Pikëpamje | gratë

Barra e padukshme e gazetareve

Nga - 05.04.2023

Hulumtimi i ri konfirmon seksizmin në redaksitë në Kosovë.

Ekziston një konsensus i gjerë shoqëror se shumica e gazetarëve që raportojnë nga terreni, në shumicën e televizioneve kosovare, janë gra. Ato raportojnë nga terreni qoftë në situata të rrezikshme, si gjatë tensioneve në veri të Kosovës; qoftë në protesta, festa apo thjesht një vox-pop rreth një ngjarjeje të zakonshme. Por, ajo që tërheq më shumë vëmendjen është se ndër vite ka pasur një rritje të dukshme të numrit të gazetareve që mbulojnë politikën, një fushë që tradicionalisht ka qenë e dominuar nga burrat.

Me gjithë mbizotërimin e gazetareve në terren dhe në politikë, pas lajmeve kryesore të mbrëmjes, kur emisionet politike pushtojnë çdo shtëpi, gazetaret fillojnë e zhduken nga ekranet. Në vend të tyre, shohim panele burrash, që përjetësojnë idenë se zërat dhe ekspertiza e grave janë më pak të rëndësishme se ato të burrave, e se gratë nuk janë kontribuese të vlerësuara gjatë çfarëdo dialogu social e politik.

Edhe në vetë përmbajtjen mediale është i dukshëm mosbalancimi gjinor dhe forcimi i stereotipeve të kahmotshme gjinore, që na privon nga këndvështrimet e ndryshme. Gratë, në veçanti, kanë shumë më pak gjasa se burrat që të paraqiten si subjekte në edicione lajmesh, gjë që përjetëson një pamje të shtrembëruar dhe të njëanshme të shoqërisë. 

Mospërputhja mes punës në terren dhe dukshmërisë së gazetareve në panele diskutimesh dhe përmbajtje mediale është vënë në pah edhe në një hulumtim të fundit të publikuar muajin e kaluar, të cilin e kam udhëhequr. Anketa për këtë hulumtim përfshiu 265 gra — gazetare, fotoreportere, moderatore, redaktore, kryeredaktore, drejtore, lektore dhe montazhere — të punësuara në të gjitha llojet e mediave. 

Gjetjet kryesore të hulumtimit

Rreth 50% e të anketuarave fitojnë më pak se mesatarja kombëtare;

39.2% e tyre punojnë më shumë se 40 orë në javë;

Më shumë se 40% e mbulojnë politikën;

21.5% besojnë se fitojnë më pak se kolegët e tyre burra për të njëjtën punë;

26.4% ose një në katër gra ishte viktimë e ngacmimit seksual;

20% kanë qenë të diskriminuara për shkak të pamjes dhe 28.3 përqind për shkak të moshës;

49.1% mendojnë se jeta e tyre private ka pësuar për shkak të punës dhe 29.1 përqind mendojnë se jeta e tyre private ndikon në masë të madhe në punën e tyre;

70% besojnë se gratë janë më pak të pranishme se burrat në përmbajtjet media.

Hulumtimi i dalë nga kjo anketë u inicua nga vetë kërkesa e gazetareve. Dy vite më parë, në 2021, në një takim disa-orësh virtual organizata Iniciativa për ndryshim paqësor (Peaceful Change initiative – PCi) bëri bashkë dhjetëra gazetare nga Kosova dhe Serbia për të folur rreth përfaqësimit gjinor në media dhe vetë gjendjes së grave brenda redaksive.

Në atë kohë pandemia Covid-19 vazhdonte të ishte pjesë e ngulitur e jetës duke dëshmuar vazhdimisht se si pandemia po i përkeqësonte më tej pabarazitë, pasi që shumë nga përvojat e fshehura të krizës ishin gjinore. Kjo fillonte nga barra e punës së papaguar e cila rëndohej dhe më shumë në supet e grave, deri tek rritja e numrit të rasteve të dhunës me bazë gjinore. 

Po ashtu, tashmë ishim bërë dëshmitarë se si në mesin e grave në vijën e parë të frontit kundër pandemisë, si infermieret apo arkëtaret, ishin edhe gazetaret që raportonin për të që nga koha e rasteve të para në Kosovë.

Por përtej punës së tyre të madhe, gjatë takimit virtual, gratë u pajtuan që seksizmi i i cili mirëmban shtypjen e grave në pambarim, nuk është vetëm brenda përmbajtjes mediale, por edhe brenda vendit të punës. 

Dy vite pas, tregimet për ambientet e ashpra e të pasigurta të redaksive u shëndrruan në dokumentim të prekshëm e të qartë. 

