimin e materialeve të nevojshme për punimet. Për vite me radhë, ai vizaton mbi copa të kartonit, të cilat zakonisht hudhen nga tjerët. ‘‘Korniza’’ e vizatimeve të tij, zakonisht është forma se si i gjen kartonët ai. Shumë nga kartonët mbi të cilët vizaton janë edhe të kohës së studimeve. Edhe në fëmijërinë e tij pikturonte në çfarëdo cope letre të gjente.
Vizatimet minimaliste të tij me pak elemente janë të ‘‘pavendosura’’ në sipërfaqet e kartonit.
“Tek unë gjetja e materialeve të humbura [hedhura], për të cilat nuk ke nevojë me shpenzu financiarisht, më krijoi njëfarë kreativiteti; mundem me kriju kudo.” thotë ai.
I lindur në vitin 1979, Hajrullahu ka përfunduar studimet për pikturë në Akademinë e Arteve në Prishtinë, ndërkaq tash, pos vizatimeve dhe pikturave, u ligjëron këtë art edhe studentëve në shkollën e mesme të arteve vizuele në Gjilan. Për më shumë se një dekadë, ai ka shfaqur punën e tij në ekspozita grupore nëpër vende të ndryshme, si në ShBA, Gjermani, Kroaci, Slloveni nëpër galeri dhe qendra kulturore. Ndërkaq, ka pasur edhe ekspozita solo në Muzen Kombëtar të Historisë në Tiranë në vitin 2006 dhe Galerinë Kombëtare të Kosovës në vitin 2010, ndër disa të tjera.
Foto: Atdhe Mulla / K2.0.
K2.0 ka biseduar me Artan Hajrullahun për formën dhe përmbajtjen e vizatimeve të tij, për shporetin e pasqyrën, për martesën e tentenet, për dhomën e ndejës si epiqendër të familjes, për të ftohtin e seksin.
K2.0: Sa ka ndikuar aspekti ekonomik i familjeve kosovare, sidomos gjatë viteve ‘90 dhe 2000, kur shumica jetonte në varfëri, në përzgjedhjen tuaj të materialeve për vizatime? Duket se përzgjedhja e copëve të kartonit për të vizatuar është njëlloj kursimi kur e dimë se pëlhura është më e shtrenjtë, ngjashëm kornizat dhe ngjyrat.
Artan Hajrullahu: Jam mundu me mendu diçka monumentale dhe prej aty me kalu në diçka minimale. Nëse ke fillu në një fletë apo fletore nuk ke mund të kalosh diçka ndryshe. Jam detyru, nëse mund të them ashtu, materialet e reciklueshme apo materialet që kanë mbetë [të hudhura] t’jua ndërtoj njëfarë forme dhe aty të kem një hapësirë për me vizatu. Kuptohet minimale. Kjo ka qenë ajo që më ka dhënë mundësi me mendu, apo më ka detyru me mendu çka përtej?
Është një moment kur ke mundësi me ble materiale për punën akademike – për detyrat akademike në fakultet fillimisht të ndihmon familja ekonomikisht; me ble përlhurë e ngjyra. Ama vjen një moment kur të kap ajo kriza ekonomike. Nëse si artist mendon [se me nisjen e vështirësive ekonomike] përfundon gjithçka atëherë s’ke bë kurrë kurgjo. Pikërisht kjo është pika ku duhesh me nisë me mendu ‘‘çka ma tutje?’’, apo ‘‘si ta gjesh vetën më tej?’’. Tek unë gjetja e materialeve të humbura [hedhura], për të cilat nuk ke nevojë me shpenzu financiarisht, më krijoi njëfarë kreativiteti; mundem me kriju kudo. Dikur, kjo u bë rrjedhshmëri; me vizatu mbi copa të kartonit.
Përtej formës, edhe përmbajtja dhe shprehja e vizatimeve tuaja janë pak a shumë minimaliste; krejt personazhet te shporeti, duke i tharë flokët aty diku, e gjithë familja duke qëndruar në një dhomë dhomë, e detaje të ngjajshme. Cila e ndikoi cilën?
Kjo është një nostalgji që përshkuan objekte shtëpiake rreth të cilave jam rritë. Çdo objekt rreth të cilit jam rritë ma kujton një tregim, e gjithmonë ai tregim lidhet me një tregim tjetër dhe këtu fillon ai ngacimi që dikur bëhet shprehje. Pjesë e vizatimeve janë edhe prindërit e mi, por që më shumë tregojnë një marrëdhënie të së kaluarës, pavarësisht se i kam vizatu a pikturu tash, s’po di, ndoshta një emocionin i së kaluarës. Ndoshta me pa mënyrën qysh na kanë rritë!
