“Unë i përkas komunitetit LGBTI dhe desha të isha i pranishëm këtu – një person më shumë. Të gjithë duhet ta bëjnë, në emër të dashnisë”, thotë një burrë i ri malazes derisa ecën në sheshin “Zahir Pajaziti”, në Prishtinë, nën tinguj të muzikës.
Me kapelë dhe shami me ngjyra e mbulon fytyrën e tij, e duket pothuajse si protestues. Meqë mediat e mbuluan shumë ‘Paradën e Krenarisë”, të parën në Kosovë, ai kishte frikë mos po dallohet nga të afërmit e tij. Ai ende nuk ka dalur haptaz si burrë gej, por ka ardhur nga Podgorica për ta mbështetur këtë moment historik të aktivizmit në mbështetje të komunitetit LGBTI, në Kosovë.
“Jam këtu për t’u treguar njerëzve që edhe ne jemi të njejtë si gjithë të tjerët”, shpjegoi ai. “Nuk jemi të sëmurë, nuk jemi ashtu, e as kështu. Edhe ne jemi njerëz. Të gjithë duhet të dalim e të mbështesim jo vetëm komunitetin LGBT, por të gjitha minoritetet”.
Gjatë viteve, në paradat e krenarisë që janë organizuar në shtetet fqinje kanë marrë pjesë anëtarë të komunitetit LGBTI dhe aktivistë për të drejtat e tyre nga Kosova, duke e festuar kulturën LGBTI e shumëllojshmërinë, dhe duke bërë thirrje për gjithëpërfshirje shoqërore dhe barazi. Dje në paradën e parë të krenarisë që është organizuar në Prishtinë, me moton ‘Në emër të dashnisë’, shumë mbështetës dhe anëtarë të komunitetit LGBTI, të cilët nuk janë kosovarë erdhën për ta kthyer këtë të mirë. Ata u paraqitën në mesin e qindra marshuesve me flamuj shumëngjyrësh , duke ecur prapa një kamioni që lëshonte muzikë dhe e udhëheqte paradën përgjatë bulevardit “Nëna Terezë”.
Ilina Mojsovska dhe Goran Pelovski udhëtoi nga Shkupi për këtë paradë, gjegjësisht për ta mbështetur miqësinë ndërmjet aktivistëve, dhe për t’i bindur njerëzit se e kanë sigurt të dalin haptas. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.
Nën tingujt e Dua Lipës dhe Lady Gagas, K2.0 bisedoi me disa mbështetës të komunitetit LGBTI nga rajoni për rëndësinë e aktivizmit që shkon përtej përkatësisë e ndarjeve etnike.
Ilina Mojsovska (34) dhe Goran Pelovski (25) udhëtuan nga Maqedonia për ta mbështetur këtë kauzë. Mojsovska punon si psikologe në Subversive Front, një organizatë LGBTI e bazuar në Shkup. Ajo mendon se mbështetja për komunitetin LGBTI duhet të shkojë përtej komunitetit dhe kufijve.
“Unë jam aleat heteroseksual, dhe jam shumë e lumtur që jam këtu dhe po i mbështes miqtë tanë në Kosovë, dhe të gjithë njerëzit që janë këtu sot. Dua ta jap dashni dhe mbështetje për këtë miqësi”, tha ajo për K2.0. “Komuniteti LGBTI duhet ta ndjejë dashurinë dhe respektin që e meriton”.
Pelovski mendon se pjesëmarrja në paradë ka rëndësi jetike, sepse u ndihmon njerëzve të cilët ende nuk kanë dalur haptas. “Jam këtu për ta ndarë përvojën me njerëz tjerë të cilët nuk kanë dalur haptas sepse kanë frikë”, tha ai. “Dua t’u them ‘jeni të sigurt, gjithçka do të jetë në rregull’, dhe t’u tregojmë vendasve se ka njerëz të ndryshëm nëpër gjithë rajonin. Shumë mirë është që po e përjetojmë këtë, që po vijmë dhe po e ndajmë këtë shumëllojshmëri”.