Rreth gjysma e grave të anketuara fitojnë më pak se paga mesatare e Kosovës e cila për vitin 2021 ishte 484 euro. Ndërkohë gati 40% e tyre punojnë më shumë se 40 orë në javë. Sigurisht që duhet një analizë tjetër për të parë nëse privimi nga kushtet e dinjitetshme ekonomike është pasojë e hendekut gjinor në paga apo veç një portret i zakonshëm i shfrytëzimit të punëtorëve, në redaksitë kosovare. Anketa nuk ka analizuar pagat e punonjësve burra në redaksi.

Ndërkohë, hulumtimi tregon se si gazetaret hasin në pengesa, ballafaqime e vështirësi shtesë, duke u diskriminuar në bazë të gjinisë. Disa nga këto diskriminime që janë theksuar në hulumtim janë ngacmimet seksuale, moshizmi dhe mospërkrahja e gazetareve nëna.

“E lashë punën”

Hulumtimi zbuloi se ngacmimet seksuale janë shqetësim serioz në shumë medie, ku një në katër gra është viktimë e ngacmimit seksual (26.4%).  

Një numër i konsiderueshëm deklaruan se ngacmuesit janë kolegët e tyre burra — gazetarë, kryeredaktorë, menaxherë, regjisorë, kameramanë dhe montazherë. Shembuj të ngacmimeve seksuale përfshinin gjestet e papërshtatshme ose të padëshiruara seksuale, bërjen e komenteve ose shakave seksuale, dhe ngacmimet përmes mesazheve dhe thirjeve të padëshiruara. Disa gazetare raportuan edhe forma të sulmit seksual, si përkëdhelje ose prekje të padëshiruar seksuale.

Jashtë redaksisë, shumica e ngacmuesve përfshijnë burra që mbajnë poste publike brenda institucioneve dhe partive politike si politikanë dhe zyrtarë, por edhe biznesmenë dhe burra tjerë që përbënin burime të rëndësishme në artikujt dhe hulumtimet e gazetareve. 

Edhe pse anketa nuk i pyeti gratë nëse ato e kishin raportuan ngacmimin seksual te mbikëqyrësit/et e tyre, disa treguan vetë se kur e kishin raportuar, ishin pritur me dekurajim dhe indiferencë. 

Përvoja e frikshme dhe traumatizuese e shkaktuar nga ngacmimi seksual në vendin e punës është veçanërisht e ilustruar në përgjigjen e njëjtë nga së paku tri të anketuara:

“E lashë punën”.

Ngacmimi seksual është abuzim me pushtetin dhe privilegjin. Andaj media ka një rol kritik për të luajtur në luftimin e ngacmimit seksual dhe në llogaridhënien e abuzuesve të pushtetit. Në vend të kësaj, shumë shpesh mediet bëhen bashkëfajtore në lejimin e vazhdimit të këtyre abuzimeve, duke krijuar një kulturë toksike frike dhe heshtjeje që minon sigurinë dhe mirëqenien e punonjësve.

Media, në këtë rast drejtorët/et, kryeredaktorët/et dhe pozitat tjera udhëheqëse brenda medias, duhet të mbajnë një qëndrim dhe të vendosin udhëzime të qarta për raportimin e ngacmimeve seksuale. Ata/ato duhet të ofrojnë mbështetje dhe burime të sigurta për viktimat, dhe t’i mbajnë autorët përgjegjës për veprimet e tyre. Është thelbësore që udhëheqësit/et e mediave ta pranojnë që ngacmimet seksuale jo vetëm që e rrezikojnë integritetin e grave, por edhe e parandalojnë redaksitë që t’i bashkohen luftës globale kundër këtij diskriminimi gjinor në vendin e punës.

Përveç dëshmive të shumëta se si gazetaret objektifikohen dhe ngacmohen seksualisht në vendin e tyre të punës, e përveç avancimeve të padëshiruara seksuale, gazetaret objektifikohen dhe nga redaktorët e menaxherët për qëllime të prodhimit të lajmeve.

“Më është kërkuar nga unë që të dukem më sensuale dhe tërheqëse kur kam intervista me ndonjë artist”, tregoi njëra nga të anketuarat. 

Si mundet media ta luftojë në mënyrë efektive diskriminimin gjinor nëse fillimisht nuk e shqyrton dhe nuk e trajton atë brenda industrisë së vet, por këmbëngul në rolet e dëmshme gjnore, që ushqejnë objektivizimin dhe dehumanizimin që i hapin rrugë dhunës në baza gjinore?