Përmbajtja e vizatimeve tuaja nuk është ‘glamuroze’ dhe kjo ma kujton, mbi të gjitha, vizatimin e Migjenit. Poetin e keni vizatuar në një copë kartoni, të zhveshur, afër një stufe dhe me penis të vogël, dhe jo në ato ‘pozat e Napoleonit.”
Gjithmonë më ka pengu se si janë parët nudot tek ne, sidomos nëse janë lidhur me figurat kombëtare. Nganjëherë hyn në një imagjinatë që tek e fundit thua ‘‘ngadale se Migjeni tek e fundit edhe është la.’’ Mundemi edhe me e zhvesh edhe me e pa ashtu. Kjo nuk i bie se po e zhveshim nga ajo që reprezenton apo nga ajo që ishte Migjeni, por e rëndësishme është se mundemi me pa Migjenin në mënyra të ndryshme. Kjo është e rëndësishme në punën time. Rreth një historie gjithësecili e gjen veten në mënyra të ndryshme dhe ngacmohet në diçka më personale; zona është e njëjtë por përjetimet të ndryshme.
Kjo po më dërgon tek një pyetje tjetër. Vazhdimisht e ken shporetin nëpër piktura. Pse?
Shporeti është dicka që çdo familje në Kosovë e ka pasë. Për mua shporteti kallëzon pjesën më të madhe të fëmijërisë, bile edhe pjesën time deri vonë. Rreth shporetit jemi nxehë, aty e kemi ba bukën, aty jemi terë, ka ba tym e na e ka tymosë dhomën, ka qenë me shumë funksione. Shporeti gjithmonë ka qenë epiqendër e familjes, njëfarë socializimi. E keni pa që edhe në këto kohët e fundit filluan ta adaptojnë shporetin në atë mënyrë që edhe nxemjet qëndrore t’i bëjnë rreth tij. S’pranojnë me largu shporetin, ani pse është ndryshu mënyra qysh nxehet shtëpia, por shporeti prapë mbetet aty. Fokusimi i familjes, apo edhe i musafirëve, ka qenë tek dhoma ku mbahet shporeti, gjatë dimrit natyrisht. Aty kanë flejtë fëmijët, pleqtë apo ata që kanë qenë keq me shëndet, është ngrënë e është bisedu. Rreth tij ka qenë dhoma që e ka simbolizu unifikimin e familjes; me dal jashtë asaj dhome je mërdhi. Aty ka qenë njëfarë kallaballaku.
I pashë edhe disa vizatime, të cilatmu dukën ndryshe nga ato që zakonisht i shohim prej jush; tashmë ishin edhe disa vizatime që i shfaqin dy perspektiva.
Përmes pikturës gjithmonë tentohet me u pa diçka më shumë. Është e rëndësishme mu pa edhe çka fshihet prapa, ana tjeter e pikturës. Kjo ndoshta është tendencë për me shu kurreshtjen se çka fshihet pas. Një shembull ideal ditor, kur kalon rreth dikujt shpesh edhe kthen kokën pas me pa se çka ka mbrapa tij/saj. Gjithmonë duke paragjyku ndaj një individi apo shoqërie, duke kriju stereotipe të panevojshme në shoqërinë apo rrethin ku jeton. Gjithëherë ajo se çka munde të jetë dhe si mund të duket mprapa. Është një kurreshtje dhe një përshtypje imagjinare, ku ne si individë apo shoqëri dëshirojmë që të mbërrijmë deri aty ku, edhe përtej asaj imagjinares, mund të shihet dhe ta prekim me ndjenja, [diçka] që ndoshta më herët ishte shumë relative.
Çka më ka bërë përshtypje te vizatimet tuaja nudiste, është se rreth personazheve çifte shfaqen tentenet apo shporeti. Pse?
Tentenet në një menyrë metaforike japin pasqyrimin e martesës, zbukurimin e panevojshëm të jetës,estetikën ,ndër tjera, edhe atë shpirtëerore. Te një çift i sapo-martuar, ‘’vajza’’ e ka pasë çejzin, [në të cilin] ka punuar për një kohë të gjatë paramartesore dhe në ditën e martesës, e ka ekspozu ‘’shtri’’ për ta treguar punën e saj [para] të tjerëve. Kjo është sikurse puna e artistëve që e ekspozojnë punën e tyre dhe duan të tregojnë diçka unike apo edhe diçka më shumë.
Diçka tjetër që më ka ngacmu për të vizatu nudot është edhe ajo se, vazhdimisht nëpër tavolina, biseda private flitet shumë për nudon, lakuriqësinë apo edhe seksin. Por, kur duhet të flasim publikisht dhe ta trajtojme si ‘’temë’’ sikur heshtet, shafqet një tendencë e marrës e amoralitetit.