Stefna Sparavalo (25) punon me organizatën për mbrojtjen e të drejtave LGBTI Let it be Known (Da Se Zna – Le Të Dihet) e cila operon në Serbi. Ai është një prej katër mbështetësve të komunitetit LGBTI që kanë ardhur nga Beogradi për të marrë pjesë në marshin e krenarisë. Marrëdhëniet e ftohta ndërmjet Serbisë dhe Kosovës veç sa e kanë bërë atë më të vendosur për të marrë pjesë në këtë ngjarje.
“Mendoj se nuk është vetëm për përmirësimin e të drejtave LGBTI, por edhe për zbutjen e tensioneve etnike, si dhe për të mirën e paqes dhe pajtimit ndërmjet serbëve dhe kosovarëve”, tha Sparavalo. “Mendoj se është shumë e rëndësishme sepse Kosova është shtet i ri dhe përballet me shumë vështirësi politike dhe ekonomike, e komuniteti LGBTI vuan shumë nga këto tensione”.
Stefan Sparavalo beson se parada e përçon një mesazh se personat LGBTI në rajon do të luftojnë për të drejtat e tyre. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.
Meqë ai punon më shumë aktivistë kosovarë, Sparavelo beson se është shumë e rëndësishme që të rinjtë në Ballkanin Perëndimor të punojnë së bashku për ta krijuar një rajon që i prioritizon çështjet që lidhen me të drejtat e njeriut, dhe eliminon diskriminimin që ka për bazë etninë, religjionin, gjininë apo orientimin seksual.
“Dita e Krenarisë është një ditë kur komuniteti LGBTI mund të ecë rrugëve të Prishtinës pa u frikësuar se mos po shkelmohet apo sulmohet nga dikush, sepse ata nuk janë në ndonjë guaskë, si një burrë tipik apo grua tipike”, thotë ai. “Mendoj se është shumë e rëndësishme që ta përçojmë një mesazh në gjithë Kosovën, që komuniteti LGBTI ekziston këtu. Është pjesë jetike e shoqërisë dhe nuk është i përbërë nga jashtëtokësorët. E rëndësishme është t’i japim një mesazh zyrtarëve dhe përfaqësuesve qeveritar se ne do të luftojmë për të drejtat tona, se ne sulmohemi në bazë ditore dhe se ne duam barazi”.
Foto kryesore: Atdhe Mulla / K2.0.
Ky artikull është shkruar si pjesë e projektit katër (4) vjeçar ” Koalicioni Të Drejtat e Barabarta për të gjithë (ERAC)”, i cili është një projekt i financuar nga BE dhe menaxhohet nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë. ERAC mbledh së bashku shtatë (7) OJQ që punojnë në fushën e sundimit të ligjit dhe të të drejtave themelore, të cilat punojnë së bashku me 19 OJQ, me fokus në ngritjen e një rrjeti të qëndrueshëm të OJQ-ve, që janë aktive në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave themelore të grupeve të rrezikuara dhe / ose të margjinalizuara, të cilat janë të gjitha komunitetet pakicë, gratë, të rinjtë dhe komuniteti LGBT. Anëtarët e ERAC janë organizatat e mëposhtme: • Qendra Evropiane për Çështje të Minoriteteve në Kosovë; • Qendra për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore; • Qendra për Barazi dhe Liri të komunitetit LGBT në Kosovë (CEL); • Qendra Kosovare për Studime Gjinore; • Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë; •Kosovo Glocal; • Qendra për Ndihmë Juridike dhe Zhvillim Regjional.
Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi vetëm e ERAC dhe nuk mund të merret në asnjë mënyrë për të pasqyruar pikëpamjet e Bashkimit Evropian. Për më shumë informacion në lidhje me aktivitetet e projektit ERAC, ju lutemi vizitoni faqen e internetit të ERAC-it www.equalrightsforallcoalition.com ose vizitioni faqjen e facebook-ut Equal Rights for All Coalition.