Moshizmi dhe mosmbështetja e gazetareve nëna

Gati 30% e të anketuarave deklaruan se janë diskriminuar për shkak të moshës së tyre dhe kjo vlen më së shumti për gratë e moshës më të re (18-24) dhe më të vjetër (mbi 55).

Për shembull, një numër i vajzave të reja kanë raportuar se kanë marrë vërejtje nënçmuese nga redaktorët dhe nuk janë marrë seriozisht nga burimet për shkak të moshës së tyre. 

Në anën tjetër urgjenca është e dukshme — media duhet të fillojë të diskutojë mënyrat për t’i mbajtur gazetaret e moshuara brenda redaksive në vend se t’i humbasin njohuritë dhe ekspertizën e tyre të çmueshme. Ngjajshëm me tregun e përgjithshëm të punës, mungesa e dukshmërisë së grave të shtyera në moshë nëpër redaksi e panele sugjeron që redaksitë gjithashtu dështojnë në akomodimin e gazetareve më të vjetra dhe me përvojë.

Kjo e fundit nuk është vetëm çështje drejtësie, por edhe çështje e gazetarisë cilësore. Gazetarët me përvojë sjellin një nivel thellësie, kontekst dhe kujtesë institucionale në raportimin e tyre që është e vështirë të përsëritet. Kjo pastaj është edhe pjesë e përgjegjësisë ndaj audiencës të medieve — të sigurojë gazetari që informon nga këndëvështrimet dhe përvojat e ndryshme.

Çështja që gratë nuk janë të mirëpritura në media në një periudhë të caktuar të jetës së tyre reflektohet edhe në përgjigjet e një grupi të konsiderueshëm të të anketuarave që thonë se po përballen me shumë vështirësi për të bërë progres në karrierë për shkak të jetës familjare.

“Duke qenë se më duhet të kthehem në shtëpi në kohën kur fëmija kthehet nga shkolla ose kur mbaron orari i kopshtit/shkollës, ndonjëherë lë mënjanë shumë plane që duhet të realizoj në profesionin tim. Përfshihem sa më pak në tavolina trajnimi dhe diskutimi për të mos humbur kohë, sepse kam një familje në shtëpi që presin kujdes nga unë”, u përgjigj njëra nga to.

Pothuajse 30% thanë se përgjegjësitë e tyre familjare kanë ndikim të madh në angazhimin e tyre në media, derisa gjysma e tyre raportuan që jeta personale ka një lloj ndikimi.

Duke marrë parasysh se si barra e punës së papaguar dhe prindërimit bie në mënyrë disproporcionale mbi supet e grave kosovare në krahasim me partnerët e tyre burra — për nënat beqare është edhe më keq — nuk është çudi që të dhënat e përmbledhura tregojnë se 97% e atyre që janë përgjigjur se përgjegjësitë familjare ndikojnë “shumë” në karrierën e tyre, janë kryesisht të martuara dhe kanë fëmijë.

Është pothuajse rregull që gazetaret, së bashku me gra të tjera nëna, duhet të marrin përsipër barrën e dështimeve të politikave publike dhe mungesës së legjislacionit më progesiv, duke i vënë nënat në vështirësi ekonomike, dhe forcuar nocionin e dëmshëm se ato janë kujdestare absolute në shtëpitë e tyre.

Por mediat në vend se t’i dënojnë gratë nëna edhe më shumë për shkak të normave kulturore, duhet të gjejnë zgjidhje dhe t’i bashkohen bisedës të shumë redaksive të botës se si cilat do të ishin disa opsione që do të lehtësonin marrëdhënien punë-familje të grave në gazetari. 

Është jetike që mediat në Kosovë të aplikojnë koncepte dhe politika feministe në punësim e prodhim mediatik, duke adresuar kështu raportet e pushtetit dhe duke marrë në konsideratë gjininë dhe ndërveprimin e identiteteve sociale që stukturojnë përvojat në vendin e punës. Vetëm në këtë mënyrë mediat mund të krijojnë një mjedis gjithëpërfshirës dhe të larmishëm që mbështet dhe fuqizon gratë gazetare.

Kur grave gazetare u jepen mundësi të barabarta dhe kur vlerësohen perspektivat e tyre, media mund të përfaqësojë dhe pasqyrojë më mirë zërat dhe përvojat e ndryshme të individëve e grupeve shoqërore. Kësisoj, mediat mund të udhëheqin rrugën drejt një shoqërie më të drejtë dhe të barabartë.

 

Imazhi i ballinës: Peaceful Change Initiative.