Vizatimet nudo, shpesh përmbajnë referenca për traditën familjare dhe temat tradicionale, paragjykimet ndaj lakuriqësise dhe tabuve shoqërore. E gjitha kjo ka ardhur si shprehje e natyrshme artistike ndaj realitetit tonë shoqëror, proceset intime. Përbrenda mentalitetit në shoqërinë tonë vazhdojnë të ekzistojnë gjykime se nuk duhet të flitet e [të] paraqiten publikisht këto relacione. Mirëpo, jam munduar ta përdori artin për të sjellë natyrshmërinë e jetës njerëzore, paraqitjen dhe qasjen e tyre në një intimitet familjar.
Personazhet në botën e veprave të mia, në disa raste janë lakuriq dhe kanë nevojë të diçkaje që t’i ngrohë, shporeti shërben si një metaforë e një përmbushjeje shpirtërore që është marrë nga kujtesa jonë e përbashkët.
Arkivi personal i Artan Hajrullahut.
Është interesante kjo pjesa ku dhoma e gjumit shihet si galeri. Puna për realizimin e ekspozitës bëhet në studio; ekspozita mbetet ekspoze. Aq sa kurreshtar, kjo qasje edhe më brengos. Dhoma e gjumit më shumë të jetë galeri se sa studio e krijimit? Më kujtohet edhe një vizatim tjetër juaji ku shfaqet një çift i shtrirë në shtrat dhe burri e ka penisin e mbuluar me tentene.
Në shumicën e rasteve tek ne, qoftë vajzë a djalë, në momentin që martohen sikur vjen ajo ‘‘enough [mjaft]’’. ‘‘Qaty përfundon, vazhdo me familje,’’ sikur thonë. Neve na mësohet që familja është e shenjtë, por qëllimet të cilat i ke pasë për të ardhmen, asnjëherë nuk duhet ndërpre. Sikurse në vizatimin në fjalë, një çift i sapo-martuar në natën e parë të martesës, çifti është i zhveshur por [e ka të] pamundur për ta shijuar vetveten. Është pikërisht estetizimi i tepruar i jetës që e ka rrëmbyer jetën nga kënaqësitë e thjeshta e të qent i bashkuar me dikë. Këtu tentenet janë mbulesa estetike dhe shpirtërore që tregojne shumë, një ambicie personale dhe nuk na lejojnë t’i shikojmë gjërat ashtu si janë.
Diçka tjetër që më ka bërë përshtypje te puna juaj është ‘huqja’ e dimensioneve të objekteve; shporeti është pak më larg, por duket më i madh se elementet e tjera që janë më afër, nuk dihet ku është sipëfaqja e ku muri. Çka na tregon kjo?
Ta tregoj një rast. Po rrija me një shok që është arkitekt dhe po më thotë ‘‘Artan kërkund nuk përdorë perspektivë.’’ Perspektivë në këtë rast i bie që një objekt që është më afër të jetë më i madh se ai që gjendet më larg. Por për mua e gjitha është njëfarë iluzioni. Elementet apo objektet i kam përdorë në atë mënyrën naive fëmijërore. Mundet me qenë e thatë nga aspekti i dimensioneve por, ndoshta ma mirë me i pa emocionet. Ndoshta është e rëndësishme që brenda diçkaje të ngjajshme me i pa e përjetu ndryshe gjërat.
S’mund ta harrojmë as pasqyrën brenda vizatimeve e pikturave tuaja. Pak a shumë e shohim aq shpesh sa shporetin. Shumica e figurave njerëzore, në vizatimet tuaja, diku përballen edhe me një pasqyrë. Pse?
Gjithmonë para pasqyrës e ke njëfarë vetkënaqësie. Përtej vetkënaqësisë aty mundesh me pa shumë gjëra, apo me kriju shumë ide e personazhe, por që mund të mos jenë edhe të vërteta. Pasqyra të krijon gjëra imagjinative dhe kur del nga ajo thua ‘‘kadale se tash u ktheva në realitet’’. Në autoportretin tim jam paksa muskuloz që në realitet nuk jam, por ashtu ndoshta e shoh veten para pasqyrës; dyqysh para pasqyrës e qesim veten muskuloz, por që s’do me thënë që është ashtu. Apo mund të jetë një realitet tjetër, por që mbetet realitet. Momentin që e sheh në vizatimet e mia një vajzë tu i terë floktë, apo afër një shporeti, mundet me qenë vetëm një vajzë para shporetit, por [në] momentin që e sheh atë para pasqyrës mundesh me thanë ‘‘kadale mos ka diçka tjetër’’. Mundesh me mendu mos ka diçka përtej; mos është ajo dikush tjetër?K
Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0.